BUJAR QESJA: Njeriu, punëtori dhe voskopojari i patundur
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 4 min read

Voskopoja tokë e bujarisë dhe e mikpritjes
Petrika Nikolla njeriu, punëtori dhe voskopojari i patundur nga toka e të parëve
- Portreti i një burri të rrallë dhe i familjes së tij
BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Në rrëzë të maleve të Voskopojës, aty ku qielli lidhet me tokën me një tis blu e të pastër, jeton dhe punon një burrë i qetë e i madhërishëm, i thjeshtë dhe i respektuar. Quhet Petraq Nikolla, të cilin të gjithë me përkëdheli e thërrasin Petrika.
Ky emër i përhapur në Korçë dhe rrethinat, në buzët e voskopojarëve tingëllon si shenjë dashurie dhe afërsie, sepse nuk është vetëm thirrje, por shfaqje e respektit për një njeri që e ka fituar vendin e tij në shoqëri me djersë, punë dhe fisnikëri.
Petrika me hekurin thur poezi
Petrika është mjeshtër i hekurit, llamarinist e saldator, por mbi të gjitha është mjeshtër i duarve të ndritura. Në kangjellat që ai përpunon, në dyert që farkëton, në rrethimet që ngre, nuk ka vetëm qëndrueshmëri metali, por edhe shpirt arti.
Çdo krijim i tij mbart estetikë të veçantë, harmoni vijash e figurash që nuk i gjen te secili punëtor. Është si të thurësh poezi me hekurin, duke e zbutur atë me zjarrin e shpirtit. Voskopojarët shpesh thonë se kur Petrika vendos dorën, shtëpia merr dritë e siguri, sepse puna e tij nuk është vetëm mjeshtëri, por edhe bekim i zotërisë që punon me ndershmëri.
Në këtë rrugë, i është bërë krah edhe i biri, Llambi, i cili ka trashëguar jo vetëm profesionin, por edhe virtytin e të atit. Babë e bir shihen shpesh në punishten e tyre, si dy bashkëbisedues të pandarë me hekurin, që e shndërrojnë në vepra të qëndrueshme dhe të bukura.
Ky bashkim brezash është dëshmi e qartë se mjeshtëria e Petrikës nuk ka për t'u shuar, por do të vazhdojë të jetojë në Voskopojë.
Ana, superzonja e bujtinës voskopojare
Por krahas Petrikës që farkëton hekurin, qëndron Ana Bezhani, gruaja e tij, e ardhur nga Krushova, të cilën gjithë fshati e njeh si superzonjë. Ana është zemra e shtëpisë dhe shpirti i mikpritjes voskopojare. Në bujtinën që ajo menaxhon, turistët gjejnë jo vetëm dhoma të pastra dhe mëngjese të ngrohta, por mbi të gjitha gjejnë buzëqeshjen e përhershme të Anës.
Ajo ngjan me të mrekullueshmen Jorgjia Samara, sepse e bën turizmin familjar art më vete. Nga duart e Anës vjen aroma e kafesë së saposhtrydhur, buka e ngrohtë e përgatitur me dashuri, ndërsa zëri i saj i ëmbël është ftesë për biseda pa ngut, për ngrohtësi njerëzore, për një ndalesë që të mbetet gjatë në kujtesë.
Ana është shembulli i zonjës që nuk lodhet, që ndriçon jo vetëm shtëpinë, por edhe zemrat e atyre që hyjnë aty. Turistët, vendas e të huaj, e kujtojnë si fytyrën mikpritëse të Voskopojës, që me thjeshtësi dhe elegancë ka ngritur një model të vogël, por të madh në vlerë.
Trungu familjar, degë që lulëzojnë brenda dhe jashtë Atdheut
Familja e Petrikës dhe Anës është trung i fortë, me degë që kanë shkuar përtej kufijve të Voskopojës, por që gjithmonë ushqehen nga rrënjët e këtij vendi.
Sofjela, vajza e madhe, është martuar me kavajasin Edis Metani. Sot jetojnë në Bergamo të Italisë, duke rritur dy fëmijët e tyre të mrekullueshëm: Santiagon, 9 vjeç, dhe Noemin, 7 vjeçe. Ata janë dëshmi e gjeneratës së re që, ndonëse rriten larg atdheut, mbajnë brenda gjakun dhe dashurinë e prindërve voskopojarë.
Matilda, vajza e dytë, ka lidhur jetën me Almirin. Jetojnë në Voskopojë dhe janë bërë prindër të Ajlës, vogëlushes 1 vjeç e gjysmë që i ka sjellë shtëpisë gëzim të pamatë. Matilda është shembull i vajzës së shkathët, që punon në postën e Voskopojës, duke shërbyer me përgjegjësi dhe dashamirësi. Almiri, burri i saj, i përkushtuar në punë të ndryshme, është mishërim i djaloshit të mirë, që ka vendosur të mos e lërë vendlindjen, por të jetojë e punojë aty.
Ky qëndrim është mesazh i fortë për gjithë të rinjtë: se jeta mund të ndërtohet dhe këtu, në fshat, nëse ke dashuri dhe vullnet.
Llambi, djali i vetëm, është krahu i djathtë i Petrikës, jo vetëm në punë, por edhe në jetën e përditshme. Ai përfaqëson vazhdimësinë e trungut Nikolla, duke mbajtur mbi supet e tij mjeshtërinë e të atit dhe duke i dhënë energji të re.
Petrika, fisnikëria e thjeshtësisë
Në sytë e voskopojarëve, Petrika nuk është thjesht mjeshtër mekanik, por është zotëri i vërtetë, burrë me fjalë të ëmbël, me sjellje të përkorë, i gatshëm të ndihmojë këdo. Nikolla e ka ndërtuar jetën mbi bazat e punës dhe respektit dhe për këtë gëzon dashurinë e njerëzve. Voskopojarët nuk e kujtojnë me zë të lartë apo me lavde boshe, por me atë ngrohtësi popullore që flet më shumë se çdo fjalë: “Petrika është njeri i mirë”.
Thjeshtësia është pasuria e tij. Nuk kërkon duartrokitje, por vlerësohet nga çdo kangjellë që ngre, nga çdo derë që monton, nga çdo njeri që ka marrë shërbimin e tij dhe ka ndjerë korrektësinë, saktësinë dhe dinjitetin që mbart ky burrë.
Një jehonë për Voskopojën
Familja e Petrikës dhe Anës është pasqyrë e vogël e jetës voskopojare: punë, mikpritje, fisnikëri, dashuri familjare. Në kohën kur shumë njerëz zgjedhin të largohen, ata tregojnë se Voskopoja ka ende jetë, ka ende gjallëri, sepse ka njerëz që e mbajnë ndezur dritën e shtëpisë dhe zjarrin e punës.
Ky trung i begatë është thesar që i përket jo vetëm Voskopojës, por edhe Korçës e më gjerë. Nga Bergamo e deri në zemër të Voskopojës, fëmijët dhe nipërit e Petrikës, do ta mbajnë gjallë kujtimin e këtij emri që lidhet me fisnikëri dhe mjeshtëri.
Dhe ndoshta, pas shumë vitesh, kur të përmendet emri Petrika në Voskopojë, njerëzit do të thonë:
“Po, ky është njeriu që e punoi hekurin si art, që e mbajti familjen si bekim, dhe që e jetoi jetën si zotëri i thjeshtë e fisnik.”
Comments