top of page

BUJAR QESJA: Sanije Doda ambicia e heshtur dhe sfida e dijes

Sanije Doda ambicia e heshtur dhe sfida e dijes


BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

 

Rrënjë veriu dhe horizonte deti

 

Ka jetë që ndërtohen ngadalë, si tekst i shkruar me dorë, rresht pas rreshti, pa ngut, por me bindjen, se çdo fjalë duhet të ketë peshë. Jeta dhe karriera e Prof. Assoc. Dr Sanije Doda, i përkasin këtij rrëfimi. Karakteri vjen përpara titujve dhe ku dija nuk është dekor, por përgjegjësi.

 E lindur në Tropojë, ajo u formua në mjedis, ku fjala bën vend dhe ku puna ishte normë jetese. Tropoja nuk është thjeshtë vendlindje, por shkollë e heshtur karakteri. Ky qytet i dha asaj qëndrueshmërinë morale, ndershmërinë dhe këmbënguljen, cilësi që do ta shoqëronin në çdo etapë të jetës. Ky formim i hershëm, nuk ishte thjesht kujtesë e fëmijërisë, por themel mbi të cilin u ndërtua statura e një gruaje, që do të kërkonte gjithnjë më shumë nga vetja.

 Aty u mësua durimi, respekti për punën dhe ndjenja e detyrës. Këto vlera, të rrënjosura herët, do ta shoqëronin Sanije Dodën në çdo hap të jetës profesionale, duke i dhënë atë qetësi të brendshme, që nuk kërkon afirmim të zhurmshëm, por ndërton autoritet me kohë.

 Ardhja në Durrës, shënoi një kalim thelbësor. Nga veriu i fortë, drejt qytetit të hapur detar, nga rrënjët drejt horizontit. Në këtë qytet, mori mbi vete detyra të shumta, pozicione të ndryshme dhe përgjegjësi që u shtuan vit pas viti. Durrësi u bë vendi ku përvoja u përkthye në dije, ku ambicia u shndërrua në projekt dhe ku rruga e saj, mori përmasën e një karriere të qëndrueshme universitare.

 

Fillimet profesionale provë karakteri

 

Karriera e Sanije Dodës, nuk nisi në auditorë universitarë, por në terrenin konkret të ekonomisë praktike. Puna si ekonomiste në sektorin e bonifikimit të ujërave në Bajram Curri, ishte një përvojë kërkuese. Saktësia, përgjegjësia dhe përballja me vështirësitë e realitetit, ishin pjesë e përditshmërisë. Kjo periudhë i mësoi, se ekonomia nuk është vetëm teori, por vendimmarrje që kërkon maturi dhe ndershmëri.

Më pas, puna në administratën publike i dha tjetër dimension profesional, njohjen e institucioneve, të proçedurave dhe të marrëdhënieve njerëzore brenda sistemit. Kjo përvojë do të ushqente më vonë, mënyrën e të menduarit si pedagoge dhe studiuese, duke i dhënë qasje realiste dhe të ekuilibruar koncepteve teorike.

 Kalimi në arsimin parauniversitar, fillimisht si mësuese dhe më pas si nëndrejtoreshë e Shkollës së Mesme Kombëtare të Agrobiznesit në Golem, ishte tjetër provë e rëndësishme. Aty u shfaqën qartë aftësitë drejtuese për të menaxhuar njerëz, situata dhe proçese, si dhe një ndjenjë e thellë përgjegjësie ndaj brezit të ri.

 

Universiteti “Aleksandër Moisiu” shtëpia akademike


Që nga viti 2008, Sanije Doda është pjesë e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, institucion ku karriera akademike, gjeti hapësirën më të gjerë për t’u konsoliduar dhe për t’u shpalosur në gjithë kompleksitetin. Fillimisht në Departamentin e Marketingut, më pas në atë të Financës dhe që prej vitit 2014, në Departamentin e Menaxhimit, ajo ka ndërtuar profil të gjithanshëm pedagogjik, duke kaluar natyrshëm nga analiza financiare, tek sjellja organizative dhe menaxhimi strategjik.

 Auditori universitar për pedagogen e afirmuar Doda, nuk ka qenë kurrë hapësirë formale e transferimit të dijes, por laborator mendimi, ku teoria provohet përmes shembujve konkretë, ku eksperimentimi akademik dhe debati kritik, nxisin studentët të shohin përtej tekstit mësimor. Përvoja e gjatë në sektorin publik dhe në arsimin parauniversitar, i  dha aftësinë të lidhë konceptet teorike me realitetin shqiptar të ekonomisë dhe menaxhimit.

 Në këtë universitet, puna dhe studimi janë shkrirë në një proçes të vetëm, shpesh sfidues, por gjithnjë frytdhënës. Kërkimi shkencor ka ushqyer mësimdhënien dhe anasjelltas, duke krijuar cikël të qëndrueshëm zhvillimi profesional. Prof. Assoc. Dr. Sanije Doda, është bërë pjesë aktive e jetës institucionale të fakultetit, duke dhënë ndihmë jo vetëm si pedagoge, por edhe si zë i arsyes akademike në diskutimet mbi cilësinë e arsimit, kurrikulat dhe orientimin strategjik të fakultetit.

 Në auditorët universitarë, Doda ndërton një model pedagogjik të bazuar në koherencë, disiplinë akademike dhe përditësim të vazhdueshëm të dijeve. Leksionet e saj nuk janë të ngrira në skema klasike, por të pasuruara me zhvillimet më të reja të kohës, me raste studimore, analiza konkrete dhe krahasime në nivele të ndryshme. Ajo i trajton studentët si partnerë në proçesin e dijes, duke i nxitur drejt mendimit kritik dhe konkurrencës së ndershme mësimore.

 

Profili profesional disiplinë dhe përkushtim

 

Nga tiparet më dalluese të Sanije Dodës është ambicia e qetë, ajo ambicie që nuk shfaqet me zhurmë, por me punë intensive, me këmbëngulje dhe me ndjenjë të vazhdueshme angazhimi profesional. Është pedagoge që punon shumë, studion vazhdimisht dhe nuk kënaqet me arritjet e deritanishme.

 Raporti me kolegët shoqërohet nga korrektësia, respekti dhe bashkëpunimi institucional. Është zë i matur në diskutimet akademike, e gatshme të dëgjojë dhe të ndihmojë, duke ruajtur gjithnjë etikën profesionale. Brenda fakultetit, shikohet si figurë e besueshme dhe e qëndrueshme.

 

Formimi akademik investim i pandërprerë

 

Formimi i akademik i Sanije Dodës, është ndërtuar hap pas hapi. Diplomë universitare katërvjeçare, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Master në Financë-Bankë, Universiteti i Tiranës, Doktoraturë në Financë-Kontabilitet, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Titulli Prof. Assoc. Dr.

 Ky itinerar nuk është thjesht formal, por dëshmi e përkushtimi afatgjatë ndaj dijes dhe avancimit shkencor. Prof. Assoc. Dr Doda është autore e mbi 25 punimeve shkencore, të botuara në revista me faktor impakti dhe në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, si dhe autore e artikujve të indeksuar në Scopus. Kërkimi shkencor për të është proçes i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me mësimdhënien dhe zhvillimet e kohës.

 E sheh konkurrencën akademike jo si rivalitet personal, por si motor zhvillimi dhe përmirësimi. Angazhimi didaktik materializohet në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Sjelljen Organizative për Bachelor dhe Master, Librin mbi Financat Personale, botuar në Akademinë Lampert, Gjermani

 Këto vepra synojnë t’u japin studentëve instrumente praktike dhe konceptin për jetën profesionale.

 

Pozicioni si qytetare dhe dimensioni njerëzor

 

Nga 2015 deri në 2019, Sanije Doda ka qenë anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit, duke dhënë ndihmesë në komisione të rëndësishme. Ky angazhim e vendos atë në profilin e intelektualit, që nuk qëndron i mbyllur në auditor, por mbetet pjesë aktive në jetën publike.

 Në jetën familjare, ajo është bashkëshorte dhe nënë, duke ruajtur ekuilibrin mes përgjegjësive profesionale dhe atyre njerëzore. Sigurisht që është fatlume për familjen e saj, sa të shtrenjtë aq edhe të shenjtë. Vajza Soniela ka shkëlqyer në masterin për ekonomi. Dhe kur ndodh kështu, kërkesat për ta vendosur në një punë konkuruese janë jo të pakta. Është tani manaxherë në kompaninë Vodafon.

 Edhe djali Sebastiani, jo më pak nga e motra. Pas masterit në administrim biznes, një kompani italiane e ka ofruar në gjirin e saj. Bashkshorti Shkëlqim Doda, ka mbuluar me shkëlqim tërë famijen.

 Sanije Doda kështu mbetet, në vijën e parë të afirmimit të vlerave si intelektuale, kuadre, pedagoge me titull të lartë shkencor dhe familjare e përkushtuar.

 

Dija si udhëtim pa fund


Ka figura, që nuk maten vetëm me titujt që mbajnë, apo me numurin e botimeve që firmosin, por me gjurmën e heshtur që lënë te njerëzit, te studentët, te institucionet ku shërbejnë. Prof. Assoc. Dr  Sanije Doda i përket pikërisht këtij lloji intelektualësh, që ndërtojnë karrierën jo si spektakël, por si proçes të qëndrueshëm, të thellë dhe afatgjatë.

 Rruga e nisur nga Tropoja dhe e shtrirë në Durrësin universitar, dëshmon se dija fiton kuptim të plotë vetëm kur shoqërohet me etikë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore. Në çdo etapë të jetës profesionale, Doda ka ditur të bashkojë kërkimin shkencor me praktikën, menaxhimin me humanizmin, autoritetin akademik me thjeshtësinë qytetare.


 Epilogu i këtij portreti nuk është mbyllje, por vijë e hapur.


Ecuria e Sanije Dodës, vazhdon të ndërtohet çdo ditë në auditorë, në konferenca shkencore, në botime të reja dhe në dialogun e pandërprerë me studentët dhe kolegët. Është rrugë që ende premton ide, studime, sfida dhe arritje të reja. Në këtë vazhdimësi që nuk njeh ndalesë, figura e saj mbetet pikë referimi për gratë akademike, për brezat e rinj dhe për vetë institucionin universitar, që i shërben me përkushtim dhe dinjitet.

 Figura e saj përfaqëson vlerë të qëndrueshme dhe në rritje për Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Pedagoge serioze, studiuese me ambicie dhe intelektuale, që beson se e ardhmja ndërtohet me punë të palodhur dhe vizion të qartë.

 Karriera e Prof. Assoc. Dr. Sanije Doda nuk përfundon në një pikë, por hapet si horizont. Ajo vazhdon të ndërtohet në auditorët universitarë, në kërkime të reja, në botime shkencore dhe në sfidën e vazhdueshme, për të qëndruar konkuruese në një botë akademike që ndryshon me shpejtësi. Rruga mbetet e hapur. Dija nuk ka fund dhe e ardhmja e saj akademike vazhdon të shkruhet.

 Bujar Qesja

 Durrës: 15 janar 2026

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page