top of page

Bujar Qesja: Klodiana Spahiu në gjysmën e parë të shekullit

  • 10 hours ago
  • 4 min read

-Me rastin e 50-të vjetorit të lindjes

Nga BUJAR QESJA

Ka njerëz, që nuk maten vetëm me detyrat që mbajnë, me titujt apo funksionet shtetërore që përfaqësojnë. Ka njerëz, që peshohen me zemër. Me mënyrën si të shtrëngojnë dorën, si të dëgjojnë hallet, si të afrohen pranë të pamundurve, si të komunikojnë me thjeshtësi edhe kur mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha. Nga këto emra, është pa dyshim Klodiana Spahiu, zonja që sot feston 50-të vjetorin e lindjes, gjysmën e parë të një shekulli të mbushur me punë, përkushtim, fisnikëri dhe dinjitet njerëzor.

Në këtë përvjetor të bukur të jetës, emri i saj vjen më i dashur, më i respektuar dhe më i vlerësuar se kurrë. Sepse Klodia nuk është thjeshtë nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk është vetëm, kardiologia e njohur që ka ndihmuar me qindra e mijëra zemra njerëzore, të rrahin më fort dhe më gjatë. Ajo është vetë zemra e njerëzve. Klodi e zemrës. Klodi e popullit në nevojë. Klodi për të mirën.

Në jetën publike shqiptare, është e rrallë të gjesh figura që ruajnë njëkohësisht autoritetin dhe thjeshtësinë, seriozitetin dhe buzëqeshjen, fuqinë dhe ndjeshmërinë. Pikërisht këto cilësi, e kanë bërë Klodiana Spahiun kaq të dashur për publikun e gjerë. Qetësia që përcjell, gatishmëria për të dëgjuar, profesionalizmi në çdo detyrë, urtësia në komunikim, arti i mirësjelljes, kultura qytetare dhe mbi të gjitha barazia në trajtimin e njerëzve, janë virtyte që ia kanë ngritur karatet njerëzore dhe morale.

Klodi është nga ato gra, që nuk krijojnë distancë me njerëzit edhe kur ngjiten në majat e karrierës. Përkundrazi, sa më shumë është rritur në përgjegjësi, aq më shumë është afruar me qytetarët. Në zyrat e shtetit, në sallat e politikës, në takime me ambasadorë dhe përfaqësues shtetesh, në veprimtari të rëndësishme politike e shoqërore, por edhe në dyert e jetimoreve, pranë shtresave në emergjencë, tek njerëzit e varfër e të sëmurë, Klodia mbetet po ajo, e qeshur, njerëzore, e modeste dhe e ndjeshme.

Është një profil që krijon besim. Kur njerëzit kanë nevojë më shumë se kurrë për shpresë, për korrektësi dhe për fytyra të besueshme, prania e saj në politikë, shihet si dritë optimizmi. Sepse Klodiana Spahiu, përfaqëson atë kategori idealistësh, që hyjnë në jetën publike jo për lavdi personale, por për të përmirësuar mirëqenien, ekonominë dhe zhvillimin e popullit të tyre.

Lufton dhe përpiqet çdo ditë, për të bërë më të mirën. Për të sjellë më të bukurën. Për të arritur më të lartën. Për të qenë, në shkallën më të madhe të besueshmërisë njerëzore dhe qytetare. Dhe kjo nuk arrihet me fjalë. Kjo arrihet me sjellje, me përkushtim, me karakter, me punë dhe me ndershmëri.

Në rrënjët e këtij personaliteti të admirueshëm, qëndron edhe edukata familjare. Klodiana është bija e inxhinierit të njohur Fatmir Belegu, tashmë i ndarë nga jeta, dhe e zonjës së respektuar Jeta Kertusha. Nga kjo familje, ajo trashëgoi kulturën qytetare, fisnikërinë, korrektësinë dhe respektin për njeriun. Dhe mbi këtë bazë të fortë, ndërtoi personalitetin e admirueshëm në familje, në shoqëri, në mjekësi dhe në politikë.

Edhe jeta e saj familjare, është një model harmonik. Bashkëshortja e mjekut të njohur Edi Spahiu, Klodia ka ditur të ndërtojë një familje të respektuar dhe të dashur, ku profesionalizmi dhe humanizmi ecin paralelisht. Dy mjekë të njohur, dy njerëz të përkushtuar ndaj jetës dhe shëndetit të të tjerëve, që kanë fituar respektin e publikut me punë dhe krenari.

Durrësi dhe durrsakët, kanë një respekt të veçantë për Klodiana Spahiun. Marrëdhëniet e saj me qytetin bregdetar, janë të hershme dhe të sinqerta. Në çdo takim, në çdo komunikim, ka ditur të lërë mbresa pozitive. Durrsakët e shohin si një grua të afërt, të dashur dhe shumë njerëzore. Jo rastësisht, emri i saj përmendet me respekt në tavolina qytetare, në biseda njerëzish të thjeshtë, në institucione dhe në rrethe intelektuale.

Kjo, sepse Klodia nuk është vetëm mjeke e zemrës. Ajo ka zemër. Dhe kjo është diferenca e madhe. Shumë njerëz mund të kurojnë fizikisht një pacient, por jo të gjithë dinë ta prekin shpirtërisht njeriun. Klodiana Spahiu e ka këtë dhunti të rrallë. Ndaj njerëzit ndihen mirë pranë saj. Ndihen të respektuar. Ndihen të dëgjuar.

Sot, në këtë 50-të vjetor të bukur, ajo feston gjysmën e parë të shekullit të saj jetësor. Një gjysmë shekulli e mbushur me sfida, sakrifica, arritje dhe shumë dashuri njerëzore. Por mbi të gjitha, një jetë e jetuar me dinjitet.

Pesëdhjetë vjet nuk janë pak. Janë përvojë. Janë pjekuri. Janë kujtime. Janë beteja të fituara. Janë netë pa gjumë në spitale. Janë vendime të rëndësishme në jetën publike. Janë mijëra njerëz të takuar, të ndihmuar, të respektuar. Janë emocione dhe përjetime që ndërtojnë profilin e një gruaje të fortë, por njëkohësisht të thjeshtë dhe të brishtë në ndjeshmërinë njerëzore.

Klodiana Spahiu, mbetet nga ato figura që të bind, se Shqipëria ka ende njerëz të mirë, njerëz që punojnë me ndërgjegje, njerëz që nuk e harrojnë origjinën, njerëz që e ndjejnë përgjegjësinë publike si mision.

Dhe pikërisht për këtë arsye, urimi për të merr kuptim më të madh. Nuk është vetëm një urim ditëlindjeje. Është vlerësim për modelin që përfaqëson. Për gruan që di të jetë e fortë, pa humbur ëmbëlsinë. Për zonjën krenare, që ruan thjeshtësinë. Për personalitetin publik, që nuk largohet nga njerëzit e zakonshëm.

Në këtë përvjetor të artë të jetës, le të shtohen për të, vetëm ditët e bukura, shëndeti, lumturia familjare dhe suksesi. Le të vazhdojë të mbetet po ajo Klodi e zemrës, që i gjendet pranë kujtdo në nevojë. Le të vazhdojë të mbetet fytyra e qytetarisë, e humanizmit dhe e besimit.

Sepse me njerëz si Klodiana Spahiu, shpresat bëhen më të mëdha. Besimi bëhet më i fortë. Dhe shoqëria ndihet më e sigurtë për të ardhmen.

Gëzuar 50-të vjetorin, zonjë e nderuar!

Me respektin më të madh, për gjithçka që përfaqësoni si mjeke, si grua, si nënë, si qytetare dhe si shërbyese e denjë e popullit shqiptar.


Durrës: 22 maj 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page