top of page

Biseda e fundit...


Profil: Biseda e fundit me Sokrat Papadhopullin, ikona e gazetarisë sportive në jug

Nga libri “NJEREZ SI ATA”

NGA PANAJOT BOLI

Kaluan ditë nga lajmi për Sokratin... Iku ashtu papritur. Nuk më besohet akoma. Doja të shkruaja diçka. Një si lamtumirë... Por duart nuk më bindeshin. Sa herë e provova të shkelja mbi tastjerë, gishtat ngrinin, mpiheshin... Rrija pastaj ashtu i menduar dhe i hutuar. Në mendjen time sillja copëza nga dokumentari i shkurtër që kisha njohjen dhe kontaktet me Sokrat Papadhopullin, me kolegun, mikun, intelektualin dhe njeriun fisnik. Shokimi më hutoi, se unë të dielen e parë bisedova. Më erdhi si e papritur ajo telefonatë. Më të shumtën e herëve komunikonim me mesazhe dhe komente. Ishte pikant dhe me humor në komente që më bënte. Në postimet e tij ishte enciklopedist dhe erudit, me një stil të këndshëm. Ia lexoja me ëndje.

...Isha në kopësht kur dëgjova zilen e celularit. U emocionva kur pashë emrin e Sokratit. Më kishte marrë malli edhe për zërin e tij.

-Ta dish ku jam tani, Sokrat, do të më kishe zili. Në kopsht, po qëroj një mandarinë.

Ai qeshi. Po zëri që më erdhi, dukej i lodhur me nota nostalgjie

-Unë jam në Athinë, -më tha, -të mora të të dëgjoj zërin.Vërtet zili të kam , të isha edhe unë aty, mes gjelbërimit dhe aromës së mandarinave e portokalleve. Njeriu kur ndjen çaste trishtimi, ka nevojë të flasë me dikë. Kujtova atë kohë të bukur, paçka vështirësive, në redaksinë e gazetës ‘Llaiko Vima’ Kur shikoj se po i afrohem stacionit të fundit... njeriu fillon e bën bilancin

-Ç’i ke këto Sokrat, s’i le shakarat?

-Më ler të flas.Të kam simpatizuar se ke qënë një koleg i palodhur që spikatje në të gjitha llojet e stilet gazetareske.. I paparë në reportazhe... Ç’them në reportazhe? Në fejtone?... Jo vetëm si koleg. Ishe mjaft i këndshëm në shoqëri. I çiltër, i sinqertë, romantik. Ndaj m’u mbush mendja të krahasoja me lumin e Bistricës, i pastër, i kulluar, i kaltër dhe romantik si Syri i Kaltër...

Nuk e lashë të vazhdonte

-Ç’pate sot Sokrat? Ç’i ke këto elozhe?

-Ah, more Panajot! -dhe dëgjova një psherëtimë, -nuk jam mirë. Jam gati i paralizuar dhe nuk shikoj mirë. Ndofta ... Ndaj doja t’i thosha dy fjalë... si fjalë...

E ndërpreva prapë

-Nuk të njoh. Unë Sokratin ...

Qeshi dhe që t’i shmagej më kujtoi një episod

-Mban mend ‘vulën’ në tavanin e zyrës së redaksisë?

..Atë ditë kishim marrë rrogën. Dikush na dha një shishe verë të dyllosur. Nuk e mbaj mend kush. Sokrati erdhi dhe në vesh më tha: -’Kemi verë sot’ Dita e fundit ishte e lodhshme se mbyllnim gazetën dhe një copë bukë e hanin aty në zyrë. Sokrati na thoshte ‘Do të dal unë t’u marrë ndonjë gjë. Se unë jam më i ri këtu (ai ishte më i vjetri dhe nuk i mungonte humori) Pastaj unë i njoh këta taverxhinjtë’ Kush nuk e njihte Sokratin? Kë nuk njihte? Duke më shkelur syrin thoshte ‘Do të ngeleni të kënaqur se ustait do t’i rrëshqas pak dora kur do të më shikojë mua’ Kështu bëri edhe atë ditë Problemi ishte se s’kishim hapëse për shishen e qelqtë të verës. ‘Ore për ta hapur, do ta hapim...’ Provuam me pirun, asgjë Atëherë filluam ta godasim me dorë nga fundi. Herë unë, herë Sokrati... Në një moment tapa nga presioni shpertheu me një zhurmë dhe u përplas në tavan të zyrës duke lënë gjurmët e një vule. Dy kolegët tanë në fillim u trembën, pastaj qeshën me zemër...

‘Le të mbëtet si vulë e punës sonë, e mundimeve tona –tha Sokrati duke provuar me shishe verën...

Heshti për pak. Iu hakërova se ishte bërë frikac. I urova shëndet e të shkuara... Fjalët e tij të fundit që dëgjova ishin

-Një krijimtari të mbarë paç, dhe mbetsh si Syri i Kaltër!

E falemderova shumë dhe i thashë se do të flisnin prapë.

Nuk e dija që ato fjalë do të ishin fjalë lamtumire.

U prefsh në parajsë kolegu, miku dhe njeriu fisnik Sokrat!

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page