top of page

BUJAR QESJA: Dija si mision, universiteti si përgjegjësi

  • Jan 19
  • 8 min read

Aida Lako Zotaj dija si mision, universiteti si përgjegjësi

-Të shërosh trupin është detyrë, të formosh mendjen është qëllim

BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh


Koha si provë vlere


Ka jetë që maten me zhurmë, por ka edhe që maten me peshë. Zhurma ikën shpejt, pesha mbetet. Në botën akademike, ku shpesh ritmi i shpejtë i titujve dhe i ambicieve rrezikon të zbehë thelbin, ekzistojnë figura që ecin ndryshe. Janë pa ngut, pa bujë, por me qëndrueshmëri, që vetëm koha di ti verifikojë. Aida Lako Zotaj është vendosur pikërisht këtu.

Dija për të, nuk është stoli personale, por akt përgjegjësie. Aida nuk shërben vetëm për të ndriçuar vetveten, por edhe për të ndërtuar të tjerët. Në këtë kuptim, rrugëtimi profesional, nuk lexohet si ngjitje në detyrë, por si proçes formimi i vazhdueshëm. Ky prolog është ftesë, për ta parë portretin e saj jo si biografi të shkëputur, por si reflektim mbi mënyrën se si ndërtohet një akademike, me themel etik dhe vizion afatgjatë.

Disa e masin jetën me arritje të menjëhershme dhe të tjerë, që e matin me kohë. Filtri më i rreptë i vlerave është koha, sepse nxjerr në pah jo atë që shkëlqen për një çast, por atë që qëndron. Jeta dhe karriera e Aida Lako Zotaj, lexohen pikërisht përmes këtij filtri, si ndërtim i qetë, i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm në kohë.

Në realitetin ku arsimi dhe shkenca shpesh rrezikojnë të kthehen në formalitet, statura e saj përfaqëson kundërpeshë morale. Aida Zotaj i përket atij brezi akademikësh, që nuk e shohin dijen si kapital personal, por si përgjegjësi publike. Për të, titujt nuk janë stacione mbërritjeje, por mjete për të bërë më mirë atë që ka zgjedhur si mision, formimin e njeriut.

Aida Lako Zotaj nuk është vetëm pedagoge, vetëm studiuese, vetëm drejtuese akademike. Është profil i ndërtuar, ku dija, familja dhe përgjegjësia qytetare bashkëjetojnë pa konflikt. Ajo është ndërtuar gradualisht, siç ndërtohen figurat që zgjasin, mbi vlera të trashëguara, mbi punë të palodhur dhe mbi një etikë të brendshme që nuk lëkundet nga rrethanat.

Në auditorët universitarë, është pedagoge. Në mjediset e kërkimit, është studiuese. Në familje, është nënë dhe bashkëshorte. Por mbi të gjitha, Aida Lako Zotaj është ndërgjegje profesionale, profil që mishëron bindjen, se dija ka kuptim vetëm kur i shërben njeriut.

Historia e Aida Lako Zotaj, nuk është vetëm historia e një gruaje akademike, por historia e një modeli, që merr formë në shoqërinë shqiptare bashkëkohore, modeli i gruas që ndërton pa zhurmë, që udhëheq pa sforcim dhe që lë gjurmë pa kërkuar vëmëndje.


Trashëgimia përmetare dhe qytetaria bregdetare


Autori i shkrimit
Autori i shkrimit

E lindur në Durrës, Aida Zotaj mbart në vetvete ndërthurje të natyrshme, mes rrënjëve përmetare dhe qytetarisë bregdetare. Prindërit e saj, të ardhur nga Përmeti në vitin 1985, sollën me vete kulturën e punës, ndershmërinë dhe ndjenjën e masës.

Babai, Maksut Lako, oficer i lartë i formuar në Akademinë Ushtarake dhe komandant i radiolokacionit në Durrës, përfaqëson figurën e disiplinës dhe korrektësisë. Nëna, Fatimja, ndoqi në Tiranë kurs kualifikuar në rrobaqepësi. Në repartin e rrobaqepësisë speciale, mbeti zë dhe jo heshtje. Mishëronte durimin, përpikmërinë dhe estetikën e punës së bërë mirë.

Aida u rrit në një familje të balancuar dhe mbështetëse, së bashku me motrën më të madhe Irena dhe vëllain Ledion, të cilët kanë qenë gjithmonë shtylla të rëndësishme emocionale në jetën e saj. Raporti vëlla -motër, i ndërtuar mbi mirëkuptim dhe mbështetje reciproke, ka luajtur rol thelbësor në ndërtimin e vetëbesimit dhe kristalizimit personal.

Ky mjedis familjar i shëndetshëm, i dha Aidas aftësinë për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme, për të përballuar sfidat me qetësi dhe për të kultivuar ndjeshmëri ndaj nevojave të tjetrit, cilësi thelbësore për profesionin që do të zgjidhte më vonë.


Zgjedhja e profesionit dhe formimi akademik


Në vitin 2008, Aida përfundoi studimet Bachelor në Fizioterapi, në programin e përbashkët mes Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” dhe Universitetit “Tor Vergata” në Romë, Itali. Ky ishte hapi i parë, drejt një profili akademik të orientuar jo vetëm nga praktika, por nga kërkimi. Ky bashkëpunim ndërkombëtar, i dha jo vetëm dije teorike dhe praktike të standardeve evropiane, por edhe horizont më të gjerë kulturor dhe profesional, duke e përgatitur për një karrierë kërkimore dhe pedagogjike.

Kulmi i këtij rrugëtimi akademik u arrit në vitin 2022, kur fitoi gradën shkencore “Doktor në Fizioterapi”, pranë Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. Ky titull përfaqëson jo vetëm arritje personale, por edhe ndihmesë reale në zhvillimin e shkencave të rehabilitimit në Shqipëri.


Pavioni i Fizioterapisë në UAMD  laborator dijesh


Ndihmesa e Aida Zotajt në pavionin e fizioterapisë të UAMD-së është thelbësore. Me sytë e angazhimit dhe përvojës e shikon këtë pavion, si hapësirë ku studenti mëson të respektojë trupin e pacientit dhe përgjegjësinë profesionale. Është territor formimi, ku teoria përballet me realitetin dhe ku studenti mëson se fizioterapia nuk është vetëm teknikë, por marrëdhënie njerëzore.

Në këtë pavion, ndihmesa e Aida Lako Zotaj, është e prekshme dhe i qëndrueshme. Është nga zërat, që ka këmbëngulur në ndërtimin e një mjedisi, ku studenti të mos jetë thjeshtë zbatues protokollesh, por profesionist që kupton trupin, dhimbjen dhe shpresën e pacientit.

Përmes organizimit të praktikave dhe përditësimit të metodologjive, Aida ka ndihmuar në krijimin e një modeli formimi, që i afron studentët me realitetin klinik dhe etik. Aida Lako Zotaj është nga bashkthemelueset e para, në hapjen e degës së fizioterapisë në UAMD. Krenari për këtë arritje.

Ky pavion është nga pikat më vitale të fakultetit, sepse aty formohen jo vetëm fizioterapistë të aftë, por edhe qytetarë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre në shoqëri.


Universiteti  hapësirë njohurish dhe prove


Universiteti, për Aida Lako Zotaj, mbetet thjeshtë institucion. Është shikuar si hapësirë prove, e dijes, karakterit dhe e përgjegjësisë qytetare. Studimet universitare dhe më pas ato pasuniversitare, janë përjetuar si stade thellimi, ku kërkimi shkencor nuk ndahet nga formimi etik.

Në këtë fazë kristalizohet edhe profili analitik, i prirur jo drejt retorikës së zbrazët, por drejt argumentit të ndërtuar dhe të verifikueshëm. Kjo do ta shoqërojë gjatë gjithë karrierës së saj akademike. Që nga marsi i vitit 2011, Aida Lako Zotaj është pjesë e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, në Departamentin e Shkencave Mjekësore Teknike.

Në auditor, përfaqëson pedagogun që kërkon standard, por edhe kupton studentin. Marrëdhënia me studentët bazohet në dialog, përgjegjësi dhe shembull personal. Për Aida Zotajn, formimi universitar nuk mbaron me dhënien e njohurive, por me ndërtimin e karakterit profesional.

Emërimi në vitin 2024 si Zv. Dekane për anën shkencore në Fakultetin e Studimeve Profesionale, është rezultat i karrieres së ndërtuar hap pas hapi. Në këtë pozicion, ka përforcuar politikat kërkimore, ka nxitur publikimet shkencore dhe ka orientuar fakultetin drejt rritjes së cilësisë akademike.


Pedagogjia marrëdhënie jo autoritet


Pedagogjia e Aida Lako Zotaj nuk mbështetet mbi distancën, por mbi marrëdhënien. Nuk e shikon auditorin si hapësirë pushteti, por si vend dialogu. Studentët nuk trajtohen si marrës pasivë dijesh, por si subjekte në formim, me të cilët ndërtohet proçes i ndërsjellë.

Kjo filozofi pedagogjike, e bën mësimdhënien e Aidës të kërkuar dhe me ndikim të qëndrueshëm. Respekti që ajo gëzon nuk buron nga formaliteti, por nga koherenca mes fjalës dhe veprës. Raporti i Aida Lako Zotaj me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, është thellësisht identitar. Jo thjeshtë vend pune, por hapësirë ku projekton vizionin akademik. Brenda UAMD-së, ndërton jo vetëm karrierën personale, por ndihmon  në forcimin e standardeve institucionale.

Roli drejtues dhe akademik shoqërohet nga serioziteti, transparenca dhe përkushtimi ndaj cilësisë. Zotaj e kupton universitetin si organizëm të gjallë, që ka nevojë për rregulla të qarta, por edhe për frymë njerëzore.

Aida Zotaj e sheh veten, si udhëheqëse e brezit të ri të profesionistëve të shëndetit, pedagoge që synon të krijojë gjeneratë të formuar në etikë, dije dhe përkushtim. Për të, arsimi nuk është thjeshtë formë mësimdhënieje, por mënyrë për të ndikuar mendimin, sjelljen dhe identitetin profesional e qytetar të studentëve.


Kërkimi shkencor dija në shërbim të njeriut


Në kërkimin shkencor, Aida Lako Zotaj zgjedh rrugën e heshtur, por produktive. Publikimet dhe studimet nuk ndjekin modën, por nevojën. Ato synojnë të japin ndihmesë reale, të matshëm dhe të dobishëm. Kërkimi, për të, është formë përgjegjësie ndaj komunitetit akademik dhe shoqërisë. Nuk është ushtrim statistikash, por akt mendimi kritik.


Aida është autore dhe bashkautore e mbi 40 publikimeve shkencore, të indeksuara në Web of Science, Scopus dhe PubMed. Fushat e kërkimit përfshijnë reabilitimin neurologjik, Parkinsonin, nanoteknologjinë Taopatch dhe skoliozën tek fëmijët. Kërkimi për të nuk është qëllim në vetvete, por mjet për përmirësimin e cilësisë së jetës.

Vizioni akademik i Aida Lako Zotaj, nuk artikulohet me slogane, por me veprime. Ndërtohet mbi bindjen, se universiteti nuk është thjeshtë hapësirë mësimdhënieje, por institucion që formëson mendësi. Në këtë kuptim, UAMD nuk është vetëm angazhim profesional, por terren përgjegjësie.

Pikësynimet e Aidës janë të qarta dhe të lidhura ngushtë me realitetin. Ato prekin forcimin e kërkimit shkencor të aplikueshëm, rritjen e cilësisë së publikimeve, ndërkombëtarizimin e përvojës akademike dhe krijimin e një kulture universitare, ku studenti trajtohet si partner në proçesin e dijes.

Kjo pedagoge e karrierës e koncepton rritjen akademike, jo si garë individuale, por si tregues kolektiv. Prandaj edhe roli drejtues, synon të krijojë struktura që mbeten dhe standarde që trashëgohen. Në një kohë kur arsimi universitar përballet me sfida të shumta, profili i Aida Lako Zotaj përfaqëson modelin e pedagoges, që nuk shkëputet nga realiteti dhe nuk izolohet në teori. Mbetet pjesë aktive e zhvillimeve shkencore, por edhe e problematikave konkrete të shëndetit publik.

Aftësia për të ndërthurur kërkimin shkencor me mësimdhënien, e bën figurën e saj të besueshme për studentët dhe të respektuar për kolegët. Nuk e trajton dijen si privilegj personal, por si përgjegjësi kolektive. Në këtë kuptim, Aida Zotaj përfaqëson një brez të ri akademikësh shqiptarë, që ndërtojnë autoritet jo mbi hierarki, por mbi punë, korrektësi dhe dialog.


Jeta familjare balanca e domosdoshme


Familja është hapësira, ku rigjen ekuilibrin dhe energjinë për të ecur përpara. Në jetën personale, Aida Zotaj është bashkëshorte e Elton Zotaj, dentist me mbi 17-të vite përvojë profesionale, drejtues i Klinikës Dentare “Elton Zotaj” në Durrës. Është strukturë e ndërtuar mbi standarde profesionale, etikë mjekësore dhe përkushtim ndaj pacientit.

Mbështetja reciproke dhe vlerat e përbashkëta profesionale, përbëjnë shtyllë të fortë të jetës familjare. Aida është nënë e dy vajzave. Anabel, 9 vjeçe, me talent të spikatur në muzikë dhe interpretim, që bashkëpunon me kompozitorin Ylli Ramzoti dhe mësuesen e muzikës Edmonda Rotani, duke marrë pjesë në festivale të ndryshme artistike. Formimi mësimor i është besuar shkollës së mesme jo publike “Mihal Ekonomi” dhe personalisht emrit të spikatur të arsimit Elsa Ekonomi Hila. Megan, vajza e vogël, ndjek kopështin “Green Elite”, nën përkujdesjen e edukatores së njohur Nexhi Muzhaqi Shahini.

Në jetën familjare, Aida Zotaj përfaqëson figurën e gruas që arrin të ndërtojë ekuilibër, që është i vështirë, por i qëndrueshëm mes karrierës dhe dashurisë, mes profesionit dhe mëmësisë. Vajzat e saj rriten në mjedis ku puna vlerësohet, talenti kultivohet dhe etika jetohet çdo ditë.


Kur puna e qetë bëhet trashëgimi


Në fund të çdo rrugëtimi që ka vlerë, nuk qëndron fama, por gjurma që mbetet. Dhe gjurma e Aida Lako Zotaj nuk është e zhurmshme, por e thellë. Ajo nuk matet me tituj edhe pse titujt i ka. Nuk matet me poste edhe pse i ka mbajtur. Matet me ndikimin e heshtur që ushtron çdo ditë mbi studentët, kolegët dhe familjen. Matet nga mënyra se si ke ngacmuar mendimin e të tjerëve, në standardet e institucionit dhe në etikën e profesionit.

Aida Lako Zotaj, nuk e ndan jetën profesionale nga ajo njerëzore. Në të dyja, kërkon të njëjtën gjë, koherencë. Si nënë dhe bashkëshorte, ndërton vlera. Si pedagoge dhe studiuese, i transmeton ato. Ky bashkim, e bën figurën e Zotajt të besueshme dhe të qëndrueshme.

Si pedagoge universitare, ka formuar breza të rinj fizioterapistësh, duke i mësuar se profesionalizmi nuk fillon me diplomën, por me ndërgjegjen. Si studiuese, ka ndihmuar në zhvillimin e dijeve të rehabilitimit, duke sjellë kërkimin shkencor më afër realitetit njerëzor. Si drejtues akademik, ka dëshmuar se autoriteti fitohet përmes korrektësisë dhe vizionit, jo diktimit..

Në një kohë, kur shpejtësia shpesh zëvendëson thellësinë, Aida na rikujton se vlerat e vërteta kërkojnë kohë. Se talenti, pa disiplinë, mbetet premtim. Dhe se puna e heshtur, kur është e ndërtuar mbi etikë, kthehet në trashëgimi.

Ky shkrim nuk është mbyllje, sepse jeta dhe puna e saj vazhdojnë. Është ndalesë reflektimi për të kuptuar, se disa figura nuk bëjnë histori me bujë, por e ndryshojnë heshturazi cilësinë e së tashmes. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e vërtetë e Aida Lako Zotaj, në aftësinë për ta bërë dijen trashëgimi, familjen busull dhe profesionin shërbim.

Një jetë e jetuar me kuptim, nuk ka nevojë për përfundim. Ajo vazhdon, përmes atyre që formon, atyre që frymëzon dhe vlerave që lë pas.


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page