top of page

Bujar Qesja: Ylli Dimraj gjenerali që zgjodhi heshtjen si flamur

Inmemoriam

Ylli Dimraj gjenerali që zgjodhi heshtjen si flamur

-Një elegji për Ylli Dimrajn, njeriun që e bëri Atdheun familje

BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Kur qyteti hesht më fort se këmbanat

Ka ditë kur Durrësi nuk flet. Deti rri më i sheshtë se zakonisht. Rrugët ecin me hapa të ngadalta dhe ajri mbart peshë, që nuk shpjegohet me fjalë. Janë ditët kur qyteti humb nga njerëzit e vet të heshtur, ata që nuk kërkuan kurrë duartrokitje, por që e nderuan atë

Shoqëria shqiptare, ushtria dhe veçanërisht qytetaria durrsake, morën një lajm të hidhur, një lajm që të mpin fjalën dhe të mbush mendimin me respekt e dhimbje.  U nda nga jeta në moshën 78-të vjeçare Gjeneral Brigade  Ylli Dimraj, nga oficerët simbol të Forcave Ajrore dhe të Artilerisë Kundërajrore të Ushtrisë Shqiptare, emër që për dekada lidhej me korrektësinë, profesionalizmin dhe ndershmërinë ushtarake.

Dhe lajmi nuk vjen si zhurmë, por si goditje e qetë në ndërgjegje. Sepse ikin kështu burrat e mëdhenj, pa bujë, pa zë, duke lënë pas boshllëk dhe respekt.

Ylli Dimraj lindi më 30 korrik 1948 në Tepelenë, në një familje me vlera të forta morale dhe atdhetare. Lindi në një tokë të fortë, ku gurët dinë të flasin dhe burrat mësojnë herët të rrinë drejt. Aty nisi rrugëtimi i tij jo thjesht si njeri, por si karakter. Tepelena i dha rrënjët, qëndrueshmërinë, fjalën e matur, durimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë, që nuk të lë të bësh kompromis me veten.

Më pas erdhi uniforma. Jo si stoli, por si betim. Shkolla “Skënderbej” nuk ishte vetëm  një institucion për Ylli Dimrajn, por edhe kalitje. Aty mësoi se oficer nuk bëhesh nga grada, por nga mënyra si e mban kokën lart dhe ndërgjegjen të pastër. Kur u titullua oficer në vitin 1969,  nuk nisi një karrierë, por një mision jete. Ylli Dimraj u brumos jo vetëm si ushtarak, por edhe si qytetar me përgjegjësi të lartë shoqërore

Një jetë e ngritur mbi detyrën

Për 28 vite, Mbrojtja Kundërajrore ishte frymëmarrja e tij. Nga komandant toge, në komandant baterie, nga Laçi në Manzë, nga Divizioni i Shijakut, deri në majat e komandës Ylli Dimraj u rrit, pa u ndarë kurrë nga një tipar i rrallë, fanatizmi ndaj detyrës. Jo fanatizëm i verbër, por ai i ndershmi, që nuk pranon rrugë të shkurtra. E mbylli karrierën në vitin 1997, me gradën Gjeneral Brigade, gradë që nuk ishte formalisht një titull, por përmbledhje e një jete të tërë shërbimi.

Ishte gjenerali, që fliste pak dhe dëgjonte shumë. Ishte drejtuesi që e njihte përgjegjësinë si barrë, jo si privilegj. Në një botë ku shumë krijojnë familje për të pasur strehë, Ylli Dimraj e bëri Atdheun familjen e tij. Nuk krijoi familje biologjike, sepse jeta e tij ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me shërbimin. Ushtria ishte shtëpia, kombi ishte gjaku, detyra ishte trashëgimia.

Në vitin 1997, në një nga periudhat më delikate dhe dramatike të historisë së Shqipërisë, qëndrimi i Gjeneral Ylli Dimraj ishte korrekt, profesional, ligjor dhe thellësisht atdhetar. Për të qenë i ndershëm me ndërgjegjen dhe me popullin e tij,  dha dorëheqjen në shtator të atij viti, akt që flet shumë për karakterin dhe për standardin e pastër njerëzor që i vendoste vetes. Dha dorëheqjen jo si ikje, por si akt i pastër përgjegjësie morale. Pa zhurmë. Pa justifikime. Pa kërkuar alibi.

 Ky ishte kulmi i patriotizmit dhe jo fundi i karrierës. Dhe kur ndërgjegjja i foli më fort se çdo urdhër, zgjodhi rrugën më të vështirë dorëheqjen. Dhe kjo nuk ishte tërheqje, por akt burrërie dhe përgjegjësie morale, duke dëshmuar se për të detyra ishte e shenjtë, jo e negociueshme.

 Ky ishte një gjest burrëror, i rrallë dhe i respektueshëm, që e radhit atë mes figurave të pastra të ushtrisë shqiptare. Durrësi e priti dhe e mbajti si një nga të vetët. Qyteti e ndjeu praninë e tij, pa pasur nevojë për tituj. Në rrugë, në shoqëri, në Shoqatën e Ushtarakëve, ishte njeriu i fjalës së matur, i mendimit të peshuar, i respektit reciprok. Familja Dimraj me rrënjë të forta, me figura të nderuara në sport, arsim, mjekësi dhe qytetari, ishte pasqyra ku edhe Ylli reflektonte dinjitetin e vet.

Kudo që punoi e shërbeu, oficer Ylli Dimraj la gjurmë të pashlyeshme. Ushtarak korrekt, i disiplinuar, i formuar profesionalisht, si drejtues që dinte të dëgjonte, të vlerësonte dhe të vendoste me maturi, si njeri me marrëdhënie të pastra e të ndershme me vartësit, kolegët dhe eprorët. I shërbeu Atdheut dhe Ushtrisë deri në fund me devotshmëri, përgjegjësi dhe ndjenjë të lartë detyre.

Një kapitull më vete në jetën e Gjeneral Ylli Dimraj është angazhimi i tij intelektual dhe publiçistik. Ishte autor i librave dhe studimeve të rëndësishme për historinë e Mbrojtjes Kundërajrore shqiptare dhe për përballimin e situatave të vështira operacionale. Veçanërisht libri “Sfida e Gjeneralit” mbetet dëshmi e fuqishme e përvojës dhe reflektimit të tij si lider.

Në këtë vepër, Ylli Dimraj eksploron sfidat me të cilat përballen drejtuesit në momente kritike, duke sjellë rrëfime të forta, emocionale dhe reale, ku theksohet rëndësia e guximit, qetësisë, qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë morale. Është një histori që lë mbresa të thella dhe që flet jo vetëm për ushtrinë, por për jetën vetë.

Përtej uniformës, Ylli Dimraj ishte pjesë e një familjeje të njohur dhe të respektuar në Durrës, një familje me integritet, fisnikëri dhe qytetari shembullore. Familja Dimraj ka dhënë dhe vazhdon të japë ndihmesa të vyera në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, profesionale dhe sportive.

Rauf Dimraj, rekordmen i vrapimeve në garat e mesme, idhull i sportdashësve në mbarë vendin, inxhinier elektrik dhe i diplomuar edhe në Akademinë e Sporteve, është  emër i nderuar i sportit shqiptar. Motra Shpresa, mjeke shumë e njohur, me bashkëshortin e ndjerë Tom Domi. Vera, mësuese e matematikës. Çaushi, personazh popullor i qytetarisë durrsake. Të gjithë së bashku, përbëjnë një trung familjar që mishëron vlera, sakrificë dhe respekt shoqëror.

Fatkeqësisht, vitet e fundit të jetës, u shoqëruan me një sëmundje të pashërueshme, të cilën Ylli e përballoi me dinjitet, qetësi dhe forcë shpirtërore, ashtu siç kishte përballuar sfidat e jetës dhe të profesionit. Mbylli sytë përgjithmonë në Durrës, qytetin ku familja e tij është rrënjosur fort dhe ku gëzonte respekt të veçantë.

Nga Durrësi në Tepelenë, një kthim me nder

Tani, rruga e fundit e Ylli Dimrajt, shkon nga Durrësi drejt Tepelenës. Nga qyteti ku u respektua, drejt tokës ku lindi. Është një kthim simbolik, si një rreth që mbyllet me dinjitet. Tepelena do ta presë si birin, që nuk e harroi kurrë rrënjën, ndërsa Durrësi do ta përcjellë si njeriun, që i dha qytetit qetësinë e një burri të drejtë.

Gjeneralët e vërtetë nuk maten me yje në supe, por me heshtjen që lënë pas.Ylli Dimraj la një heshtje të rëndë, por fisnike. Një heshtje që flet për patriotizëm pa flamuj, për atdhedashuri pa fjalime, për sakrificë pa ankesa.

U prehsh në paqe Gjeneral! Ushtria Shqiptare, humbi nga bijtë e saj më të denjë. Shoqëria durrsake humbi, një qytetar të respektuar. Familja humbi, njeriun e saj të dashur. Por emri dhe vepra e Gjeneral  Ylli Dimraj, do të mbeten si shembull i ndershmërisë, profesionalizmit dhe shërbimit të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm ndaj popullit dhe Atdheut..

Ti nuk ike. Thjeshtë u ktheve atje, ku burrat e drejtë prehen me ballin lart dhe ndërgjegjen e qetë. Nderim jetës dhe veprës tënde Ylli Dimraj!


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page