Bujar Qesja: Greta Guga shpirti që shndërroi dhimbjen në dritë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 9 min read

- Kur zemra kupton më shumë se mendja
BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Rrënjët që nuk u shkulën
Historia i përmend disa familje, si shënime kalimtare dhe të tjera i godet pa mëshirë, duke i kthyer në dëshmi të kohës. Haznedarët i përkasin, një historie më shumë se të tmerrshme. Me origjinë të largët nga Prilepi i Manastirit, në ato troje ku shqiptaria ka ditur të mbijetojë mes perandorive, shpërnguljeve dhe dhimbjeve shekullore, kjo familje mbarti me vete jo vetëm mbiemrin, por edhe karakterin, qëndresën dhe ndjenjën e fortë të dinjitetit.
Vendosja në Shqipëri në vitin 1927, fillimisht në Tiranë e më pas në Durrës, nuk ishte lëvizje formale gjeografike, por përpjekje për jetë. Currilat u bënë strehë e një fisi punëtor, ku deti ishte burim jete dhe njëkohësisht metaforë e fatit, herë i qetë, herë i pamëshirshëm. Mahmud Haznedari, peshkatar i ndershëm, lidhi jetën me Lutfije Strazimirin dhe ndërtuan një familje të madhe, me gjashtë djem Sabaudinin, Eminin, Naimin, Abdurrahimin, Gafurrin dhe Qerimin. Secili prej tyre, bartës i një përgjegjësie morale që do të vihej në provë nga historia.
Drama e peshkatarit, e njohur më vonë në artin shqiptar, nuk ishte vetëm vepër letrare apo skenike, por realitet i përditshëm për Haznedarët. Ajo dramë u luajt në jetë, jo në skenë dhe la gjurmë, që do të kalonin brez pas brezi.
Kalvari i internimit, 3013 ditë errësire
Shtatori i vitit 1982, ishte muaji kur koha u thye më dysh. Familja e Qerim Haznedarit, u internua në Grabianin e Poshtëm të Gramshit, në një akt ndëshkimi kolektiv që nuk kishte lidhje me fajin, por me frikën e sistemit. 3013 ditë internim. 3013 ditë poshtërim. 3013 ditë mbijetesë. Këto nuk janë thjeshtë numra, por vite të tëra jete të ngrira, të jetuara nën vëzhgim, në varfëri dhe në trysni.

Greta Haznedari ishte vetëm 10-të vjeçe. Vëllai i madh Agimi, dy vite më pak. Fëmijë që në vend të librave dhe lojërave, mësuan frikën, urinë, heshtjen. Greta dhe Agimi, u detyruan të rriteshin para kohe. Në internim erdhën në jetë edhe dy djem të tjerë, Ermali dhe Besmiri. Fëmijë të lindur në kushte, që nuk u ofronin asgjë përveç detyrimit për të qenë të fortë.
Në Grabian, jeta ishte e zhveshur nga çdo iluzion. Nëna Lutfije, gjyshja e Gretës, nënë e gjashtë djemve, mbylli sytë larg shtëpisë, pa i parë të gjithë fëmijët të lirë. Edhe pas vdekjes, sistemi nuk e zbuti egërsinë. Nënë Lutfijen nuk e lanë të qetë, duke mos e lejuar të prehej në varrezat e fshatit. Qerimi, babai i Gretës, e varrosi në buzë të një kanali. Dukuri që nuk është vetëm tragjedi familjare, por aktakuzë historike.
Në internim lindi edhe Noel, vajza e dytë e familjes. Një rreze shprese në errësirë. Greta u lidh menjëherë me të, sikur të donte ta mbronte nga e gjithë bota. Por Noel jetoi vetëm 90 ditë. Një pakujdesi mjekësore, ia preu jetën. Edhe kjo dhimbje mbi dhimbje. Persekutim i panevojshëm, i shumëfishtë, që godiste edhe foshnjat.
Fëmijëria e thyer, Greta që pa dëgjoi dhe kujtoi
Greta pa gjithçka. Ndjeu gjithçka. Pa frikën e të rriturve, heshtjen e detyruar, lotët e nënës, përuljen e babait. U lemeris. Fëmijëria iu shkurtoi si një degë e njomë. Por nuk u thye. Në shkollën e fshatit, ishte nxënëse e shkëlqyer. Nuk i la sistemit asnjë shteg për ta poshtëruar. Heshtja forcë. Ishte akt rezistence. Dija u bë streha e saj psikologjike, libri shpëtim, suksesi hakmarrje e fshehur.
Këtu fillon të formësohet, profili psikologjik i Gretës. Ndjeshmëri e thellë, vëzhgim i imët i sjelljeve njerëzore, aftësi për të dalluar dhimbjen e pashprehur. Mësoi se traumat nuk bërtasin gjithmonë. Shpesh nuk flasin. Aty lindi pa e ditur ende, psikiatria e saj.
Psikiatria si zgjedhje jete, nga trauma tek shërimi
Zgjedhja e mjekësisë për Gretën nuk ishte aspiratë karriere, por nevojë qendrese. Ishte mënyrë për t’i dhënë kuptim dhimbjes. Psikiatria në veçanti, nuk u shfaq si degë e rastësishme, por si thirrje e brendshme. E njihte ankthin përpara se ta mësonte në auditore. E kishte ndjerë qendresën, përpara se ta lexonte në manuale. Kishte jetuar traumën, përpara se ta emërtonte klinikisht.
Në psikologjinë e Gretës, trauma e fëmijërisë nuk u shndërrua në barrë shkatërruese, por në ndjeshmëri të rrallë. E kuptoi që në krye të herës, se plagët më të rrezikshme janë ato që nuk shihen. Dhe se fëmijët e të rinjtë që nuk dëgjohen sot, janë pacientët e thyer të nesërm. Prandaj, fokusi profesional, u orientua fuqishëm drejt moshave të reja, adoleshentëve dhe të rinjve, aty ku ndërhyrja në kohë mund të ndryshojë fat.
Greta Guga, është mjeke psikiatre e njohur në Durrës. Punon në poliklinikë, në spital dhe në klinikën e saj private. Por mbi të gjitha, është shpirt njeriu. E sjellshme. E komunikueshme. E përulur. Nuk flet shumë për veten. Mban mallin për babain, Qerimin dhe nënën Vjollca, si plagë të heshtura.
Greta nuk e shikon pacientin si rast klinik. Si rrugëtim. Si një jetë që po kërkon të kuptohet. Në dhomën e konsultës, krijon hapësirë të sigurt, ku fjala nuk trembet, ku heshtja respektohet, ku loti nuk paragjykohet. Nuk nxitohet. Nuk shkurton rrëfimin. E di se shërimi fillon, kur dikush të dëgjon vërtet.
Greta përballet çdo ditë me botë të thyera. Dera e asaj klinike, hapet për njerëz që sjellin ankth, depresion, frikë, pasiguri, heshtje të rënda. Aty nuk ka orar të ngurtë. Sepse dhimbja nuk njeh orë.
Greta i pret pacientët me qetësi, nuk është e shtirur. Di të krijojë atmosferë besimi që në minutat e para. Fjalët janë të matura. Gjesti i saj i thjeshtë, shikimi i drejtpërdrejtë. Nuk premton mrekulli, por rrugë shpëtimi. Dhe kjo është ndershmëria më e madhe profesionale.
Shpesh rastet që trajton janë të ndërlikuara, të mbartura nga vite të tëra mundimi. Greta nuk lodhet nga këto histori. Ndjek pacientët me këmbëngulje, me durim, me përgjegjësi afatgjatë. Klinikat e punës, nuk janë thjeshtë hapësira shërbimi, por vende ku njeriu ndjehet i pranuar.
Greta Guga është e njëjtë. Nuk bën diferencë mes pacientëve. I trajton të gjithë me të njëjtin respekt dhe përkushtim. Për të, psikiatria nuk është vetëm protokoll mjekësor, por akt etik. Është marrëdhënie besimi. Dhe besimi fitohet vetëm me ndershmëri dhe empati. Greta është mjeke që dëgjon. Që kupton. Psikiatria e saj është humane, e butë, e thellë. Ajo shëron, sepse e di çfarë është plaga.
Shpesh pacientët e ndiejnë, se përballë kanë një mjeke që i kupton pa i gjykuar. Kjo nuk është teknikë e mësuar. Është rezultat i një jete të kaluar në vëzhgim, në durim, në përballje me dhimbjen. Greta e di se çfarë do të thotë, të ndihesh i vetëm mes njerëzve. Prandaj nuk lejon, që askush të largohet nga dhoma e mjekut, me ndjenjën se nuk është dëgjuar.
Greta si grua, forcë e brendshme
Si grua, Greta mbart një forcë që nuk bërtet. Është forcë e brendshme, e fituar nga përballjet e jetës. Nuk ka qenë kurrë vajzë e përkëdhelur, e fatit. Ka qenë vajzë e vetme mes vëllezërve, shtyllë morale, lidhëse emocionesh. Në marrëdhëniet me vëllezërit, ka qenë gjithmonë më shumë se motër, kujdestare, këshilltare, nënë shpirtërore. Vjollca, e mira nënë, u nda nga jeta në vitin 2002, duke lënë Qerimin me katër fëmijë. E Greta nga këtu, iu bë krah babait dhe nënë e dytë për më të vegjëlit.
Kujdeset me përkushtim për vëllezërit Ermalin dhe Besmirin, që jetojnë dhe punojnë në Durrës. Ruan lidhje të ngushta, të përditshme. I ndjek, i mbështet, i dëgjon. Agimi, vëllai i madh, larg në Itali, mbetet pjesë e pandarë e kësaj strukture familjare. Distanca fizike, nuk e ka dobësuar lidhjen emocionale. Përkundrazi, e ka bërë më të ndërgjegjshme.
Malli për prindërit është plagë e përhershme. Greta jeton me mungesën e nënës Vjollca dhe babait Qerim, si me një prani të padukshme. Ata janë aty, në çdo vendim, në çdo hall, në çdo akt përkushtimi. Malli nuk e paralizon. E thellon. Kur lindi vajza e Agimit, emri Vjollca u vendos si akt kujtese dhe dashurie. Ishte mënyra më e mirë, për të mbajtur gjallë kujtimin e nënës, që bëri të pamundurën për të ruajtur familjen në kushte delikate.
Familja streha e sigurtë
Martesa me mjekun iternist patholog Fredi Guga, i dha jetës së saj ekuilibrin që i mungonte. Djali i kapitenit të njohur të Marinës Luftarake Polo Guga, Fredi mbart traditën e disiplinës dhe shërbimit.
Familja e saj është strehë e sigurtë. Bashkëshorti Fredi, koleg dhe shok jete, është krahu ku mbështetet, bashkëudhëtari i heshtur që ndan të njëjtën etikë profesionale dhe njerëzore. Dy mjekë që e kuptojnë njëri tjetrin pa shumë fjalë, sepse e dinë peshën e përgjegjësisë që mbajnë. Dy njerëz që kanë zgjedhur shërbimin, jo komoditetin.
Si nënë, Greta Guga është reflektim i gjithçkaje që i mungoi dikur. Ajo i rrit fëmijët e saj, me ndjeshmëri të thellë ndaj botës së brendshme. Joel dhe Ira nuk janë thjeshtë fëmijë të një familjeje të rregullt. Manifestojnë filozofi jetese, që vendos njeriun përpara frikës.
Joeli është student në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë” dhe Ira, nxënëse në shkollën jopublike “Rilindja”. Një familje e lumtur, e ndërtuar mbi respekt, punë dhe kujtesë. Greta nuk i edukon fëmijët me autoritet të fortë, por me dialog. I dëgjon. I kupton. I udhëzon pa i shtypur. Sepse e di se frika e pashprehur, është fillimi i traumës. U jep fëmijëve siguri emocionale, atë që asaj iu mohua në fëmijëri.
Në raportin me ta, Greta është e kujdesshme, por jo mbrojtëse deri në mbytje. I përgatit për jetën, jo për izolim. U flet për përgjegjësinë, për respektin, për kujtesën familjare. U flet për të djeshmen, jo për t’i rënduar, por për t’i forcuar.
Joel dhe Ira janë drita e kësaj familjeje. Tek ata, Greta sheh fëmijërinë që nuk e pati. Çdo hap i tyre është fitore mbi të shkuarën. Familja është dëshmia më e bukur, se jeta mund të rindërtohet. Fëmijët janë qendra emocionale e jetës së saj. Greta shikon nëpërmjet tyre vazhdimësinë. Sheh jetën që ecën përpara, pa barrën e ndrojtjes. Investon tek fëmijët jo vetëm dashuri, por edhe vlera, ndershmëri, punë, respekt për njeriun. Janë këto vlera, që vetë i fitoi në kushte të vështira dhe që i transmeton me vetëdije.
Marrdhëniet profesionale, etikë, respekt, besim
Në raport me kolegët, Greta Guga është figurë që krijon qetësi. Nuk depërton në hapësira profesionale me zhurmë, apo me nevojë për t’u diktuar. Autoriteti i buron nga puna e përditshme, nga korrektësia dhe serioziteti me të cilin i trajton rastet klinike. Në mjediset spitalore dhe ambulatore, njihet si mjeke që dëgjon edhe kolegun, që ndan përgjegjësi. Nuk e shikon profesionin si garë, por si bashkëpunim njerëzor.
Greta nuk i shmang debateve profesionale. I zhvillon ato me maturi dhe respekt. Për të, mjekësia nuk është arenë egoje, por terren shërbimi. Kjo qasje e ka bërë figurë të besueshme dhe të respektuar në komunitetin mjekësor të Durrësit.
Nga errësira drejt dritës së qetë
Jeta e Gretës, po ta shohësh nga larg, duket si një hartë me plagë. Po ta lexosh nga afër, është një udhë me kuptim. Gjithçka që ndodhi dje internimi, varfëria, frika, humbjet, vdekja e nënës, varri buzë kanalit, foshnja Noel që iku pa u rritur, lotët e një fëmije dhjetëvjeçare që pa më shumë se ç’duhej, kalon para syve të saj si një film i zymtë, me re të dendura dhe stuhi të rënda. Është ajo e djeshme që nuk fshihet, por as nuk sundon më.
Jeta e saj deri këtu mbyllet si një kapitull i vështirë, i errët, i lagur nga vuajtjet, nga humbjet dhe nga padrejtësitë, që nuk u kërkuan kurrë. Fëmijëria e rrëmbyer, internimi, varri buzë kanalit, frika që rritej bashkë me trupin, të gjitha këto kalojnë para syve si një film i zymtë, por jo më paralizues. Janë kujtime që dhembin, por nuk sundojnë.
Greta Guga nuk e ka mohuar kurrë të shkuarën. E mban brenda vetes si një kujtesë të shenjtë, si një plagë që nuk infektohet më. Çdo dhimbje e përjetuar është kthyer në përvojë, çdo humbje në urtësi, çdo padrejtësi në ndjeshmëri njerëzore. Pikërisht këtu qëndron thelbi i figurës së saj. Nuk është mjeke që ka mësuar dhimbjen në libra, por grua që e ka kaluar atë përmes trupit dhe shpirtit.
Greta është në një tjetër stinë të jetës. Me familjen e saj, me fëmijët që rriten në dritë e siguri. Ka ndërtuar atë që dikur iu mohua normalitetin, ngrohtësinë, vazhdimësinë. Në këtë familje ka bukuri të thjeshta, ka qetësi, ka një lloj drejtësie të vonuar që jeta më në fund ia ka dhënë.
E ardhmja nuk shihet më si frikë, por si përgjegjësi. Si mjeke, si grua, si nënë, ecën përpara, duke ditur se shërimi nuk është harresë, por pajtim. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e saj. Në aftësinë për ta kthyer dhimbjen në kujdes, traumën në profesion dhe errësirën e djeshme, në një dritë të qetë për të tjerët.
Kështu mbyllet ky rrëfim për të mirën zonjë dhe grua Greta Gugën. Jo me një fund të prerë, por me vazhdim të hapur. Sepse jeta e Gretës, nuk është thjeshtë histori e kaluar. Ajo mbetet dëshmi, se edhe pas stuhive më të rënda, njeriu mund të ndërtojë një horizont, një shpresë.
Greta Guga është dëshmi, se nga vuajtja mund të lindë dritë. Se persekutimi, nuk arrin gjithmonë të prodhojë urrejtje. Është grua, që e ktheu dhimbjen në mision. Historia e saj është simbol i qëndrueshmërisë, ndjeshmërisë dhe humanizmit. Është rrëfim që tregon, se dhimbja mund të shndërrohet në forcë dhe kujdesi për të tjerët mund të kthehet në një dritë për të gjithë.
Greta Guga, e bija e Haznedarëve, është një portret i gjallë i shpirtit shqiptar dhe humanizmit të përjetshëm.









Comments