top of page

Bujar Qesja: Niko Jani 70-të vjeç

  • 12 hours ago
  • 3 min read

 

... Ti ishe dhe mbetesh një copë zemre e Durrësit sportiv...

 

Nga BUJAR QESJA

 

Ka njerëz që futbolli i nxjerr të mëdhenj në fushë. Por janë shumë të rrallë, ata që mbeten të mëdhenj edhe jashtë saj, në jetën e përditshme, në miqësi, në kujtesën qytetare dhe në dashurinë e njerëzve. Niko Jani është pikërisht ky.

 

Në 70-të vjetorin e lindjes, Durrësi nuk kujton thjeshtë një futbollist të talentuar të “Lokomotivës”. Kujton një njeri të mrekullueshëm. Një mik të pazëvendësueshëm. Një qytetar fisnik. Një baba dhe gjysh të admirueshëm. Një emër që vazhdon të zgjojë respekt dhe mall tek të gjithë.

 

Ka kaluar kohë, nga ditët kur Niko përshkonte krahun e majtë të mbrojtjes në sulm me atë energjinë e  pashtershme. Por çuditërisht, sa herë përmendet emri i tij, duket sikur stadiumi zgjohet përsëri. Tifozët e brezit të tij, e kujtojnë ende me emocione atë mbrojtës modern, të fortë, elegant dhe sulmues, që nuk dinte të dorëzohej.

 

Nuk është rastësi, që e krahasonin me Antonio Cabrinin e madh të Italisë. Edhe Niko kishte atë frymëmarrje futbolli europian. E merrte krahun me guxim, depërtonte me forcë, krijonte epërsi dhe rikthehej me po atë përgjegjësi në mbrojtje. Ishte i pakalueshëm në dyluftim, i fortë fizikisht dhe mbi të gjitha luante me zemër.

 

Por ajo që e bëri kaq popullor, nuk ishte vetëm loja.

 

Niko Jani mbeti njeri i njerëzve.

 

Në Durrës, emri i tij përmendet gjithmonë me dashuri. Ka sportistë që duartrokiten për disa vite dhe harrohen. Ndërsa Niko, është nga ata që koha vetëm sa ua shton respektin. Kur vjen në Durrës nga Italia, ku jeton pranë djalit të tij Gilberto, miqtë dhe sportdashësit nxitojnë ta takojnë. Të gjithë duan të pinë një kafe me të, t’i japin dorën, të kujtojnë një ndeshje, një episod, një emocion të largët.

 

Sepse ai ka diçka të rrallë, ngrohtësinë njerëzore.

 

Nuk di të sillet ndryshe veçse me thjeshtësi. Nuk di të mbajë distancë me njerëzit. Dhe ndoshta kjo e ka bërë aq të dashur për qytetin e lindjes.

 

Pamja më e bukur, është kur mblidhet me dy miqtë e tij më të ngushtë, Agim Çelën dhe Mir Himën. Tre emra të njohur të futbollit durrsak, tre miq që koha nuk arriti kurrë t’i ndajë. Takohen shpesh tek xhoeleri Çela, aty ku kujtimet e futbollit marrin jetë përsëri. Flasin për ndeshjet, për shokët që nuk janë më, për tribunat plot, për emocionet e fanellës blu. Dhe kush i sheh nga larg, kupton menjëherë se miqësi të tilla janë pasuri e rrallë e jetës.

 

Niko nuk është shkëputur asnjëherë nga futbolli. Edhe sot e ndjek me pasion “Teutën” dhe futbollin durrsak. Jep mendime, diskuton, analizon dhe gëzohet si dikur për sukseset e skuadrës së zemrës. Futbolli për të nuk ka qenë vetëm sport, por edhe mënyrë jetese.

 

Pati fatin të ishte pjesë e një brezi të artë të “Lokomotivës” dhe futbollit durrsak. Një brez me emra që shkruan historinë e qytetit në sport. Por edhe mes atyre emrave të mëdhenj, Niko Jani kishte individualitetin dhe shkëlqimin e tij të veçantë.

 

Në anketat e specialistëve më të mirë të futbollit shqiptar, organizuar nga gazeta “Teuta Sport”, ai është përfshirë me meritë, në formacionin më të mirë të futbollit durrsak të të gjitha kohërave, si mbrojtësi i majtë ideal. Dhe kjo nuk është rastësi. Është vlerësim për një karrierë dinjitoze, për një lojtar që dha gjithçka në fushë dhe që nuk e njollosi kurrë emrin e tij.

 

Por mbi të gjitha, Niko mbetet fitimtar në jetën njerëzore.

 

Është një familjar model. Një bashkëshort i përkushtuar. Një baba i dashur. Një gjysh që rrezaton mirësi. Djali i tij Gilberto, jeton me krenarinë për të atin dhe nuk resht së treguari dashurinë dhe respektin për të. Dhe kjo është ndoshta medalja më e bukur për një prind.

 

Ka njerëz që lënë pas trofe. Ka të tjerë që lënë kujtime. Niko Jani ka lënë dashuri njerëzore.

 

Ndaj në këtë 70-të vjetor, urimi për të është i madh, sa vetë respekti që Durrësi ka për emrin e tij.

 

Të kesh shëndet, Niko!

 

Të të kemi mes nesh edhe për shumë vite të tjera, me buzëqeshjen tënde të qetë, me shpirtin tënd fisnik dhe me atë thjeshtësinë që të bëri kaq të dashur!

 

Qyteti yt nuk të harron. Tribunat mund të jenë boshatisur nga vitet, por kujtesa për ty mbetet plot. Sepse ti nuk ishe vetëm mbrojtësi i majtë i “Lokomotivës”.

 

Ti ishe dhe mbetesh, një copë zemre i Durrësit sportiv.

 

Bujar Qesja

 

Durrës: 28 maj 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page