Briken Zenuni: Uni
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 2 min read

Briken ZENUNI ka lindur në qytetin e Korçës më 13 mars 1988. Që fëmijë, arti dhe muzika janë bërë pjesë e pandashme e jetës së tij. Me një pasion që u ndez herët, ai nisi të luante në kitarë, duke ndërtuar një rrugëtim që sot numëron gati 25 vite përkushtim ndaj tingujve dhe emocioneve që përcjell muzika. Muzikant profesionist, Brikeni është i njohur për interpretimet e tij plot ndjenjë në zhanrin e serenatës korçare, ku bashkon me finesë traditën e qytetit me frymën bashkëkohore. Përmes kitarës, ai përcjell shpirtin e Korçës — atë mall të ëmbël që rri pezull ndërmjet dashurisë, kujtimit dhe poezisë.
Krahas muzikës, Brikeni është autor i vëllimit poetik “Qënia”, ku fjala dhe ndjesia marrin formë përmes një shpirti kërkues që gërsheton melodinë me poezinë. Ai ka përfunduar Master Profesional për Arsimin Fillor në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë. “Udhëtimin e artit tim po e nis nga Korça, për ta çuar në thellësitë e fjordeve të shpirtrave të heshtur” – është fjalia që përmbledh më së miri rrugën e tij: një udhëtim që buron nga qyteti i serenatave për të prekur çdo zemër që dëgjon, ndien dhe beson në artin e vërtetë.
Disa poezi nga Briken Zenuni
UNI.
Në trupin tim jeton një i mjerë
Përse më zgjodhi ky i truar!?
Nëpër deje shtrihet të flerë,
Përhumb ҫdo natë zgjuar!?
Prej së mirës bëri strehë,
Paçka se vend s'kam në shtëpi.
Prafullon, e terrin nis të zbehë,
Pacak, më pushton si lubi.
Në trupin tim një i harruar,
Shpesh, shfaqet në pasqyrë.
Nëmur, puh, më pik i trishtuar,
Shprishur një maskë i jap për fytyrë.
Përgjëruar jehoj falje,
Se jetën e mbusha plot pabukuri.
Përanditet larg meje,
Sevap botës i lyp dashuri.
PIKTURA E VETMISË.
Mjafton një laps, mjafton një letër,
Një gotë bosh, një pasqyrë.
Dhe trupi nxjerr sekretin e vjetër,
Thërrmohen lotët mbi fytyrë.
Shpirtin e rrudhur, të thinjur do shihni,
Si duket kur buzëqesh i trishtuar.
Dhembshuri në ndiefshi, ju lutem, mos qani,
Boll kam qarë unë, kur më kanë tradhtuar!
Nga dora pafat e trupit të ngjethur,
Mos u ligshtni kur ta shihni si dridhet.
Po, ç’mund të pres nga një qënie e vdekur,
Që më vjen çdo natë dhe mbi trup më shtrihet.
SI QIRI.
Sa u lodha, u mërzita,
Nga kjo botë griezi.
Jeta ime-vdekja ime,
Regëtin në humbëti.
Pranë vetes zë mendoj,
Hije strukur i vetmuar,
Pse më duhet të jetoj,
Kur të gjithë më kanë harruar?
Po me ngijë të shpresërimit,
Shkrij në tis të heshtjes.
Qënia, rrugëve të qytetit,
Fryjn kujën e vdekjes.
Puh! -Më dridhet zemër e shkretë,
Rrjedhin shekujt pabukuri.
Puh! -Më derdhin sytë lotë,
Pikla, pikla, si qiri.
VETMI.
Kur si thikë më shpon trishtimi,
Nëpër eshtra, nëpër trup,
Shpirti, lodhur prej mundimit,
Zë më mblidhet porsi shuk.
Lot mbi bar, po, bari thahet,
Thahen ëndrrat djalëziu.
Prej vetmisë kujt nuk i qahet,
S’e ka shpirtin pe njeriu.
Një shpresë, një shteg kërkoj t'i iki,
Këtij fati që s’ka derë.
Larg atje, botës së gjumit,
Mbuloj trupin që të flerë.
PO IKI!
Pocaqisur, gërdallë e vjetëruar,
Drobitur, puh, pashpresë!
Nëpër qytetin e ngopur me të harruar,
Nunurit shpirti të vdesë!
Po iki, heshtur, si një kalë i tërbuar,
Drejt horizonteve blu!
Në më pyesni përse, ju them i hutuar,
Nuk di të flas gjuhën zulu!
Comments