BUJAR QESJA: "Kodra Zhukov"-populli ia “fali” marshallit George Zhukov
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 2, 2025
- 4 min read

-Voskopoja ofron edhe një mrekulli historike
Nga BUJAR QESJA
Kisha vendosur të ecja gjatë, në këtë të shtunë të 27 gushtit 2025. Të merrja rrugën automobilistike, që është mirfilli e vështirë, me ulje dhe jo e lehtë për t'u përshkuar me këmbë. Por që gjithsesi, isha në besë të natyrës dhe mrekullive të saj. As që e kisha menduar, se këto pushimet e mia të Voskopojës të gushtit 2025, do të përfshinin një dukuri të paimagjinueshme. Voskopoja ime, nuk ofron vetëm klimë të lyer me magji, nuk të ofron oksigjen më shumë se të pastër që të "çan" mushkëritë, nuk të ofron vetëm bukuri të rralla natyrore që të lënë gojëhapur, nuk, nuk nuk dhe nuk kanë të mbaruar të mirat.
Isha shkëputur disi nga grupi dhe isha i shoqëruar, nga komandanti i njohur i divizionit të Korçës kolonel Agim Zybeshari. Këpucët e mia, kishin shkelur disa kilometra rrugë. Kaluam disa tabela, ku lexoja sipas rasteve emrat e fshatrave Lekas, Gjonbabas, Lavdar, Gjonomadh, mali i Ostrovicës dhe donim edhe pak të preknim Voskopin. Pas këtyre kilometrave, lodhja kish nisur të dilte në sipërfaqe.

Në krahun e majtë të rrugës, kur udhëton në drejtim të Korçës, tutje pranë horizontit, zë vend një kodër gjigande në kurriz të malit. Në kokë të kodrës, si fije floku ishin ngulur me qindra rrënjë pishash, që i jepnin mjedisit atë bukuri magjepëse ëndërruese.
Agimi më bën shenjë që të ndaloj, ti largohem rrugës që të mos rrezikoja nga ndonjë makinë në kalim dhe të qendroja në një dishezë jo fort komode për të qendruar gjatë.
-E shikon atë kodrën përballë, e zhytur në atë mal stërmadh. Vështroje me vëmëndje. Quhet "Kodra Zhukov". Në vitin 1957, është bërë një stërvitje e fuqishme ushtarake e ushtrisë shqiptare, duke u kombinuar forcat këmbësore, me fuqinë e zjarrit të artilerisë, shoqëruar edhe me bombardues Mig. Në shtabin e vrojtimit të stërvitjes, ka marrë pjesë edhe marshalli Zhukov. Dhe pas këtij çasti, ai vënd është quajtur "Kodra e Zhukovit".
Këtë më tha Agim Zybeshari, ky profesionist ekselencë i ushtrisë shqiptare. Mendova të zgjeroj njohuritë mbi këtë fakt dhe thërrita në ndihmë historinë.
George Zhukov është heroi i luftës së madhe patriotike të popullit rus kundër invazionit hitlerian. Mbetet figura qendrore e qendresës së luftës së dytë botërore dhe është vlerësuar katër herë me Yllin e Heroit të Bashkimit Sovjetik. Ka lindur në vitin 1896 dhe ndali frymëmarrjen në qershor të vitit 1974 pas goditjes së dytë në zemër.

George Zhukov, falë aftësive drejtuese nuk e lejoi ushtrinë e Hitlerit të parakalonte mbi Moskë në nëntorin e vitit 1941, duke e thyer keqas. Gjithashtu ky Zhukov, komandoi frontin qendror të luftës për çlirimin e Berlinit dhe vendosjen e flamurit sovjetik mbi Rajshtag.
Në dhjetëditëshin e tretë të tetorit të vitit 1957, George Zhukov, me cilësinë e ministrit të mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik, erdhi në Shqipëri me një Mig TU-104. Ministria jonë e mbrojtjes, pikërisht në këtë zonë ku unë dhe Agim Zybeshari ishim ndalur, 68 vite më parë, organizonte stërvitjen treguese me emërtimin "Batalioni i këmbësorisë i përforcuar në mësymje në terren malor, kundër armikut që ka kaluar në mbrojtje me shpejtësi, i mbështetur nga një grup artilerie obuz 122m/m dhe një skuadrilje aviacioni MIG 15".
Duke qenë tankist në profesionin fillestar dhe më pas kuadër madhor i ushtrisë shqiptare, Agim Zybeshari më tregon, se batalioni i këmbësorisë krahas nënreparteve xhenjere dhe të mbrojtjes kimike, do të përforcohej me kompani tankiste me anke të tipit T-34-85 dhe bateri të artilerisë vetlëvizëse 76 m/m. Kjo e fundit do të lehtësonte vërshimin e tankeve në kapjen e objektivit.
Zgjeroj njohuritë në këtë histori. Xhafer Peçi, një kuadër i spikatur dhe i vlefshëm i ushtrisë shqiptare, ishte përkthyes i marshallit Zhukov dhe vendos në memorien e tij këtë pohim të kryeheroit sovjetik të luftës së dytë botërore:
“Marshallin plak kjo stërvitje e kënaqi dhe e frymëzoi, sepse ushtarakët shqiptarë vepruan si ata tigrat në male për kalimin e vështirësive. Ata do të mbeten në mendjen time të paharruar, për mua si marshall i Bashkimit Sovjetik. Me plot gojën mund të them, se ju jeni shqiponjat e maleve, tigrat e Ballkanit”.
Me Shqipërinë lidhet edhe momenti më kritik i karrierës së gjatë dhe të pasur të marshallit të lavdishëm George Zhukov. Kur avioni TU-104, ngrihet në ajër teksa shkëputet nga asfalti i aeroportit të Rinasit, i shoqëruar nga katër Mig luftarak sovjetik, Nikita Hrushovi nënshkruan aktin zyrtar të shkarkimit, nga të gjitha funksionet të heroit të liuftës së madhe patriotike të popullit sovjetik.
Ai mbeti i mbyllur në daçën e tij në periferi të Moskës për 18 vite, duke refuzuar edhe pendesën e Hrushovit dhe duke mbajtur qëndrim mosaprovues edhe ndaj Brezhnjevit. Në këto kushte pas goditjes së dytë në zemër, me 18 qershor 1974 pushon së rrahuri zemra e marshallit sovjetik të luftës dhe fitimtarit të madh George Kostandin Zhukov. Sot e kësaj dite kur ndodhin raste të ngjashme, ka mbetur thënia e njohur: "E shkarkuan në ajër si Zhukovin".
Nga Voskopoja jonë e bukur, të vjen e freskët kjo histori. Dhe në këtë Voskopojë, një majë e relievit të dëndur malor, ka marrë emrin e një miku të madh të shqiptarëve, duke pasqyruar aspiratën liridashësve të popujve sovjetikë në vitet 50-të “ Kodra e Zhukovit”.
Ishte një stërvitje e madhe, në prani të një njeriu të madh shprehet jo pa nostalgji komandant Agim Zybeshari. Dhe në kujtim të atyre pak orëve, që qendroi ky strateg i përjetësisë historike të luftës patriotike të popujve kundër nazizmit hitlerian, populli ia "fali" Zhukovit një kodër të tokës së tij, duke e quajtur në mënyrë të palëvizshme "Kodra e Zhukovit".
Sigurisht që do të kaloj dhe në raste të tjera në këtë rrugë. Por jam i bindur kur do të rastis, do të më kujtohet kjo ngjarje dhe kjo kodër. Është "Kodra Zhukov".









Comments