top of page

BUJAR QESJA: Dy profile që nuk zhduken nga koha

ree

Hysen Haxhia dhe Petrit Guma  kujtesa e një qyteti që nuk shuhet

-Dy profile që nuk zhduken nga koha

Dy figura për t’u kujtuar, dy jetë për t’u rrëfyer

BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Durrësi ka pasur gjithmonë njerëz që nuk kërkuan kurrë duartrokitje, por i dhanë qytetit më shumë se ç’mundi t’u jepte ai ndonjëherë. Mes tyre qëndrojnë dy figura të qeta, të thjeshta dhe të pamohueshme në vlerë: Hysen Haxhia (Kitra), mjeshtër i ujërave dhe Petrit Guma, njeriu i punës së heshtur, i kulturës qytetare dhe i burrërisë së natyrshme. Të dy, secili në mënyrën e vet, përfaqësojnë një brez njerëzish që e mbajtën qytetin gjallë me karakter, me humanizëm, me ndershmëri dhe me atë lloj qytetarie, që sot duket se pakësohet nga dita në ditë.

Ky shkrim nuk synon të madhështojë askënd, sepse Hyseni dhe Petriti nuk e deshën kurrë madhështinë. Synon vetëm të ruajë kujtimin e dy burrave që ecën thjesht, folën pak, punuan shumë dhe lanë pas gjurmë që nuk matet me tituj, por me respektin që lanë tek njerëzit. Në ta gjejmë veten, lagjen, qytetin dhe gjithë atë frymë durrsake që ruhet ende në kujtesën e gjeneratave.

Petrit Guma karakteri i njeriut të qetë dhe punës së pastër

Petrit Guma lindi më 28 maj 1965 në Durrës. Që i ri, Guma tregoi talent në not. Stërvitet në Durrës dhe më pas konkurron në nivel kombëtar. Guma është 48 herë kampion kombëtar.  Ka thyer dhe përmirësuar 57 rekorde kombëtare. Nga rekordet më të famshme ishte në 800 metra stil të lirë, rekord që zgjati shumë gjatë. Ka fituar edhe maratona noti kombëtare. Ka marrë tituj si Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit dhe Mjeshtër i Madh. Konsiderohet “historia e notit” në Shqipëri.

Pasi mbaroi karrierën si notar aktiv, ka qenë President i Federatës Shqiptare të Notit në periudhën 1996–1999. Pas sportit është angazhuar në biznes privat, por nuk e është larguar nga noti. Mbetet ende aktiv, sidomos në garimet me veteranët. Vlerësimet për të janë mjaft të larta nga trajnerë dhe sportistë. Trajneri Alfred Isaku është shprehur se Guma ishte “shëmbull” në disiplinë, teknikë dhe përkushtim.

Vjen nga një familje sportive. Babai Ymeri dhe xhaxhai Lul Guma, kanë qenë futbollistë, ndërsa vëllezërit janë përfshirë në sporte.. Filloi me gjimnastikë, por më pas kaloi te noti, ku zbuloi pasionin e tij kryesor.

Aktiv si notar midis viteve 1979–1992. Ka garuar me klube të ndryshme: Lokomotiva Partizani, Dinamo dhe 17 Nëntori . Ishte veçanërisht i famshëm në stil të lirë, por ka garuar edhe në stile tjera.

Ka një vajzë që quhet Jona (ose Ejona), e cila ka qenë aktive në atletikë. Në disa intervista Guma pohon se në jetën sportive si notar, tërë kohën ishte i motivuar nga trajnerë, shokë dhe familja. E trajton notin, si pjesë thelbësore të identitetit të tij.

Hysen Haxhia  “Kitra” Njeriu i valëve, i thjeshtësisë dhe i shpirtit qytetar

Hysen Haxhia, i njohur me nofkën Kitra, ka lindur më 23 dhjetor 1948 në Durrës. Emri “Kitra” i është vënë nga trajneri Koço Afezolli, i cili vuri re zhytjen dhe aftësinë e tij në not që në moshë të re. Ish notar shumë i famshëm dhe rekordmen, veçanërisht në stilin e lirë. Sipas biografive, ka qenë aktiv në garat kombëtare në periudhën rreth viteve 1962–1973. Ka thyer rekorde kombëtare në garat 400 , 800  dhe 1500 m stil i lirë.

Hysen Haxhia “Kitra” ishte një nga notarët më të fortë në stilin e lirë. Nga performancat më të spikatura mbetet viti 1966. Në dy ditë gara thyen tre rekorde kombëtare në 400, 800 dhe 1500 m stil i lirë. Në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1969, Haxhia fitoi 6 medalje ari: në disiplinat 400, 800  dhe 1500 m stil i lirë, stafetë 4×100 m, stafetë 4×200 m, po ashtu edhe në vaterpol.


Në pamje nga e djathta: Hysen Haxhia (Kitra), Bujar Qesja dhe Petrit Guma.
Në pamje nga e djathta: Hysen Haxhia (Kitra), Bujar Qesja dhe Petrit Guma.

Si trajner pas karrierës si sportist, ka punuar shumë me fëmijë në not tek Klubi “Lokomotiva” (dhe më pas “Teuta”), ku ka formuar breza notarësh. Petrit Guma e ka quajtur “djep i filizave të notit në Durrës”. Shumë notarë nga Durrësi dolën nga “shkolla e notit” Hysen Haxhia. Gjatë periudhave të stërvitjeve, fëmijët të drejtuar prej tij, fitonin shumë gara dhe tituj. Stimulonte prindërit, që t’u jepnin fëmijëve mundësinë të lidhen me notin dhe detin

Hysen Haxhia  mbetet prej notarëve më të rëndësishëm në historinë e notit shqiptar. Një fakt interesant është se në gara, veçanërisht 1500 m notonte me 6 goditje këmbësh, teknikë e pazakontë që i jepte shpejtësi karakteristike..

Është vlerësuar me titujt Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Nderi i Notit Shqiptar, Nderi i Qytetit të Durrësit. Figurë e përjetshme në notin shqiptar. Vlerësohet si “legjendë” nga kolegët dhe komuniteti sportiv. Garoi kryesisht në stilin e lirë dhe njihej për shkathtësinë dhe qëndrueshmërinë e tij.

Petrit Guma dhe Hysen Haxhia “Kitra” janë dy figura kyçe në historinë e notit shqiptar. Guma për arritjet në numurin e rekordeve dhe të titujve kampionë dhe Kitra për garat me performanca të jashtëzakonshme, por edhe për angazhimin si trajner.

Në fund të këtij rrëfimi, mbetet e qartë se Hysen Haxhia (Kitra) dhe Petrit Guma nuk janë thjesht dy emra që i përkasin së shkuarës. Ata janë pjesë e pandarë e historisë së qytetit, e vlerave të një jete që ka ditur të ndërtojë njerëz të fortë, të mirë dhe të ndershëm. Nuk kanë lënë pas monumente, por kanë lënë pas trashëgimi më të rrallë, shembullin moral.

Këta dy burra, janë si dy gurë të heshtur në themelet e Durrësit. Nuk kërkuan kurrë lavdi, por sot lavdia më e madhe është fakti, që përmenden me respekt, me mirënjohje dhe me përulësi njerëzore. Kjo u shkon për shtat. Në kujtimet tona, në historitë e qytetit dhe në rritjen e brezave që vijnë, Hyseni dhe Petriti mbeten të gjallë. Sepse ka njerëz që nuk ikin, vetëm largohen pak, për të na lënë detyrën fisnike të kujtimit.

Një foto me ta. Një mbresë me ta. Kampionët tanë të mëdhenj. Senatorët dhe kalorësit më pikantë, ku vazhduan rrugën e hapur nga kolosë të tjerë të njohur të notit adriatikas. Kjo foto nën një rrebesh të pazakontë shiu, aq sa na dukej vetja sikur po notonim në pishinë.

Hysen Haxhia dhe Petrit Guma gjerdan suksesesh, në kurorën e artë të notit të famshëm dhe historik të Durrësit.


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page