top of page

BUJAR KAPEXHIU: 80-VJET "NDERI I KOMBIT"



Në ditëlindjen e tij të 80-tij të vjen me vitalitet dhe energji të pashtershme krijuese dhe interpretuese

 

GËZUAR 80-VJETORIN E LINDJES  BUJAR KAPEXHIU “ NDERI I KOMBIT”

 

Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

·      Personalitete të botës së artit, kinematografisë e letrave, ndërsa e urojnë për jetëgjatësi, vlersojnë veprën krijuese të Kapexhiut si regjisor, skenarist, karikaturist dhe aktor i mirënjohur shqiptar

 

·      Kapexhiu është nga ata artistë që thumbon dhe portretizon me lapsin e tij të mprehtë, situatën politike, të cilën e ka paraqitur në dhjetra ekspozia vetjake në kryeqytet. Me simbolikën, analitikën dhe kulturën e lartë sot Bujar Kapexhiu e ka sjellë karikaturën si një vlerë unike

 

Prof. dr. Bujar Kapexhiu – “ Nderi i Kombit” sot më 22 Mars feston 80 – vjetorin e ditëlindjes.

Bashkëkohësit dhe jo vetëm, por edhe personalitete të botës së artit, kinematografisë e letrave, ndërsa e urojnë për jetëgjatësi gjer mbi një shekull e vlersojnë Kapexhiun si regjisor, skenarist, karikaturist dhe aktor të mirënjohur shqiptar. Flet për të vetë vepra e rij krijuese e interpretuese, me një galeri personazhesh të krijuara e interpretuara prej ti me mjeshtri të rrallë artistike.

Nëse para 57 vitesh do t’i mahniste artdashësit me rolin e Bepinit në filmin “ Dueli i heshtur”, plot vitalitet e me shpirt të rrallë krijues na shafqet edhe sot Kapexhiu si profesor i lëndëve të artit në Universitetin Europian të Tiranës.   

Nëse kur ishte 23 vjeç interpretoi rolin e tij të parë në kinema, atë të një të riu të pakënaqur, që kërkon të arratiset përtej detit, sot 80 vjeç ai shpalos para studentëve profilin e artistit me vizion bashkëkohor.

Nëse para 5 vitesh kur festoi 75 vjetorin e lindjes, si qershia mbi tortë erdhi për të edhe nderimi me dekoratën e lartë “ Nderi i Kombit” nga ish - Presidenti i Republikës Ilir Meta, sërish në këtë 80-vjetor ai ndjehet më kenar si kurrë teksa e urojnë përzemërisht familjarët, dhe miqte e tij të shumtë, jo vetëm nga Tirana e Dibra e Madhe nga ku ka origjinën, por edhe personalitete të njohura në hapësirën mbarëshqiptare në botë. Kjo për faktin se i pajisur me disa talente njëherësh, ai është skenarist, piktor e regisor i filmave të vet, duke krijuar edhe një stil të vetin origjinal.


NË JETËN E PASUR ARTISTIKE TË KAPEXHIUT, EDHE NDËSHIKIMI SI LIBRETIST

DHE KONFERENCIER I FESTIVALIT TË 11 TË KËNGËS NË RTSH (1972)

Bujar Kapexhiu lindi në Tiranë, më 22 mars 1944. Në 80 vjetorin e lndjes ai vjen me një bilanc të pasur krijues, si regjisor, skenarist, aktor dhe karikaturist.

Në vitin 1967 ai mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, dega e artit dramatik, dhe u emërua asistent pedagog në lëndën e Mjeshtërisë së aktorit, punë të cilën e ndoqi për shumë vite si pedagog i jashtëm, krahas lëndës së regjisurës.

Kreu më pas kursin pasuniversitar për regjisurë teatri, ndërsa më 1980 edhe degën e arteve figurative për grafikë. Në 1990-1992 ishte përgjegjës i sektorit të filmit vizatimor në Kinostudio, në 1993-1996 rektor i Akademisë së Arteve dhe pas këtij viti doli në profesion të lirë, drejtues i studios artistike “Art vizual”, ku vijon edhe sot.

Punët e para si regjisor lidhen me Estradën e Tiranës, gjatë viteve 1968-1972.

Pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH (1972), u ndëshkua nga organet partiake me punë korrektuese në prodhim, pasi ishte libretisti dhe konferencieri i tij.

Si regjisor i mbi 20 premierave në Teatrin e Estradës, Kapexhiu u dallua për fantazinë e tij të pasur, detajet e shumta e domethënëse, përdorimin rëndom të formave groteske e burleske, duke u dhënë një hapësirë të gjerë konvencioneve, posaçërisht atyre në skenografi.

Në festivalin e Estradave Profesioniste të vitit 1970, shfaqja “T’i shkulim nga rrënjët” fitoi çmimin e parë. I prirur ndaj spektaklit të madh, ai nisi i pari organizimin e performancave të tilla, me gërshetime zhanresh, llojesh, rubrikash, artistësh e personalitetesh nga fusha të ndryshme, siç ishte spektakli “4.000 duartrokitje” (1970), në Pallatin e Sportit. Këtë tip performance skenike e ndoqi edhe pas viteve ’90.

Si aktor ka luajtur në filmat “Duel i heshtur”, “I teti në bronz”, “Gjurma”, por ka spikatur me rolin e protagonistit në filmin e tij të parë artistik “Dy herë mat” (1986).

Si regjisor i filmave artistikë, ai xhiroi “Tela për violinë” (1987), “Stola në park” (1988), “Edhe ashtu edhe kështu” (1989).

Një nga talentet e Kapexhiut është filmi i animuar, ku ai punoi për kohë të gjatë, nga viti 1975 e deri në fillim të viteve ’90. Brenda një viti ai bëri katër filma, ndër ta filmi “Pika e ujit” fitoi çmimin e parë në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar (1977). “Shkarravinat” (1979) cilësohet një nga filmat e tij më të bukur, me të cilin ka fituar tre çmime të para: në Festivalin III të Filmit Shqiptar, në Festivalin III të Filmit Ballkanik në Stamboll dhe  në Napoli.

 

KARIKATURA E KAPEXHIUT, SI NJË VLERË UNIKE

 

Krahas teatrit dhe kinematografisë, Kapexhiu është edhe një nga karikaturistët e shquar shqiptarë, me një mori botimesh në median e shkruar. Kapexhiu ka marrë pjesë në ekspozita apo konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare (Greqi, Turqi, Bullgari, Kosovë, Itali, Francë, Gjermani, Kanada, Japoni etj.) dhe ka fituar disa çmime.

Pothuajse të gjithë e njohin karakterin dhe linjën e karikaturës së Bujar Kapexhiut. Me një humor të bukur ai zbulon karakteret e personazheve.

Që në fillim ai spikati me karikaturat e tij me prirje natyrale, të fortë dhe origjinale. Qëkur e filloi tek Hosteni ai nuk u ndal më.

Ai është një vëzhgues shumë i kujdesshëm i realitetit me momentet e bukura dhe të vështira të tij. Sepse më pas ai do t’i shndërrojë të gjitha me një elegancë dhe një ironi therëse në karikatura. Dhe kur vjen puna tek ky art, emri i Bujar Kapexhiut, është i lidhur si një sinonim.

Kapexhiu është nga ata artistë që thumbon dhe portretizon me lapsin e tij të mprehtë, situatën politike, të cilën e ka paraqitur në dhjetra ekspozia vetjake në kryeqytet.

Me simbolikën, analitikën dhe kulturën e lartë sot Bujar Kapexhiu e ka sjellë karikaturën si një vlerë unike.

 

SHKRIMTAR DHE VEPRIMTAR SHOQËROR SHEMBULLOR

 

Prof.dr. Bujat Kapexhiu ka bërë emër edhe në fushën e letrave. Mes dhjerta tituj librash që mbajnë autorësinë e tij “Burri i odës dibrane” është ndoshta ndër veprat më dinjitoze të tij, si një libër shumëvlerësh, i stilit dhe llojit të veçantë.  Kështu, “Historia e një spektakli”, pas qindra karikaturave të botuara në shtypin e përditshëm që janë përmbledhur në tre libra “Ngërç”, “Për një karrige” dhe “Kthesë”, është libri ku “Burri i Odës Dibrane”, përveçse si profil i skalitur mjeshtërisht, të bën për vete edhe me karikaturat tejet miqësore për Hazis Ndreun e miqtë e tij të shumtë. “Historia e një spektakli” është një spektakël origjinal, në formën e një udhëtimi në vite me krijimtarinë e të madhit Hazis Ndreu – Ndreu i Kombit, ku gjithçka është e dokumentuar në librat e tij me këngë e rapsodi, tregime alegorike e studime të mirëfillta historike. Gjithçka është e ilustruar me tregimet fantastike të këtij krijuesi e mendimtari të shquar. Gjithçka është e komentuar nga personazhe reale, biografia e të cilëve është historia e vërtetë e vendit tonë. Në tërësinë e tij, libri sjell “Odën Dibrane”, që në gjuhën popullore përfaqëson dhomën e pritjes së mikut.

 "5 skenarë”, një libër tjetër interesant, nëpërmjet të cilit autori Kapexhiu, ikonë e artit dhe kulturës kombëtare, u dhuron bujarisht krijuesve të rinj përvojën e tij të suksesshme në shkrimin e skenarëve të filmave artistik.

Botimi i skenarëve letrarë të filmave artistik është një përvojë botërore. Tek ne kjo praktikë ka munguar. Skenari letrar i filmit artistik është një krijimtari e mirëfilltë letrare, plotëson me dinjitet artistik punën krijuese të autorit dhe, së fundi, justifikon një angazhim dashamirës të çdo lexuesi.

Botimi i Mjeshtrit Kapexhiu përmban skenarët dhe platformat regjisoriale të filmave "Dy herë mat" (kinokomedi), "Edhe kështu, edhe ashtu" (kinokomedi muzikore), "Bixhoz me dekorata" (kinokomedi), "Mozaiku" (kinokomedi) dhe "Pipiruku këngëtar" (skenar për film artistik për fëmijë), të shkruara me mjeshtëri e mjaft të arrirë artistikisht.

Dhe jo vetëm kaq. Kapexhiu është dhe një veprimtar i njohur shoqëror, ku si kryetar i Shoqatës “Bashkësia Dibrane” , si ideator dhe realizuas i dhjetra veprimtarive në funksion të evidentimit dhe promovimit të vlerave atdhetare patrotike dhe kulturore të një treve si Dibra me histori të lavdishme.

Bujar Kapexhiu është sfidant i kohëve dhe tejkalues i tyre sepse ka universalizuar artistikisht historinë tonë kombëtare dhe veçanërisht të  Dibrës, si skenarist e moderator në dhjetra promivive librash të autorëve dibranë…, kryetar i Shoqatës “Bashkësia Dibrane.

Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin KRENARI. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet…E pikërisht në këtë shtrat ka ecur dhe ecën Prof. dr. Sali Kurti, i përshtatur mirë me kohën, bujar, fisnik, humanist i pashoq, intelektual i mirëformuar dhe i zoti, që ka çarë në jetë me mençuri e sakrifica.

27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page