top of page

BUJAR QESJA: Shkëlqim Hajdari  60-të vite të vlefshme në emër dhe në jetë

  • 7 days ago
  • 3 min read

Shkëlqim Hajdari  60-të vite të vlefshme në emër dhe në jetë

Nga BUJAR QESJA

Jemi mbledhur në këtë mbrëmje të bukur festive, në mjediset mikpritëse të Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, për të nderuar një burrë të respektuar, një familjar shembullor, një drejtues të përkushtuar dhe mbi të gjitha, një njeri me vlera përshëndetëse.

Kam kënaqësinë dhe privilegjin, të të drejtoj këto fjalë urimi, me rastin e 60-të vjetorit të lindjes, jubile i rëndësishëm që përmbledh jetë të pasur me punë, sakrifica, përgjegjësi, arritje dhe respekt të fituar me meritë.

Gjashtëdhjetë vite, nuk janë thjeshtë një numër. Ato janë histori e tërë jete, e ndërtuar ditë pas dite me karakter, ndershmëri dhe përkushtim. Janë vite gjatë të cilave, ke ditur të fitosh respektin e familjes, të kolegëve, të miqve dhe të gjithë atyre që të kanë njohur nga afër.

Së bashku me bashkëshorten tënde të nderuar Marjanën, keni ndërtuar familje të admirueshme, vatër të ngrohtë ku janë edukuar dhe rritur tre fëmijë të mrekullueshëm, Blerti, Arbëri dhe Anisa. Janë krenaria juaj më e madhe, fryti më i bukur i dashurisë, përkushtimit dhe shembullit, që u keni dhënë gjatë gjithë jetës.

Në rrugëtimin jetësor, vend të veçantë zë edhe formimi arsimor. Shkolla e mesme e mjeshtërisë sportive “Bernardina Qeraxhia” në Durrës, mbetet nga gurët e parë të formimit. Ende ruan me dashuri dhe respekt, lidhjet me mësuesit dhe shokët e asaj kohe, duke dëshmuar se mirënjohja është nga virtytet që të shoqëron.

Më pas zgjodhe rrugën e drejtësisë, profesion sa fisnik, aq edhe i vështirë. Për afro çerek shekulli, i shërbeve sistemit të drejtësisë me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim. Në çdo detyrë që të është besuar, ke ditur të mbrosh ligjin, të respektosh të drejtën dhe të ruash krenarinë e funksionarit publik.

Detyrat e rëndësishme që ke mbajtur, përfshirë drejtimin e Prokurorisë së Apelit, funksionin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm të Republikës, zgjedhjen me unanimitet në krye të Asamblesë së “Shoqatës Tirana” dhe më pas emërimin si Prefekt i Tiranës, janë dëshmi të besimit që institucionet dhe shoqëria, kanë pasur dhe kanë ndaj figurës dhe personalitetit tënd.

Në pamje, nga e djathta: Shkëlqim Hajdari dhe Bujar Qesja, në ceremoninë madhështore, me rastin e 60-të vjetorit të lindjes organizuar në Tiranë me 5 qershor 2026.
Në pamje, nga e djathta: Shkëlqim Hajdari dhe Bujar Qesja, në ceremoninë madhështore, me rastin e 60-të vjetorit të lindjes organizuar në Tiranë me 5 qershor 2026.

Por ajo që të bën vërtet të veçantë, nuk janë vetëm postet dhe titujt. Vlera jote më e madhe, është njeriu që ke mbetur. Në një kohë kur shumëkush, sapo ngjitet në shkallët e karrierës, harron miqtë, shokët dhe njerëzit e zakonshëm, t’i ke bërë të kundërtën. Ke ruajtur të njëjtën thjeshtësi, të njëjtën buzëqeshje, të njëjtin respekt për të gjithë. Ke ditur të komunikosh me drejtues të lartë shtetërorë dhe njëkohësisht, të ulesh pranë njeriut të thjeshtë, duke dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tij.

Miqësitë e tua, nuk janë zbehur me kalimin e viteve. Përkundrazi, ato janë forcuar dhe janë zgjeruar. Ti i ushqen ato me dashuri, respekt, korrektësi dhe mirënjohje. Kjo është arsyeja, pse sot rreth teje gjenden kaq shumë njerëz që të duan, të respektojnë dhe të vlerësojnë. Ndoshta nuk është rastësi që mban emrin Shkëlqim.

Sepse ashtu si emri edhe prania jote, shkëlqen në jetën e përditshme. Shkëlqen në familje si bashkëshort dhe prind i përkushtuar. Shkëlqen në shoqëri, si mik besnik. Shkëlqen në detyrë, si drejtues korrekt. Shkëlqen në qytetari, si njeri i respektuar.

Ti mbetesh shembull i bukur i njeriut, që arrin suksese pa humbur thjeshtësinë, që fiton poste, pa humbur njerëzoren dhe që fiton respekt, pa e kërkuar atë.

Patriotizmi yt, dashuria për vendin, respekti për traditat, për familjen dhe për vlerat shpirtërore e fetare, e plotësojnë portretin tënd si personalitet i formuar dhe i admiruar.

I dashur mik!

Sonte nuk festojmë vetëm ditëlindjen tënde. Festojmë edhe një jetë të ndershme. Festojmë një rrugëtim, të mbushur me punë dhe krenari. Festojmë për një njeri, që ka ditur të lërë gjurmë pozitive kudo ku ka kaluar.

Në këtë jubile të bukur, të urojmë nga zemra shëndet të plotë, jetë të gjatë, gëzim familjar, lumturi dhe bekime pa fund!

Urojmë që vitet që vijnë, të jenë po aq të bukura sa ato që ke kaluar, të mbushura me dashurinë e Marjanës, me sukseset e fëmijëve, me përqafimet e nipërve e mbesave, që do të vijnë dhe me respektin e miqve që të rrethojnë!

Faleminderit për miqësinë që na ke dhuruar!Faleminderit për shembullin që ke dhënë!Faleminderit për njeriun e mirë që je!

Gëzuar 60-të vjetorin i dashur Shkëlqim Hajdari!

Qoftë kjo mbrëmje, kurorë e bukur mirënjohjeje, për gjithçka ke ndërtuar deri më sot dhe një pikënisje e viteve edhe më të bukura që të presin përpara!

Me respekt, dashuri dhe vlerësim të veçantë!

Bujar Qesja

Durrës: 5 qershor 2026

 


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page