top of page

Bujar Qesja: Kur studionim për gazetari

  • May 5
  • 2 min read


-Pamje me peshë të madhe emocionale

Nga 23, shtatë nuk jetojnë

Koha e fiksimit: viti 1971. Shoqja ime e rinisë studentore ZAMIRA KOLECI, më dërgoi dje këtë foto. Të më besoni, se kam orë e orë të tëra, që nuk ia kam ndarë sytë. Malli ma copëton shpirtin, e kujtimet godasin si çekan në atë quhet memorie.

- Bujar po të dërgoj tre foto. DILAVER BAXHAKU m'i çfaqi në adresën time. Dhe menjëherë t'i nisa. Ç'mallu tani! Kujto atë kohë të artë që kemi kaluar, ku na rroku një miqësi e pastër, e sinqertë.

Ky ishte shënimi shoqërues, i shoqes time si motër Zamira Kolecit. Jemi në Fakultetin e Shkencave Politiko Juridike, dega e gazetarisë. I mbaruam studimet në vitin 1974. 48 vite të shkuara.

Kemi qenë 23 veta nga e gjithë Shqipëria. Nga Durrësi isha i vetëm. Bëmë shkollë. Studiuam shumë. Filluam të shkruajmë shumë herët, detyrë që  nuk kemi ndërmënd ta lemë.

Shokët dhe shoqet e mi të gazetarisë! Sa kujtime! Sa ëndërra! Sa punë! Sa lodhje! Sa sakrifica! Jemi në këtë foto shtatë vetë, duke përfshirë edhe profesorin e kriminalistikës, njeriun më shumë se të mirë, të mirënjohurin SKËNDER BEGEJA.

Mëndja më shkon, e zemra më qan, për shokët që nuk jetojnë, duke qenë pranë nesh përjetësisht. Dhe këta janë: SKËNDER HASKO, HYSNI MILLOSHI, JAMARBËR MARKO, SHPËTIM GINA, TONIN SHTJEFNI, TOMOR JOLLDASHI, APOSTOL DUKA.


Në foto nga e majta: Nexhati Tafa, Tomor Jolldashi ( nuk jeton), profesor Skënder Begeja (nuk jeton), Dilaver Baxhaku dhe Bujar Qesja. Nga vajzat majtas: Mira Bregu dhe Zamira Koleci.
Në foto nga e majta: Nexhati Tafa, Tomor Jolldashi ( nuk jeton), profesor Skënder Begeja (nuk jeton), Dilaver Baxhaku dhe Bujar Qesja. Nga vajzat majtas: Mira Bregu dhe Zamira Koleci.

Por qendrojmë mirë me të dy këmbët në tokë: Dilaver Baxhaku, Zamira Koleci, Nexhati Tafa, Ana Nimali, Arqile Ndini, Mira Bregu, Skënder Vaqari, Donika Demirazi, Demokrat Anastasi, Elmaz Leci, Violeta Peçuni, Shirma Minga, Liliana Branica, Irma Titani, Donika Ndile dhe Bujar Qesja.

Zamira dhe Dilaveri, kanë marrë përsipër të na mbledhin. Sa mirë do të ishte! Na ka djegur shumë ikja pa kthim e 7 shokëve, me të cilët na lidhin shumë kujtime. Kaluam vitet më të bukura së bashku. E tash, na duhet të ecim me dhimbjet.

Këtu po i ndal rradhët. Mbase më vonë, do të më duhet të rinis. Mall dhe miqësi e thekur. Kujtesë dhe mos harresë.

Gjithnjë pranë shokët dhe miqtë e mi të rrallë, si ato që jetojnë dhe ato që kanë ndalur frymëmarrjen!

Ju dua shumë!

Bujar Qesja

Durrës: 12 dhjetor 2022


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page