top of page

BUJAR QESJA: Adrian Dedja njeriu që e ktheu futbollin në sistem


-Arktekti i të ardhmes së futbollit durrsak

BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Kur puna bëhet institucion

Ka njerëz që kalojnë nëpër kohë dhe lënë pas vetëm gjurmë kalimtare. Dhe ka të tjerë që pa zhurmë, pa retorikë, pa vetëshpallje, ndërtojnë struktura që i rezistojnë kohës. Adrian Dedja është kjo kategori e rrallë. Historia e tij, nuk është historia e një ngjitjeje të shpejtë, por e një pune të gjatë, këmbëngulëse, të menduar dhe të përditshme. Çdo hap është i lidhur me tjetrin, nga një ide themelore, se futbolli nuk është vetëm lojë, por edukim, jo vetëm pasion, por sistem.

Ky prolog nuk hap një shkrim lavdërues. Kap një reflektim. Sepse për të kuptuar figurën e Adrian Dedjes, duhet më parë të kuptohet koha në të cilën vepron. Një realitet sportiv, ku improvizimi shpesh zë vendin e metodës, ku rezultati afatshkurtër mbivlerësohet mbi formimin afatgjatë, ku talenti shpesh lihet në mëshirë të rastësisë. Pikërisht në këtë terren të vështirë, zgjedh rrugën më të gjatë dhe më të vështirë, ndërtimin e institucionit.

Nga lagjja “Sefer Efendiu” e Durrësit, me traditën e saj të fortë sportive dhe qytetare, deri te drejtimi i Akademisë së Futbollit “Teuta”, ecuria e Adrian Dedjes është rrugë studimi, vëzhgimi dhe përvetësimi të pandërprerë. Orë të tëra pune, kërkimi dhe analize, kontakte me mendimin bashkëkohor të futbollit europian, përballje me praktikat më të mira dhe përpjekje për t’i përshtatur ato në realitetin shqiptar. Asgjë e rastësishme. Asgjë e lënë në dorë të fatit.

Ky është rrëfimi i një njeriu që studion po aq sa stërvit, që drejton po aq sa mëson, që organizon po aq sa eksperimenton. Një mësues edukimi fizik që e sheh fushën e sportit si klasë formimi, një drejtues që e sheh akademinë si shkollë jete, një intelektual sportiv që beson se edukimi vlen më shumë se fitorja.

Në faqet që pasojnë, nuk do të gjeni vetëm kronikë ngjarjesh apo renditje arritjesh. Do të gjeni anatomisë e një modeli pune, filozofinë e një vizioni dhe përpjekjen për të kuptuar se si një njeri i vetëm, i armatosur me dije, vullnet dhe etikë, mund të ndezë një proçes që kapërcen individin dhe shndërrohet në institucion. Ky është fillimi i një historie, që ka gjasa të vazhdojë gjatë.

Organizimi bëhet art dhe pasioni merr formë strukture

Jo pak e duan futbollin. E jo pak edhe e mësojnë. Të tjerë edhe e menaxhojnë. Por shumë të rrallë janë ata që e ndërtojnë. Adrian Dedja fatmirsisht është i gjeturi i duhur. Nuk është thjesht drejtues akademie, as vetëm trajner i licencuar apo pedagog i edukimit fizik. Por dukshëm është arkitekt proçesesh, një mendje sistematike që i ka dhënë formë, ritëm dhe kuptim një prej ndërmarrjeve më serioze që ka njohur ndonjëherë futbolli i moshave në Shqipëri: Akademinë e Futbollit “Teuta”.

Ky shkrim nuk tenton të jetë një biografi lineare. Është rrëfim analitik, portret i thelluar njerëzor dhe profesional. Figura e Adrian Dedjes shpaloset si shembull i rrallë i drejtuesit modern sportiv, që bashkon mendimin shkencor me intuitën praktike dhe vizionin afatgjatë.

Dedja nuk shpërthen me zhurmë, por rritet në heshtje, si pemët e forta që rrënjët i kanë thellë në tokë dhe degët shtrihen larg. Adrian Dedja prezanton performancë shumë lakmuese. Është i rrallë në atë që kërkon dhe ta kthejë në qëllim plotësimi. Organizatorë i madh, vizionarë praktik, arkitekt i proçeseve dhe jo thjeshtë konsumatorë i suksesit. Emri i tij, është kthyer në referencë serioze jo vetëm për Durrësin sportiv, por edhe për futbollin shqiptar.

Portreti i Adrian Dedjes është i gjërë. Drejtor i Akademisë së Futbollit “Teuta”, edukator, studiues, trajner, mësues, menaxher sportiv, promotor masiviteti, studiues i shkencave motorike, duke u analizuar në disa plane njerëzor, profesional, organizativ dhe vizionar.

Rrënjët morale të një misioni

Adrian Dedja lindi më 18 prill 1984 dhe u rrit në lagjen “Sefer Efendiu”, hapësirë urbane që në Durrës ka funksionuar historikisht si laborator karakteresh. Kjo lagje nuk e ka prodhuar lavdinë rastësisht, por e ka ndërtuar atë përmes disiplinës, respektit dhe përkushtimit.

Të rritesh mes kujtesës së emrave si Panajot Pano, Rruf Kazazi, Abdulla Duma, Fatos Muça e të tjerë, do të thotë të jetosh nën peshën e një pyetjeje të vazhdueshme: çfarë do t’i shtosh ti kësaj trashëgimie? Për Adrianin, përgjigjja do të ndërtohej me kohë, durim dhe vetëpërmbajtje.

Nuk e pa sportin si strehë, por si mision. Që herët, tek ai u shfaq një tipar i rrallë, etja për të kuptuar mekanizmat, jo vetëm për të luajtur lojën. Ndaj, rruga e tij do të ishte më shumë organizative dhe strukturuese sesa thjeshtë personale.

Edukimi  themeli i çdo ndërtese serioze

Adrian Dedja është diplomuar në Universitetin e Sporteve, duke ndërtuar bazën teorike të profesionit. Por edukimi për të, nuk ka qenë kurrë një proçes i mbyllur. Është shembulli tipik i profesionistit që studion vazhdimisht. Frekuentues i rregullt i literaturës bashkëkohore sportive, i platformave ndërkombëtare dhe i analizave moderne, kalon orë të tëra duke u njohur me përvojat më të mira të futbollit të moshave në Europë. Bashkëpunimi me specialistë të njohur shqiptarë, i zgjeron horizontin dhe i rrit kërkesat ndaj vetes.

Kulmi i këtij rrugëtimi arsimor përfaqësohet nga:

Licenca UEFA A, Liçenca EEFA B, që i hap dyert jo vetëm Superligës shqiptare, por edhe angazhimeve europiane. E drejta për të ushtruar  përgatitësin atletik. Angazhimi serioz në doktoraturë, ku synon të marrë titullin Doktor i Shkencave

Ky profil akademik, e dallon qartë nga shumë drejtues të tjerë sportivë. Që në vitin 2006, Adrian Dedja angazhohet me Shoqatën e Futbollit “Tropikal”, e drejtuar nga Agim Bulku. Aty mësoi bazat e organizimit, menaxhimit dhe punës me fëmijët. Më pas krijon ekipin “Ajsberg”, një emër simbolik, sepse ajo që shihet është vetëm maja, ndërsa puna e vërtetë është poshtë sipërfaqes. Ky ekip ishte laboratori i parë i ideve të tij.

Paralelisht, Adriani ushtron profesionin e mësuesit të edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare “Nënë Tereza”, duke e parë shkollën si hallkë të pandashme të edukimit sportiv. Duke parë qartë këtë staturë, nuk ka pse të habisë kërkënd, një slogan gjigand i vendosur në ballë të mjediseve stërvitore ku lexohet: “Edukimi vlen më shumë se fitorja”

Menaxheri modern, filozofia e punës në heshtje

Një tjetër dimension i figurës së Adrian Dedjes është ai i menaxherit sportiv. Si administrator i fitnesit të njohur “Ani Gym”, dëshmon aftësi të rralla organizative. Puna me “Ani Gym”, e vendosi Adrian Dedjen përballë një sfide tjetër, atë të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe financiare. Aty provoi se organizimi nuk është dhunti abstrakte, por disiplinë e përditshme.

Kulmi i kësaj përvoje ishte krijimi i Akademisë së Futbollit “Olimpik”, ku përfshihen rreth 200 futbollistë dhe 6 trajnerë. Kjo akademi shërben si provë e qartë, se Dedja nuk është thjesht ideator, por realizues.

Ngarkesat e tij janë të jashtëzakonshme. Ndoshta i vetmi në Durrës, e ndoshta më gjerë, që mban një barrë të tillë dhe ia del me sukses. Është shembulli i drejtuesit modern, që bashkon mendjen akademike me dorën praktike.

Këshillon sportistë, studion dieta, ndjek risitë shkencore dhe i përkthen ato në gjuhë praktike. Shpeshherë dita e punës ndahet mes palestrës, fushave sportive, klasës shkollore dhe tavolinës së studimit. Jeta e tij është lëvizje e pandërprerë.

Akademia e futbollit “Teuta” organizëm i gjallë, sistem mendimi, një revolucion i heshtur

Akademia e Futbollit Teuta, nuk është strukturë e zakonshme sportive. Nuk është as thjeshtë grumbull ekipesh moshash, as mekanizëm që prodhon rezultate javore. Nën drejtimin e Adrian Dedjes, kjo akademi është shndërruar në organizmën më serioze të futbollit të moshave në Shqipëri, sistem i ndërtuar me mendim teorik, disiplinë praktike dhe vizion afatgjatë.

Në themel të këtij modeli, qëndron kuptimi i thellë i futbollit modern. Futbolli i sotëm nuk pranon improvizime. Kërkon metodë, kërkon shkencë, kërkon masivitet të organizuar dhe jo rastësor, kërkon trajnerë të formuar vazhdimisht dhe një drejtues që di të lexojë proçeset, jo vetëm tabelën e rezultateve.

Adrian Dedja e ka ndërtuar Akademinë “Teuta” pikërisht mbi këtë filozofi.  E mendon akademinë si institucion edukimi sportiv, ku çdo fëmijë hyn për t’u formuar dhe jo për t’u shfrytëzuar. Motoja “Edukimi vlen më shumë se fitorja” nuk është parullë muri, por parim funksional, që zbatohet çdo ditë në stërvitje, në komunikim, në vlerësim.

Në Akademinë “Teuta” stërviten rreth 700 fëmijë dhe të rinj, të ndarë në mënyrë rigoroze sipas grupmoshave nga U-6 deri në U-19. Ky masivitet nuk është i rastësishëm. Është i menduar si bazë e domosdoshme, për të prodhuar cilësi. Synimi strategjik është i qartë dhe i deklaruar, arritja në 1000 futbollistë, duke zgjeruar rrethin e përfshirjes dhe rritur mundësinë për talente të vërteta.

Organizimi i brendshëm i akademisë, funksionon si një mekanizëm i saktë. 27 trajnerë, të gjithë të kualifikuar dhe në proçes të vazhdueshëm formimi, punojnë sipas një filozofie të përbashkët. Nuk ka trajnerë të izoluar, nuk ka stile të rastësishme. Ka koordinim, ka planifikim, ka komunikim të vazhdueshëm mes stafit teknik dhe drejtues.

Nga shtyllat më të forta të këtij sistemi, është formimi i trajnerëve. Nën drejtimin e Dedjes, Akademia “Teuta” është shndërruar në shkollë të vërtetë profesionale. Seminaret e brendshme, debatet teknike, analizat kolektive të ndeshjeve, si dhe ndjekja sistematike e kurseve dhe trajnimeve të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, kanë ngritur ndjeshëm nivelin profesional të stafit.

Risi absolute për realitetin shqiptar të futbollit, mbeten video-analizat e strukturuara për të gjitha kategoritë e moshave. Çdo ndeshje, çdo stërvitje e rëndësishme analizohet. Gabimi nuk fshihet, nuk ndëshkohet emocionalisht, por shpjegohet, krahasohet dhe korrigjohet. Kjo metodë ka ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e performancës taktike të futbollistëve të rinj.

Seleksionimi i lojtarëve nuk bëhet më mbi bazë intuitash apo opinioni. Kryhet sipas kritereve shkencore, duke marrë parasysh moshën biologjike, zhvillimin fizik, koordinimin, aftësitë teknike dhe potencialin afatgjatë. Çdo fëmijë vlerësohet si projekt dhe jo si rezultat i momentit.

Akademia e futbollit “Teuta” funksionon në katër fusha sportive cilësore, duke krijuar kushte optimale për stërvitje dhe zhvillim. Këto hapësira nuk janë thjeshtë terrene, por laboratorë pune, ku ndërthuren teoria me praktikën.

Element tjetër themelor i këtij modeli, është hapja kombëtare e akademisë. “Teuta” nuk kufizohet vetëm në Durrës. Po thith fëmijë dhe të rinj edhe nga qytete të tjera, duke u ofruar kushte stërvitore, edukative dhe njerëzore. Kjo e ka kthyer akademinë, në qendër gravitacioni për talentet e futbollit shqiptar.

Rezultatet nuk kanë vonuar. Futbollistë si Grei Kuqi, Serxho Huna dhe Arbër Deda janë produkte konkrete të këtij sistemi dhe tashmë pjesë e ekipit të parë të “Teutës”. Të gjitha ekipet e moshave, nga U-13 deri në U-19, konkurojnë me autoritet në kampionatet kombëtare, duke u renditur në zonën play-off.

Rol përcaktues në këtë sukses, luan aktivisht mbështetja e Presidencës Troplini, e cila i ka qëndruar pranë këtij projekti jo vetëm financiarisht, por edhe moralisht. Vendimi që ekipet U-18 dhe U-19 të mos paguajnë tarifa mujore, është akt me peshë të madhe sociale dhe sportive, që flet qartë për filozofinë e këtij projekti.

Durrësi gumëzhin nga kjo risi. Prindër, trajnerë, sportdashës flasin për Akademinë e futbollit“Teuta” si për një model të ri, si për një shpresë reale. Dhe në qendër të këtij organizmi të gjallë qëndron Adrian Dedja, drejtuesi që nuk kërkon protagonizëm, por funksionim.

Portreti psikologjik

Adrian Dedja është nga ata njerëz, që nuk njohin orar. Studion, planifikon, eksperimenton, drejton, seleksionon. Ngarkesa e tij është e jashtëzakonshme. Por nuk ankohet. Krijon, ndërton, organizon, mëson, kërkon, drejton, jep mendim por më parë e merr atë.

Është i qetë në dukje, por i palodhur në mendim. I matur në fjalë, por radikal në standarde. Fantazia e tij nuk është romantike, por funksionale. Adrian Dedja nuk është më thjesht një individ, por shembull. Shembull se si futbolli i moshave mund të organizohet, të edukojë dhe të prodhojë të ardhme.

Nëse futbolli durrsak pritet të lulëzojë, kjo nuk do të vijë nga rastësia, por nga njerëz si Adrian Dedja, arkitektë të heshtur dhe vështirë ti zëvëndësosh. Ai tregon se suksesi nuk është shpërthim, por akumulim pune.

Studion metodologjitë bashkëkohore, aplikon parimet e periodizimit modern, ndjek kërkimet mbi ushqyerjen sportive, rikuperimin dhe ngarkesat progresive. Për të, teoria nuk është luks, por udhërrëfyes praktik.

Adrian Dedja, kërkon të ndryshojë rrjedhën e një realiteti të tërë sportiv. Nuk është thjesht drejtor akademie, trajner i liçencuar apo pedagog i edukimit fizik. Është një realitet në ecje. Është revolucion i heshtur, që po ndryshon mënyrën se si mendohet, organizohet dhe prodhohet futbolli i moshave në Durrës dhe më gjerë.

Vepra që mbetet në kujtesë

Dikush e kalon jetën nëpër profesion. Por ka që e shndërrojnë profesionin në bast të jetës, në sfidë, në krenari. Adrian Dedja është pikërisht këtu. E vendos stekën jo thjeshtë për të ndërtuar formalitetin e mundësisë. Synon të ndërtojë atë sistem që i mbijeton karrierës. Në këtë pikë, historia e tij nuk është më histori personale. Ajo kthehet në histori qyteti, në histori mendimi, në histori përgjegjësie.

Akademia e Futbollit “Teuta”, në këtë kuptim, nuk është thjesht strukturë sportive. Është edhe provë morale. Kthehet në dëshmi, se edhe në realitetet ku shpesh mbizotëron improvizimi, mund të ngrihet një rend, një disiplinë, një vizion që kërkon kohë, dije dhe sakrificë. Këtu futbolli nuk është më lojë instinkti, por proçes edukimi. Nuk është më rastësi, por shkencë. Nuk është më moment, por vazhdimësi.

Në çdo fëmijë që futet në këtë akademi, ka një ide të pashkruar. Talenti pa punë është i përkohshëm. Se pasioni pa dije është i verbër. Se suksesi pa etikë është i zbrazët. Këto nuk janë slogane. Janë parime të përditshme pune, të mishëruara në orare, stërvitje, seminare, analiza, vrapime nga një terren në tjetrin. Janë parime që nuk duken në tabela, por që ndërtojnë karaktere.

Durrësi, qytet i historive të mëdha dhe i harresave të shpejta, gumëzhin nga kjo përpjekje e heshtur. Jo si spektakël, por si realitet. Jo si zhurmë, por si frymë. Dhe kjo është shenja më e sigurtë, se diçka e vërtetë po ndodh. Sepse revolucioni i vërtetë nuk bën zhurmë në fillim. Ndërton themele.

Ky prezantim analitik, nuk është himn për një njeri, por pyetje për shoqërinë. A dimë t’i njohim në kohë njerëzit që ndërtojnë, që studiojnë, që sakrifikojnë pa u lodhur? A dimë t’i mbrojmë nga konsumimi, nga keqkuptimi, nga harresa? Adrian Dedja është një përgjigje e hapur. Jo e përfunduar. Sepse veprat e tilla nuk mbyllen me një epilog. Ato vazhdojnë në kohë.

Dhe ndoshta, kjo është filozofia më e thellë e kësaj historie. Jeta kur jetohet si përgjegjësi dhe jo si interes, kthehet në vepër. Dhe vepra, kur është e ndërtuar mbi dije, vullnet dhe etikë, mbetet. Jo vetëm në sport, por edhe në kujtesë.

Synimi i Adrian Dedjes është i qartë, lulëzimi i futbollit dhe krijimi i një modeli të qëndrueshëm kombëtar. Në moshën 42-vjeçare, nuk është thjesht drejtues akademie. Ai është kthyer në yllin organizues të futbollit durrsak, figurë e spikatur shumëdimensionale, emër që po fiton peshë kombëtare.

Bujar Qesja

Durrës: 6 janar 2026

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page