top of page

BUJAR QESJA: Dhimitraq Goga i basketbollit durrsak dhe kombëta

Dhimitraq Goga senator, kalorës, kolos i basketbollit durrsak dhe kombëtar


-Me rastin e 100-të vjetorit të lindjes


BUJAR QESJA


Një shekull më parë, më 29 qershor 1925, Durrësi lindi nga bijtë e tij më të shquar – Dhimitraq Goga. Sportist, mjeshtër, edukator, udhëheqës shpirtëror i brezave dhe gur themeli i basketbollit shqiptar. Sot, 100 vjet pas lindjes dhe 12 vjet pas ndarjes nga jeta, kujtimi për të mbetet më i gjallë se kurrë, i mishëruar në jetën sportive të qytetit, në kujtesën e kolegëve e nxënësve dhe në frymën e një Durrësi, që ai e deshi dhe i shërbeu me pasion e përkushtim.

Ky shkrim nuk është vetëm përkujtim. Është përulje e thellë, përpara figurës së një senatori të sportit, një kalorësi të fisnikërisë qytetare, një kolosi që ndërtoi me durim një traditë, një shkollë, një trashëgimi të pasur, që sot mbart emrin dhe frymën e tij: Dhimitraq Goga.

Lindi në një qytet që kishte nevojë për heronj të heshtur, për bartës të dritës, për ndërtues të brezave. U largua nga jeta më 27 qershor 2013, duke lënë pas jo vetëm kujtime, por një strukturë të tërë morali, një akademi jetësore, që nuk ka nevojë për diploma, sepse e vetmja diplomë është emri i tij: Dhimitraq Goga. Vijon të jetojë në kujtesën tonë, me një prani që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Mjafton ta kujtosh të qeshur, të heshtur, të palodhur në stërvitje, të qetë në udhëzim, të vendosur në filozofinë e tij të jetës: edukatë, dinjitet, disiplinë.

I gjatë në trup, i lartë në mendje. Kolos në fizik, por i mençur si filozof klasik. Mësues matematike në profesion, por në thelb matematicien i shpirtit njerëzor. Dinte të numëronte jo vetëm pikët në parket, por më shumë se kaq: dinjitetin, karakterin, mirësinë. Ishte nga ata njerëz që nuk shfaqen shpesh në kohë, por kur shfaqen, e ndryshojnë kohën. Dhe Dhimitraqi e ndryshoi.

Sportet i kishte të shumta, por basketbolli ishte vula e shpirtit të tij. Në kohën kur Durrësi nuk kishte ende “pallat sporti”, ai ndërtoi një pallat morali. Ai e ngriti basketbollin nga thjesht një lojë, në një kulturë qytetare, në një instrument edukimi, në një shkollë burrërie. Ishte trajner, por edhe filozof. Drejtues, por edhe shok. Shef, por mbi të gjitha mësues.

Në vitet e hershme luajti vetë, krah bashkëluftëtarëve të rinisë së artë sportive të Durrësit: Spiro Urumit, Naun Llazos, Gjon Lulit, Niko Hercekut, Xhod Bejës, Margarit Çumashit, Xhoxh Nushit, Koç Papaj dhe të tjerëve. Ata ishin pararendësit e një epoke që u shkrua me djersë në pluhurin e parketit të “Nako Spiros”, në terrenin e ashpër të viteve të para pas luftës. Në ato vite, më shumë se sport, ishte karakter dhe frymëzim. Ishin ditët kur basketbolli nuk ishte thjesht lojë, por mënyrë për të jetuar dhe për të dashur qytetin.

Trajner i 12 herë kampionëve të rinj të Lokomotivës, të cilët qyteti i quajti me dashuri “Harlemat e Durrësit”. Ishte ai që nuk kërkonte vetëm të shënohej kosh, por që djemtë të ishin edhe shkollarë, të sjellshëm, të ndershëm, të formuar si qytetarë, përpara se të bëheshin kampionë. Dhe nuk ishte vetëm për rezultatet. Ishte për stilin e lojës, për elegancën, për organizimin, për inteligjencën në parket. Ishte për frymën.

Dhe ja ku janë emrat që sot tingëllojnë si një himn sportiv i qytetit: Niko Profkola, Nysret Reka, Vladimir Agaraj, Ibrahim Kurtbegovi, Luigj Kalebota, Mitrush Çumashi, Josif Xhufka, Pavli Jorgoni, Spartak Jaho, Hamdi Hoxha, Theofan Muzina, Haxhi Rama, Franko Koka, Qemal Kertusha, Stefan Jorgji, Leonard Jani, Bujar Bagoj dhe shumë të tjerë, të gjithë bij të tij shpirtërorë. Ai nuk i mësonte vetëm të hidhnin topin në kosh, por t’i hidhnin vlerat në jetë. Të respektonin mësuesin, të çmonin fanellën, të ndihmonin njëri-tjetrin, të mos gënjenin, të përpiqeshin.

Por ai nuk ndaloi vetëm tek rinia. Dhimitraq Goga ishte edhe trajner i të rriturve të Lokomotivës. Ishte trajner i ekipit kombëtar, krah për krah me një tjetër figurë të ndritur të basketbollit, Fehti Borova. Dhe për ata që e njohën nga afër, bashkëpunimi i tij i pandarë me Bashkim Tagën, mikun, shokun dhe kolegun e jetës sportive, ka qenë një binom legjendar, që e vendosi Durrësin në hartën e madhe të basketbollit shqiptar.

Në kohë të vështira, ku kushtet mungonin dhe sakrificat ishin rregull, ai ndërtoi jo vetëm fitore, por edhe respekt, bashkësi, inspirim. Në parkun sportiv “Nako Spiro”, ku gjithçka nisi, dhe më pas në Pallatin e Sportit të vitit 1967, ku gjithçka u përmasua, Dhimitraqi mbeti figura qendrore, mendja strategjike, zemra që rrihte për basketbollin dhe qytetin.

Ai lidhi jetën me mësuesen e ndritur, zonjën Eleonora Syko Goga – një shëmbëlltyrë e përkushtimit në arsimin fillor. Jeta e tyre bashkë ishte një bashkim i dijes dhe shpirtit, një model qytetar që do të kujtohet me nderim. Dhimitraq Goga ishte edhe shef i klubit shumë-sportësh Lokomotiva. Por mbi të gjitha, ai ishte një mik, një shok, një koleg.

Dhe siç e do historia, djemtë e tij shpirtërorë u bënë të famshëm. Por edhe nipërit biologjikë e vazhduan rrugën e tij me lavdi. Ja ku është Igli Goga, biri i arkitektit dhe basketbollistit të hershëm Vlash Goga – nipi që nuk e la emrin e Dhimitraqit të prehej vetëm në kujtime, por e ngriti në mure, e skaliti në parket, e ndërtoi në jetë të përditshme. Akademia “Goga Basket”, pallati i sportit me emrin e të madhit Dhimitraq, janë dëshmi se jeta e vërtetë vazhdon kur shembulli bëhet ndërtesë.

Dhimitraq Goga
Dhimitraq Goga

Sot, nëse Dhimitraqi do të ngrihej nga varri, do të ndalonte pak në hyrje të Pallatit të Sportit që mban emrin e tij. Do të habitej. Jo nga lavdia. Ai nuk e kërkoi kurrë lavdinë. Do të befasohej nga përmasat, nga arkitektura, nga prania e qindra të rinjve që stërviten, lodhen, rriten… në emrin e tij. Do të kërkonte të takonte një për një fëmijët. Do t’i pyeste për notat. Do të donte të dinte a i përshëndesin prindërit, a e pastrojnë parketin pas stërvitjes. Do të kërkonte të prekte muret. Jo për të ndjerë lavdinë, por për të kuptuar që puna e tij nuk ka ikur kot.

Dhe kur të hynte në sallën tonë, në këtë mbrëmje përkujtimore, mbase do të bënte një përkulje të thjeshtë me kokë dhe do të thoshte:

“Ju faleminderit. Por më jepni pak zë... A mund ta dëgjoj pak këngën time të zemrës? Të falem o bukuri, Durrës…” Po, ai e kishte për zemër këtë këngë. E dëgjonte shpesh. E mbante brenda vetes si himn të heshtur. Dhe në këtë mbrëmje, mbase është vetë shpirti i tij që kërkon të mbyllë përshëndetjen me një përulje ndaj qytetit që e rriti dhe që e donte.

Kur shohim këtë arenë të mbushur me fytyra të ndritura, me emra të mëdhenj, me të rinj që mbajnë në sy dritën e pasionit sportiv, ne nuk po përkujtojmë një humbje me ditlindje. Ne po festojmë një jetë që nuk shuhet, një emër që rritet me kohën, një ikonë që udhëzon si yll polar në qiellin e sportit shqiptar.

Dhimitraq Goga i ka marrë të gjitha vlerësimet që mund t’i japë një shoqëri: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Nderi i Sportit Shqiptar, Qytetar Nderi i Durrësit. Por vlerësimi më i madh është dashuria që e rrethon edhe sot, një shekull pas lindjes.

Dhimitraq Goga nuk është më midis nesh në trup. Por është në çdo lojë të ndershme, në çdo trajnim të sinqertë, në çdo fitore, në çdo buzëqeshje të një fëmije që kap topin për herë të parë, dhe në çdo duartrokitje që buron nga zemra.

Mirënjohje të thellë nipit të tij, Igli Goga, basketbollist, sipërmarrës dhe vizionar, që jo vetëm ndërtoi Akademinë Goga Basket dhe Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga”, por ruajti me përkushtim kujtimin, thelbin dhe frymën e xhaxhait të tij. Sepse më shumë se një investim fizik, kjo është një investim në kujtesë, një monument i edukatës sportive, një tempull që mban aromën e një burri që jetoi thjeshtë, por mbolli madhështi.

100 vjet nga lindja, Dhimitraq Goga është më me frymë se kurrë. Eshtë histori e gjallë, frymëzim i pakohë dhe shpresë për të ardhmen.

Dhimitraq, o mësues, o kalorës i shenjtë,

S’mund të shuhet drita që le pas në jetë,

Na more me vete, po s’na le kurrë vetëm,

Je ritmi i një zemre, që rreh nëpër brezë.

Lavdi emrit të tij!

Nder dhe përulje kujtimit të Dhimitraq Gogës!

Bujar Qesja

Durrës: 29 qershor 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page