Bilall MALIQI: POEZI TË MVESHURA ME PETKUN E IDENTITETIT DHE TË LIRISË
- 4 hours ago
- 5 min read

Ligjerimit poetik për të rritur, si atij për fëmijë me një seriozitet të shtuar ju ka rrekur shkrimtari Hysen Këqiku, i cili këto ditë para lexuesve doli me librin e tij të radhës me poezi për të rritur, me titull “Lirishtë e përflakur”.
Libri në fjalë ka një larushi tematike, të cilën autori e ka shpërndarë gjithandej librit të ndara në cikle poetike /Gurgullimë malli/,/Nuk jetohet pa këngë/, / Në shkëlqim loti/ dhe/ Flluskim i dritëzuar/.
Secili cikël nis jo veç me titullin, por me poezi paraprirëse, gjë që është një gjetje shumë interesante te ky autor dhe te ky libër, të cilin e ka ngjesh me poezi domethënëse, të shkruara me stilin e veçantë që e ka krijuar që moti autori i librit, por ai në vazhdim të shkrimeve të tij gjenë diçka interesante për ta forcuar artistikisht dhe estetikisht librin, dhe jo vetëm kaq, në poezitë e tij ka edhe neologjizma apo fjalëformime, të cilat i japin një ngritje poezive, jo vetëm në aspektin tematik, e artistik, por edhe grafik.
Konceptet
Në poezitë e ciklit të parë përmenden koceptet e lirisë, vendlindjes plisëbardhësisë, të cilat tok përbëjnë shtyllat e dramës dhe të krenarisë sonë kombëtare. Ato krijojnë një cikël ku sakrifica (burgu) dhe identiteti (plisi)shkrihen për të arritur idealin e lartë, lirinë:
“Me fytyrë nga liria
Tok me plisëbardhët
Me bozhuret njomur
Etjen për ta bartur”
(Poezia “Liishtë e përflakur” fq. 11).
Këto vargje mbartin një fuqi të madhe simbolike. Ato pikturojnë portretin e një populli që pavarësisht vuajtjeve mbetet me sy nga drita. Me fytyrë nga liria, njëjtë si drejt diellit që lind me bozhuret e njomur.
Analiza e simboleve

Bozhuret e njomura, një metaforë e fuqishme për gjakun e derdhur mbi tokë që ushqen rrënjët e lirisë / Etjen për ta bartur/. Kjo tregon se liria nuk është një destinacion që arrihet dhe mbaron, por një barrë e shenjtë që duhet mbajtur mbi supe nga brez pas brezi.
Edhe poezitë tjera të ciklit të parë në përgjithësi kanë mbarështrimin e njëjtë tematik , në të cilin kemi vargje edhe për autoktoninë tonë, për itakëne autorit, Velia Gllauan, ku derdh vargje malli , pastaj poezi për për kurbetin e kurbetqarin , për të burgosurit nëpër burgjet për liri, e të gjitha këto japin konstatimin se këto poezi kanë porosinë e fuqishme që autori i ka futur brenda vargjeve poetike.
“Edhe nëpër therra
Edhe nëpër shqotë
Edhe lule shkelim
Edhe dhëmbët na mpihen
Edhe kur hamë ëmbël
Edhe kur hamë idhët”
(Poezia “Rrugëtim hendeqesh”, fq.17).
Këto vargje kanë një ritëm goditës dhe një vërtetësi therëse. Këtu nënkuptohet “stoicizmi shqiptar”, aftësinë për të qëndruar në këmbë si në kulmin e dhimbjes, ashtu edhe në kulmin e gëzimit, pa e humbur rrugën e drejtë të lirisë.
Në vargjt e lartcekura vërejmë figurat Anafora (përsëritja), Antiteza, Metafora, Simboli dhe Paralelzmi figurativ. Pra në shumicën e poezive të këtij cikli, por edhe të poezive në përgjithësi kemi këto figura stilistike, të cilat ngrisin në masë të madhe vlerën artistike të poezive.
Nëpër cikle poetike
Në ciklin e dytë, poeti ndryshon motivin, pra shkruan poezi përkushtimore, Gjyshit, Shqipërisë, Naim Frashërit, Plisit, poetes, Sabile Keqmezi-Basha, Dr. Salih Qerimit, , prof. Begzad Baliut, Esad Mekulit, mësuesit Elez Muja dhe dy poezi po ashtu përkushtimore me iniciale. Në këto poezi shohim një pasqyrim korrekt, me poezi e vargje përkushtuese, të pasura me fuqi shprehëse, me figura stilistike si: personifikimi, krahasimi e epiteti, të cilat, tok me vargje interesante dhe mbresëlënëse japin rezultatin final. Me poezitë të tilla i përkujton bukur, ua jetëson pavdekësinë e tyre të cilën e kanë fituar me punën e tyre, qoftë krijuese apo edukuese, e për të gjallët jep një vlerë edhe më të shtuar karshi lexuesve.
Një poezi përkushtuese që ngall dhembje e mërzi në këtë cikël është /Vëlla pa vëllezër/
“Unë kurrë më nuk mund të kam vëlla të gjallë
Ata kurrë nuk do të largoheshin nga unë se i doja
M’i mori mortja për t’i pasur gjithmonë mall
Nuk bëri mirë se bëri atë që unë s’e mendoja”
(Poezia “Vëlla pa vëllezër” fq. 63).
Këto vargje përcjellin një dhimbje të thellë njerëzore dhe shumë të sinqertë. Humbja e vëllezërve është një plagë e vështirë, nuk gjenë fjalë për t’u shëruar dhe këto vargje kapin mjaft mirë atë ndjesinë e pafuqisë përballë fatit dhe vdekjes . Në këto vargje vërehet një rrebelim i fuqishëm i poetit, duke e fajësuar mortjen, sepse ka vepruar kundër dëshirës, duke kthyer praninë fizike në një mall të përjetshëm. Figurat stilistike në këto vargje dhe në këtë poezi janë: Hiperbola (ekzagjërimi i dhembjes), personifikimi, (e trajton “mortjen” si një qenie e vetëdijshme që merr dhe nuk bën mirë . Kjo tregon zemërimin e poetit), antiteza (e djeshmja dhe e sotmja) dhe Epifora (përsëritja e fundit).
Në ciklin tjetër , poeti na del me një temë tjetër, prapë u rikthye në motivin patriotik . Në gjashtë poezitë e këtij cikli paraqitet një e vërtetë për ardhacakët dhe për Jevgjitin etj., vargje me pasqyrim të saktë dhe të qëlluar:
“Kush më solli këtu
Lakmia apo ai që më përzuri
I mëkatëruar jam
Për t’i thënë vetes autoktonë
Bishë u bëra gati kanibal
Kërkoj hapësirë në fushë e në mal”
(Poezia “Flet ardhacaku”, fq. 77).
Këto vargje të poetit marrin kthesë shumë të fortë, ekzistenciale dhe dramatike. Këtu kalojmë nga dhimbja personale të një analizë të ftohtë dhe pothuajse rrëqethëse të natyrës njerëzore në kushte mbijetese. Përdorimi i fjalëve kanibal dhe bishë, tregon tjetërsimin e njeriut kur liria i merret ose kur vendindja i kthehet në kafaz. Në këto vargje vërejmë këto figura stilistike: Retorika (Kush më solli këtu…), Paradoksi (I mëkatuar jam… ), Metafora e shndërrimit (metamorfoza) (Bishë u bëra gati kanibal) dhe Kontrasti i hapësirës.
Cikli i fundit i librit / Flluskim i dritësuar/ përbëhet prej shtatë poezive të cilat për nga tematika janë të njëjta, patriotike, ku vehet në spikamë dëshira e përflakur e poetit që t’ja japë “hakun “ këtij motivi:
“O gjaku im
Ta shoh avullin
Ta dëgjoj gurgullimën
Në ankthin e molepsur
-------------------
Imi je krenohem që të kam”
(Poezia “Imi je” fq. 87).
Në këto vargje vërejmë një dialog të brendshëm, ku njeriu kthehet te vetja, te gjaku, si e vetmja gjë e pastër që i ka mbetuar pas gjithë asaj rruge me therra e burgje. Përdorimi i shqisave (shikimi i avullit , dëgjimi i gurgullimes ) i japin poezisë ndjesi gjallërie dhe pranie fizike shumë të fortë.
Figurat e pranishme në këto vargje: Apostrofa (Thirrja) (O gjaku im), Sinestezia (gërshetimi i shqisave), Epiteti i metaforizuar (e molepsur…) etj.
Përfundimi
Përmbledhja poetike me titull “Lirishtë e përflakur” i poetit Hysen Këqiku shoqërohet me vlera artistike, gjithnjë duke u thirrë në shtjellimin e poezive të cikleve të lartpërmendura, strukturimin e mirë të vargjeve, mbarështrimin dhe pajisjen e bollshme me figura stilistike, kuptimshmërinë, porositë që dalin gjatë leximit të kujdeshëm, e të gjitha këto ma forcojnë bindjen se ky libër do ta gjejë udhën deri te lexuesi dhe te kritika letrare, dhe se të dyja palët do të ndahen të kënaqur.
Preshevë, shkurt 2026









Comments