BUJAR QESJA: Të pestë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 36 minutes ago
- 2 min read

Të pestë në shërbim të kulturës dhe qytetarisë durrsake
- Iu përgjigja kërkesës të një takimi miqësor me katër këngëtarë të njohur
BUJAR QESJA
Jetë itensive kjo e jona. Herë takime me qytetarë të njohur, jo pak edhe me të panjohur. Punët që bëjmë ngjallin kërshëri në publik. Jo pak takohemi edhe me miq të hershëm dhe të rinj, brenda dhe jashtë Durrësit dhe Atdheut.
E para gjë që tërheq vëmëndjen është malli, kujtimet, mbresat për kohët e kaluara ku kemi qenë së bashku dhe kemi kryer punë të mbara.
Tek konaku që nuk është veçse i imi por edhe i juaji, erdhën tre moskutjerët e këngës durrsake: Ylli Çifti, Petrit Dobjani dhe Kosta Bonshi. Më ftuan për të kaluar minuta me to.
Sapo u ulëm Ylli Çifti, që është në karrierën më të gjatë dhe më të pasur, mori leje për një propozim.
- Sot në Durrës ndodhet dhe mikja jonë e hershme, këngëtarja Rajmonda Kamberi. Ka ardhur nga Athina dhe nesër kthehet sërish atje. Dëshiroj të jetë pjesë e kësaj tryeze të përmallshme.
E si mund t'ia prishnim, kur edhe ne e donim Mondën në tavolinë. Kosta kishte bërë një këngë dhe po e dëgjonim. Bonshi kishte ardhë nga Bolzano, pasi kurohet atje për probleme shëndetësore. Por kënga është terapija më e mirë kundër sëmundjes. Dhe lehtas ia marrin një kënge që të katër.

Na u ngjallën kujtimet e paharruara të viteve 80-të, kur ishim të angazhuar në pallatin " Rinia" dhe ku unë drejtoja këtë tempull të spikatur të kulturës së puntorisë durrsake.
Ylli Çifti vazhdon të këndojë, duke sfiduar moshën 70 e ca vjeçare. Po kështu edhe Kosta Bonshi. Rajmonda Kamberi të "shqep" në zë dhe kënga i ngjit në buzë. Punon në Greqi si zonjë e madhe. Ka aktivitet biznesi. I shoqi Uran Ramadhi është shef kuzhine, në një lokal të njohur në Athinë. Dy fëmijët janë në shkollim në Amerikë.
Dhe Monda nuk i harron miqtë. Petrit Dobjani, rikthehet në Atdhe pas 15 vitesh qendrim në Itali, por e mundojnë këmbët. Por i zbut dhimbjet me këngë. Tek e shikojmë, na kujtohet zëri melodioz dhe fama e marrë në festivalet e këngës në RTSH.
Qendroj në gjirin e katër këngëtarëve të njohur. Jehona e famës së tyre vjen e ulët shtruar dhe ëmbël në tavolinën tonë. Dhe më duket se edhe unë nisa të këndoj së bashku me to.
Sa e bukur është kënga! Sa të mirë janë këngëtarët, veçmas ato durrsakë! E duam Durrësin dhe njerëzit e tij, prandaj edhe kënga vazhdon si një refren i pandërprerë.
Këtë fillim jave me këngëtarët durrsakë. Nuk ua prisha, qendrova pranë tyre si dikur. Dhe kur je me to, jeta të zgjatet dhe problemet e shëndetit të largohen nga trupi.
Pranë Mondës, Yllit, Petritit dhe Kostës. Eh rinia në pallatin " Rinia"! Pamjet me vlerë ia besoj gjithnjë fqinjit tim të "Goldit" Besmir Koçiasit.
Aparati i tij është magjik si katër këngëtarët e kësaj tavoline, e cila zor se do të ketë "fatin" të ketë klientë të kësaj sëre.
Komentarai