BUJAR QESJA: Dizenjuesi i uniformave, stemave dhe flamujt të ekipeve të “Lokomotivës” dhe “Teutës”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 7 min read

Inmemoriam
Mbylli sytë në Athinë Vilson Kavaja
Dizenjuesi i uniformave, stemave dhe flamujt të ekipeve të “Lokomotivës” dhe “Teutës”
-Kavaja sigloi klasin e lartë edhe në artin dhe kulturën greke
BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Ka njerëz që nuk shihen kurrë në faqe të para gazetash, por që pa to nuk do të shkruhej historia. Njihen njerëz që nuk bëjnë zhurmë me jetën e tyre, por që lënë gjurmë të pashlyeshme. Ka personalitete që nuk shfaqen në dritën e reflektorëve, por që ndikimi i tyre është aq i fortë, saqë mbeten përgjithmonë pjesë e kujtesës qytetare. Njëri prej tyre është padyshim Vilson Kavaja, ose thjesht Vili, siç e thërrisnin të gjithë në Durrës.
U nda nga jeta në Athinë, ku jetonte prej vitit 1996, por do të pushojë përjetë në qytetin e tij të lindjes, në Durrës, aty ku nisi dhe u kurorëzua historia e tij e dashurisë për artin dhe sportin.
Figura e Vilson Kavajës është historike, sepse nuk ishte thjesht artist i zakonshëm, por njeriu që për shumë vite i veshi me shpirt, me ngjyra dhe me identitet ekipet e sportit durrsak, sidomos atë të futbollit. Fanelat e “Lokomotivës” dhe më pas, ato të “Teutës” në fillim të viteve ’90, mbajnë vulën e penelit dhe fantazisë së tij krijuese. Ato uniforma nuk ishin thjesht veshje sportive, por flamuj krenarie, simbole qytetarie, relike që mbetën në kujtesën e qindra sportistëve dhe mijëra tifozëve.
Uniformat e “Lokomotivës” në vitet ’60-të, ’70-të dhe ’80-të, flamujt dhe simbolet e klubit, fanelat e para të “Teutës” në fillim të viteve ’90 – të, të gjitha mbajnë gjurmën e tij. Nuk ishte futbollist, basketbollist apo volejbollist, por ishte “lojtar i padukshëm” i çdo ndeshjeje, sepse kishte veshur me shpirt sportistët e qytetit të tij.
Sporti dhe uniformat, arti që bëhet histori
Por pjesa më e ndritur e jetës, mbetet lidhja me sportin e qytetit. Vili mbeti një sportdashës i madh. Ai jetoi me emocionet e futbollit, basketbollit, volejbollit, dhe në mënyrë të veçantë me frymën e “Lokomotivës”, ekipit që identifikonte Durrësin për dekada.
Vilsoni nuk zotëronte studio të madhe, apo teknologji moderne.
Kishte kartonë, copa pëlhure, bojëra tekstile dhe duart e tij të arta. Punonte me përkushtim që sot duket e pabesueshme. Vizatonte në karton, i lyente me ngjyra, e stamposte formën mbi pëlhurë dhe e kthente në uniformë. Më pas i çonte në linjat përkatëse të prodhimit për shumfishim. Çdo fanelë që vishte lojtari, më parë kishte kaluar nga mendja dhe dora e Vilit.
Kavaja nuk ishte thjesht dizenjues, por krijues i identitetit sportiv. Në fanelat gjeje simbolet e Durrësit, Torrën e qytetit, figurën e mbretëreshës Teuta, elemente që lidheshin me historinë e lashtë dhe krenarinë qytetare. Për të, uniforma nuk ishte vetëm veshje sportive, por flamur krenarie. Lojtarët e ndjenin se ishin përfaqësues të qytetit, jo vetëm për shkak të ngjyrave blu e bardhë, por sepse mbi shpinën e tyre mbanin simbole të skalitura nga një durrsak i dashuruar me artin dhe sportin.
Rrënjët e një artisti
Rruga e artit për Vilsonin nisi herët. Në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ai u rrit mes shokësh që më vonë do të bëheshin muzikantë e artistë të njohur. Nga Durrësi kishte pranë Vladimir Cakun me violinë dhe Aleksandër Bonatin me klarinetë. Vili kishte gjithnjë një bllok vizatimi në dorë, ku skiconte fytyra, ndërtesa, forma abstrakte. Ishte i qetë, i përqendruar, shpirt që shihte botën ndryshe.
Pas shkollës, nisi punë si mësues vizatimi në Krujë. Nxënësit kujtojnë një pedagog të përkushtuar, që nuk i mësonte vetëm të vizatonin, por edhe t’u jepnin formë ëndrrave. Por shumë shpejt, arti i tij mori drejtim të ri: stampat, modelet dhe uniformat.
Mjeshtri i stampave dhe dizenjatori i uniformave
Pas Krujës, Vili punoi në fabrikën e qelqit dhe xhamit në Kavajë, ku merrej me stampat dhe modelet. Aty mësoi të krijonte mbi materiale të forta, të eksperimentonte me format dhe ngjyrat. Kjo përvojë do t’i vlente shumë më vonë, kur nisi të projektonte uniforma sportive.
Kalimi i tij në URT, Uzina e Radio-Televizorëve në Durrës, e bëri pjesë të një mjedisi ku arti, teknika dhe industria bashkëjetonin. Punonte si dizenjator në repartin e stampave dhe modeleve, duke krijuar jo vetëm forma teknike, por edhe hapësira imagjinare për sportin e qytetit. I dashuruar pas futbollit, basketbollit dhe volejbollit, nisi të vizatonte uniformat e ekipeve të “Lokomotivës”.
Ishte mesi i viteve ’60-të dhe ’70-të, kur sporti durrsak po përjetonte periudhë të artë, me talente të shumta dhe me tifozë që mbushnin stadiumet. Në këtë atmosferë, uniformat e projektuara nga Vili mbetën element i rëndësishëm i identitetit.
Me kartona, copa të ndryshme dhe bojëra tekstile, bënte stampat me dorë. I lyente, i stamposte, i provonte mbi fanela. Shpesh, punonte me orë të tëra mbi një simbol të vetëm: Torrën e qytetit, që u bë emblemë në fanelat e “Lokomotivës”, apo figurën e Teutës me përkrenare, që e vendoste mbi sfondin blu të klubit të qytetit. Nuk ishin thjesht logo apo shenja grafike, por frymë, dashuri, përkushtim.
Në fillim të viteve ’90-të, kur “Teuta” po rifillonte një etapë të re, Vili ishte aty për të projektuar uniformat e para të klubit me emrin historik. E njihte peshën e simboleve, e kuptonte se sportistët nuk mbanin thjesht një veshje, por një flamur qyteti mbi supe.
Një futbollist i asaj kohe tregonte:
“Kur vesha për herë të parë fanellën me kullën e qytetit në gjoks, ndjeva një emocion të veçantë. Nuk ishte thjesht veshje. Ishte si të mbaje Durrësin mbi supe.”
Fanellat ishin blu të thellë, me shenja të bardha, ndonjëherë me stemën e “Teutës” së lashtë. Kishin thjeshtësi që sot duket naive, por që atëherë ishte krenari. Çdo goditje e topit, çdo gol i shënuar, kishte brenda edhe punën e heshtur të Vilsonit.
Sportisti që nuk la gjurmë në fushë, por jashtë saj
Vilsoni nuk ishte thjesht krijues në letër. Luante basketboll në mënyrë amatore, shkonte shpesh në pallatin e sportit, ndiqte me pasion ndeshjet e volejbollit e futbollit. Kishte afeksion të veçantë për sportistët e rinj: i inkurajonte, u fliste për rëndësinë e uniformës, u tregonte si duhej ta mbanin me dinjitet.
Një basketbollist veteran e kujtonte kështu:
“Kur na sollën uniformat e reja, Vili na shpjegoi se si e kishte menduar çdo detaj. Madje na tha:
“Mos harroni, kjo fanelë nuk është vetëm për lojë, është edhe për qytetin. Kjo ngjyrë është për ju, por edhe për ata që ju shohin nga tribuna.” “ Ai e donte sportin si ne, madje ndoshta më shumë.”
Nga Durrësi në Athinë
Jeta e solli që në vitin 1996 të emigronte në Greqi. U vendos në Athinë, ku filloi një kapitull të ri. Por arti nuk e la. Aty punoi në dekore skenash të teatrit, të filmit dhe të koncerteve. Pikturoi sfondet e shfaqjeve, krijoi atmosferën vizuale të shumë ngjarjeve artistike. Ishte gjithmonë pas kuintave, por gjithmonë i pranishëm me veprën e tij. Dhe puna e tij u shoqërua me jehonë inkurajuese, në mjedisert e artit dhe kulturës greke.
Në Athinë, për të mos humbur lidhjen me qytetin e lindjes, shpesh bënte vizatime të vogla, ku Torra e Durrësit dhe porti i vjetër ishin motivet e parapëlqyera. Një mik i tij tregonte se edhe pas dekadash larg, ai fliste për “Lokomotivën” dhe “Teutën” sikur të ishte ende në tribuna.
Trashëgimia e një njeriu të heshtur
Vilson Kavaja la pas një trashëgimi të veçantë. Jo piktura në ekspozita, jo skulptura monumentale, por uniforma që u bënë kujtime kolektive. Ai ishte babai i Eltonit dhe Eneidës, vëllai i Spiros, Albertit dhe Ilirit, por për durrsakët ishte mbi të gjitha “Vili i sportit”. Ishte figurë e dashur për familjen, por edhe për gjithë qytetarët e Durrësit. Vilsoni nuk u bë i famshëm si sportist apo si artist i madh skenik, por si njeriu që dinte të përkthente dashurinë për qytetin në simbole konkrete, të dukshme, të prekshme.
Brezat e sportistëve e kujtojnë me mirënjohje. Fanelat që vizatoi dhe realizoi, janë pjesë e historisë së tyre personale. Për shumë futbollistë, basketbollistë e volejbollistë, fanelat e Vilsonit ishin veshja e parë me të cilën u ndjenë pjesë e një klubi, pjesë e një qyteti, pjesë e një historie.
Vijimësia që mbetet
Tani kur ai nuk është më, Durrësi e ndjen boshllëkun e njeriut që i dha aq shumë. Sportistët e brezave para viteve 90-të, e kujtojnë si autorin e uniformave që ata vishnin me krenari. Qyteti e kujton si mjeshtrin, që dinte ta kthente dashurinë për sportin në një vepër arti. Familja e kujton si njeriun e tyre të dashur, që gjithmonë ishte i përulur, por me shpirt të madh.
Vilson Kavaja është pjesë e historisë së sportit durrsak. Uniformat që krijoi, simbolet që vizatoi, fanelat që mbajnë vulën e tij, janë pjesë e kujtesës kolektive të qytetit. Vili nuk u shfaq kurrë në fushë për të shënuar gola, as në podiume për të marrë medalje, por ishte gjithmonë aty, në hijen e ngjyrave, duke i dhënë skuadrës identitet dhe shpirt.
Epilogu
Durrësi ka pasur shumë artistë e shumë sportistë, por pak prej tyre kanë ditur t’i lidhin këto dy botë në një. Vilson Kavaja ishte një prej tyre. Kuurrë nuk kërkoi duartrokitje, por u bë vetë pjesë e duartrokitjeve. Nuk kërkoi famë, por i dha famë uniformës. Nuk ishte në fushë, por ishte gjithmonë pranë saj. Vilson Kavaja nuk ishte njeri i zakonshëm. Ishte artisti i heshtur, që i dha identitet sportit të Durrësit. Ishte qytetari i mirë që nuk kërkoi lavdi për vete, por u bë pjesë e lavdisë së klubit të qytetit. Ishte mjeshtri, që dinte të shndërronte copa kartoni e bojë tekstile në flamuj krenarie.
Teksa kthehet në qytetin e tij për të pushuar përgjithmonë, Durrësi duhet ta kujtojë me nderim. Sepse Vili nuk ishte thjesht dizenjator, por njeriu që veshi me shpirt sportin e qytetit.
Në ditën kur Vilson Kavaja kthehet në Durrës për të pushuar përgjithmonë, qyteti i tij i dashur nuk humbet vetëm një artist. Humb pjesë të shpirtit të vet. Por trashëgimia e Kavajës mbetet e gjallë në kujtimet e sportistëve, në reliket e klubeve, në historinë e uniformave që sot janë bërë pjesë e identitetit durrsak.
Vili ishte dhe mbetet njeri i çmuar, që veshi me shpirt sportin e qytetit. Është dëshmi se arti nuk është vetëm në galeri e muze, por edhe në fushën e futbollit, në parketin e basketbollit, në fanelat e një skuadre.
Dhe kështu, emri i tij do të mbetet i lidhur përgjithmonë me Durrësin, me sportin, me artin dhe me dashurinë për qytetin e tij.
Durrës, të mos harrosh Vilson Kavajën! Durrsakë kujtojeni gjithnjë atë!
Comments