BUJAR QESJA: Petrika Riza aktori që nuk plaket në skenën e kujtimeve
- 3 days ago
- 3 min read

-Kur vitet numurohen me duatrokitje
Nga BUJAR QESJA
Ka njerëz që i njeh nga larg përmes emrit, roleve dhe reputacionit. Ka të tjerë si Petrika Riza, që fati të jep mundësinë t’i njohësh nga afër, në përditshmëri, në biseda, në kujtime dhe në miqësi.
Sot, në 79-vjetorin e lindjes, mendja më shkon natyrshëm drejt këtij artisti fisnik, korçari elegant, aktori të talentuar dhe drejtuesi të përkushtuar, me të cilin na lidhi jo vetëm arti, por edhe një miqësi e ndërtuar mbi respektin dhe vlerat njerëzore.
Vitet kalojnë, por disa kujtime mbeten të freskëta si dita e parë. Mbeten të paharruara takimet tona, në kohën kur secili mbante mbi supe përgjegjësinë e drejtimit të institucioneve më të rëndësishme teatrale të qyteteve tona. Unë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe Petrika në Teatri “Andon Zako Çajupi” të Korçës.
Ishte kohë sfidash, por edhe kohë ideale, kur arti dhe kultura trajtoheshin si pasuri shpirtërore të komunitetit dhe kur drejtuesit e teatrove, e ndienin veten shërbëtorë të skenës dhe jo të privilegjeve. Pikërisht në ato vite, u njohëm më mirë dhe kuptuam se kishim shumë gjëra të përbashkëta, dashurinë për teatrin, respektin për artistët dhe bindjen, se kultura është nga shtyllat më të forta të qytetërimit.

Miqësia jonë vazhdon edhe sot. Çdo verë, kur rrugët më çojnë drejt Voskopojës së bukur, një pjesë e rëndësishme e pushimeve të mia, mbetet takimi me Petrikën. Janë orë të tëra bisedash, kujtimesh dhe reflektimesh. Kujtojmë kolegë, shfaqje, aktorë, premiera, suksese dhe vështirësi. Kujtojmë Durrësin dhe Korçën, dy qytete që kanë ditur të mbajnë lart flamurin e kulturës shqiptare.
Në ato biseda kupton se Petrika, nuk është vetëm aktor i talentuar. Është njeri me kulturë të gjerë, me kujtesë të admirueshme dhe me atë urtësinë, që vjen pas dekadash përvoje në skenë dhe në jetë. Di të tregojë, të dëgjojë dhe të vlerësojë. Dhe kjo është cilësi, që nuk e gjen shpesh.
Pasuri më vete në jetën e tij, është edhe bashkëudhëtimi me bashkëshorten, aktoren e njohur korçare Klaudeta Llogori. Të dy kanë ndërtuar një familje të bukur, të mbështetur mbi mirëkuptimin, dashurinë dhe respektin e ndërsjellë. Janë çift që i kanë dhënë shumë skenës shqiptare dhe që vazhdojnë të jetojnë aktivisht, me energji dhe optimizëm, duke dëshmuar se arti nuk njeh moshë.
Kur e sheh Petrikën sot, vëren se vitet nuk kanë mundur t’i zbehin entuziazmin. Vazhdon të mbetet i lidhur me jetën artistike, me miqtë, me qytetin e tij dhe me kujtimet e bukura, që kanë ndërtuar personalitetin e tij.
79-të vite jetë janë një udhëtim i gjatë. Në këtë rrugëtim ka pasur role, duartrokitje, emocione, përgjegjësi drejtuese, sakrifica dhe kënaqësi. Por mbi të gjitha ka pasur krenari. Dhe dinjiteti, është roli më i vështirë për t’u luajtur në jetën reale.
I dashur Petrika!
Në këtë ditë të veçantë, të uroj shëndet të plotë, jetë të gjatë, qetësi shpirtërore dhe sa më shumë ditë të bukura pranë Klaudetës, familjes dhe miqve që të duan e të respektojnë.
Uroj që gushtet e Voskopojës, të na gjejnë sërish bashkë, duke kujtuar me mall vitet e teatrit, njerëzit e artit dhe kohën, kur skena ishte shtëpia jonë e përbashkët.
Gëzuar 79-të vjetorin e lindjes, miku im i çmuar!
Qofshin të shumta pranverat, që do të vijnë për ty, me të njëjtën fisnikëri, mençuri dhe dashuri për artin të cilat të kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës. Në skenën e jetës, t’i vazhdon të mbetesh një aktor i admiruar dhe një mik i pazëvendësueshëm.
Bujar Qesja
Durrës: 1 qershor 2026








Comments