BRUNILDA IBËRSHIMI: Reflektime rreth romanit “Pyll gështenjash të krimbura” të autorit Viktor Canosinaj
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 6 min read

“Pyll gështenjash të krimbura – E vërteta nën lëkurën e gështenjës”
1. Hyrje
Romani “Pyll gështenjash të krimbura” i Viktor Canosinajt është një vepër që ndërthur realitetin social me dimensionin simbolik e filozofik, duke e shndërruar përditshmërinë shqiptare në një hapësirë reflektimi mbi moralin, degradimin dhe shpresën. Autori, i njohur për stilin realist dhe qasjen kritike ndaj realitetit tranzitor, sjell një pasqyrë të hidhur, por të sinqertë, të jetës njerëzore në një vend ku idealet janë krimbur si gështenjat në pyllin metaforik të titullit.
Titulli “Pyll gështenjash të krimbura” përbën një zgjedhje gjuhësore të qëllimshme nga Viktor Canosinaj. Përdorimi i trajtës së pashquar “pyll”, në vend të formës së zakonshme “pylli”, e zhvendos titullin nga konkretja drejt universales. Kështu, autori nuk i referohet një pylli të caktuar, por një hapësire simbolike që shpreh kalbëzimin moral dhe shpirtëror të shoqërisë. Zgjedhja e formës së pashquar krijon një efekt hapjeje dhe abstraksioni, duke e bërë metaforën më të gjerë dhe më të fuqishme. Po ashtu, ritmi dhe muzikaliteti i fjalëve pa nyje e përforcojnë tonin e zymtë e reflektues të veprës. Në këtë mënyrë, forma gjuhësore bëhet mjet i drejtpërdrejtë i kuptimit letrar dhe filozofik që autori synon të përcjellë.
2. Struktura dhe rrëfimi
Rrëfimi ndërtohet në mënyrë lineare, por me kthime retrospektive që ndihmojnë në ndërtimin e psikologjisë së personazheve. Narratori është në vetën e tretë, me një zë që alternon mes distancës dhe përfshirjes emocionale. Kjo teknikë lejon një vështrim kritik, por edhe empatik ndaj realitetit të përshkruar. Autori përdor një stil të qetë, të ngjeshur dhe realist, ku përshkrimet e natyrës apo të mjedisit urban nuk janë vetëm elemente sfondi, por bartin një funksion simbolik e moralizues. Brenda romanit gjen edhe “rrëfenja”, të cilat autori i mbledh nga goja e banorëve të zonës dhe vargje të mrekullueshme poetike, që na tregojnë edhe për një dashuri tjetër të autorit, poezinë.
Më dhimbsesh, tokë e shkelur nga thundra gri e dimrit. Por pranvera nuk do të vonojë dhe ti do të jesh krejt ndryshe. Edhe unë, gri përbrenda, po pres pranverën bashkë me ty...
3. Temat kryesore
Në qendër të romanit qëndron degradimi moral dhe social, i mishëruar në metaforën e “pyllit të gështenjave të krimbura”. Ky pyll nuk është vetëm hapësirë fizike, por një simbol i shoqërisë shqiptare pas viteve ’90, ku korrupsioni, humbja e vlerave, varfëria dhe indiferenca kanë infektuar rrënjët e jetës shoqërore. Në këtë kuptim, romani mund të lexohet si një alegori e shkatërrimit të ndërgjegjes kolektive.
Një tjetër temë e rëndësishme është lufta e individit me vetveten, me të kaluarën dhe me moralin personal. Personazhet e Canosinajt gjenden shpesh përballë zgjedhjeve që i vendosin midis ndërgjegjes dhe përfitimit, ndershmërisë dhe kompromiseve. Kjo përplasje e brendshme krijon tensionin moral që mban gjallë gjithë romanin.
4. Ndërtimi i personazheve
Personazhet e veprës janë tipikë për realizmin modern: nuk janë heronj, por njerëz të zakonshëm të zhytur në pasiguri, ndjenja faji dhe dështime. Autori i ndërton me hollësi psikologjike, duke u dhënë një kompleksitet që i bën të gjallë dhe të besueshëm. Shumë prej tyre bartin plagët e shoqërisë, por edhe ato të vetes si pasojë e tranzicionit, varfërisë, mungesës së drejtësisë dhe humbjes së besimit tek e mira. Marrëdhëniet ndërmjet tyre pasqyrojnë një botë të krisur ku njeriu nuk gjen dot qetësi, as në raport me të tjerët, as me natyrën. Megjithatë “fatcaktuarit” e tij nuk bartin urrejtje, edhe pse fatin në të vërtetë ua “kanë caktuar” të tjerët. Ata vuajnë në heshtje, deri në neveri (kujtojmë këtu Trebin dhe të përzierat e tij të vazhdueshme; po ashtu edhe Enean dhe gjendjen e tij pas zbulimit të “deles së zezë” brenda familjes).
“Kur përfundon në një të mbijetuar, nuk mund të fillosh një jetë të re, por thjesht të vazhdosh të vjetrën. Nuk je më tragjik, por komik, sepse nuk ke fat.” – do të përmendë autori në libër fjalët e një shkrimtari hebre, të mbijetuar nga kampet naziste.
Këto fjalë mund të shihen si një reflektim mbi njeriun që mbijeton pa u rilindur shpirtërisht; që jeton në inercinë e zakonit, pa ideal, pa shpresë, vetëm me mekanizmin e ekzistencës.
Autori i zbulon personazhet dalëngadalë, duke përshkruar me detaje botën e brendshme të secilit. Është e pamundur të mos gjesh në këtë roman personazhet e jetës sonë të përditshme: një Nanetë të urtë e të dhembshur që përpiqet me ҁdo kusht të mbajë familjen të lidhur; Begatori, intelektuali i arsimuar në perëndim, të cilin jeta e vë në provë pambarimisht, ashtu si personazhet e letërsisë antike të cilët i njeh mirë; Priami, djali plangprishës dhe i paskrupullt, pema e shtrembër e familjes, “Kshtenja e rrnueme”, që rrezikon gjithë pyllin; Petrina, dashuria e madhe dhe e pamundur, që na rikujton se dashuria nuk mjafton, Lisi, leximtari mirënjohës dhe pasardhës i denjë i familjes tradicionale shqiptare, Enea, personazhi kryesor i romanit, përfaqëson njeriun e ndershëm që përballet me një botë të korruptuar, pa e humbur ndjeshmërinë dhe mirësinë e tij. Ai mbetet i kthjellët dhe pa urrejtje, edhe kur përballet me padrejtësinë dhe kalbëzimin moral që e rrethon. Nëpërmjet qetësisë dhe përulësisë së tij, Enea nuk bie në pesimizëm, por gjen forcën për të reflektuar dhe për të kërkuar një rrugë të re. Ndryshe nga personazhet që dorëzohen, ai e ndryshon fatin e vet duke zgjedhur të jetojë me dinjitet, duke treguar se shpresa dhe pastërtia shpirtërore janë forma të rezistencës më të lartë njerëzore, etj.
5. Simbolika dhe gjuha
Titulli i romanit është një simbol qendror. Pylli i gështenjave, dikur shenjë pjellorie dhe natyre të shëndetshme, tani është “i krimbur”, pra i kalbur nga brenda. Kjo metaforë e shpalos gjithë konceptin e veprës: prishjen e rrënjëve morale të njeriut dhe të shoqërisë. Nëpërmjet këtij imazhi, Canosinaj krijon një krahasim mes natyrës së sëmurë dhe shoqërisë së sëmurë, duke paralajmëruar për pasojat e indiferencës dhe mungesës së vetëdijes.
Gjuha e Viktor Canosinajt në romanin “Pyll gështenjash të krimbura” është e pasur me figurshmëri, ku çdo imazh, metaforë dhe simbol mbart një domethënie përtej fjalës së thjeshtë. Autori përdor krahasime, metafora dhe personifikime që e shndërrojnë realitetin e përditshëm në një hapësirë simbolike, ku natyra dhe njeriu ndërthuren në mënyrë të pandashme. Pylli, gështenjat dhe krimbi bëhen figura qendrore që përfaqësojnë gjendjen morale të shoqërisë dhe shpirtin e njeriut që gërryhet nga brenda. Gjuha e tij është e përmbajtur, por e ngarkuar me ndjenjë dhe nënkuptime, duke i dhënë rrëfimit një thellësi poetike. Kështu, figurshmëria nuk shërben vetëm për zbukurim, por për ndërtimin e një universi ku çdo fjalë bëhet simbol dhe çdo imazh reflektim mbi njeriun dhe botën.
6. Konteksti dhe mesazhi
Romani vendoset në kontekstin e tranzicionit shqiptar, por përmes përshkrimit të situatave të zakonshme ai fiton përmasë universale. “Pylli” mund të shihet si shoqëria moderne, ku çdo njeri duhet të ruajë veten nga kalbëzimi moral. Canosinaj nuk moralizon në mënyrë të drejtpërdrejtë, por e lë lexuesin të përballet me pyetjet e vetëdijes: Çfarë ndodh kur rrënjët morale krimbosen? A mund të rritet më gjelbërimi në një tokë të helmuar?
Nëpërmjet këtij rrëfimi, autori e ngre lexuesin drejt një vetëreflektimi etik, duke e bërë romanin një pasqyrë të ndërgjegjes kolektive.
Një tjetër veçori është balanca mes kritikës sociale dhe poetikës së rrëfimit. Edhe kur përshkruan varfërinë, korrupsionin apo deformimin e vlerave, Canosinaj ruan një ton njerëzor, të përmbajtur, pa retorikë apo gjykim të hapur. Ai preferon ironi të lehtë, realizëm poetik dhe simbolikë natyrore për të transmetuar idetë e tij.
7. “Kufijtë e gjuhës dhe zëri i ri i Canosinajt”
Në krijimtarinë e Viktor Canosinajt, veçanërisht në romanin “Pyll gështenjash të krimbura”, vërehet prirja e autorit për të pasuruar gjuhën përmes neologjizmave, të cilët nuk janë thjesht shpikje leksikore, por bartës të kuptimeve të reja estetike e simbolike. Këto fjalë të reja, të krijuara ose të rimodeluara nga gjuha e përditshme, i japin rrëfimit një ngjyrim origjinal dhe shërbejnë për të shprehur realitete që gjuha e zakonshme nuk do t’i përkufizonte dot me saktësi. Përmes neologjizmave, Canosinaj krijon një gjuhë që qëndron mes reales dhe imagjinares, duke i dhënë lexuesit ndjesinë se është pjesë e një bote në zhvillim të vazhdueshëm. Kështu, gjuha e tij bëhet një element krijues më vete, që pasqyron kompleksitetin e mendimit dhe të përvojës njerëzore në veprën e tij. Ja disa nga neologjizmat e përdorura në këtë roman: ajërpërshtatës, fatmallkuarit, dhomëndenjie, amësorë, femërorinë, hollakëri, fatcaktuar, anijembytur, burimuar, pjektore, perëndimorizimin, papeshësi, përqarë, përgjithmonshme, gjasme-liri, etj.
8. Përfundime
Estetikisht, “Pyll gështenjash të krimbura” qëndron në traditën e realizmit kritik shqiptar, por me ndikime të dukshme të modernizmit dhe simbolizmit. Forca e veprës qëndron në bashkimin e konkretes me metaforën, të reales me simboliken, në mënyrë që lexuesi të ndiejë realitetin dhe ta interpretojë njëkohësisht. Struktura e qëndrueshme, gjuha e matur dhe qasja refleksive i japin romanit përmasa të qëndrueshme letrare.
Në fund, Canosinaj na paraqet një botë ku shpresa nuk është e zhdukur, por e vështirë për t’u ruajtur. Vetëdija dhe ndershmëria, edhe pse të rrezikuara, mbeten të vetmet forma rezistence kundër “krimbave” që gërryejnë njeriun dhe shoqërinë.
Romani “Pyll gështenjash të krimbura” është një reflektim artistik mbi gjendjen morale të njeriut dhe të shoqërisë shqiptare në periudhën e pastranzicionit. Ai përçon një mesazh të thellë për domosdoshmërinë e ruajtjes së vlerave dhe ndërgjegjes njerëzore përballë prishjes, duke e vendosur Viktor Canosinajn ndër zërat më të rëndësishëm të prozës bashkëkohore shqiptare.
Ai arrin të krijojë një univers që flet në mënyrë të qetë e të ndershme për plagët morale të kohës sonë, pa u varur nga modelet e jashtme apo ndikimet estetike. Origjinaliteti i tij qëndron në balancën mes reflektimit etik dhe rrëfimit poetik, çka e bën të dallueshëm ndër zërat më të ndjeshëm e të matur të prozës moderne shqiptare.









Comments