top of page

BISEDË ME BIJËN E FOQION POSTOLIT


Fiqri Shahinllari

Tek sjell ndërmënd Nicën, këtë Zhan D’ Ark shqiptare të llojit të vet, më lind pyetja: “Pse Foqion Postoli e “krijoi” Nicën në Floq e jo në ndonjë fshat tjetër? Në mungesë të fakteve e të dëshmive, dalëngadalë vepron bota e arsyetimit. Floqi atëhere ishte fshat i madh, afër rrugës së kalimit për në Frashër nga shkrimtari kish origjinën. Në Floq jetonin në harmoni brez pas brezi myslimanë e të krishterë. Si duket atje kish patur që atëhere etje të madhe për të mësuar shkrim e këndim shqip.

Mirëpo arsyeja, kjo zonjë e nderuar brënda mureve të shtëpisë, ka borxh të bëjë çudira kur del jashtë mureve të saj. Kureshtja e gazetarit më shtyu të kërkoj për ndonjë të afërm të shkrimtarit të dashur për  floqarët. Nuk u gabova. Arrita të kontaktoj nipin e Foqion Postolit, djalin e vëllait të tij, që më surprizoi kur m’u prezantua: “Jam avokat Foqion Postoli!” Kish marë emrin e xhaxhait të tij. Ky, Foqioni i ri, më adresoi te Violeta Dobi (Postoli) që është e bija e Foqion Postolit shkrimtar, dhe avokati i thoshte hallo.


Violeta, një grua fisnike 83 vjeçare në vitin 2007, e mbajtur  mirë, dikur spikere e Radio Moskës në gjuhën shqipe, martuar me një nga katër arkitektët e parë pas çlirimit të vëndit, Eqerem Ahmet Dobin, më priti me bujari në shtëpinë e vet në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë. I tregova qëllimin e vizitës sime dhe, pas përshëndoshjes së rastit, i bëra pyetjen:

-E dini ju, zonja Violeta se përse babai juaj e ka marë heroinën e romanit të vet në Floq e jo gjetkë?

Ajo m’u përgjigj aty për aty:


-Unë nuk e di, kam qënë vetëm tre vjeç kur babai ka vdekur.

Pastaj, duke më treguar se si i ati i saj, Foqioni, në vitet 20-të kish pritur në shtëpinë e vet ne Korçë Fan Nolin, më afron një foto të vitit 1923 ku duket i ati i saj në funksionin e sekretarit të Këshillës së Lartë Kishtare. Në një moment më shikoi drejt e në sy. Diçka iu kujtua e më tha:

-Pa dale, dale një minutë! Hë, po, më kujtohet. Vjehrra e babait  tim, pra gjyshja ime nga nëna, Thomaidha ka qënë me origjinë nga Floqi. Dhe këtë ajo e thosh me krenari. Këtë e tregonte edhe Pilo Peristeri që ka qënë vëllai i gruas së Foqion Postolit…

Teksa më nxit të përfundoj likonë e saj prej fiku, Violeta  tregon edhe për jetën e saj, për burrin e vet që nuk jeton më, për fëmijët e saj, për punën. Asaj i vjen keq që babai i saj u nda nga jeta në moshën 38 vjeçare në vitin 1927, por është e lumtur pasi i ati la vepra letrare. Librat shkruhen për të qënë pranë e për t’u përdorur nga njerëzit edhe pas vdekjes së autorit, për t’u  mbrojtur nga armiku i pamëshirshëm i harresës. Çdo të ndjente  vallë Foqion Postoli, sikur t’i thuhej që në gjalljen e vet se do të vinte një ditë, shume vite pas vdekjes së tij kur një nga nipat e tij do të quhej Foqion Postoli e se ky do të bëhej avokat që të kujton komedinë e shkruar nga ai vetë me titull “Martesa e një avokati?” Dhe ky avokati do të martohej me një myslimane, ashtu si e bija e tij Violeta që mori burre një njeri të mirë të fesë tjetër? A do t’i shkonte ndërmënd atij se një nga mbesat e tij, motra e avokat Foqionit, do të quhej Nicë?

207 views3 comments

3 Comments


Fuat MemelliE lexova me kenaqesi kete

“ copez” historie qe tregon Fiqriu dhe u kenaqa.

Like

Ildije XhemaliMë erdhi keq që ky material ishte i shkurtër.

Like

Faruk Myrtaj
Faruk Myrtaj
May 04, 2020

Gjerat interesante, pothuaj gjithnje, zgjasin shume shkurt. Si lexues, mbetesh me ndjesine e pritjes: sigurisht ka per te ndodhur dicka tjeter...!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page