BUJAR QESJA: Besim Shahini atje ku rrënjët flasin dhe brezat dëgjojnë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 3 min read

BUJAR QESJA
Sot, në këtë ditë të veçantë, kur miku ynë i nderuar Besim Shahini Kryetar i Organizatës së Veteranëve – Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, Durrës mbush 83 vjet jetë, ne nuk shënojmë thjesht ditëlindjen e një njeriu. Nderojmë një figurë qytetare, një burrë zotni, një simbol të energjisë së mirë, të përkushtimit dhe të qëndrueshmërisë morale. Është një njeri që edhe pse vitet numërohen, shpirtin e ka të ri, mendjen të kthjellët dhe zemrën plot dashuri e përgjegjësi për qytetin e tij, për njerëzit dhe për një trashëgimi që punon çdo ditë ta mbajë gjallë.
Besim Shahini është nga ata njerëz të rrallë, që nuk resht së punuari, së udhëhequri dhe së frymëzuari. Në krye të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, është bërë shtylla kryesore e një strukture që kërkon energji, logjikë dhe mbi të gjitha zemër. Dhe i ka të treja. Ndër vite, Besimi ka ditur të krijojë ura midis brezave, të afrojë veteranët e nderuar me të rinjtë plot pasion, duke u bërë shembull i gjallë i asaj se si historia nuk duhet harruar dhe se si përgjegjësia qytetare trashëgohet.
Me stilin e tij të qetë, komunikues e tolerant, di të dëgjojë, të mbështesë, të udhëzojë dhe t’i japë secilit vendin që meriton. Njerëzit rreth tij e ndjejnë këtë energji të mirë. Besim Shahini është masovik në natyrë. Nuk i mungon kurrë fjala e mirë, nuk i mungon asnjëherë dorëza e ndihmës, nuk kursen kohë, as përkushtim. Ndaj edhe gëzon respekt të pamasë në Durrës, respekt të fituar jo me zë të lartë, por me punë të heshtur, të ndershme, të pandërprerë.
Edhe pse vitet e jetës sjellin barrën e tyre, i sfidon me vendosmëri që të surprizon. Nuk dorëzohet përballë lodhjes, nuk e zbut ritmin e punës shoqërore, nuk tërhiqet para përgjegjësive të organizatës. Përkundrazi, shpesh duket sikur i jep energji viteve, e jo vitet atij. Dhe ndoshta kjo vjen sepse Besimi, nuk punon vetëm me mendje e duar, por mbi të gjitha me shpirt. Punon me bindje, se misioni i tij nuk ka mbaruar.
Po ka edhe një tjetër dimension fisnik, përtej angazhimeve publike. Është kujdestar i bashkëshortes së tij të sëmurë. Me durim, me dashuri, me gjakftohtësi, me përkushtimin e një njeriu, që e përjeton familjen si detyrë hyjnore. Dhe ky fakt nuk mund të lihet pa thënë, sepse pikërisht në ato momente kur njeriu është më i sprovuar, shfaqet qartazi karakteri i tij. E tek Besim Shahini, karakteri është i pastër, është dashuri, është përgjegjësi, është burrëri qytetare.
Ndërsa feston 83 vjetorin e lindjes, duam thjesht t’i themi faleminderit. Faleminderit për rrugëtimin e tij, për këmbënguljen, për kulturën qytetare që përcjell, për mënyrën korrekte, por të butë, me të cilën e udhëheq organizatën. Faleminderit për frymën e bashkimit, për seriozitetin, për modesti në çdo hap, për respektin që i jep kujtesës sonë kolektive.
Besim Shahini është më shumë se një drejtues. Është përcjellës vlerash. Pikë referimi për shumëkënd. Burim energjie pozitive për brezat që rriten, për veteranët që gjejnë ende te ai sigurinë, se puna e tyre nuk është harruar. Dhe për qytetin, është pasuri shoqërore, njeri që i jep Durrësit fjalë të mirë, vepër të mirë, prani të mirë.
Prandaj, me gjithë respektin më të madh, me gjithë dashurinë që ai e meriton plotësisht, i urojmë:
Gëzuar 83-vjetorin, Besim Shahini!
U bëfshin vitet e ardhshme të lehta, të begata, plot shëndet e qetësi familjare! Qoftë çdo ditë e re për ju, arsye më shumë për të buzëqeshur dhe për të vazhduar të jepni nga ajo energji e pastër që ju dallon!
.Zoti ju dhëntë forcë, t’i qëndroni pranë familjes suaj me të njëjtin përkushtim të admirueshëm. Ju urojmë të keni ende shumë vite të bukura, aktive, krijuese sepse ju jeni ndër ata njerëz, që nuk i numërojnë vitet, por i nderojnë ato!
Bujar Qesja
Durrës: 11 dhjetor 2025









Comments