top of page

BUJAR QESJA: Baftjar Rusi avokati i Hagës dhe i Strasburgut

Kur ligji dhe fjala shtrëngojnë duart

 

-Baftjar Rusi avokati i Hagës dhe i Strasburgut, vizitë kortezie në " rezidencën" e një gazetari për të uruar 2026- tën

 

BUJAR QESJA

 

Ka fotografi që nuk janë thjesht imazh. Janë dëshmi. Janë kohë e ngrirë, por me zemër që rreh. Janë dialog i heshtur mes dy jetëve që kanë ecur gjatë, secila në shtegun e vet, por që takohen aty ku fjala dhe drejtësia kanë të njëjtën peshë morale.

Në prag të Vitit të Ri 2026, në konakun tim, erdhi për vizitë Baftjar Rusi. Erdhi thjesht, siç vijnë njerëzit e mëdhenj, pa zhurmë, me qetësi, me dinjitet. Fotoja që na bashkon nuk është pozë festive, por akt simbolik. Ajo flet për dy rrugë që nuk janë paralele, por që kryqëzohen natyrshëm në shërbim të shoqërisë, ligji dhe gazetaria, drejtësia dhe fjala e lirë.

 Baftjar Rusi, 65 vjeç, mban mbi supe një përvojë që nuk rëndon, por ndriçon. Në portretin e tij lexohet qartë ajo qetësi e rrallë, që e fitojnë vetëm ata që kanë parë shumë padrejtësi, por nuk janë lodhur kurrë së luftuari kundër tyre. Është avokati që ka folur shqip në sallat e rënda të drejtësisë ndërkombëtare, në Hagë, në Strasburg, atje ku fjalët peshohen si gurë dhe ku e vërteta nuk pranohet pa prova dhe këmbëngulje morale.


Autori i shkrimit me avokatin
Autori i shkrimit me avokatin

 Është avokati i parë shqiptar në çështjen e parë shqiptare në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, në vitin 2005. Një datë që nuk është thjesht kronologji, por prag historie. Aty, Baftjar Rusi nuk përfaqësoi vetëm një çështje, por një popull që po mësonte të kërkonte drejtësi përtej kufijve të vet.

 Në sytë e tij, në këtë foto, ka diçka më shumë se krenari profesionale. Ka butësi njerëzore, që vjen nga zgjedhja e vetëdijshme për të qenë gjithmonë në anën e të pambrojturve. Sepse jo çdo avokat e bën këtë zgjedhje.

 Disa mbrojnë çështje, e Baftjar Rusi mbron parime. Nuk është thjesht praktikues i ligjit, por misionar i tij. Këtë e dëshmon edhe Medalja e Artë si Misionar i Ligjit, një titull që nuk blihet, por fitohet me jetë të tëra përballjesh me padrejtësinë.

Titulli “Honoris Causa” nga një universitet amerikan në Paris nuk është dekor formal, por njohje e një mendjeje juridike që i kapërcen kufijtë kombëtarë.

Libri i tij, “Mbi të drejtën”, nuk është vetëm tekst ligjor, por reflektim filozofik mbi atë se çfarë do të thotë të jesh i drejtë në një botë që shpesh është e padrejtë. Ndërsa leksionet që jep në Fakultetin e Drejtësisë, janë më shumë se mësim. Mbeten trashëgimi morale për brezat që vijnë.

 Në këtë foto është edhe një gazetar, mik i betuar me këtë burrë 24 karaç nga Dibra. Dy profesione që shpesh ecin në kufijtë e konfliktit, por që këtu duken në harmoni. Gazetaria kërkon të vërtetën, drejtësia e provon atë. Gazetari pyet, avokati argumenton. Por të dy, në thelb, kanë të njëjtin mision, t’i japin zë atij që nuk dëgjohet.

 Konaku, vendi i kësaj fotografie, bëhet simbol mikpritjeje dhe respekti. Është hapësirë shqiptare, por edhe universale. Aty ku fjala e ndershme dhe ligji i drejtë ulen në të njëjtën tryezë. Dhe fakti që Baftjar Rusi, ky dibran i përkryer që jeton dhe punon në Tiranë, vjen si mik, jo si figurë zyrtare, e bën momentin edhe më njerëzor.

Fotoja, në logjikë, nuk flet vetëm për dy individë. Ajo shpreh një ideal, se shoqëria ka nevojë për burra që nuk e shesin ndërgjegjen, që nuk e lodhin të vërtetën, që nuk i tremben pushtetit kur ky shkel ligjin. Flet për bukurinë shpirtërore të atyre që nuk bëjnë zhurmë, por lënë gjurmë.

 Baftjar Rusi meriton Medaljen e Artë dhënë nga DMPP, të vetmit që i jepet në të gjallë. I artë si njeri, i artë si avokat, i artë edhe si burrë i fortë e i mënçur dibran.

Në prag të Vitit të Ri, kjo fotografi është urim më vete. Urim që drejtësia të ketë gjithmonë zë dhe fjala të ketë gjithmonë guxim.

 

Bujar Qesja

Durrës: 3 janar 2026



1 Comment


Njazi Xhelo
Jan 04

E kam njohur Baftjarin,se ishte nje vit para nesh,mua dhe vëllait Tij Avdulit.Ishte një student i rregullt,fjalëpakë dhe shumë serioz.I uroj gjithë të mirat dhe suksese të mëtejshme,në profesionin e Tij fisnik!

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page