
Kostandin Vogli
Po çfarë është breshka! Një krijesë e natyrës. Kafshë perëndie shpreheshin të parët. A ka kafshë më të pafajshme, më të qetë, më të padëmshme, aspak agresive? Bile shumë e trembur, megjithatë ajo është akuzuar se ka vrarë edhe njerëz. Ç` faj kishte breshka, e cila i ra nga një lartësi e madhe Sokratit mbi kokë. Ajo ishte viktimë e shqiponjës që e kishte rrëmbyer me kthetrat e saj, por i rrëshqiti. Ose si mund ta fajësojmë, sepse duke korrur jonxhën njëri, preu kokën e tij me kosë, sepse donte ti shtypte kokën një breshkës që i doli para me bishtin e kosës. Që kosën e kishte përmbi qafë, nuk e kishte vënë re. Breshka përsëri ishte e pafajshme, e cila nga frika u mblodh brenda guaskës. Për këto faje që akuzohej breshka, fajësoheshin astrologët që i kishin vënë në dijeni, se nga do tu vinte vdekja. Të parit i kishte thenë se do te vdiste në filan moshë nga një peshë e rendë që do ti binte mbi kokë. Ndërsa të dytit i kishte thëne se do te vdiste ne filan moshë nga breshka. Këtë nuk e besonte njeri se breshka nuk të kafshon. Por kur i erdhi mosha ruhej po të shikonte breshkë. Sa i del para një diçka e lëvizshme, bën atë veprim. Mblidhet brenda kafkës. Ndofta padrejtësisht Perëndia e ka dënuar që ta marr me vete ngado ku shkon. Vetëm se është shumë e ngathët. Ecën si breshkë thonë, kur duan të krahasojnë një njeri të ngathët.
Në atë ecje të ngadaltë dhe me rrëshqitje të këmbëve në asfalt, e vërejta atë ditë kur udhëtonim shoqërisht me një veturë. Ishte një dite shumë e bukur dhe një vizitë në një fshat të bregut do të ishte shumë e lakmueshme për persona që vetëm sa e kanë dëgjuar, apo parë vetëm nëpër media. Dielli i kishte shtrirë rrezet maleve dhe ato po rrëshqisnin dalëngadalë dhe më në fund edhe asfalti po thithte ato dhe i shuante. Asnjë refleks, ama natyra ishte një mrekulli e krijimit. Breshka ishte në mes të rrugës. Për një çast ndali. Shikimin e hodhi majtas e djathtas, pastaj zgjodhi të vazhdonte rrugën . Që e ndjeu rrezikun, është e sigurt. Ajo e di se çfarë mendoi në ato momente. Shoku im që drejtonte veturën, zgjodhi rrugën dhe uli pak shpejtësinë. Hodha shikimin mbrapa. Në atë çast kaloi dhe një veturë tjetër. Nuk e preku as ajo. Pastaj e mbushi rrugën një “Dalikë”. A e shkeli me ato rrotat e shumta dhe të mëdha? Ne kaluam në kthesë dhe nuk e pashë më.
Breshka kishte dal deri përmbi rrugë për të pirë ujë. Në gojë mbante një tufë me bar. Kjo më bëri shumë përshtypje. Për disa sekonda i vërejta të gjitha këto. Edhe burimin e vogël me bar të njomë në kanalin mbi rrugë. Ndofta Breshka ka të vegjël. Për këtë u merakosa. Për gjithë kohën mendoja, a i shpëtoi ajo rrezikut? Por tek të dy shokët nuk shpreha asgjë. Nuk e di se përse më ngeli mëndja duke fantazuar, nëse breshka u shkel, apo shpëtoi nga “Dalika” si përbindësh. Por çfarë them dhe unë. Nuk e di përse më ngeli mëndja. Unë atë ndërgjegje kam. Shqetësohem për çdo gjë. Për deri sa breshka kishte një tufë me bar që e shtrëngonte me nofulla, i donte për të vegjlit. Të them të drejtën, nuk u kënaqa shumë në drekën që kishim organizuar, sepse një vorbull më rrotullohej rreth kokës. Pyetja më ngeli si një jehonë e gjatë që rrokullisej nga një luginë e thatë, pa ujë, pa pemë e shkurre, vetëm me shkëmbinj të kuqërremtë e të pluhurosur. Mos breshka ishte shtypur nga rrotat gjigante të “Dalikës” dhe kulishët e saj po prisnin më kot tek gryka e folesë?
Mbas disa orësh, në kthim po prisja me padurim sa të shikoja atë kthesë ku lamë breshkën. Mora frymë lirisht. Nuk ishte shtypur. Pikërisht aty i kërkova shokut të ndalonte. Me shpejtësi zbrita dhe vrapova poshtë rrugës në një rrëpirë me shqope, sqinde e prralle. Nga mbrapa dëgjova gajasjen e dy shokëve. Menduan se vrapova për të urinuar. Eca pak pas gjurmëve të breshkës. E pash. Ndjeva kënaqësi. Po pastronte baltën pranë hyrjes për në shtëpizën e saj. E trembur vrapoi dhe zuri vrimën me trup, por unë vërejta se brenda saj ishin dy breshkëza. Sa u lumturova. Nëna e tyre e donte barin për fëmijët. Me gjysmë kokë të nxjerrë nga kafka po më vërente. Po mbronte shtëpinë dhe fëmijët e saj. Mendova hidhur se Breshka po rrezikonte për të ushqyer fëmijët me atë bar të njomë. Brenda asaj vrime fshiheshin trupat e brishta të dy breshkëzave. Emocione besoj nga të dy palët. Një shikim tinzar tregoi me sytë e saj ku i errësoi pak duke i mbyllur përgjysmë. Vetëm një psikolog i kualifikuar mund të fantazonte se çfarë po thoshte ajo kafshë me atë pamje dhe hapje goje.
Në çast breshka më hodhi një shikim të sigurt dhe unë mendova se ajo fantazonte, se nga neve shqiptarët nuk paska frikë, sepse ne nuk i gjurmojmë breshkat pyjeve dhe shkurreve për ti ngrënë si Italianët apo francezët. Fantazova se më tha: nga ti nuk kam frikë, por ç’ farë kërkon këtu përball folezës sime. E ku ta dinte ajo fatlumja, se unë isha merakosur për të. Për orë të tëra mendoja për breshkën. Dhe me të vërtetë. Atë e prisnin në folezën e tyre dy këlysh të vegjël.
Duke parë pozicionin e saj, fantazova se më ankohej për akuzat që i bëheshin racës breshkore. Hapi pak gojën, ndofta për frymëmarrje më të bollshme nga shqetësimi që ndiente nga prania e një njeriu që nuk e kishte hasur ndonjëherë në rrugë. E ku di breshka si quhemi ne. Ajo na shikon si përbindësha. Por mua ai shikim mistik më futi në mendime, që breshka më ankohej se neve njerëzit, u kemi rënë në qafë, megjithëse ato nuk janë aspak agresive, shumë të ngathëta, të cilat shikojnë punën dhe familjen e tyre. Fantazia më çoi tek një tregim i thënë nga pleqtë, se njëherë u grindën dy djem. Më i pafuqishmi u largua për të marrë një gur të qëllonte shokun. Gurë nuk kishte, përveç një breshke pranë tij. Me atë breshkë qëlloi shokun. Goditja ishte fatale në kokë dhe shoku nuk u përmend më. Shkaku i vdekjes u bë breshka. Por a e kishte ajo fajin? Kur hapi përsëri gojën, mua më erdhën në vesh fjalë fantastike sikur mi tha breshka. Ç` faj kishte ajo e mjera breshkë që kur e panë djalin të vdekur njerëzit e tij e masakruan të zezën pa mëshirë. Në mëndjen time ishte breshka? E pa mundur. Fantazia dhe vorbulla emocioneve më çoi në ato mendime. Pastaj mendova përrallën “Lepuri dhe breshka”. Të mjerën breshkë e morën inat se përse ajo fitoi garën, megjithëse e ngathët. Kishte ajo faj që lepuri ishte mendjemadh dhe dembel? Breshka përsëri mori frymë thellë dhe unë fantazoja se ajo aprovonte ato që mendoja unë. Ajo nuk nxori asnjë gërhimë, por me siguri mendonte sa unë ti hiqesha nga sytë. Brenda folezës lëviznin dy trupa të vegjël. Me një pamje ku shprehej shqetësim dhe mërzitje për vizitën time të pa pritur dhe sigurisht të pa dëshiruar për të, ku unë mendova se breshka më tha: paske oreks ti, ndërsa unë kam punë. U kthye mbrapsht, ku unë tani i shikoja bishtin, të cilën e tundte majtas- djathtas. Mua mu fantazua si gishti i trashë me kuptimin. Na këtë do të marrësh nga unë. Me këmbët e pasme donte të hidhte baltën në një bregore. Asaj i dukej si bregore. Por balta i rrëshqiste përsëri poshtë. Përsëri mundohej. Deri në një far lartësie e çonte, duke e mbajtur edhe me trupin e saj. Balta po i rrëshqiste përsëri anash dhe në maj të bregores nuk e hidhte dot, pastaj balta të rrëshqiste mbrapa kodrinëzës. Hyrjen donte të sheshonte. Solla nga mitologjia atë moment gurin e Sizifit, kur mundohej ta çonte në majë të bregores, por ajo përsëri i rrokullisej në fund nga e kishte filluar. Më erdhi keq. Mendova për një çast ta kryeja unë atë punë për disa sekonda. Deri pranë folezës nuk mund ti ulja duart. Ajo do të trembej dhe do mbronte këlyshët. Hoqi mendjen nga ajo punë dhe me pozicionin që mbante tek gryka e folezës duke mbrojtur të vegjlit, me shikimin tinzar, unë akoma më thellë u futa në fantazi. Më dukej se më thoshte: Ne nuk jemi si nënat njerëz që shumë prej tyre sa e lindin fëmijën, e flakin në koshin e plehrave, ose e shesin. Ne dridhërohemi kur i mendojmë ato ngjarje. Asnjë nënë breshkë nuk e braktis këlyshin e saj. Bile asnjë lloj kafshe. Kurrë, kurrë, kurrë. Turp për juve njerëzit, megjithëse mendoni se keni më shumë mëndje nga ne breshkat. Më erdhi turp kur më tha se gratë njerëz janë bredharake. Dhe ashtu mbrapsht u fut në shtëpizën e saj, duke shtyrë klyshët të strehoheshin më brenda. Mua më buçiste në vesh fjala kurrë, në fakt e pa shqiptuar nga breshka, por nga ndërgjegja ime. Por më shume ku dhe qesha, ishte krahasimi që u bëra nënave gra me nënat breshka.
I kënaqur shumë, i lash ato kafshëza në folezën e tyre dhe hipa në rrugë. Ngrita një grusht lart dhe duke shprehur gëzim, i njoftova shokët të gëzonin edhe ata. Breshka paska familje. Ka një shtëpi. Po rrit fëmijë. Shokët që mendonin për tjetër mision, ngelën të befasuar.