Bujar Qesja: Ylli Tomorri Panajot Pano i volejbollit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 30
- 6 min read

-Trajner jo vetëm i “Partizanit” por edhe toprrjetës shqiptare
-62 vite në volejboll, 45 vite trajner në një moshë sfiduese 75 vjeçare
-Pas senatorëve të volejbollit Vangjel Koja dhe Petrit Murzaku vjen Tomorri
Volejbolli ynë ka shpresa sa kohë është prezent Ylli mbi Tomorr
Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Gjithnjë më ka tërhequr vëmëndjen, tekniku i rrjetës shqiptare Ylli Tomorri. Statura e tij vjen tejet origjinale. Serioz, shumë korrekt, me një buzqeshje që i shkon fytyrës së tij, ende të pacënuar nga mosha dhe me komunikim që të lë mbresa. Kur drejton ekipin ka siguri në aftësitë e tij teorike, taktike dhe praktike, duke manifestuar besim dhe optimizëm tek ekipi edhe kur janë në problematikë. Prezantimi i tij sporti, kalon kufijtë e të zakonshmes, ndonëse nuk ka ndërmënd të ta thotë këtë, nëse nuk ia lexon punën dhe performancën që paraqet.
Kërkoja të gjeja një rast, apo sebep për t’u marrë si tani gjërësisht, me këtë njeri të çmuar të rrjetës shqiptare, që ka brenda histori, ecuri, pozitivitet dhe siguri. Gërrmova në jetën e Ylli Tomorrit, që jo rrallë rr-ja i shkruhet r duke qenë gabim. Dhe ky gabim nuk është i vogël, kur mëson se i jati i të regjurit të volejbollit Skënder Tomorri, është nga Skrapari dhe i lindur rrëzë malit të Tomorricës. Kjo është edhe burimi i mbiemrit Tomorri. Jeta e lidhi këtë burrë të mënçur me kuçjoten Vito dhe krijuan familjen e tyre, që u rrit dhe u zhvillua në Tiranë. U lumturuan me lindjen e tri djemve Yllit, Gencit dhe Luanit dhe të të dy vajzave. Dhe kjo pesëshe e gjitha ushtroi sportet.

Skënder Tomorri teknik i njohur në Ndërmarrjen Kimike, punoi në fabrikën e bojrave dhe krijoi formatin e një burri, ku i dëgjohej fjala dhe i peshohej mendimi. Prindërit edhe sot e kësaj dite, janë pika e dobët e Ylli Tomorrit, nga kapitujt më të arrirë të volejbollit. Jemi njohur me Yllin në raporte sportive, veçanërisht kur i binte rasti të ndeshej me ekipet e tij në Durrës. Kemi patur edhe polemika, natyrisht në pozicionet që mbulonim, unë të gazetarit dhe ai të trajnerit. Por ajo që më bënte përshtypje ishte qetësia i këtij njeriu, argumenti logjik dhe lënia e bisedës në paqe. Në jemi gjaknxehtë dhe rrëmbehemi, por Ylli ishte yll këtu dhe këto raste nuk i harroj.
Shkak për këto rradhë, u bë titulli më i fundit kampion i “Partizanit” për sezonin sportiv 2024 -2025. Në pesë trofe “Partizani” mbetet i pari. Në 110 sete të konsumuara, janë humbur vetëm dy, duke u fituar 108. Në afro 50 ndeshje të zhvilluara, nuk është humbur asnjë. Falë instiktit të profesionistit, nuk mund ta anashkaloja këtë dukuri, nga më të veçantat në volejbollin e vendit tonë.
Ylli është në 75-së vjetorin e lindjes. U bënë 45 vitet që trajnon ekipe të ndryshme, duke filluar nga të rinjtë e “Dajtit”, të “Partizanit”, e kaloi më pas tek “Studenti” dhe i përqendruar në pjesën më të madhe të kohës tek “Partizani” i zemrës dhe i shpirtit të tij. E nisi me futbollin 12-13 vjeçar. Ndrroi mëndje dhe troket në dyert e specialistëve të volejbollit. Ishin së bashku më shokun e orëve të para, të mirnjohurin Perlat Voshtina, i ndarë prej vitesh nga jeta. Pa e zgjatur, veshi fanelen e kuqe të “Partizanit”, ku veç emrit, iu shtua edhe një yll i dytë m’u në zemër të bluzës, ku lexohej emri i famshëm i ekipit.
U ndala jo pa qëllim tek tekniku i të kuqve, pa dashur të nënvleftësoj asnjë, që ka meritë në titullin e ri kampion të “Partizanit”, pasi ai është burimi ku vjen uji i pastër kristal i suksesit. Vetë pamja e Yllit është fitore, është siguri, është vendosmëri dhe qendresë. Ka një grintë dhe karakter të lindur gare. Nuk dorëzohet, sikur të jetë edhe pika e fundit. Beson tek vetja, sepse e ka kalitur atë që quhet shpirti dhe fryma e garës. Vjen një fakt nga jeta e tij, të cilin e vendosim në këtë rast të përshtatshëm.
Duhet të ketë qenë viti 1973. Mosha e Tomorrit 23 vjeç. Ndeshje finale për titullin kampion. Seti i fundit ishte për kundërshtarin 12-3. Më në fund trajneri me histori suksesi Andon Kona, vendos të “hedhë” në fushë numurin 10 Ylli Tomorri. Dhe fati ishte shkruajtur. Fitohet seti 15-12 dhe i gjithë takimi. Suksesi ishte i ndjeshëm dhe këtu numuri 10, kishte peshën e madhe të suksesit. I prekur nga ky fakt, i madhi i futbollit Panajot Pano, pushton Ylli Tomorrin dhe i thotë:
-Mos e lësho djalë këtë numurin 10, sepse të sjell fat. Ti je Panajoti i volejbollit!
Kujtojmë që edhe kalorësi i futbollit Panajot Pano, luajti me numurin 10. Ylli aktivizohet me “Partizanin” deri në moshën 30-të vjeçare. Është krenar që luajti krahas ajkës së volejbollit Dash Fagut, Taratrit, Rusit, Lenës, Terihatit, Tases, Borovës, Merkos, Dunavakut, Macës, Gjikës etj. Pas 80-tës iu kushtua trajnimit.
Kur ishte në grumbullimet me volejbollin në plazhin e Durrësit, Zoti i bashkoi shikimet dy të rinjve, Ermirës së bukur, tiranases që pushonte me familjen në muajin korrik dhe Yllit, simpatikut dhe tërheqësit të volejbollit. Gjërat rrodhën në favor të dëshirave të dy të rinjve dhe tani janë në 52 vjetorin e krijimit të familjes së tyre. Dhe një fakt tjetër, që vlen si ilustrim për këto rradhë është vajza Orinda, e cila jeton në Abu Dhabi. Që në moshën 6-të vjeçare, është rritur në stolin e “Partizanit”, ku i jati kalonte tërë kohën. Dhe tani nuk heq dorë, nga praktika e të qenurit pranë këtij stoli sa herë që “Partizani” luan fazën e plejofit. Dhe oponencën e parë Ylli Tomorri, e ka nga e bija e dashur Orinda.
Herë herës kam hedhur shënime dhe komente për Ylli Tomorrin, këtë yll gjithnjë në shkëlqim të volejbollit. Jam profesionist i letrave dhe detyra ime, nuk lidhet veteëm me qendrën ku banoj dhe frymoj. Mbi gjysëmshekulli në këtë zanat, kam krijuar përvojën e duhur, që faktet me vlerë që ti ofron jeta ti vlerësoj, analizoj, evidentoj dhe ti bëj pronë të lexuesit. Këtë po bëj edhe në këtë rast. “Partizani” i fitoreve. “Partizani” i sukseseve. “Partizani” i arritjeve të mëdha. Më vjen mirë që pranë Tomorrit, është edhe pasionantin e pakonkuruar, i miri si njeri, zotnia i vyer Fatmir Miço Hajdini.
Ylli Tomorri është në gëzim, por jo në delir. Nuk e njeh këtë cilësi, nuk është e tija. Po të ishte kështu, arritjet nuk do të ishin me pash dhe tregues historikë. Tomorri mburret, që është trajnuar nga kapacitete të tilla të volejbollit si Vangjel Koja, Petrit Murzaku dhe Andon Kona. Ashtu sikundër breza të tjerë volejbollistësh, jam i sigurtë që e kanë për mburrje, të cilët u trajnuan dhe bënë karrierë nga dora dhe mendja mjeshtërore i Ylli Tomorrit.
Nuk besoj se ngutem, kur tentoj të formuloj këtë logjikë: Ylli Tomorri ka krijuar shkollën e re dhe moderne të volejbollit tonë. Teknik me vlera të jashtëzakonshme. Pa e pranuar superlativën, bindem se jemi me fat që në volejbollin shqiptar, drejtojnë ekipe trajnerë të kalibrit të Ylli Tomorrit. Vlen të përhapet ky shembull. Federata Shqiptare e Vlejbollit, nuk ia di natyrën e punës së saj, por duhet ta vendosë në një nga kapitujt më të vyer të historisë së volejbollit këtë Yll mbi Tomorr, shkëlqimi i të cilit nuk ka për t’u shuar në asnjë kohë.
Modestia dhe thjeshtësia e Ylli Tomorrit, ka ecur njëkohësisht me fitoret, me sukseset, me arritjet. Ai e din mirë, që sukseset nuk vijojnë nëse mburresh dhe i shpërdoron. Është puna e madhe që kryhe, për të siguruar vazhdimësinë, ndryshe të rezervohet shansi i humbjeve dhe i prapambetetjes. Ylli punon shumë. Studion, çfrytëzon përvojën dhe kujton edhe si mundësi zbatimi, efektet e mjeshtrave të mëdhenj të rrjetës që nuk jetojnë. Tomorri është mirnjohës. Ka zemër dhe shpirt njerëzor, duke mos i demostruar sukseset, për të çuar në vuajtje kundërshtarët. Ai është dhe mbetet miku i tyre.
Ylli Tomorri luajti 15 vite si volejbollist. Dy vite pjesë i ekipit kombëtar 1973-1975. Për 30 vite drejtoi ekipin e “Studentit”, duke plotësuar 15 tituj kampion dhe 17 Kupa të Shqipërisë. Tek “Partizani” u rikthye në vitin 2016, duke korrur të tjera suksese të bujshme. Drejtoi ekipin kombëtar të volejbollit, në harkun kohor 1991-2016.
Ka merituar të gjitha vlerësimet e mundshme sportive: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe tituj të rëndësishëm honorifikë, dhënë nga Presidenti i Republikës. Janë dy tituj shumë domethënës: “Mjeshtri i Madh” dhe “Nderi i Kombit”. Ka nder më të madh, që po i bën kombit të tij, bashkkombasve të tij, sportëdashësve të flaktë të rrjetës të “Partizanit” dhe jo vetëm!
Dhe gjithnjë mbetet i njëjti, i pamburruri, zotnia i madh dhe i rrallë i volejbollit, trajneri dhe miku i sportistëve, kolegu i dashur dhe i preferuar, babai i shkëlqyer, bashkshorti i çmuar, njeriu i mirë dhe me zemër të madhe.
Rradhë për ty mjeshtër! Rradhë të merituara për ty, i përjetshmi i historisë së volejbollit! Rradhë për ty fisniku ynë Ylli Tomorri!
Qofsh gjithnjë faqebardhë dhe i mbuluar nga bekimi dhe mirësia njerëzore Ylli Tomorri! Ti je dhe do mbetesh Panajot Pano i volejbollit!
Comments