BUJAR QESJA: Kur rinia vishej me uniformë
- 22 hours ago
- 4 min read

Katër studentë të Fakultetit të Shkencave Politiko -Juridike
Mes lodhjes së stërvitjes ushtarake, ëndrrave për jetën dhe një miqësie që mbeti e gjallë pas 54 vitesh
Nga BUJAR QESJA
Ka fotografi, që nuk janë vetëm letër e zverdhur nga koha. Janë copëza jete që flasin, marrin frymë dhe të kthejnë pas, në një kohë ku rinia kishte tjetër ritëm, tjetër frymë dhe tjetër sakrificë. Një fotografi e vitit 1972, e bërë në Qytetin Studenti, sjell para syve katër studentë të rinj, me uniformë ushtarake, me këpucë të rënda, me supet ende të njoma nga mosha, por me zemrën plot energji dhe besim për jetën.
Janë katër shokë fakulteti, juristi Timo Guxho nga Fieri, Arqile Ndini nga Vlora, Nexhati Tafa nga Kavaja dhe gazetari Bujar Qesja nga Durrësi. Të rinj 21-22 vjeçarë, të lidhur nga bankat e Fakultetit të Shkencave Politiko-Juridike, nga ëndrrat, nga vështirësitë dhe nga ajo miqësi e pastër, që vetëm rinia di ta krijojë.
Në atë kohë, studentët nuk përgatiteshin vetëm për profesionin. Ishte koha e “trekëndëshit revolucionar”: mësim, punë kalitje dhe stërvitje ushtarake. Çdo vit zhvillohej përgatitja ushtarake nga një muaj në Rrapi Trish, ndërsa pas përfundimit të studimeve të larta, pesë muaj të tërë në Mamurras, i shndërronin studentët në oficerë rezervistë. Ishte një realitet i kohës, i fortë, i lodhshëm, shpesh i ashpër, por që sot mbetet pjesë e paharruar e kujtesës së një brezi.
Katër të rinj përballë sfidash
Fotoja duket e thjeshtë. Katër djem të rinj me uniformë ushtarake. Por në të vërtetë ajo mbart shumë më tepër. Në fytyrat e tyre lexohet lodhja e stërvitjeve të forta, ecjeve të gjata, disiplinës së hekurt. Por mbi të gjitha lexohet rinia.
Asnjëri prej tyre, nuk kishte ardhur aty për të qenë ushtar profesionist. Ata ishin studentë. Djem që ëndërronin gazetarinë, drejtësinë, radion, skenarin, jetën profesionale që i priste përpara. Megjithatë, koha kërkonte që krahas librave të mbanin edhe pushkën, krahas auditorëve të përballonin edhe terrenin ushtarak.
Dhe ata nuk i lanë gjë mangut ushtarit
Në atë uniformë të rëndë, në ato këpucë dhe mushama ushtarake, fshihej energjia e një brezi që dinte të sakrifikonte, të përshtatej dhe të ecte përpara pa u ankuar. Ishte një brez, që mësoi të jetonte me vështirësinë dhe të mos e humbiste buzëqeshjen.
Rrapi i Trishit, nuk ishte vetëm vend stërvitjeje. Për ata djem, u bë shkollë tjetër e jetës. Aty u forcuan lidhjet shoqërore, u krijuan ndjenja e vëllazërisë dhe e mbështetjes reciproke. Ishin si vëllezër me njëri tjetrin. Hanin bashkë, lodheshin bashkë, qeshnin bashkë dhe ndanin të njëjtat ëndrra për të ardhmen.
Rrugët që mori jeta
Vitet kaluan shpejt. Jeta i shpërndau secilin në udhën e vet. Timo Guxho u kthye në Fier dhe punoi për shumë vite në prokurorinë e qytetit, duke mbajtur mbi supe përgjegjësinë e ligjit dhe drejtësisë.

Arqile Ndini e lidhi jetën me Radio Tiranën, me mikrofonin dhe fjalën publike, duke mbetur pjesë e botës së komunikimit dhe informacionit.
Nexhati Tafa punoi në Kinostudio si skenarist, mes artit dhe krijimtarisë, në një institucion që për dekada ishte zemra e filmit shqiptar.
Ndërsa Bujar Qesja, megjithëse u emërua te “Sporti Popullor”, nuk mundi ta ushtrojë aty profesionin për arsye absurde politike. Fati e çoi në Bashkimet Profesionale në Durrës, por gazetaria mbeti basti i madh i jetës së tij. Profesioni nuk u braktis kurrë, sepse dashuria për të ishte më e fortë se pengesat.
Koha i largoi nga njëri tjetri. Takimet u bënë të rralla. Ndoshta vetëm një ose dy herë gjatë gjithë këtyre dekadave. Punët, familjet, përgjegjësitë dhe ritmi i jetës i ndanë fizikisht. Por jo shpirtërisht. Sepse ka miqësi, që nuk maten me numrin e takimeve. Ato jetojnë në kujtesë.
Fotografi që flet edhe sot
Pas 54 vitesh, kjo fotografi merr kuptim edhe më të madh. Nuk është vetëm kujtim personal. Është dëshmi e një kohe. E një Shqipërie tjetër. E një rinie, që u rrit mes idealizmit, disiplinës dhe sakrificës.
Në kohën e sotme, duket pothuajse e pabesueshme të shohësh gazetarë dhe juristë të veshur si ushtarë, mes stërvitjeve të forta dhe përgatitjes ushtarake. Brezat e rinj, vështirë ta përfytyrojnë atë realitet. Por ai ishte pjesë e jetës së përditshme të studentëve të asaj kohe.
Megjithatë, përtej ideologjive dhe sistemit, ajo që mbetet e bukur është rinia. Është pastërtia e miqësisë. Është energjia e atyre viteve kur njeriu kishte pak, por ndiente shumë.
Kjo foto, është një ndalesë e vogël e kohës. Një çast i ngrirë që vazhdon të jetojë. Katër djem të rinj, me uniformë ushtarake, pa e ditur se pas më shumë se gjysmë shekulli, do të shiheshin ende me mall dhe respekt.
Kujtime që mbeten gjallë
Të katërt sot janë pensionistë. Flokët janë zbardhur, vitet kanë lënë gjurmët e tyre, por kujtimi ka mbetur i ri. Fotografia vazhdon të flasë me gjuhën e heshtjes. Ajo tregon, se rinia është pasuria më e madhe, që njeriu mban me vete deri në fund të jetës. Tregon se sakrificat nuk harrohen dhe se miqësia e vërtetë, nuk vjetrohet kurrë.
Në atë rrugë të Qytetit “Studenti”, në vitin e largët 1972, nuk ishin vetëm katër studentë me uniformë ushtarake. Ishin katër fate, që po hynin në jetë. Katër zemra të reja, që besonin tek e nesërmja.
Pas 54 vitesh, ata vazhdojnë të ecin së bashku… të paktën në këtë fotografi të rrallë, që mbetet monument i vogël i rinisë, kujtesës dhe kohës që nuk kthehet më.








Comments