top of page

BUJAR QESJA: Meçan Hoxha në botimin e ri “Vërça legjendë dhe realitet”

  • 3 hours ago
  • 16 min read


Një himn madhështor për tokën, kujtesën dhe shpirtin shqiptar

-Vepër që bashkon historinë, natyrën dhe legjendën

Vërça në optikën studimore të shkrimtarit të njohur

Kur studiuesi përjteëson një krahine

 

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Strukturë e menduar me kujdes

Në letërsinë dokumentare, historike dhe etnografike shqiptare, rrallëherë ndesh një libër, që arrin të bashkojë me aq natyrshmëri historinë, legjendën, gjeografinë, folklorin, kujtesën popullore dhe identitetin krahinor, sa libri “Vërça – Legjendë dhe realitet” i studiuesit dhe shkrimtarit Meçan Hoxha.

Ky botim voluminoz prej 304 faqesh, nuk është vetëm libër për një krahinë të Gramshit. Mbetet enciklopedi shpirtërore dhe historike e Vërçës, testament kulture dhe homazh për njerëzit, tokën, kujtesën dhe traditën. Libri shoqërohet me foto me ngjyra duke pasqyruar natyrën e bukur, shpellat, urat, rrugët, liqenet, zbulimet dhe reliket historike, male, buste të heronjve protogonistë të zonës, vendbanime ilire, foto me fylltarë e Gramshit, kishat, urat, kodra, kala, pamja mahnitëse nga shpellat.

Libri është ndërtuar në 10 kapituj, të cilët krijojnë udhëtim të plotë në universin e Vërçës. Me këtë vepër, që shënon librin e tij të 15-të, Meçan Hoxha dëshmon jo vetëm energjinë krijuese të admirueshme, por edhe përkushtimin qytetar e shkencor, për të mos lënë në harresë thesaret materiale dhe shpirtërore të një treve, që ka jetuar ndër shekuj mes legjendës dhe realitetit.

Ky nuk është thjeshtë një libër. Është ekspeditë e gjatë shpirtërore dhe shkencore. Është fryt i një jete të tërë vëzhgimesh, udhëtimesh, kërkimesh, bisedash dhe takimesh, me njerëz të moshuar që ruanin kujtime si relike të shenjta, me historianë që njohin rrënjët e krahinës, me studiues të folklorit, profesorë, akademikë dhe banorë, që në shpirt mbajnë ende gjallë historinë e Vërçës.

Në moshën 81 vjeçare, ku shumëkush do të ishte larguar prej kohësh nga puna krijuese, Meçan Hoxha ngjitet maleve, hyn në shpella, ndalet në rrënoja kalash, pyet të moshuarit, dëgjon legjenda, konsulton dokumente, studion fotografi dhe mbledh copëza historie, për të ndërtuar këtë mozaik hipnotizues. Dhe pikërisht këtu, qëndron madhështia e kësaj vepre. Nuk është shkruar vetëm me mendje, por edhe me zemër.

Dhe legjendat… Ato janë shpirti i vërtetë i kësaj treve

Në zemrën e Shqipërisë së mesme, atje ku malet e Gramshit ngrihen madhështorë si rojtarë të historisë dhe ku lumenjtë e thellë çajnë shkëmbinjtë, sikur kërkojnë të zbulojnë misteret e kohëve të lashta, shtrihet Vërça, trevë që nuk mund të përkufizohet vetëm si hapësirë gjeografike.

Në Vërçë, legjendat nuk lindin për zbukurim. Lindin nga përballja me natyrën e ashpër dhe nga nevoja, për t’i dhënë kuptim të panjohurës. Aty ku shkenca nuk kishte ende përgjigje, imagjinata popullore krijoi botën e saj. Shpella që fshehin thesare, zëra që dalin nga errësira dhe forca të padukshme, që ndërhyjnë në fatin e njerëzve. Kështu, realiteti dhe miti nuk qëndrojnë të ndarë, por bashkëjetojnë, duke krijuar një univers të vetëm shpirtëror.

Në këtë tokë, çdo element i natyrës ka kujtesë të vetën. Kanionet ruajnë jehonën e ujërave, që kanë kaluar për mijëra vjet. Shpellat mbajnë brenda tyre, frymën e njeriut të parë dhe hijen e atyre, që janë strehuar në kohë lufte. Malet janë si kronika të ngrira, ku çdo shtresë shkëmbi, është faqe historie e shkruar nga koha vetë.

Dhe mbi të gjitha, Vërça është një tokë, ku njeriu nuk është ndarë kurrë nga natyra. Nuk e ka parë atë si kundërshtare, por si pjesë të vetes. Kjo lidhje e thellë, ka formuar botëkuptim unik, ku jeta, puna, besimi dhe legjenda ndërthuren në një të vetme.

Sepse Vërça nuk është vetëm vend. Është kujtesë që nuk shuhet. Është histori që nuk mbaron. Është rrëfim, që vazhdon të shkruhet nga vetë koha. Dhe nëse ka një vend, ku e kaluara nuk është larguar assnjëherë, por vazhdon të jetojë pranë të tashmes, ky vend është pikërisht këtu, në zemrën e maleve, në frymën e pyjeve dhe në legjendat që nuk sosen.

Emri Vërçë vjen nga thellësia e kohës

Nga kapitujt më të hershëm dhe njëkohësisht më simbolikë të librit “Vërça legjendë dhe realitet” të Meçan Hoxha, është ai që i kushtohet origjinës së emrit të krahinës. Në pamje të parë, mund të duket çështje gjuhësore apo etimologjike, por në të vërtetë, në duart e autorit, ky kapitull shndërrohet në udhëtim të thellë në kohë, ku emri i vendit bëhet dëshmi e gjallë e historisë, e kujtesës kolektive dhe e vetë identitetit të banorëve të tij.

Në disa rrëfime popullore, emri lidhet me karakteristikat e terrenit, me zërin e ujërave, me formën e luginave, apo me mënyrën sesi natyra e kësaj zone ka “vërshuar” apo “përkulur” në reliev, duke krijuar një tingëllimë gjuhësore që më vonë është kthyer në emër vendi. Në të tjera interpretime, emri shfaqet si një trashëgimi më e vjetër gjuhësore, e lidhur me rrënjë të lashta ilire, që kanë mbijetuar të transformuara në gjuhën e sotme.

Autori sjell me kujdes edhe dimensionin e kujtesës popullore. Në gojën e banorëve të vjetër, emri i krahinës nuk është një fjalë, por një identitet. Shqiptohet me krenari, me ndjenjë përkatësie dhe me një lidhje të thellë emocional, me tokën ku kanë lindur dhe jetuar. Në shumë raste, emrat e vendeve në Shqipëri nuk janë vetëm etiketa gjeografike, por histori të vogla të ngulitura në gjuhë. Dhe Vërça, siç e paraqet Meçan Hoxha, është nga këto raste, ku gjuha dhe historia janë shkrirë në një të vetme.

Parë kështu emri “Vërçë”, shikohet si urë mes së shkuarës dhe së tashmes. Lidh banorët e sotëm me paraardhësit e tyre, duke krijuar vijimësi që nuk është ndërprerë nga shekujt. Meçan Hoxha, nuk e kufizon analizën vetëm në aspektin gjuhësor. E zgjeron atë në dimensionin kulturor dhe shpirtëror. Për të, emri i vendit është pjesë e vetë shpirtit të krahinës. Përmban kujtesën e ngjarjeve, legjendave, betejave, jetës së përditshme dhe marrëdhënies së njeriut me natyrën.

Mbretëri natyrore e skalitur nga koha

Në kapitullin kushtuar pozitës gjeografike dhe gjeomorfologjisë, libri “Vërça- Legjendë dhe realitet” i Meçan Hoxhës, shpalos nga tablotë më të plota dhe më mbresëlënëse të gjithë veprës. Vërça paraqitet, si mbretëri natyrore e skalitur nga koha, hapësirë ku çdo kodër, çdo luginë, çdo shpellë dhe çdo rrjedhë uji, duket sikur mban mbi vete vulën e mijëra viteve formim, përplasjeje dhe qetësie të madhe gjeologjike.

Hoxha na shëtit mes maleve të thepisura, që duken sikur prekin qiellin, nëpër lugina të fshehura ku heshtja ka zërin e vet, përgjatë lumenjve që kanë gdhendur shkëmbinjtë për mijëra vjet dhe nëpër toka, ku natyra është bujare me pasuritë e saj. Autori ndalet me hollësi tek tokëformimi, resurset gjeologjike, struktura e terrenit dhe pasuritë natyrore, duke krijuar tablo të plotë shkencore dhe estetike. Në shumë fragmente të këtij kapitulli, ndien sikur po lexon një poemë kushtuar natyrës shqiptare.

Përshkruhen pyjet e dendura, që në dimër mbulohen nga bora si në përrallat e moçme, kullotat alpine ku bariu dhe fyelli janë ende pjesë e peizazhit, kodrat që ndryshojnë ngjyrë sipas stinëve dhe horizontin madhështor të Valamares, që rri si kurorë mbi krahinën. Vërça paraqitet si mozaik i madh natyror, ku elementët e relievit nuk qëndrojnë të ndarë, por bashkohen në harmoni të ndërlikuar dhe madhështore.

Luginat, nga ana tjetër, shfaqen si damarë jete që përshkojnë trupin e kësaj toke. Nuk janë hapësira midis maleve, por rrugë të vjetra komunikimi, shtigje bagëtish dhe njëkohësisht hapësira, ku ka lindur dhe është zhvilluar jeta njerëzore ndër shekuj.

Nga tregues tërheqës të këtij kapitulli, është gjuha që përdor autori. Hoxha nuk shkruan si një gjeograf  formal, por si njeri që e përjeton peizazhin. Fjalitë janë racionale, të rrjedhshme dhe plot figuracion, duke krijuar ndjesinë se po lexon një përshkrim letrar të natyrës dhe jo analizë shkencore.

Shpellat, kanionet dhe mrekullitë që duken si vepra hyjnore

Nga kapitujt më mbresëlënës, më vizualë dhe më poetikë të librit “Vërça – Legjendë dhe realitet” të Meçan Hoxhës, i kushtohet monumenteve të natyrës së kësaj treve të rrallë të Gramshit. Në këtë pjesë libri, duket sikur hapet një portë e madhe drejt një bote magjike, ku natyra shqiptare shfaqet me gjithë madhështinë, misterin dhe bukurinë e saj.

Këtu Meçan Hoxha shfaqet si studiues, udhëtar, fotograf i shpirtit dhe poet i peizazhit. Kalon nëpër shpella, sikur po zbret në arkivat sekrete të kohës. Shpella e “Avullit”, përshkruhet me gjuhë aq të gjallë dhe figurative, sa lexuesi ndien lagështinë e mureve shkëmbore dhe misterin që del prej tyre. Avulli që ngrihet nga thellësia, duket sikur është frymëmarrja e vetë tokës.

Po aq mbresëlënëse janë përshkrimet për Kanionin e Devollit dhe atë të Kopaçit, ku natyra duket sikur ka punuar për shekuj, me durimin e një skulptori gjigant. Një emocion të veçantë sjell trajtimi i “Krushqve të ngrirë”, ku natyra dhe legjenda bashkohen në një simbol poetik të rrallë.

Meçan Hoxha e ndërton këtë kapitull me syrin e studiuesit, por edhe me emocionin e njeriut që mahnitet përballë bukurisë së vendit të vet. Nuk mjaftohet vetëm me përshkrime gjeografike, apo të dhëna shkencore. Përmes gjuhës së pasur dhe figurative, arrin t’i japë natyrës shpirt, frymë dhe emocion.

Përshkrimet janë aq të gjalla, sa lexuesi arrin të ndiejë freskinë e gurëve, piklat e ujit që bien nga tavani i shpellës dhe misterin që mbështjell çdo cep të saj. Në këtë pjesë kupton se Meçan Hoxha, nuk e sheh natyrën vetëm me syrin e studiuesit, por edhe me ndjeshmërinë e poetit.

Po aq madhështor paraqitet Kanioni i Holtës, nga mrekullitë më të rralla natyrore të Shqipërisë. Autori e përshkruan atë, si katedrale gjigante shkëmbore, ku muret e larta të gurit ngrihen drejt qiellit, me solemnitet që të lë pa frymë. Rëndësi i jepet edhe burimeve termale të Holtës, të cilat autori i trajton si pasuri natyrore dhe shëndetësore me vlera të jashtëzakonshme.

Në shumë fragmente, lexuesi ka ndjesinë sikur natyra e Vërçës është ende e pashkelur plotësisht nga qytetërimi modern dhe ruan diçka të lashtë, të egër dhe të shenjtë. Bukuri të veçantë merr edhe trajtimi i Karstit të Tërvolit, i cili përshkruhet si mrekulli gjeologjike, ku toka vetë duket sikur tregon historinë miliona vjeçare të formimit të saj.

Po aq poetikë janë edhe përshkrimet e liqeneve të Valamares, Liqenit të Zi dhe Liqenit të Dushkut. Në librin e Meçan Hoxhës këto liqene, shfaqen si sy të kaltër të maleve, si pasqyra ku qielli dhe toka takohen në heshtje. Autori përshkruan mjegullën e mëngjesit mbi ujë, reflektimin e maleve në sipërfaqen e qetë të liqeneve dhe qetësinë thuajse mistike që mbështjell këto vende.

Për ta realizuar këtë kapitull, autori ka bërë punë të madhe në terren. Ka udhëtuar, ka vizituar vendet, ka biseduar me banorë, ka mbledhur dëshmi, ka studiuar relievin dhe ka fotografuar mrekullitë natyrore të krahinës. Kjo e bën librin jo vetëm të bukur artistikisht, por edhe tepër të vlefshëm dokumentarisht.

Kujtesa e njerëzve që kanë jetuar mes maleve

Pjesë magjepsëse, poetike dhe shpirtërore të librit “Vërça – Legjendë dhe realitet” të Meçan Hoxhës, është padyshim kapitulli kushtuar legjendave, miteve dhe rrëfimeve popullore, që kanë mbijetuar ndër shekuj në kujtesën e banorëve të kësaj treve malore. Legjenda e “Krushqve të ngrirë” vjen në tri variante, secila më dramatike dhe më poetike se tjetra. Ato tregojnë jo vetëm imagjinatën popullore, por edhe mënyrën si njerëzit e kësaj treve e kanë parë fatin, dashurinë dhe tragjedinë.

Po aq tërheqëse janë legjendat, për thesaret e fshehura në shpellat e Kabashit, për Shpellën e Kecrit, për Kukulin dhe Varret e Plakës. Në këto rrëfime ndien frikën, misterin dhe shpresën e njerëzve, që jetonin mes maleve dhe kërkonin t’i jepnin kuptim të panjohurës.

Ndërsa legjendat për fyellin, janë ndër pjesët më poetike të librit. Fyelli nuk është vetëm instrument muzikor. Është zëri i vetmisë së bariut, melodia e maleve dhe klithma shpirtërore e njeriut shqiptar. Dhe Vërça, siç e paraqet Meçan Hoxha, është pikërisht tokë ku legjenda, nuk ka qenë tregim për të kaluar kohën, por mënyrë jetese, mënyrë për të shpjeguar të panjohurën, për të ruajtur kujtesën dhe për t’i dhënë kuptim botës përreth.

Këtu natyra nuk është vetëm peizazh, por edhe personazh. Shpellat, kanionet, liqenet dhe majat e maleve, marrin shpirt përmes tregimeve popullore. Veçanërisht mbresëlënëse është legjenda e “Krushqve të ngrirë të Lisecit”, të cilën autori e sjell në disa variante, duke treguar sesi një ngjarje apo një fenomen natyror, ka lindur në imagjinatën popullore si simbol tragjik i dashurisë, fatit dhe mallkimit.

Po aq intriguese, janë legjendat për shpellat misterioze të Kabashit, për Shpellën e Kecrit, për Shpellën me Pare, për Kukulin dhe për Varret e Plakës. Në këto histori gërshetohen thesaret e fshehura, hijet e së panjohurës, besimet mbi forcat e mbinatyrshme dhe dëshira e njeriut për të besuar se diku, në thellësinë e maleve, ruhen sekrete të lashta.

Dimension tepër interesant merr kapitulli, kur trajtohen legjendat që lidhen me mistikën dhe besimin popullor, si “Ndarja e Kismetit”. Në këto rrëfime populli përpiqet të shpjegojë fatin, drejtësinë, vuajtjen dhe mënyrën sesi ndahet lumturia apo dhimbja mes njerëzve. Këto legjenda kanë brenda filozofi të thellë jetësore. Ato tregojnë sesi populli pa libra e pa shkolla, ka ndërtuar urtësi të vetën për jetën dhe fatin njerëzor.

Nga ilirët e lashtë tek flakët e luftës

Në këtë kapitull historik, libri merr peshën e një dokumenti të rëndësishëm kombëtar. Meçan Hoxha ndalet te gjurmët e qytetërimit të hershëm, duke treguar se Vërça, nuk është krahinë e lindur rastësisht, por territor me vazhdimësi të thellë historike. Përshkruan kalatë, rrënojat, vendbanimet e hershme dhe gjurmët arkeologjike, me kujdesin e një studiuesi që e ndien historinë si përgjegjësi morale.

Kur flet për periudhën e Skënderbeut, autori sjell atmosferën e rezistencës shqiptare, krenarinë e maleve dhe qëndresën e popullit që nuk u përkul. Po aq dramatike dhe emocionuese, janë faqet kushtuar Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore. Përshkruan djegiet, frikën, betejat, vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve, që jetonin mes luftës dhe urisë. Ngjarjet e 31 janarit dhe 1 shkurtit 1943, marrin përmasa epike. Në këto faqe ndien tymin e pushkëve, britmat e luftëtarëve dhe sakrificën e njerëzve që luftuan për liri.

Veçanërisht prekëse janë “Ditët e Besës së Madhe”, ku Vërça shfaqet si simbol i fisnikërisë shqiptare, i mikpritjes dhe i mbrojtjes së njeriut në ditët më të vështira. Meçan Hoxha e nis këtë udhëtim historik, nga kohët më të hershme të banimit njerëzor në trevën e Vërçës. Ndalet te “Njeriu i shpellave”, duke sjellë dëshmi dhe gjurmë që tregojnë, se kjo krahinë ka qenë e banuar që në periudhat më të lashta të njerëzimit. Shpellat e shumta të zonës, nuk paraqiten vetëm si bukuri natyrore apo vende legjendash, por si strehë primitive, ku njeriu i parë ka luftuar për jetën, për mbijetesën dhe për vazhdimësinë e fisit.

Më pas libri hyn në periudhën ilire, nga pjesët më krenare të historisë shqiptare. Meçan Hoxha sjell argumente, dëshmi dhe referenca që tregojnë lidhjen e kësaj treve me qytetërimin ilir, duke e parë Vërçën si pjesë të pandarë të trungut të lashtë shqiptar. Përshkruan me vëmendje gjurmët e vendbanimeve ilire, kalatë, rrënojat dhe pozicionet strategjike të krahinës, të cilat dëshmojnë se kjo trevë ka qenë jo vetëm vendbanim, por edhe pikë e rëndësishme mbrojtjeje dhe organizimi shoqëror.

Një rëndësi të veçantë ka edhe trajtimi i figurës së Antonio Gramshit, emri i të cilit lidhet me qytetin e Gramshit. Kjo pjesë i jep kapitullit, dimension më të gjerë kulturor dhe historik, duke e vendosur krahinën në një kontekst më të madh intelektual dhe historik.

Por kapitulli bëhet veçanërisht dramatik. kur hyn në periudhën e luftërave botërore. Në faqet kushtuar Luftës së Parë Botërore, ndien pasigurinë, frikën dhe vuajtjen që solli lufta mbi popullsinë e kësaj treve malore. Ushtri të huaja kalonin nëpër territor, njerëzit jetonin mes ankthit dhe varfëria rëndonte mbi jetën e përditshme. Meçan Hoxha përshkruan me ndjeshmëri gjendjen e popullit, duke sjellë jo vetëm ngjarjet historike, por edhe atmosferën psikologjike të kohës. Por kulmi dramatik i kapitullit, është periudha e Luftës së Dytë Botërore.

Këtu libri ndizet si vetë flakët e luftës. Autori përshkruan me realizëm të fortë vuajtjet, djegiet, përplasjet e armatosura dhe sakrificat që përjetuan banorët e Vërçës në ato vite të errëta. Në shumë fragmente ndien britmën e luftës, zhurmën e armëve dhe ankthin e njerëzve, që jetonin mes pasigurisë dhe frikës.

Veçanërisht të fuqishme janë faqet kushtuar luftimeve të 31 janarit dhe 1 shkurtit 1943 në Snosëm dhe Kodovjat, ngjarje që autori i sjell me intensitet emocional dhe me respekt të thellë, për ata që luftuan dhe dhanë jetën. Në këto përshkrime ndien heroizmin e njerëzve të zakonshëm, burrave dhe djemve që lanë shtëpitë dhe familjet për të marrë armët në mbrojtje të lirisë.

Po aq prekëse janë edhe “Ditët e Besës së Madhe të Vërçës”, ku autori evidenton virtytet më të larta morale të popullit shqiptar, mikpritjen, besën, mbrojtjen e njeriut dhe solidaritetin në kohë rreziku. Në ato vite të errëta, ku lufta mund të shkatërronte gjithçka, njerëzit e Vërçës ruajtën njerëzoren. Ata ndihmuan njëri tjetrin, strehuan të përndjekurit dhe treguan se karakteri moral i kësaj treve, ishte më i fortë se terrori i luftës.

Ndërtimi i jetës së re mes idealizmit dhe sakrificës

Pas plagëve të luftës, Vërça, si gjithë Shqipëria, doli e lodhur, e varfëruar dhe me shumë mungesa. Shtëpi të djegura, ekonomi e rrënuar, mungesë infrastrukture, arsim i kufizuar dhe kushte të vështira jetese. Kjo ishte tabloja, me të cilën u përballën banorët e krahinës në vitet e para pas luftës.

Por pikërisht në këtë realitet të ashpër fillon, ajo që autori e paraqet si periudha e ndërtimit të jetës së re. Meçan Hoxha e përshkruan këtë proçes, me ton realist dhe njerëzor, duke mos e parë vetëm si ndryshim politik, por si transformim të të gjithë jetës së përditshme të banorëve. Ndalet tek organizimi i pushtetit vendor, krijimi i strukturave administrative, mobilizimi i popullsisë për punë kolektive dhe përpjekjet për të nxjerrë krahinën nga prapambetja ekonomike dhe sociale.

Autori sjell episode konkrete, që tregojnë sesi banorët e Vërçës merrnin pjesë në hapjen e rrugëve, në ndërtimin e shkollave, urave dhe objekteve publike, në sistemimin e tokave dhe në organizimin e jetës ekonomike. Ishte periudhë ku puna kolektive konsiderohej detyrë morale dhe ku sakrifica personale, shikohej si ndihmesë për komunitetin.

Veçanërisht prekëse janë fragmentet, ku autori përshkruan përhapjen e arsimit në zonë. Hapja e shkollave paraqitet, si nga fitoret më të mëdha të kohës. Në një krahinë malore, ku për vite të tëra dija kishte qenë luks, shkolla u kthye në simbol shprese dhe emancipimi.

Mësuesit përshkruhen si njerëz me mision, që shpesh udhëtonin në këmbë nëpër shtigje të vështira malore, për të çuar dijen në fshatra të largëta. Në këto fragmente libri merr tone tepër njerëzore dhe emocionale, sepse autori e sheh arsimin si dritën që ndryshoi jetën e shumë familjeve vërçare.

Po aq e rëndësishme, është edhe trajtimi i jetës ekonomike. Meçan Hoxha përshkruan përpjekjet për organizimin e punës bujqësore dhe blegtorale, vështirësitë e terrenit malor dhe mënyrën sesi njerëzit luftonin çdo ditë, me natyrën për të siguruar jetesën.

Shpirti njerëzor i Vërçës

Në Vërçë, sipas përshkrimeve të autorit, burrëria nuk matej me forcën fizike, por me drejtësinë e karakterit. Burri i mirë ishte ai që mbante fjalën, që nuk e ulte kokën përballë padrejtësisë, që ndihmonte të varfrin dhe që dinte të ruante respektin për tjetrin. Vërçenjtë janë njerëz të pushkës dhe të punës. Në libër lexojmë: Dy gjëra janë të shtrenjta: “pushkën mbi sup dhe kërrabën në dorë”.

Gjerësisht shkruhet për arkitekturën e banesave, veshjet origjinale të zonës, blektorinë si bazë ekonomike të vendasve, forcimin e oborreve personale ku sigurohej ushqimi bio, prodhimi i bulmetrave, pijet, pemëtaria, mbi dollitë aq tradicionale, ritet mortore, të lindjeve, të gëzimeve dhe ceremonive familjare dhe fetare, gjuhën, besimin etj.

-Vërça është një testament i jetës, një poezi që vazhdon të shkruhet çdo ditë me çdo gjë që ndodh, duke na kujtuar se edhe në mes të sfidave kultura dhe traditat, mund të gjejnë rrugën për t’u ruajtur”, shkruan ndër të tjera në këtë kapitull të librit Meçan Hoxha.

Po aq e rëndësishme ishte edhe figura e gruas vërçare, e cila në heshtje mbante peshën e jetës familjare, rriste fëmijët me sakrificë, ruante traditat dhe bëhej shtylla morale e shtëpisë. Në shumë fragmente të librit preket simpatia i autorit për forcën shpirtërore të grave të kësaj treve, të cilat kanë ditur të përballojnë jetën e vështirë malore me dinjitet dhe urtësi.

Mikpritja tjetër tregues i kësaj pjesë të librit. Në Vërçë, dera nuk mbyllej për udhëtarin. Shtëpia konsiderohej e bekuar kur priste miq dhe buka merrte kuptim, vetëm kur ndahej me tjetrin. Autori sjell me finesë atmosferën e odave tradicionale, ku burrat mblidheshin rreth zjarrit, bisedonin për jetën, historinë, luftën, këngët dhe hallet e kohës, ndërsa respekti për fjalën dhe për të moshuarin ishte ligj i pashkruar.

Meçan Hoxha, ndalet me ndjenjë edhe te solidariteti i banorëve të Vërçës me Kosovën dhe Çamërinë. Në faqet e librit kuptohet, se dashuria për kombin nuk ka qenë slogan, por pjesë e ndërgjegjes së njerëzve. Ata kanë prekur dhimbjen e vëllezërve të tyre, si dhimbjen e vet dhe kanë ruajtur ndjenjën e përkatësisë kombëtare si një amanet të shenjtë.

Edhe gjuha që përdor populli i kësaj treve, paraqitet si pasuri shpirtërore. Dialekti, shprehjet popullore, mënyra e komunikimit dhe mençuria e fjalës tregojnë një kulturë të ruajtur me fanatizëm ndër shekuj. Në shumë raste, një fjali e thënë nga një plak vërçar vlen sa një mësim i tërë jete.

Mençuria që qesh edhe në varfëri

Nga kapitujt më të gjallë, më njerëzorë dhe njëkohësisht më të këndshëm të librit “Vërça – Legjendë dhe realitet” të Meçan Hoxhës, është padyshim humori vërçar. Pas faqeve të mbushura me histori, legjenda, luftëra, shpellat misterioze, sakrifica dhe kujtime të thella njerëzore, ky kapitull vjen si çlodhje shpirtërore, si buzëqeshje e mençur, që del nga vetë jeta e popullit.

Meçan Hoxha, me intuitën e studiuesit dhe ndjeshmërinë e njeriut që njeh mirë psikologjinë e krahinës së tij, ka ditur të mbledhë dhe të ruajë me kujdes këto ndodhi humoristike, të cilat në pamje të parë mund të duken të thjeshta, por në të vërtetë mbartin filozofinë e jetës së njerëzve të Vërçës.

Në këtë kapitull lexuesi ndesh jo vetëm humorin, por zgjuarsinë popullore, ironinë e hollë, mënyrën sesi njerëzit dinin të përballonin vështirësitë me batutë dhe si arrinin të ruanin dinjitetin përmes të qeshurës. Në shumë prej këtyre rrëfimeve, ndjen atmosferën tradicionale të odës shqiptare, ku burrat mblidheshin pas një dite të lodhshme pune, ndiznin zjarrin, pinin kafen apo rakinë dhe nisnin tregimet, që shpesh përfundonin me të qeshura të forta, por edhe me një mësim jete.

Vetë titujt e ndodhive të përfshira në libër, të krijojnë menjëherë ndjesinë e humorit popullor: “Bujrum, bujruam te Qazim-Aj”, “Trimi s’e dorëzon armën”, “Ndodhi me priftin e Grabovës”, “O të gjithë me karta Fronti, o asnjë”, “Kryetar, ja unë, ja ti tha gomari”, “Mua për këtë çështje më shkruaj hamull, o prokuror!”

Në fund të këtij kapitulli, kupton se njerëzit e Vërçës nuk kanë qenë vetëm luftëtarë, punëtorë apo ruajtës të traditës. Kanë qenë edhe artistë të fjalës së gjallë popullore, mjeshtër të batutës dhe njerëz, që e kanë përdorur humorin si mënyrë për ta bërë jetën më të lehtë, më njerëzore dhe më të durueshme.

Njeriu që i dha gjithkohësi Vërçës

Në fund të leximit të librit “Vërça – Legjendë dhe realitet”, lexuesi kupton se ka përpara një njeri, i betuar t’i shpëtojë harresës një univers të tërë njerëzor, historik dhe shpirtëror. Dhe ky njeri është Meçan Hoxha.

Në një kohë, kur shumë vlera të kujtesës kolektive, po treten nën ritmin e shpejtë të kohës moderne, Meçan Hoxha ka zgjedhur rrugën më të vështirë dhe më fisnike, rrugën e ruajtjes së memories së vendlindjes. Nuk ka lejuar që historia e Vërçës, të mbetet vetëm në kujtimet e të moshuarve, apo në heshtjen e maleve. E ka marrë atë histori, e ka kërkuar me këmbëngulje, e ka mbledhur pjesë pjesë dhe e ka kthyer në një monument të shkruar.

Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij. Sepse për të shkruar një libër të tillë, nuk mjafton vetëm talenti. Nuk mjafton vetëm njohuria historike, apo aftësia për të sistemuar dokumente. Duhet dashuri e jashtëzakonshme për vendin, durim i madh kërkimor dhe ndjenjë e fortë përgjegjësie ndaj brezave.

Në çdo faqe të librit “Vërça – Legjendë dhe realitet”, ndjehet qartë se Meçan Hoxha, nuk ka shkruar si vëzhgues i ftohtë. Ka shkruar si bir i kësaj toke, si njeri që e njeh Vërçën jo vetëm nga librat, por nga jeta, nga rrugët e saj, nga bisedat me njerëzit, nga zërat e maleve, nga këngët, legjendat dhe kujtimet që mbart kjo krahinë.

Prandaj kjo vepër, ka vlerë shumë më të madhe se një botim i zakonshëm. Është arkiv. Është testament. Është urë mes brezave. Në shumë faqe të librit, ndjen se autori ka pasur drojën e madhe, se mos Vërça humbiste në heshtje, mos legjendat shuheshin bashkë me të moshuarit.

Meçan Hoxha, i dha gjithkohësinë një treve të tërë. Kështu figura e tij bëhet e çmuar, jo vetëm për Gramshin dhe Vërçën, por për gjithë kulturën shqiptare. Njerëz si Meçan Hoxha, janë ata që mbajnë gjallë kujtesën qoftë edhe të një treve si Vërça. Kjo i bën ata, të mbulohen me respekt dhe nderim.


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page