top of page

Bujar Qesja: Lutfi Zino kampioni që mund t’i vjedhin medaljen por jo lavdinë.

  • May 29
  • 3 min read

 

-Nga Bruklini në konakun e gazetarit përkushtues ndaj Durrësit

 

Një kampion i madh që nuk duhet harruar

 

Nga BUJAR QESJA

 

Nga Bruklini në konakun e mikut të tij, gazetarit durrsak Bujar Qesja, erdhi për pak orë nga emrat më të mëdhenj të çiklizmit shqiptar, Lutfi Zino. Erdhi për mallin e Durrësit, për miqtë, për kujtimet dhe për kohën e artë të pedalimit shqiptar. Dhe u kthye sërish në Amerikë, duke lënë pas emocione të forta dhe respekt të madh për figurën e tij.

Takimi me Lutin ishte prekës. I goditur pak kohë më parë nga një hemorragji cerebrale, por fatmirësisht tashmë më mirë me shëndetin. Megjithatë mbetet po ai kampion me grintën e dikurshme, me shpirtin luftarak dhe me kujtesën që endet vazhdimisht tek biçikleta, tek maloret dhe fitoret e paharruara.

Lutfi Zino nuk është thjeshtë një ish çiklist. Është histori e gjallë e sportit durrsak dhe shqiptar. Një njeri që ia kushtoi jetën dyrrotakëve, duke sakrifikuar gjithçka për sportin. Dy herë fitues i Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, kampion në etapa të panumërta malore e me kronometër, pjesëmarrës në aktivitete ndërkombëtare dhe përfaqësues i Shqipërisë në kampionatin botëror të Valkenburgut në Holandë.

Në pamje, nga e djathta: krenaria e çiklizmit, idhulli i sportëdashësve, “Mjeshtri i Madh” Lutfi Zino dhe gazetari Bujar Qesja.
Në pamje, nga e djathta: krenaria e çiklizmit, idhulli i sportëdashësve, “Mjeshtri i Madh” Lutfi Zino dhe gazetari Bujar Qesja.

Në vitin 1968, fitoi kupën si çiklisti më i ri i vendit. Në Spartakiadën e 3-të Kombëtare, shkëlqeu me hyrjen spektakolare në stadiumin “Qemal Stafa”, ndërsa në vitin 1969 vendosi rekordin historik në kronometrin Shkodër–Lezhë me mesataren 43 kilometra në orë, shifër e pabesueshme për kohën. Fitues i Rrethit Çiklistik më 1971 dhe 1977, protagonist absolut në sukseset e “Lokomotivës” së Durrësit, ndërsa më vonë ringriti edhe ekipin e “Teutës”, duke e kthyer në kampion në vitin 2003.

Për angazhimin e jashtëzakonshëm, mori titullin “Mjeshtër Sporti” dhe më pas “Mjeshtër i Merituar”, ndërsa më vonë u nderua edhe si “Mjeshtër i Madh”. Pikërisht këtë titull dhe medaljen e tij ia vodhën në Amerikë, pasi i kishte lënë në makinë. Një humbje që dhemb ende. Por askush nuk mund t’i vjedhë lavdinë. Medaljen mund t’ia marrin hajdutët, por jo emrin e madh që ka lënë në historinë e çiklizmit shqiptar.

Kur flet për sportin, Luti emocionohet si fëmijë. Kujton trajnerin legjendar Bilal Agalliu, shokët e garave, rrugët e pafundme të stërvitjes dhe sakrificat e jashtëzakonshme. Kujton edhe aksidentin dramatik të vitit 1969, kur pas një përplasjeje të rëndë luftoi mes jetës dhe vdekjes. Pas shumë muajsh në koma dhe larg biçikletës, u rikthye sërish kampion. Një histori e pabesueshme force dhe vullneti. Kujton edhe Met Mustën, trajnerin e parë.

 

NË VITIN 2005, KAMPION I ANGLEZËVE

 

Ky nëntitull mund të ishte edhe kështu, biçikleta e Zinos kalon notarët dhe vrapuesit. Pa dallim moshe, ambasada angleze në Tiranë, me 18 shtator 2005, organizon një garë të hapur sportive me siglën “Inaugural Triathlon of Albania”. Konkurrentët do të bënin 700 metra notim, 20 km pedalim me biçikleta dhe 5 km vrapim në zonën Mali i Robit Kavajë e kthim. Ndër dhjetëra e dhjetëra pjesëmarrës, disa edhe sportistë të huaj me karrierë të pasur, ishte edhe durrsaku 55-vjeçari Lutfi Zino. Dhe biçikleta e Zinos doli fituese edhe mbi notarët edhe mbi vrapuesit. Si ndodhi kjo? Zino reagon kështu ndaj interesimit tonë, mbi suksesin e plotë të kësaj pjesëmarrjeje ndërkombëtare:

“Fillimisht u nis konkurrimi me 700 metra notim. Disa nga pjesëmarrësit ishin vërtet të përgatitur dhe m’u duk se konkurrimi me ta ishte përtej arsyes. Por ja që ashtu si një violinist e nxjerr faqebardhë instrumenti, në këtë rast violina ime ishte biçikleta. Garën e notimit e përfundova diku nga mesi i konkurrentëve. Menjëherë mora biçikletën dhe i fola me gjuhën time. 20 kilometrat i realizova shumë shpejt dhe i lashë pas konkurrentët. Pastaj kalova te vrapimi. Oh nëne, sa vraponin ata! Por epërsia që më kishte dhënë biçikleta, nuk mund të kapej prej asnjërit prej tyre. Oh sa jam gëzuar që dola i pari! Nga kënaqësia dhe emocionet, shkova menjëherë te biçikleta, e putha si fëmijë dhe i “thashë”: të faleminderit!”.

 

Në Bruklin frymon ky i artë i çiklizmit

 

Edhe sot, në Bruklin, nuk ndahet nga biçikleta. Amerikanët e njohin si specialist të rrallë të dyrrotakëve, ndërsa ai vazhdon të jetojë me të njëjtin pasion që kishte në rininë e tij në Durrës.

Por mbi të gjitha, Lutfi Zino mbetet njeri i ndjeshëm. Përlotet kur flet për Durrësin, për miqtë që nuk jetojnë më dhe për kohën e artë të sportit shqiptar. Vizita e tij e shkurtër në konakun e mikut të vjetër dhe mbështetësit historik, ishte rikthim emocional i një kampioni në qytetin që e bëri legjendë.

Dhe teksa largohej sërish drejt Bruklinit, dukej sikur merrte me vete mallin e qytetit, aromën e detit dhe kujtimet e një jete të tërë mbi biçikletë. Sepse Lutfi Zino mbetet kampioni që mund t’i vjedhin medaljet, por kurrë lavdinë.

Mirardhsh sërish kampion, nderi dhe krenaria e çiklizmit Lutfi Zino!

Bujar Qesja

Durrës: 28 maj 2026


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page