top of page

BUJAR QESJA: Dy zonjat e Durrësit

Klodiana Spahiu dhe Jurida Kraja kur drita e profesionit shndërrohet në dritë shpirtërore

Dy zonjat e Durrësit që u bënë Ambasadore të Paqes

...Në kohën kur bota ka nevojë për më shumë qetësi, për më shumë mirëkuptim, për më shumë zemër, Klodiana Spahiu dhe Jurida Kraja vijnë si frymë shprese dhe shembull frymëzimi...

BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Në Durrës, ky qytet i detit, i lashtësisë dhe i kulturës, fryma e paqes ka gjetur gjithmonë strehë. Është diçka që ndihet në ajër, në rrahjet e buta të dallgëve, në mënyrën si njerëzit të përshëndesin, si e ruajnë një buzëqeshje për t’ia dhuruar tjetrit.

Dhe pikërisht në këtë qytet, që për shekuj ka qenë port i hapur për botën dhe mendjet, kanë lindur dhe u janë përkushtuar njerëz që përhapin dritë, mirësi e dashuri. Në botën që shpesh rend drejt zhurmës dhe përplasjes, janë njerëzit e qetë, ata që përhapin mirësi dhe përkujdesje, që i japin kuptim fjalës “paqe”.

Të tillë janë dy zonja të ndritura të qytetit të Durrësit  doktoreshë Klodiana Spahiu, kardiologe e mirënjohur dhe nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe Jurida Kraja, stomatologe, bashkëthemeluese e klinikës dentare “Joni Dent”, së bashku me bashkëshortin e saj, mjekun Taulant Ballazhi.

Më 30 tetor 2025, në sallën solemne “Alfred Moisiu” të Ambasadës së Paqes në Tiranë, gjatë veprimtarisë madhështore kushtuar 20-vjetorit të themelimit të Federatës së Paqes Universale të Shqipërisë, këto dy zonja u nderuan me një titull që tingëllon si melodi shpirtërore: Ambasadore të Paqes.

Aktiviteti i moderuar me finesë dhe ndjeshmëri nga gazetari i njohur Defrim Methasani, solli në një vend njerëz nga e gjithë Shqipëria, që në mënyra të ndryshme kanë mbjellë vlera njerëzore, bashkëjetese dhe dashurie. Por vetëm dy emra nga Durrësi ndriçuan në atë skenë: Klodiana Spahiu dhe Jurida Kraja.

Ky vlerësim nuk ishte thjesht një çmim, por përqafim për gjithë Durrësin, qytetin që ka mësuar të jetojë me dallgët, por edhe me urtësinë, që ka përballuar furtuna e sërish është ringritur me buzëqeshje. Dhe në këtë qytet, ku historia përzihet me horizontin e kaltër të detit, janë rritur e formuar këto dy gra, që e kanë kuptuar se paqja fillon nga brenda njeriut, nga zemra dhe nga buzëqeshja.

Doktoresha e zemrës dhe e shpirtit  Klodiana Spahiu

Në çdo dalje të saj publike, në çdo takim me qytetarët, Klodiana Spahiu përcjell një shembull të vyer të gruas profesioniste dhe humane, që di të përfaqësojë jo vetëm një institucion, por një qytet të tërë me dinjitet.

Durrësi e njeh prej kohësh si mjeke, që nuk e ndan buzëqeshjen nga diagnoza, që e shikon pacientin si njeri dhe jo si rast klinik. Dhe ndoshta pikërisht kjo përbën thelbin e paqes, ta shohësh tjetrin me dashuri, ta ndihmosh pa u mburrur, ta dëgjosh me zemër.

Në Durrës, emri i doktoreshë Klodiana Spahiut është simbol dashurie për jetën dhe njerëzit. Prej vitesh është pranë çdo zemre të drobitur, çdo frymëmarrjeje të vështirë, duke e kthyer mjekësinë në art dashurie dhe përgjegjësie. Kardiologjia, që kërkon përkushtim, durim dhe ndjeshmëri të thellë, është bërë për të mision jetësor.

Në çdo vizitë, në çdo fjalë ngushëlluese për pacientët, ajo përçon jo vetëm dije mjekësore, por edhe qetësi, siguri, dritë. Zemra për të nuk është vetëm një organ ku mbështete jeta, por më së pari vendi ku fillon paqja. E me këtë filozofi të heshtur, Klodiana Spahiu është bërë figurë frymëzuese e mjekësisë shqiptare.

Por ajo nuk është thjesht mjeke. Si Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqëson shembull të rrallë të përfshirjes së gruas në vendimmarrje, pa humbur humanizmin e profesionit. Me qetësinë që e karakterizon, me elokuencën e matur dhe frymën qytetare, ajo sjell në politikë ndjesi të munguar: atë të paqes si qëndrim etik, të vendimit si akt njerëzor.

Në Durrës, shumë njerëz e shohin Klodianën jo nga podiumet, por nga spitali, nga kabinetet mjekësore, nga momentet e ndjeshme të jetës ku ajo ka qenë pranë. Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën të veçantë. Ajo nuk flet për paqen, e jeton atë.

Jurida Kraja buzëqeshja që ndriçon njerëzit

Në krahun tjetër të këtij mozaiku njerëzor që quhet Durrës, qëndron me dinjitet Jurida Kraja, një stomatologe që ka kthyer profesionin e saj në histori dashurie për njerëzit. E qetë, energjike, me një finesë që përhap pozitivitet, Jurida ka krijuar së bashku me bashkëshortin, stomatologun Taulant Ballazhi, një klinikë moderne dhe shumë të dashur për qytetarët: “Joni Dent”.

Kjo klinikë është më shumë se një hapësirë shërbimi. Është oaz besimi dhe dashurie njerëzore. Në “Joni Dent”, buzëqeshjet nuk rikthehen vetëm me teknikë dentare, por me ngrohtësi dhe mirëkuptim. Klientët, vendas apo të huaj, ndihen si në shtëpi. Dhe kjo nuk është rastësi, është reflektim i shpirtit të Juridës, që çdo ditë e shndërron punën në mision.

Por ajo dhe bashkëshorti i saj, kanë edhe tjetër pasion të bukur: bamirësinë. Përmes shoqatës “Së bashku ne mundemi”, ata kanë ndihmuar familje në nevojë, kanë dhënë shërbime falas, janë angazhuar për fëmijët me aftësi ndryshe dhe për nisma humane në komunitet.


Në një kohë kur shumë njerëz mbyllen në vetvete, Jurida dhe Taulanti kanë zgjedhur të hapin dyert, të dëgjojnë, të ndihmojnë. Dhe ndoshta për këtë arsye, titulli “Ambasadore e Paqes” për të, nuk është surprizë, por konfirmim i natyrshëm i asaj që ajo përfaqëson.

Ky titull është kurorë që i shkon për bukuri një gruaje, që e ndan çdo ditë dashurinë me të tjerët, pa kërkuar lavdi, pa zhurmë, me qetësinë e detit që e di se çdo valë sjell jetë të re.

Dy gra, një qytet, një simbol

Në një pasditen tetori, në Tiranë, kur salla e Ambasadës së Paqes gumëzhinte nga emocionet dhe dritat, Klodiana Spahiu dhe Jurida Kraja morën në duar një certifikatë që peshonte më shumë se çdo trofe: njohjen si Ambasadore të Paqes. Dhe ndërsa duartrokitjet mbushnin hapësirën, në Durrës u ndje një rrymë krenarie.

Qyteti i lashtë, që për mijëvjeçarë ka përqafuar kultura e njerëz, tani kishte dy përfaqësuese që bartnin mesazhin më të bukur qytetarinë, butësinë, humanizmin. Durrësi është qytet që e njeh paqen, e ka parë në valët e detit, në gdhendjet e mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”, në zërat e njerëzve që dinë të jetojnë me buzëqeshje.

Prandaj ky vlerësim është më shumë se personal, është pasqyrë e shpirtit durrsak, e atij qyteti që ka nxjerrë artistë, mjekë, sportistë, humanistë, që kanë të përbashkët një virtyt: qetësinë që lind nga dashuria për tjetrin.

Paqja, si filozofi e jetës

Në një kohë kur bota kërkon udhëheqës që të flasin me gjuhën e arsyes dhe të zemrës, Klodiana Spahiu dhe Jurida Kraja dëshmojnë se paqja nuk është fjalë, por mënyrë jetese. Ajo fillon nga kujdesi për pacientin, nga një buzëqeshje për një të panjohur, nga një ndihmë e fshehtë për dikë në nevojë.

Paqja nuk kërkon podiume, por jeton në heshtjen e punës, në përulësinë e profesionistëve, në ndjenjën se çdo njeri meriton dinjitet. Dhe këto dy gra, me rrugë të ndryshme, por me shpirt të përbashkët, e kanë ndërtuar këtë model.

Në sytë e tyre, Durrësi shihet si qytet që mund të frymëzojë paqen, ashtu si deti që në mëngjes është i qetë e në mbrëmje pasqyron qiellin. Dhe nëse sot qytetarët ndjejnë një krenari të veçantë, është sepse ndihen të përfaqësuar nga gra, që i kanë dhënë këtij qyteti më shumë dritë, më shumë dashuri.

Është bukur që ky nderim të vijë për dy gra që përfaqësojnë mjekësinë, një profesion që ka në themel shërimin e jetës, por edhe për dy qytetare të qytetit më të lashtë të Shqipërisë, Durrësit, portit të hapur të paqes ndër shekuj.

Sepse Durrësi ka diçka të veçantë, është qytet që di të përqafojë, që di të falë, që di të jetojë në harmoni me dallgën dhe me stuhinë. Në këtë qytet ku deti prek çdo ditë muret e historisë, tani ndriçon edhe një tjetër vlerë, ajo e dy grave që përfaqësojnë paqen si mënyrë jetese, si filozofi dhe si mision njerëzor.

Frymë e re qytetarie

Ky nderim për Klodianën dhe Juridën, është edhe thirrje për ne të gjithë: që të kujtojmë se paqja fillon nga ne, nga mënyra si i flasim njëri-tjetrit, si ndihmojmë, si falim. Durrësi, me historinë e tij mijëravjeçare, ka nevojë për më shumë njerëz që ta mbjellin këtë frymë. Dhe tani ka dy Ambasadore të reja që e bëjnë këtë me shembullin e tyre.

Në fund të ditës, paqja është gjuha e shpirtit qytetar. Dhe qytetarët e Durrësit, përmes këtyre dy figurave, dëshmojnë se kjo gjuhë është ende e gjallë, e bukur dhe njerëzore.

Dritë mbi qytetin dhe njerëzit e mirë

Në perëndimin e një dite tetori, mbi horizontin e Durrësit, deti përshkëndit si pasqyrë e shpirtit të qytetit. Valët, të lodhura nga udhëtimet e tyre të përjetshme, prekin butësisht bregun, sikur të duan të pëshpërisin: “ja ku është paqja  në zemrat që dinë të duan”.

Në këtë qytet, ku historia takon modernitetin, ku zëri i fëmijëve përzihet me erën e kripur, jetojnë dhe punojnë dy ambasadore të reja të paqes, që e bëjnë Durrësin më të bukur, më të dashur dhe më njerëzor.

Klodiana Spahiu dhe Jurida Kraja nuk janë thjesht emra të shkruar në një çertifikatë, por histori e gjallë e mirësisë, dy zemra që rrahin në ritmin e qytetit të tyre, dy buzëqeshje që ndriçojnë për të tjerët rrugën drejt së mirës.

Sepse paqja është si deti, nuk mbyllet dot në kufij, por përhapet, frymëzon dhe bashkon. Dhe kur ajo vjen nga Durrësi, mban me vete aromën e detit, ngrohtësinë e njerëzve dhe dritën e një qyteti që di të jetojë me dashuri.

30 tetori 2025 do të mbetet në kujtesë si ditë e bukur, ku paqa mori emra konkretë, të gjallë, njerëzorë. Në sallën ku u përmendën fjalët “bashkim”, “mirësi” dhe “dashuri për njeriun”, dy gratë e Durrësit u bënë simbol i vlerave që ndriçojnë përtej kufijve.

Në kohën kur bota ka nevojë për më shumë qetësi, për më shumë mirëkuptim, për më shumë zemër, Klodiana Spahiu dhe Jurida Kraja vijnë si frymë shprese dhe shembull frymëzimi.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page