top of page

BUJAR QESJA: Taulant Ballazhi  40 vite jetë, punë, besim dhe dashuri


Nga BUJAR QESJA

"Mjeshtër i Madh"

Ka ditë që nuk janë thjeshtë data në kalendar, por ndalesa të bukura për të kthyer kokën pas, për të parë rrugën e bërë dhe për të ndjerë krenari. Sot është një prej atyre ditëve. Taulant Ballazhi mbush 40 vjeç, moshë e pjekurisë së plotë, ku jeta nuk premton më, por dëshmon.

40 vite nuk janë pak. Janë vite përvoje, sakrifice, përkushtimi, besimi dhe dashurie. Janë vite të jetuara me dinjitet, me ndershmëri dhe me punë të palodhur. Taulanti nuk është vetëm një stomatolog i suksesshëm, por edhe një njeri i mirë, që ka ditur të ndërtojë gjithçka mbi themele të forta morale.

Së bashku me bashkëshorten Jurida Kraja, partnere jete dhe pune, grua e përkushtuar dhe fisnike, kanë ngritur me shumë mund, pasion dhe vizion klinikën dentare “Joni Dent”. Një emër që nuk është zgjedhur rastësisht, por buron nga dashuria më e madhe e jetës së tyre: fëmijët.

Joni dhe Gloria janë drita e syve të tyre, arsyeja pse lodhja merr kuptim dhe pse çdo ditë fillon me shpresë. Ata janë bekimi më i madh i kësaj familjeje të bukur, që rritet mbi vlera të shëndosha, mbi respekt, dashuri dhe besim në Zot.

“Joni Dent” është shumë më tepër se një klinikë dentare. Është një vend ku profesionalizmi takohet me njerëzoren, ku fjala e mirë shkon paralel me dorën e sigurt të mjekut. Nuk është rastësi, që klinika frekuentohet gjerësisht dhe vlerësohet nga qytetarët e Durrësit. Reputacioni nuk blihet por fitohet, ditë pas dite, me korrektësi, me përkushtim dhe me rezultate.

Taulanti është nga ata njerëz që nuk bëjnë zhurmë, por lënë gjurmë. Me punën e tij po ndërton një emër të respektuar, jo vetëm si profesionist, por si qytetar. Durrësi e njeh, e do dhe i beson. Dhe kjo është arritje e madhe, në një profesion ku besimi është gjithçka.

Por ajo që e bën edhe më të veçantë këtë çift, është zemra e tyre e madhe. Taulanti dhe Jurida janë njerëz që dinë të ndajnë. Bëjnë bamirësi pa bujë, ndihmojnë fëmijë dhe familje në nevojë pa kërkuar lavdi. Ata besojnë thellë se ajo që jepet me zemër, kthehet shumëfish nga Zoti.


Besimi i tyre në Zot, është busulla që i ka udhëhequr në jetë. Në ditë të vështira dhe në ditë suksesi, kanë ditur të qëndrojnë me këmbë në tokë, falënderues dhe të përulur. Kjo i bën të fortë dhe të qëndrueshëm.

Në këtë rrugëtim të bukur familjar, vend i veçantë u takon edhe Kel dhe Alma Kraja, prindërit e Juridës, një çift i respektuar, shembull i edukatës dhe i vlerave familjare, që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin dashuri, mbështetje dhe urtësi.

Taulant i dashur, sot nuk feston vetëm ti. Feston familja jote, miqtë e tu, pacientët që të besojnë buzëqeshjen dhe të gjithë ata, që të njohin si njeri të mirë. 40 vjet janë vetëm fillimi i një kapitulli edhe më të bukur.

Uroj që vitet që vijnë të jenë edhe më të mbushura me shëndet, paqe, suksese profesionale dhe gëzime familjare. Që klinika juaj të rritet, emri juaj të forcohet edhe më shumë dhe fëmijët tuaj të rriten të lumtur, krenarë për prindërit që kanë.

Gëzuar 40-vjetorin, Taulant Ballazhi!Me respekt, dashuri dhe mirënjohje për gjithçka që je dhe gjithçka që përfaqëson.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page