BUJAR QESJA: Graciano Shoshi, grushti i artë i Durrësit që ndriçoi në Europë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 7 min read

-Bronz europian për Graciano Shoshin – krenaria e re e boksit shqiptar
15-të vjeçari që po ringjall legjendat e boksit durrsak
... Ëndërron të jetë kampion europe, pastaj kampion bote, e pse jo, të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike. Ka gjithçka duhet për këtë: trupin, mendjen, zemrën dhe një qytet të tërë pas shpinës që e do, e ndjek dhe e beson...
BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Qyteti që nuk e dorëzoi kurrë boksin
Historia e boksit durrsak, është histori krenarie. Qyteti i portit ka nxjerrë kampionë që kanë mbajtur emrin e Shqipërisë në skenën kombëtare e ndërkombëtare. Edhe kur regjimi i dikurshëm ndaloi boksin në vitin 1963, durrsakët nuk e harruan. Në fshehtësi, në lagje, në palestra modeste, sporti jetoi falë pasionit. Pas dekadash, një brez i ri po i rikthen qytetit atë që i takon, lavdinë sportive.
Graciano është vazhdimësia e kësaj historie. Është lidhja mes të djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes, mes legjendës dhe ëndrrës. Në sytë e tij shkëlqen ajo energji që kishin përfaqësuesit elitarë të boksit të Durrësit. Shoshi është dëshmia se traditat nuk shuhen, përtërihen, marrin formë të re dhe ngjiten më lart.
Graciano Shoshi tashmë është frymëzim. Djalë që i riktheu Durrësit krenarinë dhe Shqipërisë besimin, se boksi ynë ka ardhmëri. Durrësi dhe Shqipëria kanë fituar një talent të rrallë.
Në Durrës, qytetin ku fryma e sportit ka lindur bashkë me ajrin e kripur të detit, historia e boksit nuk është thjesht kronikë, por trashëgimi shpirtërore. Në sallat e dikurshme të "Lokomotivës", ku ushtonin grushtet e Martin Çetës, Selim Bardhetit, Ilmi Rekës, Hysen Sharrës, Mustafa Allushit, apo Skënder Sadushit, u farkëtua një traditë e hekurt që nuk u shua kurrë.
Durrësi ka ditur gjithmonë të rilindë, të ngjallë pasionin e sportit dhe të nxjerrë talente që bëjnë nder jo vetëm qytetit, por gjithë Shqipërisë. Në këtë varg të ndritur emrash, po ngjitet tjetër djalë me grushtin e artë dhe shpirtin e zjarrtë: Graciano Shoshi.
Ka qytete që dinë të krijojnë kampionë, por Durrësi është ndryshe. Nuk i lind rastësisht, i farkëton me djersë, i ngjit me karakter, i rrit me dashuri për garën dhe për flamurin. Në këtë qytet të lashtë, ku era e detit përzien zhurmën e dallgëve me tingullin e stërvitjeve, është ndezur sërish një flakë e re: Graciano Shoshi, 15-vjeçari që po rilind legjendën e boksit durrsak.
Nga Durrësi në Budva synim i kthyer në realitet
Në Budva të Malit të Zi, në arenën e Kampionatit Europian të Boksit për U-15, ku u ndeshën 370 boksierë nga 32 shtete, një djalë shqiptar, me guximin më të madh se mosha, i dha vendit tonë medaljen e bronzit. Pesha e saj është historike. U ngjit në podium si përfaqësues i Shqipërisë, i Durrësit, i një tradite që nuk u shua
Në këtë arenë, ku çdo goditje kishte peshën e një ëndrre dhe çdo ring ishte sfidë karakteri, djaloshi durrsak arriti atë që shumëkush do ta quante të pamundur, vendin e tretë në Europë, një medalje bronzi që për Durrësin ka shkëlqimin e arit.
Graciano përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet e personalitet. I udhëhequr nga trajnerët Enton Kikrri dhe Almarin Kulla, tregoi se disiplina, sakrifica dhe pasioni mund të mposhtin çdo kufi. Në raundet e para fitoi me boksierin kroat Tomica Kuhar, duke dhënë ndeshje të bukur, me teknikë të pastër, shpejtësi dhe kontroll emocional që i befasoi të gjithë. Ishte duel që zgjoi interesin e organizatorëve dhe respektin e rivalëve. Në atë çast, në fund të fitores, Graciano ngriti duart dhe bëri shenjën e shqiponjës, akt krenarie kombëtare që ngjalli emocione të forta.
Në gjysmëfinale, përballë tij qëndroi Thomas Ward, boksier i gjatë 2.06 metra, nga Anglia. Diferenca fizike dhe përvoja në ring ishin të dukshme, por Graciano nuk e njohu frikën. Luftoi me shpirt, me këmbëngulje, me besim të plotë se mund t’ia dalë. Goditjet ishin të menduara, të sakta, dhe megjithëse nuk e kaloi raundin final, fitoi diçka më të madhe, respektin e një kontinenti.
Një djalë, një ëndërr, një premtim
Graciano Shoshi është 15 vjeç. Ka përpara botë të tërë sfidash, por edhe rrugë të hapur drejt lavdisë. Nuk është thjesht boksier i ri, por po kthehet në simbol i guximit, i punës dhe i pasionit që e bën njeriun të besojë, se gjithçka është e mundur. Me çdo ndeshje, me çdo goditje, e forcon këtë besim për veten, për qytetin, për Shqipërinë.
E ardhmja është përpara. Dhe në horizont, shihet qartë hija e një kampioni që po rritet me karakter, me dinjitet dhe me dashuri për vendin e vet. Në çdo ring ku do të dalë, Graciano do të jetë zëri i një Durrësi që nuk dorëzohet kurrë, një qyteti që di të luftojë dhe të ngrihet gjithmonë më i fortë.
Durrësi dhe Shqipëria kanë fituar një yll të ri. Medalja e bronztë është vetëm kapitulli i parë i një historie që do të shkruhet gjatë me djersë, me përkushtim dhe me dashuri për flamurin. Sepse në fund të fundit, kampionët e vërtetë nuk lindin për t’u ndalur, por për të ndriçuar. Dhe Graciano Shoshi po ndriçon fort, si një dritë e re që vjen nga brigjet e Durrësit, për të ndezur krenarinë e gjithë Shqipërisë.
Rezultatet nuk lindin nga fati. Ato janë fryt i përpjekjes së pandërprerë, i punës së heshtur, i sakrificave që nuk duken. Graciano nuk është produkt i një aventure sportive, por i përgatitjes serioze dhe sistematike. Nga 4 qershori deri më 4 gusht 2025, qëndroi në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek, duke u stërvitur në akademinë e kampionit të botës, Dimitri Bivol. Në ajrin e ftohtë të Azisë Qendrore, ndër orë të gjata stërvitjesh, ndër ushtrime të lodhshme e pa mëshirë, përvetësoi filozofinë e shkollës ruse të boksit: përqendrim, disiplinë, përulësi përballë punës dhe besim i verbër në fitore.
Ky stazh dymujor, ka qenë shkollë e vërtetë force dhe karakteri. Ato javë të stërvitjes nuk ishin pushime, por betejë. Çdo mëngjes niste me lodhje, çdo mbrëmje mbyllej me dhimbje, por në çdo ditë rritej diçka e madhe: karakteri. Aty lindi Graciano që pamë në Budva. i qetë, i ftohtë, i saktë dhe i vendosur të mos dalë nga ringu pa lënë gjurmë.
Enton Kikrri fryma e re e boksit durrsak
Në këtë rrugëtim të mrekullueshëm, rol thelbësor i takon edhe Enton Kikrrit, trajneri që përfaqëson brez të ri profesionistësh të përkushtuar ndaj sportit. Është nga figurat, që po e rikthen boksin durrsak në arenën kombëtare e ndërkombëtare, me metoda moderne stërvitjeje dhe me përkushtim të plotë ndaj talenteve. Enton Kikrri nuk është thjesht trajner i mirë, por edukator, motivues, njeri që di t’i japë sportistit siguri dhe frymë besimi. Falë punës së tij, boksierë si Graciano po tregojnë se Durrësi mbetet djep i kampionëve, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen.
Kikrri nuk flet shumë, por punon shumë. Di të vërejë, të udhëzojë dhe t’i japë sportistit atë që është më e rëndësishme, besimin në vetvete.
Falë kësaj pune trajnuese, Durrësi po përjeton epokë të re boksi. Sallat e stërvitjes janë mbushur sërish me zhurmën e dorezave që përplasen, me djersën e djemve që ëndërrojnë të jenë kampionë. Dhe në krye të këtij brezi të ri, që po shkel në gjurmët e legjendave, qëndron djaloshi 15-vjeçar që tashmë e njeh e gjithë Europa Graciano Shoshi.
Fred Shoshi babai që po ndërton një mbret në ring
Pas çdo kampioni qëndron një forcë e heshtur, mbështetja e familjes. Dhe në rastin e Gracianos, kjo forcë e ka emrin Fred Shoshi. I njohur si biznesmen i suksesshëm dhe president i boksit durrsak, njëherësh zëvëndëspresident i Federatës Shqiptare të Boksit, Fred Shoshi nuk është vetëm sponsor apo figurë drejtuese. Është arkitekti i një ëndrre. Me përkushtim të rrallë, po investon kohë, mjete dhe pasion për t’i krijuar të birit kushtet që çdo sportist dëshiron: stërvitje profesionale, përballje dhe fitore.
Beson tek Graciano jo vetëm si baba, por si sportdashës që njeh rrugën drejt majave. “Do ta bëj djalin mbret të ringut”, thotë ai me krenari, duke përkthyer në realitet atë që dikur ishte dëshirë e thjeshtë. Falë këtij përkushtimi, boksit durrsak i është shtuar jo vetëm një talent, por edhe një model se si vizioni, puna dhe dashuria për sportin mund të krijojnë kampionë të vërtetë.

Fred Shoshi po ndërton jo vetëm karrierën e të birit, por edhe infrastrukturë të re për boksin durrsak. Ndër ata që besojnë, se një qytet mund të ringjallet përmes sportit. Që djemtë e Durrësit, në vend të rrugës, duhet të zgjedhin ringun, disiplinën, garën, fitoret e ndershme. Dhe kur sheh djalin e tij në podiumin europian, ai e di se kjo është rruga e duhur, rruga e punës, e karakterit dhe e dashurisë për flamurin.
Medalje që peshon sa krenaria e një kombi
Kampionati Europian për U-15 në Budva përfundoi, por kujtimi i atyre ditëve do të mbetet gjatë. Ishte turneu ku Shqipëria, përmes një djali 15-vjeçar, dëshmoi se mund të qëndrojë dinjitetshëm përballë gjigantëve. Ishte momenti kur një durrsak i ri, e bëri flamurin kuqezi të valojë në podium, mes duartrokitjeve të Europës.
Kjo medalje bronzi është më shumë se dekorim sportiv. Është shenjë rilindjeje, premtim për të ardhmen, thirrje për gjithë rininë shqiptare, që suksesi vjen nga puna, jo nga rastësia.
Në bregun e Durrësit, aty ku dallgët përplasen me pasionin e qytetit dhe historia përzihet me gjakun sportiv, po lind një yll i ri. Quhet Graciano Shoshi, vetëm 15 vjeç, por me grushtin, shpirtin dhe zemrën e një kampioni të madh.
Ky djalosh 15-vjeçar, nuk është më thjesht një premtim. Është realiteti i ri i boksit shqiptar. Me karakter, me përkushtim dhe me një rrugë të qartë përpara, Graciano Shoshi po rritet si ambasador i sportit tonë, duke na kujtuar se suksesi vjen vetëm për ata që punojnë, besojnë dhe nuk dorëzohen.
Grushti që vjen nga zemra
Në çdo goditje që jep, Graciano nuk kërkon të rrëzojë, kërkon të bindë. Nuk lufton për lavdi të çastit, por për të ndërtuar një emër që do të mbetet. Është i vetëdijshëm se para tij është rrugë e gjatë, me shumë sakrifica, por me horizonte të mëdha. Ëndrra e tij nuk mbaron me medaljen e bronztë. Ajo sapo ka filluar.
Ëndërron të jetë kampion europe, pastaj kampion bote, e pse jo, të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike. Ka gjithçka që duhet për këtë: trupin, mendjen, zemrën dhe një qytet të tërë pas shpinës që e do, e ndjek dhe e beson.
Graciano Shoshi është sot krenaria e Durrësit dhe Shqipërisë. Por ajo që e bën të veçantë nuk është vetëm medalja. Është mënyra si e fitoi, me dinjitet, me shpirt gare, me dashuri për vendin e vet.
Nga brigjet e Adriatikut deri në ringjet e Europës, emri i tij do të kujtohet si simbol i një brezi që po vjen me energji, me ndershmëri dhe me besim në të pamundurën. Sepse kampionët e vërtetë nuk lindin për të fituar, lindin për të frymëzuar.
Graciano Shoshi premton të bëjë histori. Dhe historia në këtë rast, është grushti që vjen nga zemra e Durrësit dhe shkund Europën!









Comments