top of page

BUJAR QESJA: Një burrë që nuk pranoi të përkulet

  • 6 days ago
  • 4 min read

Bardhyl Baltëza 85-së vite dritë, krenari dhe guxim qytetar

-Një burrë që nuk pranoi të përkulet

Njerëz si ju, janë pasuri morale e qytetit dhe e vendit

Nga BUJAR QESJA

Ka njerëz që kalojnë në jetë dhe mbeten thjeshtë një emër. Ka të tjerë që lënë pas ndërtesa, pasuri, poste, dekorata. Por janë shumë të rrallë ata njerëz, që lënë tek të tjerët ndjesinë e besimit. Ndjesinë se fisnikëria ekziston ende. Se burrëria nuk është zhdukur. Se fjala e dhënë ka ende peshë.

Një nga këta burra është Bardhyl Baltëza.

85-së vite jetë!

Tetëdhjetë e pesë vite, që nuk mund të maten vetëm me kalendar. Sepse jeta e Bardh Baltëzës nuk ka qenë një rrugë e shtruar me qilima rehatie. Ka qenë një udhëtim me ngritje e rrëzime, me përballje dhe sfida, me dhimbje dhe fitore morale. Por mbi të gjitha, ka qenë jeta e një njeriu që nuk e shiti ndërgjegjen.

Dhe kjo është pasuria më e madhe e tij.

Kur e takon Bardhyl Baltëzën, për herë të parë, nuk të bie në sy zhurma. Nuk është nga ata njerëz që diktohen me ton apo me protagonizëm. Të fiton me qetësinë. Me mënyrën si të sheh në sy. Me kulturën e bisedës. Me atë urtësi, që duket sikur i ka lindur bashkë me thinjat.

Ai i përket atij brezi shqiptarësh, që e ndërtuan jetën me dije dhe karakter.

I lindur në Elbasanin fisnik, qytetin e traditës dhe kulturës, Bardhyli mori me vete edukatën qytetare të një Shqipërie që respektonte shkollën, dijen dhe njeriun e punës. U bë inxhinier elektronik, profesion i vështirë dhe elitë për kohën, duke hyrë në ato sektorë ku Shqipëria kërkonte të ecte përpara me teknologji dhe kërkim shkencor.

Durrësi u bë më pas qyteti i jetës. Këtu punoi, krijoi familjen, ndërtoi miqësitë, njohu sfidat dhe ngriti emrin si profesionist dhe më pas si biznesmen vizionar. Por Bardh Baltëza, nuk është vetëm njeri i profesionit. Është edhe njeri i ndërgjegjes.

Në vitet e turbullta, të shkatërrimit absurd të gjithçkaje shqiptare pas viteve ’90-të, kur shumë heshtën, Bardhi pati kurajon të fliste. Kur aparatura moderne norvegjeze për kërkimin shkencor të peshkut, krenari e teknologjisë së kohës, po çohej drejt shkatërrimit, Bardhyl Baltëza protestoi.

Nuk pranoi të heshtë. Dhe pagoi çmimin. Por ka humbje,që në të vërtetë janë fitore morale. Dhe ai mbeti fitimtar. Sepse ruajti krenarinë. Ruajti të drejtën për të parë veten në pasqyrë pa turp.

Kjo është madhështia e heshtur e këtij burri. Shumë njerëz thyhen nga vështirësitë. Bardh Baltëza u bë më i fortë. Bashkë me bashkëshorten e tij fisnike Elsa, filluan jetën e biznesit nga hiçi. Vetëm me 100 dollarë. Një shifër që sot tingëllon pothuaj simbolike.

Por pasuria më e madhe e tyre nuk është paraja. Është besimi tek puna.

Pak nga pak, me djersë, zgjuarsi dhe sakrifica, ngritën veprimtaritë e tyre në prodhim, kozmetikë, ambalazh, paketim dhe riciklim. Krijuan punë. Krijuan model. Krijuan besueshmëri. Nuk u pasuruan duke rrëmbyer. U rritën duke punuar.

Kjo është diferenca. Në një Shqipëri, ku shpesh zhurma ngatërrohet me suksesin, Bardhyl Baltëza mbetet modeli i atij njeriu, që nuk humbi kurrë thjeshtësinë. Ai mund të flasë për ekonominë, industrinë, mjedisin, riciklimin, të ardhmen e vendit, por po aq bukur flet për familjen, për njerëzit, për Durrësin, për Shqipërinë.

Sepse ai nuk e ndau kurrë suksesin, nga përgjegjësia qytetare. Tek Baltëza ndjen dashurinë e vërtetë për Atdheun. Jo patriotizëm me fjalë boshe, por atë ndjenjë të qetë e të thellë, që vuan kur sheh vendin të gabojë dhe gëzohet kur sheh shqiptarët të ecin përpara.

Ka diçka të rrallë tek Bardh Baltëza, nuk fyen askënd. Nuk urren. Nuk hakmerret me fjalë. Edhe kur nuk është dakord, ruan qytetarinë. Ruajtja e etikës në kohë nervozizmi kombëtar, është shenjë kulture.

Dhe Bardhyli është njeri kulture. Në këto 85-së vite jetë, ka mbetur po ai burrë i qetë, me mendim të lirë, me logjikë të kthjellët dhe me zemër të bardhë. Ndoshta vetë emri i tij, ka qenë një ogur i bukur.

Bardh emri. Bardh mendimi. Bardh karakteri. Bardh rrugëtimi.

Sot, në 85-së vjetorin e lindjes, Bardhyl Baltëza nuk nderohet vetëm për atë që ka ndërtuar. Nderohet për mënyrën si ka jetuar. Për faktin, se nuk e humbi veten në asnjë kohë. Për faktin se mbeti njeri.

Dhe kjo është shumë. Shqipëria ka nevojë për shembuj të tillë. Durrësi ka nevojë të mburret me njerëz të tillë. Brezat e rinj, kanë nevojë të dëgjojnë histori të tilla.

Sepse jeta e Bardhyl Baltëzës na mëson një të vërtetë të madhe. Mund të rrëzohesh ekonomikisht. Mund të sulmohesh padrejtësisht. Mund të mbetesh vetëm në momente të vështira. Por nëse nuk humbet krenarinë, nuk je mundur kurrë.

Gëzuar 85-së vjetorin i dashur Bardh Baltëza! Qofshin vitet e tua të mbushura me shëndet, dashuri familjare dhe krenarinë e ligjshme, për gjithçka ke ndërtuar me ndershmëri.

Njerëz si ju, janë pasuri morale e qytetit dhe e vendit.

Respekti dhe përulësia njerëzore ndaj teje, është më e pakta që mund të bëjë një gazetar profesionist dhe bashkqytetari yt i bindur.

Gëzuar 85-së vjetorin e lindjes, i miri dhe i mënçuri ynë Bardhyl Baltëza!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page