top of page

BUJAR QESJA: Nuk është rastësi, që shumë qytetarë e quajnë “Doktor”

  • 10 hours ago
  • 14 min read

 

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

 

Në qytetin e Durrësit, mes ritmit të vrullshëm të jetës moderne, mes sfidave të përditshme të shëndetësisë, prej më shumë se tri dekadash ecën me qetësi, urtësi dhe dinjitet, një njeri që nuk ka zgjedhur të bëjë zhurmë, por të flasë përmes punës. Një njeri, që nuk e ka kërkuar kurrë madhështinë në fjalë, por e ka ndërtuar atë me përkushtim. Një figurë, që identifikohet natyrshëm me profesionalizmin, organizimin model dhe humanizmin modern në shërbimin shëndetësor. Në qytetin ku deti përplaset mbi brigje, me ritmin e kohës dhe ku jeta ecën me vrullin e saj të pandalur, prej dhjetë vitesh është ngritur një institucion, që nuk matet vetëm me muret moderne, pajisjet bashkëkohore apo shërbimet profesionale. Është një emër që matet me besimin. Me përkushtimin. Me jetët e prekura dhe të shpëtuara. Me njerëzoren. Ky është Lutfi Lami. Në kohën kur shoqëria ka nevojë për modele të besueshme, jeta dhe veprimtaria e Lutfi Lamit, mbetet dëshmi se njeriu mund të arrijë lart pa humbur thjeshtësinë, mund të fitojë respekt, pa e kërkuar atë dhe mund të bëhet i pazëvendësueshëm, duke shërbyer me ndershmëri.

 

Fillimet e një rruge të vështirë

 

Jeta e çdo njeriu që lë gjurmë,  ka një pikënisje të heshtur, fillim që shpesh nuk duket i jashtëzakonshëm, por që me kalimin e viteve, merr vlerën e një historie frymëzuese. Kështu nisi edhe rrugëtimi i Lutfi Lamit. Rrugëtim i ndërtuar jo mbi privilegje, por mbi punë, këmbëngulje dhe sakrificë.

I lindur më 5 maj 1969, me origjinë nga Xibri i Burrelit, ky zotni i mjekësisë mbart në karakterin e tij forcën e malësorit, urtësinë e njeriut të mençur dhe disiplinën e profesionistit të vërtetë. Në Durrës, ku prej vitesh jeton, është integruar natyrshëm dhe është kthyer në figurë të njohur e të respektuar.

Në një Shqipëri të mbushur me kufizime dhe vështirësi ekonomike, u rrit me kulturën e thjeshtësisë dhe të punës së ndershme. Që në vitet e rinisë spikati për seriozitetin, korrektësinë dhe dëshirën, për të qenë i dobishëm. Nuk ishte nga ata të rinj, që ëndërronin lavdi të shpejtë, apo poste komode. Përkundrazi, kërkoi rrugë të vështirë, profesion që kërkonte jo vetëm dije, por edhe zemër të fortë.

Zgjedhja e infermierisë, nuk ishte rastësore. Ishte zgjedhja e një njeriu që beson, se shërbimi ndaj jetës njerëzore, është ndër misionet më fisnike. Në ato vite, profesioni i infermierit kërkonte sakrifica të mëdha. Kushtet në sistemin shëndetësor ishin të vështira. Mungesat ishin të shumta dhe puna shpesh bëhej në limite fizike dhe emocionale. Por pikërisht në ato kushte, filloi të formohej karakteri profesional i Lutfi Lamit.

Përfundoi specializimin dyvjeçar në Infermieri të Përgjithshme, duke hedhur themelet e para të një karriere, që më vonë do të merrte përmasa të mëdha. Që herët u dallua tek ai etja për të mësuar. Nuk u mjaftua vetëm me formimin bazë. Kuptoi se profesionisti i vërtetë, duhet të ecë vazhdimisht përpara, të mësojë çdo ditë dhe të mos ndalet së kërkuari përsosmëri.

Mbi këtë arsye, vazhdoi studimet në disa fusha njëkohësisht. Fakulteti i Infermierisë i dha bazën akademike të profesionit, Fakulteti i Farmacisë i zgjeroi njohuritë mbi medikamentet dhe trajtimet, ndërsa studimet në Ekologji-Mjedis, i dhanë këndvështrim më të gjerë, mbi raportin ndërmjet shëndetit dhe mjedisit.

Çdo fazë studimi, përfaqësonte përpjekje reale, sakrificë personale dhe familjare, investim të gjatë për të ardhmen. Në vijimësi përfundoi edhe Masterin Shkencor në Infermieri pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Shkencave Mjekësore.

Shkolla më e madhe e jetës, nuk ishin vetëm auditoret universitare. Në qendër të sfidës, u vendos përballja e përditshme me pacientin. Netë pa gjumë në urgjencë. Ankthi i familjarëve. Lufta me kohën, për të shpëtuar jetë. Kontakti me dhimbjen njerëzore. Emri i Lutfi Lamit, nisi të bëhej i njohur në mjediset spitalore të Durrësit. Fillimisht si i ri me të ardhme, më pas si profesionist serioz dhe i besueshëm, e më vonë, si nga figurat më të respektuara të sistemit infermieror.

 

Urgjenca shkolla më e vështirë e jetës

 

Ka profesione, ku gabimi falet rrallë. Ka vende pune, ku sekondat peshojnë sa vetë jeta. Pikërisht aty, u formua karakteri profesional i Lutfi Lamit. Shërbimi i Urgjencës në Spitalin Rajonal të Durrësit, u bë arena e madhe ku provoi aftësitë, qetësinë dhe forcën profesionale. Në urgjencë nuk mjafton vetëm të dish. Duhet vendimmarrje e shpejtë, gjakftohtësi, përgjegjësi dhe aftësi, për të përballuar dhimbjen njerëzore çdo ditë.

Si infermier në urgjencën kirurgjikale dhe më pas në mikrokirurgji, u gjend përballë rasteve më të rënda, trauma, aksidente, plagë të thella, situata kritike ku jeta varej nga aftësitë e stafit mjekësor. Kolegët e njohin, si njeri të disiplinës së hekurt dhe të korrektësisë absolute. Pacientët e vlerësojnë, si njeriun që nuk kurseu asnjëherë kohën, energjinë dhe vëmendjen për t’u ardhur në ndihmë.

Urgjenca për Lutfi Lamin, nuk ka qenë vetëm vend pune, por edhe shkollë jete. E ka mësuar, se në qendër të çdo proçedure mjekësore është njeriu, me frikën, dhimbjen dhe shpresën. Në shumë raste, pacientët dhe familjarët, nuk kërkojnë vetëm ndërhyrje mjekësore, por edhe figurë të sigurtë, që të krijojë besim dhe qetësi. Këtë pozicion, e ka luajtur me përkushtim të vazhdueshëm Lutfi Lami.

Nuk është rastësi, që shumë qytetarë e quajnë “Doktor”. Ky emërtim, nuk ka lindur nga dëshira personale për titull, por nga ndjesia e besimit që njerëzit kanë krijuar. Në kulturën popullore shqiptare, titulli më i madh është ai që të jep populli. Dhe Lutfi Lami, e ka fituar atë me punë dhe përkushtim.

Shpesh thuhet, se urgjenca i forcon njerëzit, ose i lodh ata emocionalisht. Në rastin e Lutfi Lamit, e ka farkëtuar, duke e bërë më të përmbajtur, më të kujdesshëm dhe më human në qasjen ndaj pacientëve. Përvojën e fituar në urgjencë, e ka transmetuar tek kolegët dhe studentët, duke i mësuar ata si të reagojnë në situata kritike, si të ruajnë qetësinë dhe si të veprojnë me profesionalizëm.

 

Pozicioni i Lutfi Lamit në sistemin infermieror

 

Nëse do të përpiqesh të përkufizosh figurën e Lutfi Lamit, vetëm si infermier apo administrator shëndetësor, do të ishte përcaktim i pamjaftueshëm. Pozicioni në sistemin infermieror kombëtar, është shumë më i gjerë dhe më domethënës. Lami përfaqëson një brez profesionistësh, që jo vetëm ushtruan profesionin me përkushtim, por edhe luftuan për t’i dhënë infermierisë shqiptare krenarinë, zërin dhe respektin që meriton.

Lutfi Lami, nuk pranoi që infermieria të mbetej profesion i heshtur dhe i nënvlerësuar. Me punën, angazhimin dhe autoritetin moral, u bë nga zërat më të rëndësishëm në mbrojtje të profesionit infermieror në Shqipëri.

Zgjedhja e tij si President i Urdhërit të Infermierit të Shqipërisë për Qarkun Durrës, ishte vlerësim i drejtpërdrejtë për figurën dhe reputacionin e krijuar. Në këtë detyrë, nuk u mjaftua me funksionin administrativ. E ktheu këtë pozicion, në tribunë pune dhe përfaqësimi për të gjithë komunitetin infermieror të qarkut.

Më pas, zgjedhja si Zëvendëspresident i Urdhërit të Infermierit të Shqipërisë, e vendosi në nivel kombëtar përgjegjësie dhe ndikimi. Moment i rëndësishëm në karrierë, sepse tashmë nuk përfaqësonte vetëm Durrësin, por të gjithë trupën infermierore shqiptare. Ky pozicion, kërkon shumë më tepër sesa titull apo post institucional. Kërkon integritet profesional, përvojë të gjatë, reputacion të pastër dhe besimin e kolegëve nga e gjithë Shqipëria. Dhe Lutfi Lami, i ka fituar të gjitha këto me punën 33 vjeçare.

Nga ndihmesat më të rëndësishme të Lutfi Lamit, kanë qenë përfshirja e vazhdueshme në trajnime, seminare dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare. Ka kuptuar se sistemi shëndetësor, ndryshon vazhdimisht dhe se profesionisti modern, duhet të ecë me ritmin e zhvillimeve të kohës.

Angazhimet e tij në veprimtaritë shkencore prekin nga QSUT-ja, qendra prestigjioze italiane Santa Chiara Pisa, trajnimet e Ryder Italia, kongreset europiane të onkologjisë, seminaret për menaxhimin e urgjencave kardiovaskulare, deri në konferencat rajonale, kombëtare e botërore.

Nuk ka mbetur pjesëmarrës pasiv. Shpesh mbetet referues, lektor dhe përfaqësues i Shqipërisë në takime të rëndësishme ndërkombëtare në Bukuresht, Kretë, Romë dhe vende të tjera europiane. Ky përfaqësim ndërkombëtar, ka rëndësi të veçantë. Tregon, se profili i Lutfi Lamit, ka kaluar kufijtë lokalë dhe është bërë pjesë e komunikimit profesional europian, në fushën e infermierisë dhe kujdesit shëndetësor.

Lutfi Lami është edhe pedagog dhe formues brezash. Për më shumë se dy dekada, është i lidhur me auditorët universitarë, duke dhënë mësim në universitete dhe kolegje të ndryshme. Kjo do të thotë, se ndikimi i Lamit nuk kufizohet vetëm tek pacientët dhe kolegët e sotëm, por shtrihet edhe tek brezat e rinj të infermierëve dhe profesionistëve të shëndetësisë.

Shumë studentë, kanë mësuar prej tij, jo vetëm anën teknike të profesionit, por edhe kulturën e përgjegjësisë njerëzore ndaj pacientit. Mbetet ndër ata pedagogë, që nuk sjellin vetëm teori librash, por përvojë reale jete, përvojë urgjence dhe përvojë njerëzore.

 

Humanizmi përtej profesionit

 

Profesionistët e vërtetë, dallohen nga mënyra si sillen me njerëzit. Pikërisht këtu qëndron madhështia njerëzore e Lutfi Lamit. Ka punuar për vite të tëra në kujdesin paliativ dhe në trajtimin e pacientëve onkologjikë në banesë, në bashkëpunim me shoqatën “Ryder Albania”.

Ndoshta kjo, është nga fushat më të vështira të shërbimit shëndetësor. Të qëndrosh pranë pacientit me sëmundje të rëndë, kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe forcë të jashtëzakonshme shpirtërore. Si kryeinfermier i shërbimit onkologjik në banesë, u bë jo vetëm kujdestar shëndetësor, por edhe mbështetje morale për shumë familje që përjetonin ditë të vështira.

Lutfiu mbetet pranë njerëzve, në momentet më të vështira të jetës së tyre. Ka parë dhimbje, lot, ankth dhe beteja të forta me sëmundjen. Ka kaluar jetë aktive në korridore spitalesh, në shtëpi pacientësh, në situata, ku familjarët kërkonin jo vetëm ndihmë mjekësore, por edhe fjalë shprese.

Kurrë jo profesionist i ftohtë, mekanik apo burokratik. Pacienti për të nuk ka qenë “rast klinik”, por njeri me dhimbje, me familje, me frikë dhe me nevojë për mbështetje. Shumë qytetarë të Durrësit, e kujtojnë si njeriun, që ka mbërritur në çdo orë të ditës apo natës për t’i ndihmuar. Ka hyrë në shtëpi, ku njerëzit prisnin me ankth ndihmën mjekësore. Ka qëndruar pranë pacientëve të moshuar, pranë të sëmurëve rëndë, pranë njerëzve që kishin humbur shpresën. Në këto raste, nuk ka ofruar vetëm profesionin, por edhe zemrën.

Kontakti me përvojat europiane, e ka ndihmuar të krijojë vizion më modern mbi organizimin e kujdesit shëndetësor dhe mbi rolin, që duhet të ketë infermieri në sistemin bashkëkohor. Ky vizion reflektohet më vonë, në krijimin dhe drejtimin e Medical Care Lami, ku standardet profesionale dhe organizative, mbështeten mbi përvoja reale të përfituara në vite trajnimi dhe specializimi.

Përkushtimi i pandalur ndaj dijes, është vlerësuar edhe me çmime dhe çertifikata të rëndësishme profesionale, si Çertifikata për Lidership në Infermierinë Ndërkombëtare, si dhe vlerësimi nga UISH: “Infermieri më i mirë në shërbim të mijëra jetëve njerëzore”.

 

Medical Care Lami model modern i kujdesit shëndetësor

 

Dimension tjetër jo pak i vlefshëm, është krijimi dhe drejtimi i Medical Care Lami, strukturë që ka sjellë model modern dhe praktik të shërbimit shëndetësor pranë qytetarëve. Motoja “Të gjitha në shtëpitë tuaja” nuk është vetëm shprehje reklamuese. Është filozofi pune.

Kur ritmi i jetës është bërë më i shpejtë, kur nevojat shëndetësore janë shtuar dhe shumë pacientë, e kanë të vështirë të marrin shërbimin në kohën e duhur, lindja e një strukture moderne dhe të organizuar si Medical Care Lami, përbën vlerë të veçantë.

Nuk kemi të bëjmë formalisht, me veprimtari private në fushën e shëndetësisë. Përfaqësohet filozofia profesionale dhe njerëzore e Lutfi Lamit, kujdesi shëndetësor pranë qytetarit, me cilësi, siguri dhe humanizëm.

Motoja “Të parët për sigurinë dhe cilësinë e shëndetit tuaj”, nuk është vetëm slogan formal. Përmbledh koncept modern të shërbimit shëndetësor, ku pacienti vendoset në qendër të çdo veprimi profesional.

Që në krijim Medical Care Lami, u trajtua si urë lidhëse ndërmjet ekspertizës mjekësore dhe nevojave konkrete të komunitetit. Në shumë raste, njerëzit kanë vështirësi të lëvizin drejt spitaleve apo klinikave, sidomos pacientët e moshuar, personat me sëmundje kronike, pacientët pas operacioneve, apo ata që kërkojnë ndjekje të vazhdueshme në shtëpi.

Për këto kategori pacientësh, Lutfi Lami ndërtoi model shërbimi, që solli kujdesin shëndetësor në familje. Që pacienti, të mos endet mes korridoreve të spitaleve, apo të presë me orë të tëra për shërbime bazë, është vetë Medical Care Lami që shkon pranë tij.

Në këtë mënyrë, Medical Care Lami u kthye gradualisht, në pikë referimi për shumë familje në Durrës dhe më gjerë. Shërbimet e ofruara janë të shumta dhe të integruara, analiza laboratorike në shtëpi, injeksione dhe terapi intravenoze, trajtim dhe mjekim plagësh, kateterizim urinar, elektrokardiograma dhe Holter, analiza anatomopatologjike dhe biopsi, konsultime mjekësore, kujdes për këmbën diabetike, mikrokirurgji ambulatore, diagnostikë imazherike, ekografi abdominale, ekokardiografi, echo Doppler, echo gjinekologjike dhe shumë procedura të tjera të domosdoshme për pacientin modern.

Këto shërbime, nuk përfaqësojnë vetëm zgjerim e veprimtarisë. Tregojnë edhe vizionin e Lutfi Lamit, për të krijuar qendër funksionale dhe të besueshme, ku qytetari të ndjejë siguri dhe korrektësi. Nga elementët më të rëndësishëm të suksesit të Medical Care Lami, është besimi që ka fituar tek komuniteti. Në shëndetësi, besimi është themeli i gjithçkaje. Njerëzit ia besojnë jetën dhe shëndetin, vetëm atyre profesionistëve tek të cilët ndihen të sigurt.

 

Pedagogu dhe formuesi i brezave

 

Ka profesionistë, që e mbajnë dijen vetëm për vete. Ka të tjerë, që e ndajnë atë me bujari, duke kuptuar se përvoja merr vlerë të vërtetë vetëm kur u transmetohet brezave të rinj. Pikërisht këtë filozofi, ka ndërtuar Lutfi Lami gjatë gjithë rrugëtimit akademik dhe profesional.

Për më shumë se dy dekada, ka qenë i lidhur ngushtë me auditorët universitarë dhe me formimin e profesionistëve të rinj të shëndetësisë. Si pedagog i jashtëm në universitete dhe kolegje të ndryshme, ka ndihmuar në edukimin teorik dhe praktik të qindra studentëve, që më pas janë bërë pjesë e sistemit shëndetësor shqiptar.

Ka dhënë mësim në, Universitetin Kristal, Kolegjet Universitare “Medikom” dhe “American”, si dhe në UAMD, Fakulteti i Infermierisë. Por rëndësia si pedagog, nuk qëndron vetëm tek emrat e institucioneve ku ka ligjëruar. Ajo që e bën figurën e tij të veçantë, është mënyra se si ka ditur të komunikojë me studentët dhe të ndikojë në formimin e tyre profesional dhe njerëzor.

Në auditor, Lutfi Lami nuk ka hyrë vetëm si lektor i teorisë. Është futur edhe si njeri i praktikës, si profesionist që ka kaluar vite të tëra në urgjencë, në mikrokirurgji, në kujdes paliativ dhe pranë pacientëve në situata reale jete. Studentët nuk dëgjonin prej tij vetëm përkufizime librash. Ndiqnin dhe ndjekin histori reale, përvoja konkrete dhe mësime të dala, nga vetë përballja me jetën dhe dhimbjen njerëzore.

 

Shumë prej studentëve, kujtojnë se Lutfiu është ndër ata pedagogë që nuk kënaqen me minimumin. Kërkon seriozitet, disiplinë dhe korrektësi profesionale, sepse beson se sistemi shëndetësor, ka nevojë për profesionistë të përgjegjshëm dhe të përgatitur.

Lutfi Lami ka ditur të ndërthurë, autoritetin profesional me thjeshtësinë njerëzore. Edhe pse me përvojë të gjatë dhe me poste të rëndësishme, ka ruajtur gjithmonë komunikimin e afërt me studentët dhe kolegët e rinj. Nuk është pedagog i distancës dhe diktimit, por i shembullit dhe i përfshirjes humane.

 

Familja baza e arritjeve

 

Edhe në jetën e Lutfi Lamit, familja mbetet themeli më i fortë. Bashkëshortja Dhurata Lami, farmaciste profesioniste, mbetet mbështetje e vazhdueshme në rrugëtimin profesional dhe në ndërtimin e Medical Care Lami. Formimi si farmaciste, krijon harmoni profesionale dhe intelektuale brenda familjes, duke ndarë të njëjtat vlera për dijen, etikën e punës dhe shërbimet.

Dhurata veç bashkëshorte, është edhe mbështetje morale, profesionale dhe organizative në të gjitha sfidat që Lutfiu ka kaluar ndër vite. Në shumë raste, njerëzit shohin vetëm figurën publike të profesionistit dhe jo  sakrificat e heshtura të familjes që qëndron pas tij.

Kjo frymë bashkëpunimi, u reflektua edhe në ndërtimin e Medical Care Lami, ku familja u bë pjesë aktive e një projekti, që ka në qendër kujdesin shëndetësor.  Krenaria më e madhe e prindërve, është kur sheh se fëmijët vazhdojnë rrugën e dijes dhe të vlerave.

 

Djali, Geldi Lami, ka zgjedhur rrugën e farmacisë, duke vazhduar traditën profesionale të familjes. Punon së bashku me bashkëshorten në këtë fushë, duke përfaqësuar vazhdimësinë e kulturës së punës, seriozitetit dhe përkushtimit.

Ndërsa vajza, Sabrina Lami, përfaqëson tjetër histori suksesi dhe krenarie familjare. Ka përfunduar studimet e mjekësisë në Gjermani dhe po specializohet në obstetër-gjinekologji në Frankfurt, nga qendrat më të rëndësishme europiane të mjekësisë moderne. Kur një vajzë shqiptare, arrin të formohet dhe të punojë me krenari në sistemin shëndetësor gjerman, tregon jo vetëm aftësi vetjake, por edhe bazën e fortë kulturore dhe arsimore mbi të cilën është rritur.

Pavarësisht arritjeve profesionale dhe respektit që gëzojnë, familja Lami ka ruajtur komunikimin, korrektësinë dhe afërsinë me njerëzit. Ky është argumenti, pse familja e Lutfi Lamit, shikohet me respekt në Durrës dhe jo vetëm. Në kohët moderne, kur shpesh familja përballet me kriza komunikimi dhe largimi nga vlerat tradicionale, familja Lami mbetet shembull i harmonisë, mbështetjes reciproke dhe investimit tek dija.

 

Respekti qytetar vlerë e patjetërsueshme

 

Respekti i njerëzve është vlera më e pastër, më e vështirë për t’u fituar dhe më e lehtë për t’u humbur. Në jetën e Lutfi Lamit, ky respekt qytetar, është kthyer në pasurinë më të madhe dhe më të qëndrueshme. Në shumë familje, është bërë pjesë e kujtesës së momenteve të vështira, kur shpresa ishte e brishtë dhe kur ndihma mjekësore, duhej të vinte shpejt, me aftësi dhe me zemër.

Respekti që gëzon Lutfi Lami, nuk është ndërtuar ashtu kot, as mbi pozicione formale, por mbi jetë të tërë shërbimi ndaj njerëzve. Në çdo rast urgjence, në çdo vizitë në shtëpi, në çdo trajtim apo ndërhyrje, ka lënë pas gjurmë respekti dhe mirënjohjeje. Në kulturën shqiptare, kur një profesionist i shëndetit quhet “doktor” nga njerëzit, kjo nuk është vetëm zakon gjuhësor. Është vlerësim moral, formë mirënjohjeje e sinqertë për ndihmën e dhënë.

Në rastin e Lutfi Lamit, ky respekt vjen nga përvoja konkrete e mijëra njerëzve, që kanë marrë shërbim prej tij. Është respekti që vjen, nga momentet kur jeta ka qenë në rrezik dhe dikush ka ardhur me qetësi dhe vendosmëri për të ndihmuar. Nga arsyet pse Lami gëzon respekt kaq të gjerë, është mënyra si i është qasur çdo pacienti. Nuk ka bërë dallime midis njerëzve. Për të, çdo individ ka qenë njësoj i rëndësishëm, i pasur apo i thjeshtë, i ri apo i moshuar, qytetar i zakonshëm, apo me status të lartë shoqëror.

Ka ruajtur gjithmonë kontaktin e drejtpërdrejtë me komunitetin, duke qëndruar  modest dhe i afrueshëm. Duke sjellë shërbimin shëndetësor në banesë përmes Medical Care Lami, ka krijuar lidhje edhe më të afërt me pacientët dhe njerëzit në nevojë shërbimi. Respekti qytetar, nuk është ndjenjë e menjëhershme. Ndërtohet ditë pas dite, në heshtje,

 

Himni i tij i heshtur

 

Koha zbeh shumë emra, por vetëm disa mbeten të gjallë në kujtesë. Ata që kanë lënë gjurmë të vërteta nuk harrohen, sepse kujtesa e tyre, nuk lidhet me një post apo me një moment të vetëm, por me jetë të tërë shërbimi. Fjalët nuk mjaftojnë, për të përshkruar një histori që nuk është vetëm institucionale, por thellësisht njerëzore. Ato nuk janë më për të treguar, por për të nderuar. Dhe ky nderim ka vetëm një emër, Lutfi Lami.

Nuk është thjeshtë drejtues klinike. Nuk është thjeshtë profesionist i shëndetësisë. Është një filozofi pune e mishëruar në njeri. Është përkushtimi i kthyer në karakter. Është disiplina e kthyer në mënyrë jetese. Është humanizmi i kthyer në standart.

Në çdo hap të Medical Care Lami, në çdo shërbim që ka prekur jetë njerëzore, në çdo vendim të marrë me qetësi dhe përgjegjësi, ndihet prania e Lutfi Lamit, si forcë e padukshme që mban gjithçka në ekuilibër. Lutfiu nuk ndërtoi vetëm një klinikë, por edhe mënyrë të re të të menduarit për shëndetin. Nuk krijoi vetëm një ekip. Formoi një kulturë. Nuk hapi vetëm dyer shërbimi. Hapi një epokë profesionalizmi dhe humanizmi të ndërthurur.

Emri i tij, nuk qëndron më vetëm si identitet personal. Është kthyer në simbol pune, simbol përkushtimi dhe simbol besimi. Lutfi Lami është ai, që e kthen dijen në veprim, përvojën në metodë të përparuar dhe punën në krenari. Është ai që e shikon pacientin jo si rast, por si jetë. Jo si numër, por si histori. Jo si detyrë, por si përgjegjësi.

Dhe pikërisht për këtë, ky epilog nuk është mbyllje. Është përulje. Një përulje ndaj një rruge të gjatë shërbimi. Një përulje ndaj një karriere të ndërtuar me sakrificë dhe përkushtim. Një përulje ndaj një njeriu, që e ka bërë profesionin mision.

Në heshtjen që mbetet pas fjalëve, mbetet një e vërtetë e madhe. Ka njerëz që e ndjekin kohën. Dhe ka të tjerë si Lutfi Lami, që e lënë kohën të flasë për ta. Medical Care Lami, nuk është vetëm institucion shëndetësor që u rrit me kohën. Është reflektimi i drejtpërdrejtë i karakterit të tij profesional, i qetë në vendimmarrje, i saktë në organizim, i palodhur në shërbim dhe thellësisht human në bindje.

Dhe ky është himni i tij i heshtur, puna, përkushtimi dhe jeta e dhënë në shërbim të tjetrit. Pjesa më e rëndësishme e epilogut të kësaj historie, është mënyra si do të kujtohet. Jo si profil i largët, si emër në dokumente apo statistika, por si njeri i afërt dhe i përkushtuar. Në kujtesën e njerëzve, do të  mbetet ai profesionisti, që erdhi në kohën e duhur, që dha ndihmën e duhur dhe që nuk u kursye asnjëherë përballë sfidash.

Lutfi Lami është forcë udhëheqëse. Është arkitekti i organizimit. Është njeriu që mban aktiv ritmin e përmirësimit dhe siguron, që vizioni të mos mbetet teori, por të kthehet praktikë e gjithkohshme.

Dhe për ti vendosur pikën e fundit këtij shkrimi analitik dhe me psikologji specifike trajtimi, po vendosim dedikimin shpirtëror, që bën nxënësi dhe bashkëpunëtori më aktiv i Lutfi Lamit, Blerim Maloku.

-Kënaqësi dhe fat të trajnohemi nga ty, çdo ditë profesor Lami! Ti je lideri, që duam të ndjekim. Do të të bëjmë gjithmonë krenarë! Faleminderit, që beson dhe mbeshtetesh tek ne!

Durrës: 27 maj 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page