Timo Mërkuri: NË PAKOHË ME ADOLESHENTIN E BRENDSHËM
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 7
- 11 min read

Nga Timo Mërkuri
Poezia “Adoleshenti im” e Fatmir Terziut vjen si një rrëfim i zhdërvjellët; herë i ngrohtë e herë i thukët, ku fjala nuk është thjesht mjet shprehjeje, por është udhëtimi i brendshëm i poetit. Ajo portretizohet si formë e lirë përsiatjeje, që shpesh i shmanget vijës së drejtë të kohës dhe logjikës së ngurtë, duke gjetur strehë në "pakohë", aty ku rrahjet e zemrës së adoleshencës përplasen me mendimin e pjekur. Terziu nuk shkruan për të rrëfyer, por për të gdhendur ndjesinë, për të ndalur çastin në një formë të pastër artistike. Ai ndërton një poezi të mbështetur mbi kujtesën, ëndrrën, filozofinë dhe frymën e përjetshme adoleshente të poetëve.
Kjo poezi, është një ndër ato që kërkon një lexim të ndarë, të qetë dhe të kujdesshëm. Për ta kuptuar në thellësi ndërtimin e saj emocional dhe artistik, është e domosdoshme të shihet në dy pjesë të dallueshme:
– Pjesa e parë, që përfshin pesë strofat e para deri te vargu “mendoj se për mua gjithkush ka nevojë”, përqendrohet në përjetimin e brendshëm, në kërkimin e kuptimit të vetvetes në raport me pakohën.
– Pjesa e dytë, që nis me vargun “E kështu diku në një cep të ëndrrës” dhe shkon deri në fund, përshkohet nga takimi metafizik me poetin e ikur (Ruka) dhe zbërthen thellësisht kuptimin e artit si vazhdimësi ëndrre dhe përjetësimi në pakohë.
I-Në këtë udhëtim poetik që nis me fjalët “Po planifikoj të udhëtoj në pakohë / për një pakohë që nuk ha e nuk pi”, poeti nuk kërkon kohën që matet me orë, por atë që pulson në mendje e shpirt, atë që realisht nuk e planifikon dot. Ai nuk kërkon thjesht të udhëtojë si njeri, por si “një adoleshent që ëndërron një orë” i pafajshëm, i paformuar, i etur për befasi e mistikë. Pakohësia nuk është zbrazëti, por është një hapësirë e poetit ku koha nuk ka porta, nuk ka çelës, një vend ku mund të mbetesh “duarbosh”, por me shpirt të mbushur.
Në këtë udhëtim ai nuk ndalet te realiteti, përkundrazi ai “zbret diellin në një oborr / dhe me sy i bashkon dy brigje”, shndërron vizionin në akt krijimi, duke bërë një “orë me një shkop” thjeshtësi fëminore e mbushur me kuptimshmëri të madhe, pse kjo orë nuk mat, por ndjen.
Në një çast qetësie, me një birrë në dorë, ai dëgjon mendimin e tij ,një mendim që s’e ka braktisur, adoleshenca: “Ndërsa pi pak birë / e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent, / ashtu i pirë duke pirë, / do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes, / nuk ka gjë më të mirë!”. Kjo është një vetëthirrje, një dëshirë për të vdekur siç ka jetuar: me pasionin e një të riu që nuk pranon zbutje. Çuditërisht në moshën e adoleshencës mendohet më shumë për vdekjen dhe për dhimbjen që len prapa, pse “mendoj se për mua gjithkush ka nevojë”.
Ai sheh botën përreth dhe trishtohet: “njerëzit kanë vetëm mish të ngrirë”, dhe adoleshentët, ata të rrallët , “shohin ëndrra deri në të gdhirë”. Dhe pastaj, pa e kuptuar, edhe ai bie pre e “ndjenjës së tufës”, një kapitull i dhembshëm i bashkëjetesës me turmën që britmat i ka më të mëdha se heshtjen.
Zgjimi nuk sjell qartësi, por vetëm një boshllëk: “zgjohem…, por pa orë në dorë”. Në mungesë të matësit të kohës, njeriu s’është më në kohë, është sërish në pakohë, i dehur nga mendimi se bota ka nevojë për të.
Kjo pjesë e poezisë nuk është vetëm një përsiatje lirike, por një manifest për shpirtin e përhershëm adoleshent, për ata që nuk pranojnë të përkulen para turmës, orës apo trupit të ngrirë. Është një hymn për ëndrrën që nuk plaket, për mendimin që nuk piqet kurrë deri në fund, për pakohën që nuk vdes.
II- Në këtë pjesë të dytë të poezisë, poeti zhytet më thellë në një ëndërr që nuk është më ëndërr, por një rrugëtim metafizik drejt pakohës, aty ku koha nuk rrjedh, por pulson me kujtime, me figura që kthehen si hijet e një drite të largët. “E kështu diku në një cep të ëndrrës / takoj Petrit Rukën me bukovile” ëndrra nuk është strehë e përkohshme e pavetëdijes, por vendtakimi me të përjetshmit, me ata që kanë kaluar përtej tokësores, por mbeten të gjallë në frymën e artit.
Petrit Ruka, me bukovilen simbolike të shpirtit të natyrës dhe të vargut të kthjellët, “më pëshpërit sikur ia merr këngës / për shiun që bie brenda poezive.” Kënga nuk është zë, por shushurimë shiu që bie jo jashtë, por brenda poezive, pra brenda shpirtit poetik. Shiu është frymëzim, dhe njëkohësisht dhimbje. Ruka këndon edhe pas vdekjes, sepse poezia e tij nuk u nda kurrë nga përjetësia.
“Po binte atje, si një shtrëngatë, / habitesha si ndodhte në pakohë” ky është çasti kur realiteti thyhet dhe befasia merr formë: në pakohë ndodh gjithçka që është thelbësore, jo thjesht kohore. Shiu është shpërthim ndjenjash, mall, takim me të papriturën, dhe poeti nuk përpiqet ta shpjegojë, por thjesht mbetet pezull mes habisë dhe pranimit.
Dhe ndërsa ai ngrihet për të parë “sytë më mbetën atje lart,”, të gjithë të tjerët “nxitonin të bënin art.” Ky varg mbart një reflektim të thellë për artin si nevojë njerëzore për të kapur të pakapshmen, për të fikur një etje që nuk shuhet. Por është edhe një lloj ironie e lehtë, një ndjesi që ndoshta arti është bërë garë, është nxitim, është humbje e thellësisë. Vetëm ai që mbetet në pakohë, që shikon lart, është ende i denjë të dëgjojë peshën e shiut brenda vargut.
“Në një hapësirë tjetër s’kishte më tokësor / adoleshenti im ende në pakohë kërkonte orë” dhe këtu përmbyllet kjo pjesë në një melodi të ndjerë: poeti, edhe kur ndodhet përtej tokës, në një dimension tjetër, mbart brenda vetes atë adoleshent që nuk ka orë, që nuk njeh kufi, që nuk pranon t’i nënshtrohet logjikës së matjes. Ai ende kërkon, ende ëndërron, ende ka etje për të kuptuar. Kjo pjesë e poezisë është si një dhimbje e ëmbël, një thirrje e heshtur për atë që nuk vdes: për poetët që këndojnë edhe në pakohë, për artin që nuk bëhet me ngut, për shikimin që mbetet lart, jo poshtë. Dhe mbi të gjitha, për adoleshentin shpirtëror që vazhdon të kërkojë një orë në një botë ku koha ka ndalur.
III- E parë në këtë aspekt, poezia e Terziut shpaloset si një ngrehinë postmoderniste, e ndërtuar jo mbi themele të ngurta, por mbi lëvizje, dyshim dhe vetëdije lozonjare për kohën dhe kufijtë e saj. Poeti nuk rrëfen një të vërtetë absolute, por shëtit nëpër të mundshmet, ndërton e prish rrëfime, njësoj siç bëjnë ëndrrat, apo mendimet që nuk kanë frikë të mbeten pa orë në dorë.
Filozofia në këtë poezi nuk është ekspozuar me zë të lartë, ajo fshihet në buzëqeshjen e një adoleshenti që nuk e di se po kërkon orë në pakohë. Poeti nuk kërkon përgjigje, por vetë pyetjen e jetës. “Po planifikoj të udhëtoj në pakohë / për një pakohë që nuk ha e nuk pi,” ky është një mision i kotë në dukje, por thellësisht njerëzor në thelb: të kërkosh kuptimin përtej masave tokësore, përtej logjikës së zakonshme.
Poezia e Terziut ka vedije të vetvetes si poezi. Ka ironi të butë, si tek vargjet: “ashtu i pirë duke pirë, / do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes, / nuk ka gjë më të mirë!” këtu jemi në zemër të një poetike postmoderniste, ku mendimi është në dialog me vetveten, e ku vdekja nuk është fundi, por një batutë e thënë me gotën në dorë, me shpirtin ende adoleshent. Ai shkon më tej, shpik mjete matjeje të reja për kohën, “bëj një orë me një shkop”, dhe me këtë gjetje lozonjare na tregon se realiteti matet me ndjenjë, jo me mekanizëm. Kjo është filozofia që i përket shpirtit të lirë, që endet nëpër pakohë e ndërton kuptim pa e shpallur.
Në fund, “të bindësh vetveten krejt serbes” është mbase akti më filozofik që mund të bëjë njeriu, një akt që kërkon guxim, lojë me veten dhe pranimin e absurdit me një buzëqeshje. Kjo poezi është një rrugëtim i qetë përmes pasigurisë, një udhëtim poetik drejt vetëdijes se “adoleshenti im ende në pakohë kërkonte orë.”
Në këtë përzierje të filozofisë me postmodernizmin, poeti i sheh kufijtë jo si ndarje, por si vende për t'u tejkaluar. Dhe këtë e bën jo me solemnitet, por me një ndjenjë të lirë, të çliruar, që vetëm poezia di ta shpërfaqë.
IV-Duhet tju them se kjo poezi e Terziut nuk buron vetëm nga frymëzimi abstrakt, por ka rrënjë në një realitet poetik të përjetuar; në Sarandën që i ka dhënë ngjyra, tinguj dhe aroma. Ajo është shkruar me një sfond të qartë: në tetorin e vitit 2016, në ambientet e Resortit “Bungovile” në Sarandë, u zhvillua Manifestimi Poetik “Trirema Joniane”, nën mikpritjen e ngrohtë të Klubit të Krijuesve Jonianë dhe poetit Agim Mato, ku ishin të pranishëm vetë Fatmir Terziu, Petrit Ruka e Ilirian Zhupa, miq në poezi e në jetë dhe shumë krijues nga vendet e Ballkanit. Kështu, shumë detaje që mund të duken si pjellë e imagjinatës poetike; një gotë birrë e pirë me buzëqeshje adoleshenti, bungovilet, madje edhe këngët e Rukës për shiun që bie brenda poezive janë të gjitha të vërteta. Poezia nuk është e shkëputur nga jeta, por është thurur me fijet e saj më intime. Vargu: “Ndërsa pi pak birë / e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent…” nuk është thjesht metaforë e ndjenjës së përjetshme, por kujtim i gjallë, i përjetuar aty, mes aromës së detit dhe zërave që përshëndesin natën me vargje. Përmendja e bungovileve nuk është vetëm dekor i një peizazhi mesdhetar, por kthim te një vend ku poezia është thënë dhe dëgjuar realisht, ku fjala është pirë si verë dhe ku kujtimet janë gdhendur në “pakohë”. Përmendja e Petrit Rukës e bën poezinë një himn miqësie, kujtese dhe adoleshence të shpirtit poetik. Petrit Ruka, që “më pëshpërit sikur ia merr këngës / për shiun që bie brenda poezive”, nuk është imazh letrar, por një zë i vërtetë që dikur ka kumbuar në atë mbrëmje poetike. E kështu, poezia shndërrohet në një gjurmë të dyfishtë: njëherësh reale dhe metafizike, e shtrirë mes kujtimit të një nate me poetë dhe filozofisë së pakohës. Dhe ndoshta kjo është magjia më e thellë që ajo mbart: ta përjetosh Sarandën si vend, dhe njëkohësisht si gjendje shpirtërore. Fatmir Terziu ka shkruar shumë për Sarandën, natyrën dhe miqtë e tij aty,sa që të krijohet përshtypja se frymëzimi i tij ka “pasaportizimin” te ky qyet.
V-Një pyetje lind në leximin e kësaj poezie: Pse poeti e titullon ate “Adoloshenti im”? është dhe çfarë është ky adoloshent poetik? Poeti e titullon poezinë "Adoleshenti im" sepse ky adoleshent nuk është një moshë, as një kujtim që ka rënë nga rafti i viteve, por një zë i brendshëm që s’e ka humbur as habinë, as rebelimin, as nevojën për të ëndërruar në mes të ditës. Ai është ai vetë, më saktë, ai që nuk ka pranuar të plaket. Një udhëtar i pakohës, një shpirt që s’ka pranuar orë në dorë, që refuzon të kalojë nëpër doganat e rregullave. Është ky adoleshent rebel i përjetshëm që i flet, e tundon dhe e zgjon poetin sa herë ai dëshiron të besojë në një shpikje poetike, një iluzion të pastër, një jetë që endet jashtë orës dhe kalendarit.
Adoleshenti është një gjendje krijuese, një frymë që nuk pranon të privohet nga çudia, pasioni, paarsyeshmëria e bukur dhe vdekja pa pendesë. Ai është një alter ego e poetit, që s’i ndahet as kur bie shi në poezi, as kur zbret diellin në një oborr.
“Ndërsa pi pak birë
e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent,
ashtu i pirë duke pirë,
do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes,
nuk ka gjë më të mirë!”
Ky adoleshent është edhe sfidë, edhe shpresë. Ai nuk është nostalgjik, por një përmasë e përhershme e qenies që refuzon të bëhet “mish i ngrirë”. Prandaj dhe titulli është “Adoleshenti im”, sepse është i poetit dhe vetëm i tij, një përjetësi e brendshme që s’mund të tjetërsohet, të nënshtrohet apo të zbutet. Në fund, ai është vetë poezia.
VI- Fatmir Terziu sjell në këtë poezi disa risi poetike që e veçojnë jo vetëm në tematikë, por edhe në frymë dhe strukturë. Ai nuk ndërton një poezi për t’u rrëfyer me zë të lartë, por për ta përjetuar në heshtje, si një udhëtim në “pakohë”, ku koha zhvishet nga orët dhe mendimi mbetet i “pirë”, i lirë.
E para risi është vetë koncepti i pakohës, si një hapësirë ku poeti shkel përtej realitetit, por pa e mohuar atë, gjë që e ciësuam më lart. Kjo “pakohë” nuk është një vend bosh, por një strehë e përjetshme për ëndrrën, për zërat e miqve të humbur, për adoleshentin që nuk pranon të plaket:
“Po planifikoj të udhëtoj në pakohë
për një pakohë që nuk ha e nuk pi,
jo si një iluzion,
jo thjesht si një njeri,
si një adoleshent që ëndërron një orë...”
Një tjetër risi është mënyra se si ndërthuren realja dhe metafizikja. Poezia ka një sfond të qartë: Saranda, bungoviljet, birra, Petrit Ruka dhe zëri i tij që “ia merr këngës”. Por këto elemente reale hyjnë në një rrjedhë që i shndërron në simbole, në mjete për të kapur një ndjesi më të thellë përjetimi. Ruka këndon brenda shiut të poezive, dhe ky shi s’bie jashtë, por “bie brenda poezive”, si një dritë që shkon drejt kujtesës.
E treta, është vetë gjuha që sjell Terziu, një gjuhë që është njëkohësisht intime dhe filozofike, e përditshme dhe e tejmbushur me kuptime. Ai nuk flet si një njeri i rënduar nga vitet, por si dikush që kërkon të bëjë “një orë me një shkop”, si një Promete që zbret diellin në oborr për t’u ngrohur vetë dhe për të ngrohur të tjerët me mendimin e tij të “mbetur adoleshent”.
“Por unë shkoj më tutje në një shpikje,
zbres diellin në një oborr,
dhe me sy i bashkoj dy brigje,
bëj një orë me një shkop.”
Kjo poezi nuk është vetëm poezi. Është shpikje, është eksperiment shpirtëror, është një kujtesë për poetët që nuk vdesin kurrë, sepse e kanë bërë jetën e tyre adoleshencë të përhershme. Kjo është ndoshta risia më e thellë që sjell Terziu: një poezi që nuk matet me vitet, por me ëndrrën që zgjohet në të gdhirë.
VII- Kjo poezi e Fatmir Terziut u flet lexuesve të sotëm me një zë që vjen njëkohësisht nga kujtesa dhe nga ardhmëria, nga një kohë që nuk matet me orë, por me ndjenjën. Në një epokë ku gjithçka rend me ngut drejt produktivitetit, poetika e Terziut vjen si një ftesë për t’u ndalur, për të dëgjuar zërin e brendshëm, për të kujtuar se brenda secilit prej nesh jeton ende një adoleshent që ëndërron:
“Ndërsa pi pak birë
e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent,
ashtu i pirë duke pirë,
do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes,
nuk ka gjë më të mirë!”
Kjo poezi nuk u flet lexuesve me moral të gatshëm, por me pyetje: a kemi harruar të ëndërrojmë? A kemi pushuar së kërkuari kohën tonë të brendshme? A kemi zëvendësuar ndjeshmërinë me indiferencë? A kemi harruar të jetojmë si njerëz?
Në një botë gjithnjë e më të zhurmshme, Terziu kujton se arti nis te përjetimi i thjeshtë, te një shikim, një kujtim, një këngë që vjen nga larg dhe bie si shi “brenda poezive”. Dhe mbi të gjitha, ai i kujton lexuesit të mos braktisë dritën që ka pasur brenda vetes që i ri, dritën e atij “adoleshenti” që kërkon orë në pakohë dhe beson se:
“me pompozitet të madh udhëtoj i dehur
mendoj se për mua gjithkush ka nevojë.”
Poezia vërtet nuk jep përgjigje, por ndez një zjarr të butë brenda lexuesit: një mall i brishtë për vetveten e dikurshme, dhe një ftesë për të mos e humbur adoleshentin kurrë.
Sarandë, më Maj 2025

ADOLESHENTI IM
Nga Fatmir Terziu
Po planifikoj të udhëtoj në pakohë
për një pakohë që nuk ha e nuk pi,
jo si një iluzion,
jo thjesht si një njeri,
si një adoleshent që ëndërron një orë,
ndoshta pa e ditur se si
në pakohë mbetesh duarbosh.
Por unë shkoj më tutje në një shpikje,
zbres diellin në një oborr,
dhe me sy i bashkoj dy brigje,
bëj një orë me një shkop.
Ndërsa pi pak birë
e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent,
ashtu i pirë duke pirë,
do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes,
nuk ka gjë më të mirë!
Të bindësh vetveten krejt serbes,
njerëzit kanë vetëm mish të ngrirë,
e adoleshentëve u është bërë ves,
të shohin ëndrra deri në të gdhirë.
Padashje pastaj me ndjenjën e tufës,
harroj që kam udhëtuar në pakohë,
dëgjoj britmat e mëdha të turmës,
dhe zgjohem…, por pa orë në dorë.
Mendoj se si adoleshent kam fshehur,
atë që kam parë në pakohë,
me pompozitet të madh udhëtoj i dehur
mendoj se për mua gjithkush ka nevojë.
E kështu diku në një cep të ëndrrës
takoj Petrit Rukën me bukovile
më pëshpërit sikur ia merr këngës
për shiun që bie brenda poezive.
Po binte atje, si një shtrëngatë,
habitesha si ndodhte në pakohë,
ndërsa sytë më mbetën atje lart,
të gjithë nxitonin të bënin art.
Në një hapësirë tjetër s'kishte më tokësor
adoleshenti im ende në pakohë kërkonte orë.
takoj Petrit Rukën me bukovile
më pëshpërit sikur ia merr këngës
për shiun që bie brenda poezive. _ impresionuese ,emocionuese keto vargje dhe ky takim kaq spontant, brenda perjetimeve te adoleshences kaq pezulluese per cdo njeri.FLM Merkurit qe prezanton kete poezi.