top of page

Bujar Qesja: Katër burra të Durrësit në kujtesën e Gramozit

  • 2 hours ago
  • 4 min read

 

-Një foto e vjetër dhe shumë kujtime të mira

 

... Historia nuk duhet parë vetëm bardhë e zi. Brenda çdo kohe, ka pasur njerëz që janë munduar të bëjnë mirë, të ruajnë dinjitetin, të ndihmojnë qytetin dhe të lënë pas respekt njerëzor. Pikërisht për këtë arsye, kujtesa për figura të tilla mbetet e vlefshme...

 

Nga BUJAR QESJA

 

Ka fotografi që mbeten kujtime familjare dhe ka të tjera, që shndërrohen në dokumente të heshtura historie. Një e tillë është edhe kjo pamje, e realizuar më 15 maj 1975, pra më shumë se gjysmë shekulli më parë. Vendi është në rrëzë të malit madhështor të Gramozit, pas festimeve tradicionale të përvjetorit të çlirimit të Leskovikut nga pushtuesit fashistë italianë.

Në pamje të parë, duket një foto e thjeshtë miqsh. Katër burra të ulur pranë njëri tjetrit, me qetësi dhe natyrshmëri, në një peizazh malor. Por në të vërtetë, kjo është një copëz historie njerëzore dhe qytetarie, ku bashkohen lufta, detyra shtetërore, miqësia, origjina dhe fisnikëria njerëzore.

Në atë ditë feste të çetës së Leskovikut në Çaushko, vendi i njohur me pyllin e bukur të arrave dhe rrepat historikë, ishin mbledhur banorë, veteranë dhe të ftuar të shumtë për të kujtuar 15 majin 1943, ditën kur Leskoviku u çlirua nga fashistët italianë. Ishte një datë, që për këto treva ka peshë të veçantë historike dhe emocionale.

Mes të ftuarve, ndodheshin edhe disa figura të njohura të Durrësit të asaj kohe. Në qendër të respektit ishte Arzen Leskoviku, atëherë Kryetar i Gjykatës së Durrësit, por mbi të gjitha bir i kësaj treve dhe pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare. Ka patur detyrën e komisarit të Brigadës së 15-të Sulmuese, duke luftuar me armë në dorë për çlirimin e vendit. Emri i tij mbarte autoritet, por edhe lidhje të fortë shpirtërore me Leskovikun, vendin e origjinës.

Pranë tij koloneli i njohur Lutfi Shehu, tjetër profil i respektuar, që më vonë do të mbante edhe detyrën e shefit të Mbrojtjes Civile në Durrës. Njeri serioz, korrekt dhe i përkushtuar ndaj detyrës, Lutfiu përfaqësonte tipin e kuadrit të përgatitur dhe të matur, që në jetën publike fitonte respekt pa zhurmë.

Në pamje nga e djathta: Arzen Leskoviku, Bajram Thërmija dhe Lutfi Shehu. Ulur para tyre është Naim Haznedari. Mali i Gramozit, 15 maj 1975
Në pamje nga e djathta: Arzen Leskoviku, Bajram Thërmija dhe Lutfi Shehu. Ulur para tyre është Naim Haznedari. Mali i Gramozit, 15 maj 1975

Po aq domethënës, është prania në këtë foto e Bajram Thërmisë, në atë kohë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qytetit të Durrësit, e më pas drejtor i Portit Detar. Mbetet  nga kuadrot drejtues që ndihmoi në administrimin dhe zhvillimin e qytetit, në një periudhë të rëndësishme të historisë së Durrësit. Për shumë njerëz që e kanë njohur, Bajrami kujtohet si njeri komunikues, i afërt dhe me kulturë qytetare.

Në këtë grup, ndodhet edhe Naim Haznedari, drejtues i ndërmarrjes së Parkut Automobilistik të Mallrave në Durrës, pjesëtar i fisit të njohur të Haznedarëve. Ishte një brez drejtuesish, që pavarësisht sistemit politik të kohës, ishin veshur me një etikë pune, një edukatë komunikimi dhe një ndjenjë përgjegjësie ndaj institucionit dhe qytetit ku jetonin.

Pas ceremonisë festive në Çaushko, mikpritja tradicionale kolonjarase u shfaq në mënyrën më të bukur. Petrit Shehu, vëllai i Lutfiut dhe oficer me profesion, ftoi miqtë nga Durrësi në një drekë në shtëpinë e Njazi Shehut, emër shumë i njohur dhe i respektuar në ato anë të Kolonjës e Leskovikut. Ishte ajo mikpritje shqiptare, që nuk harrohet lehtë. Buka, biseda, kujtimet e luftës, humori i njerëzve të njohur dhe respekti për miqtë.

Në kthim, diku në rrëzë të Gramozit, lindi mendimi : “Të bëjmë një fotografi kujtimi”. Dhe ja ku mbërrin, deri në ditët tona kjo foto e 15 majit të vitit 1975, e zverdhur nga koha, por e gjallë në domethënien e saj.

Kur e shikojmë këtë fotografi, nuk kemi përpara vetëm katër emra apo katër ish-drejtues institucionesh. Kemi një brez njerëzish, që jetuan në një sistem tjetër politik, në një Shqipëri moniste që tashmë i përket historisë. Koha ka ndryshuar, sistemi është zëvendësuar nga demokracia dhe respektimi i lirive individuale, por kjo nuk na pengon të vlerësojmë njerëzit për qytetarinë, korrektësinë dhe ndihmesën e tyre njerëzore.

Historia nuk duhet parë vetëm bardhë e zi. Brenda çdo kohe, ka pasur njerëz që janë munduar të bëjnë mirë, të ruajnë dinjitetin, të ndihmojnë qytetin dhe të lënë pas respekt njerëzor. Pikërisht për këtë arsye, kujtesa për figura të tilla mbetet e vlefshme.

Durrësi ka ditur gjithmonë ta dojë të kaluarën e vet. Ky qytet ka ruajtur në kujtesë njerëzit e punës, drejtuesit korrektë, intelektualët e heshtur dhe ata burra, që përtej posteve, mbetën njerëzorë dhe të respektueshëm. Në këtë kuptim, kjo fotografi është më shumë se një kujtim personal. Është një dëshmi qytetarie.

Brezi i sotëm, ka nevojë të njohë jo vetëm ngjarjet e mëdha, por edhe këto histori të vogla njerëzore, ku miqësia, respekti dhe fisnikëria qëndronin mbi interesin personal. Katër burrat e kësaj fotografie, vijnë para nesh si pjesë e memories së Durrësit dhe e memories shqiptare të një kohe që iku, por që nuk duhet harruar.

Fotografia mbetet aty, e heshtur. Por ajo flet shumë. Flet për një brez, që dinte të respektonte mikun, detyrën dhe kujtimin. Dhe ndoshta ky është mesazhi më i bukur që ajo sjell edhe tani, pas më shumë se pesëdhjetë vitesh.


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page