top of page

Fatmir Terziu: „Çili“ - besniku i zemrës Një roman autobiografik i shkrimtarit Hasan M. Shahinaj

Updated: 1 hour ago



 

Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Shkrimtari Hasan M. Shahinaj, i njohur si poet, publicist dhe natyrisht dhe një gazetar i hershëm me penë të mprehtë, kohët e fundit ka dalë para lexuesit të tij me romanin „Çili“ - besniku i zemrës (roman autobiografik). Me këtë roman shkrimtari hyn thellë në një kohë tjetër për të ndërtuar një mesazh të plotë diskursiv. „Çili“ - besniku i zemrës është një shembull në këtë ndërmarje narrative. Autori kujton jetën e tij në fshat, ndan me lexuesin një histori të paharrueshme.

Një kalë me një lidhje të pandashme me jetën e fshatit të tij Trebishtit, është ëndrra e një djaloshi në rritje, pra një 13-vjeçari që në përshkrim është: „Truphollë, shtatmesatar dhe me muskuj të njomë të moshës së pubertetit, d. m. th. në zhvillim e sipër.“ Dhe ky djalosh  „ashtu si bashkëmoshatarët dhe bashkënxënësit [e tij], pushimeve verore kishte atë ëndërr që i bashkonte pra sikurse shprehet „më hante fort meraku që të shkoja edhe unë druvar në mal për të siguruar lëndën e nevojshme për zjarrin shtëpiak gjatë tërë vitit, sidomos stinës së egër dimërake“.

Me përkujdesjet 'patriarkale të kohës', me udhëzimet e gjyshit të tij të dashur Zeqirit, Hasani, djaloshi i ëndrrave, lutej të shkonte në pyll dhe të mblidhte drutë që duheshin për dimër, se në ato anë dëbora e izolonte zonën për disa muaj dhe bënte ftohtë, deri në ngrica. Pas shumë lutjesh bie dakrdësia dhe në heshtje e sipër nënshkruhet marrëveshja. Marrëveshja ishte kështu një risi e re e një ëndrre që do të fillohej të bëhej udhë jetike. Por në thelb e gjitha ishte rrënja, mbajtja e fjalës dhe nderit që gëzonte rrënja e shtëpisë, ndaj narrativi na përshkruan bukur: „“Sa praktik dhe i mençur është gjyshi im i mirë! Ai në çdo situatë të jep këshillën e duhur... po unë si do t'ia dal sot, a do të bëhem ndonjëherë si gjyshi im, të cilin e nderon një fshat i tërë”?.

Dhe kështu me këtë mendim në kokë fillon pjekuria e një udhe që sapo nis të miqësojë lexuesin me „Çili“-n e gjithë ato toponime, emra, emërtesa, përjetësime tipike dhe tipologjike në jetën e një zone dygjuhëfolëse, por që në sitën e autorit ka një përkujdesje, mirëgjetje dhe respekt për atë që të sjell e të përcjell memorja. E në këtë mes fillojnë ditët, javët, muajt e miqësisë dhe punës me atë që në filesë ishte thjesht një ëndërr kah pikëtakimit moshatar. Tashmë autori shkruan se „Java intensive e punës sime si drubërës, pra druvar i së ardhmes, m'u duk aq e aq e gjatë sa një vit, ngaqë përpos lodhjes së madhe; unë mësova aq shumë gjëra praktike se si zotërohet sëpata, kjo vegël e lashtë prerëse.“

Në këto kondita nis e rritet autori me një lidhje të tërthortë „si druvar me Çilin, shokun [e tij] më të ngushtë e besnik“. E kjo nis të sqaroj më pas udhën e shkollimit, udhën tek e cila ndarja fillon me bekimin e brezave të cilën shkrimtari e përshkruan mjaft bukur:

„Më 31 gusht të vitit 196..., ditën e diel, e kujtoj si sot për tërë jetën, gjyshi im Zeqir më përcolli me valixhen, ushqimet, përmes Çilit tim të dashur nga Trebishti ynë direkt në qendër të lokalitetit Klenjë duke rrugëtuar 2,5 orë së përpjetës. Gjyshi Zeqir i hipi Çilit qysh në oborr te plloça e sheshtë e gurit, anash samarit të mbuluar me sixhaden e kuqe; në krahun tjetër ishin varur hejbetë, valixhja dhe trastat e frutave të freskëta. Tërë familja ime e dashur dhe komshinjtë më përcollën me lot gëzimi e mallëngjimi deri në pazar të fshatit në qendër, nga ku ne morëm maloren e lagjes Kanxhaj, Çezmën e Gjurgjiçes, te shtëpia Shote dhe drejt lagjes Kasaj e Kodrat e bardha në Shutec. Më pastaj Gragori, Gjinoveci e Fushë-Klenja, ku kësaj hapësire të rrafshët, kësaj fushate nervoze, zverdhnin stërnishtrat e bereqetit të të lashtave grurë, thekër, elb e tërshërë; kurse nëpër kodrinat rudinore shtrihen kullotat e begata dhe stanet e mrizimit të gjësë së gjallë. Tani gjyshi i zbriti Çilit dhe më hipi mua: "O nipçe i dashur, o shpirti im, e ke vendin mbi samar të shokut tënd si druvar; madje të çlodhesh ca duke kalëruar, sepse do të të marrë malli me siguri për këtë shok e vëlla besnik, ashtu siç e quan ti"!“

Në këtë mënyrë më pas „Çili“ - besniku i zemrës udhëton dhe pikëtakon, rrëfen dhe zhbirron fate dhe fakte, emra dhe persona, lidhje dhe përkushtime, angazhime dhe detyrime, qasje dhe sqarime, duke na lënë gjithnjë e më shumë kureshtarë të dimë, të mësojmë e të transmetojmë atë që ndoshta më shumë se kurë u duhet brezave të sotëm. Natyrisht kjo është një temë më vete, por këtu në këtë analizë dua të theksoj punë e mrekullueshme, gjuhën e përshtatur e të bukur që autori i këtij romani, si asnjë tjetër e ka bërë vital për një familje, për një fshat, për një zonë, për një kulturë e për një traditë që gjithkush ka se çfarë të përtypë në brendësi të asaj që shkruhet e që metohet të thuhet.

Me këtë roman, autori Hasan Shahinaj, më shpie në disa vite larg. Jo thjesht si njohës dhe përjetues i ngjashëm i situatave të tilla, por si një lidhje me një lexim timin në vite të hershme. Më saktë, romani „Çili“ i këtij shkrimtari më ndërlidh me shkrimtarin amerikan Samuel Langhorne Clemens. Dua të sqaroj lexuesin këtu se Samuel Langhorne Clemens është emri i vërtetë i autorit të shquar amerikan të tregimeve të shkurtra, dramave, romaneve, eseve dhe udhëtimeve, Mark Twain (1835–1910). Dhe e dini pse? Tek të dy romanet ka një paralele, dhe ajo vjen nga dashuria për kafshët. Tek romani „Çili“ i Shaninaj ai është thuajse një fillim dhe një fund i një dashurie të thellë që gati-gati të rrëmben dhe të përhumb. Tek i dyti është më e ndërlikuar.

Dashuria e Mark Twain për kafshët është e njohur thuajse mjaft gjerë në botën e letrave. Ato janë një pjesë integrale e veprës së tij, duke zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në të me kalimin e kohës. Për më tepër, në vitet e fundit të jetës së tij, shkrimtari i madh, një nga mbrojtësit më të shquar të të drejtave të kafshëve të epokës së tij, krijoi disa vepra në të cilat ata jo vetëm janë personazhet kryesorë, por edhe rrëfejnë ngjarjet përmes syve të tij. Të tilla janë dy veprat që i kam lexuar me vëmendje të madhe, novela „Historia e një kali“ dhe tregimi i shkurtër „Historia e një qeni“. Në të parën, personazhi kryesor është kali i legjendarit Buffalo Bill, dhe në të dytën, një qen i guximshëm që rrezikon jetën e tij për të shpëtuar fëmijën e pronarëve të tij. Në të dyja, tema qendrore është marrëdhënia midis njerëzve dhe kafshëve, e paraqitur me sensin e humorit satirik të paimitueshëm të „babait të letërsisë amerikane“.

Por mes shkrimtarëve ka dhe disa paralele të tjera, ndoshta jo rastësisht të tilla. Hasan M. Shahinaj, i rritur dhe i edukuar në një famije patriotike, që në themel kishte atdhedashurinë dhe familjen, me një gjysh të mirënjohur si Zeqir Shahinaj, që sakrifikonte çdo gjë për familjen, gjallesat dhe pronën, natyrisht paralelja e parë pikëtakon Samuel Clemens që vinte nga një familje të vjetër nga Lindja e që u vendosën në qytetin e Floridës në shtetin e Misurit (SHBA).

Babai i Hasan Shahinaj, Mustafa Z. Shahinaj, ishte mësues, ish-Normalist i Elbasanit dhe kështu intelektualizmi ndoshta jo në një paralele të ngushtë shkon tek babai i shkrimtarit emërmadh amerikan, që ishte prokuror, më vonë gjyqtar paqeje. Hasani ishte fëmija i pari i familjes, që u rrit në një sistem monopartiak, ku mosha e tij e vogël do të duhej të njihej me punën e pandarë të fëmijës, lidhjen me kalin e tij të dashur në këtë rast, që siguronte drutë e dimërimit nga Mali Raduç, gjithashtu dhe zairenë për kafshët e tjera, dhe Samueli që ishte i gjashti nga shtatë fëmijë që u rritën në një shtet ku skllavëria ishte ende normë. Në një farë mënyre ndërsa për Hasan Shahinajn kooperativa kishte atë thelbin e saj të njohur të përfshirjes dhe vuajtjes, tek shkrimtari amerikan, në pjesën më të madhe të punës së tij, tema kryesore nuk është askush tjetër përveç skllavërisë.

Ndërsa Hasan Shahinaj u frymëzua nga kujtimet e vendlindjes dhe bashkëmoshatarëve të tij, po aq dhe nga shënimet e tij të hershme që sollën disa libra të tij në dritë për lexuesit, Mark Twain u frymëzua nga kujtimet e fëmijërisë në Misuri, edhe për qytetin imagjinar të Shën Petersburgut nga veprat e tij të rëndësishme „Aventurat e Tom Sojerit“ dhe „Aventurat e Hukëlberri Finit“. Dhe jo rastësisht Shahinaj, sikurse Twain filloi të shkruante në moshën 16 vjeç. I pari në gazetat e revistat e kohës, dhe i dyti kur shkroi artikuj dhe histori humoristike për gazetën lokale, Hannibal Journal, në pronësi të njërit prej vëllezërve të tij më të mëdhenj.

Në një lidhje të tillë, ashtu sikurse dhe në mjaft të tjera, mund të gjejmë dhe shpirtin aventuresk si të përbashkët, por dhe penën që thuajse rrjedh dhe e bën lexuesit të ndjej atë që i ka munguar në vite e vite.

Natyrisht në roman ka nostalgji, ka mall, ka lotë e mund, ka aventurë e sakrifica, ka errësirë dhe hije, por ka dhe kënde ku hyn e ravijëzohet mrekullisht drita. E këtë e ka realizuar mjaft bukur Hasan M. Shahinaj, duke na lënë me një shënim të mrekullueshëm dashurie të dyfishtë në fund të romanit:

„Kështu e këtu përfundon historia ime e përjetuar si druvar e si dëshmitar okular rreth bëmave dhe trimërive të Çilit tim të papërsëritshëm në inteligjencë, pajimet e të cilit së bashku me veglat e mbathjes me patkonj ruhen si relikte në dhomën aneks të gjyshit tonë Zeqir, si dëshmi e amanet i patretur mbi dhe, edhe pse Çili tashmë e përgjithnjë prehet nën dhe. Lamtumirë, o Çil, o trim, o yll...!“

E duke përfunduar nga një baladë, nga fakt, nga një jetë të stërlidhur me të vërtetë, autori na jep një përmbledhje me një fjali a ndoshta mun dta themi dhe me një fjalë: „Na ishin njëherë një kalë azgan e një druvar... !“ I pari e mbarti dhe e nderoi në të rini e në të gjallë, e i dyti eci, punoi e sakrifikoi dhe ja u ngrit lart, shkrimtar.

Dhe ne e mbyllim me vetë mbylljen e autorit: „Ndaj, o Çil, prehu i qetë se ke lënë Emër e Nder, se ke dhe varr...!, madje, po aq krenarisht, qysh sot me shuarjen tënde fizike por aspak shpirtërore e mentale dhe deri në përjetësi, kjo bahçe e begatshme e pemës gjenealogjike trashëgimore Shahinaj ku prehesh mori emrin tënd kumbues, rrezëllitës e shqiptues Çil... "Bahçja e Çilit"... kopshti i Eden-Çilit: bilbilit dhe trëndafilit...!“

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page