top of page

Harallamb Kota "Shqipëtarët me pushkë e penë për gjuhën shqipe e mëmëdhenë"


(vijon nga postimi kaluar)


Në 25 dhjetor të vitit 800, ditën e Krishtlindjeve, Papa mblodhi Kardinalët dhe kurorëzoi perandor Karlin e Madh. Perandoria Franke, e ngritur mbi gërmadhat e Perandorisë Romake të Perëndimit, mbështeti politikisht dhe ushtarakisht Selinë e Shejtë, ndërsa Perandoria Bizantine mbështeti vartësinë kishtare të peshkopatave lindore nga Patriarkana. Pikërisht në këtë periudhë historike shfaqen fiset magjare-hungareze midis Donit dhe Vollgës. Nën presionin e nomadëve të tjerë, peçenegëve, turko-tartarëve e kabarëve, magjarët të ndarë në shtatë fise morrën rrugët drejt perëndimit. Në vitin 895 mk, Arpad prijësi i fiseve magjare-hungareze pasi mbretëroi një vit në “gjarpërimet e karpateve”, depërtoi në Panoni nëpërmjet qafave të Karpateve Veriore dhe e vendosi popullin e tij në luginat e Transilvanisë, duke i dhënë fund mbizotërimit turaniko-bullgar në veri të Danubit dhe zhvendosjen e tyre drejt Thrakës. Kjo situatë, i inkurajoi hungarezët të cilët u ndeshën me fiset skllave dhe i larguan nga ngulmimet e tyre në Danubin e Epërm duke i dhënë fund “Perandorisë Avare”. Hungarezët pushtuan Moravinë e Madhe dhe Sllovakinë duke e zmadhuar “Provincën Hungareze”.

 Politika dritshkurtër e Romës katolike dhe e Kostandinopojës ortodokse u shfrytëzua nga bullgarët të cilët ngritën një Mbretëri të fuqishme. Në shek X, rrugët kryesore tregëtare kishin rënë nën kontrollin e bullgarëve, të cilët kishin hyrë deri në Thrakë e Maqedoni, e më pas pushtuan krejt teritoret ballkanike, duke e ndrydhur pushtetin perandorak bizantin brenda mureve të Kostandinopojës, Selanikut e Beratit. Borisi, Cari bullgar mundi të pushtoi kalanë e Beratit. I sugjestonuar nga Kishat e panumërta, ikonat e apostujt e krishtit, vendosi të kthehet i krishter dhe për këtë qëllim u pagëzua në Mitropolin e Ballshit, e cila simbolizonte Kishën e Vjetër të Bylisit Ilir. Gjatë sundimit bullgar të trojeve arbërore që përfundoi në vitin 1017, popullsia sllave kishte përqafuar besimin e krishter. Në vitin 1054, kur u bë ndarja përfundimtare e kishave, ndërkohë që kisha e Arbërit lundronte “në ujëra të turbullta” midis katoliçizmit dhe ortodoksisë, kisha e Rashës zgjodhi ortodoksinë.

Shtrirja e ritit katolik në Dardani e Diokle të banuara nga popullsi arbër-shqiptare ndodhi njëkohësisht me pushtimin e tyre në vitin 1173 nga mbretëria dukagjinase e Rashës. Rashianët e udhëhequr nga Zhupani i Madh u shtrinë në tokat e dardanëve e dokleatëve, duke dhunuar e persekutuar popullsinë katolike arbër-shqiptare. Synimet e dukagjinasve të Rashës për t’u shtrirë drejt Kostandinopojës, e detyroi ushtrinë bizantine të tërhiqet nga Arbëria qëndrore e jugore, duke mundësuar Parinë arbërore të organizohet dhe të krijojë formacione politike shtetërore.

Në vitin 1190 Progoni I Skura themeloi “Principatën e Arbërit” me kryeqendër Krujën*, me shtrirje nga lumi Drin në lumin Shkumbin deri në Debar. Në vitin 1204 brenda këtij organizimi shtetëror u përfshi edhe Partha pellazgo ilire apo Berati arbër shqiptar duke e zgjeruar shtrirjen e shtetit të arbërit nga Vlora dhe prapatoka e sajë deri në liqenet Lynkeste e Kostur. Berati u bë qendra e dytë më e rëndësishme e shtetit të Arbërit. Po në këtë vit u krijua formacioni shtetëror “Despotati i Epirit” nga Mihal Komneni me shtrirje nga kufiri me despotatin e Arbërit deri në gjirin e Korintit me kryeqendër Artën. Ndërkohë që arbërit të trupëzuar rreth etnisë dhe gjuhës arbërore arritën pjekurinë politike dhe krijuan shtetin e tyre të mëvehtësuar nga perandoria Bizantine, dukagjinasiit e Rashës synonin zgjerimin në hapësirat ilire-arbërore dhe organizimin e Kishës Serbe. Në vitin 1216, pas vdekjes të princit Dhimitër Skura, e veja e tij u martua me bujarin arbëresh Gulam Kamona, i cili përballë kërcënimit të despotatit të Rashës u detyrua të njihte vartësinë e shtetit të Arbërit nga Despotati i Epirit, por duke e ruajtur egzistencën si formacion politik. Despotët e rashës për të depërtuar në teritoret arbërore, në vitin 1219 e shkëputën kishën e tyre prej vartësisë kanonike nga Patrikana e Kostandinopojës dhe e vendosën qëndrën e sajë në mitropolinë e Pejës. Pas vrasjes së Mihalit I në Berat, pasardhësi i tij Teodor Engjëlli e fuqizoi despotatin e Epirit duke synuar të zëvëndësojë perandorinë e sëmurë Bizantine. Forcat e Teodorit asgjësuan ushtrinë e perandorit bizantin Pjerrë De Kurtene dhe e vranë kur po marshonte nga Durrësi për në Kostandinopojë. Por, në fillim të pranverës të vitit 1230, ushtria epirote u ndesh me ushtrinë bullgare të Ivan Asanit II dhe u thye keqas. Mbas kësaj humbje në fronin Epirot u kurorëzua Mihali II Engjëlli. Despotati i Epirit u ngushtua në teritoret fillestare të tij, ndërsa teritoret bregdetare të Arbërisë u pushtuan nga ushtria bullgare. Në kushtet e krijuara, familja feudale Skura i forcoi pozitat e sajë në Krujë, ndërsa familja feudale Muzaka në qytetin kala të Beratit. (vazhdon)

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page