top of page

Bilall MALIQI: POEZI MBRESËLËNËSE DHE TË ARRIRA ARTISTIKISHT

  • 2 hours ago
  • 7 min read

Ligjërimit poetik për fëmijë bëhet nga poetë të ndryshëm, mirëpo viteve të fundit librat për fëmijë janë deficitarë, madje bukur deficitarë janë librat me vlera të njëmendta të arrira letrare, libra që i kënaqin lexuesit e vegjël si me përmbajtje, ashtu edhe me strukturim të mirë të lëndës poetike, me gjetjet motivuese që përmbajnë, si dhe me ndërtimin, mbarështrimin dhe korrespondimin e mirë të vargjeve në mes veti. Këto dhe vlera të tjera që i nevojiten një libri e që do të mbetet gjatë kohë në kujtesën e tyre është përmbledhja më e re me poezi për fëmijë dhe të rinj e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur për fëmijë, prof.dr. Xhevat Syla, me titull “Dritare e hapur”, botuar nga Shtëpia botuese “Libri shkollor” Prishtinë, 2026.

Librin poeti e ka ndarë në katër cikle poetike:Kalaja e dijes, Dimri i fëminisë, Këngë për kullën dhe Zhgjëndërrim.

 

1.

Gjuha është thelbi i identitetit tonë, që nis të përvetësohet nga lindja dhe zhvillohet gjatë rritës së secilit fëmijë. Për këtë i thonë gjuhë e nënës. Poeti nis me artikulimin e tingujve të parë të një fëmije për të vazhduar me drejtshqiptimin e fjalëve dhe përmbajtjet magjike që bëhen me përdorimin e ryre. Strofa e parë e poezisë “Gjuha e nënës”, me të cilën hapet ky libër,paraqet dashurinë e nënës për fëmijën, ngrohtësinë e pazëvendësueshme që jep ajo për të dhe për ndikimin në rritën dhe zhvillimin e tij:


Ue-ue-ue! - tingujt e mi të parë, Sigurisht s'më qenë këngë ,po vaj, Përqafim i nënës, i ngrohtë zjarr, Më mbajti, më rriti dashuri e saj.


Përqafimi i nënës është ngrohtësi dielli. Përveç kësaj, ajo ngrohtësi, shndërrohet në dashuri, e cila është e vetmja dashuri pa kushte, dashuri e çiltër, si e nënës për fëmijën, për frytin e saj. Pra, që në strofën e parë poeti e fuqizon ligjërimin e tij poetik me përdorimin e figurës stilistike - onomatopesë, /Ue-ue-ue!/, pastaj me figurën e kontrastit /në mes vajitdhe këngës/.

Edhe në strofën e dytë vazhdohet me vargjet për rrugëtimin jetësor të fëmijës në zhvillimin e të folurit nga tingujt e parë, duke udhëtuar kështu nëpër ditë të tëra nëpër shiritin e radhitjes së fjalëve dhe shqiptimit të ëmbël deri në përfundim të poezisë. Poezia përmbyllet me vargun që e konsideron gjuhën e nënës, në këtë rast gjuhën shqipe, mbi çdo shenjtëri.

Këtë poezi e shquan  muzikaliteti, rima kryesisht ABAB, që e bën tepër melodike, të afërt dhe të dashur për lexuesit e vegjël dhe jo vetëm për ata.

Pjesë e ciklit të parë me poezi përkushtuese të cilat tërheqin interesim për lexim dhe shquhen për shtjellim të bukur janë edhe poezitë kushtuar flamurit, Konstandin Kristoforidhit, bilbilit të gjuhës shqipe - Naim Frashërit, mësuesit, revistës “Pionieri”, shkrimtarit Vehbi Kikajt, Agim Devës, Karvanit të Shkrimtarëve, librit (me disa poezi), me të cilat përmbyllet cikli i parë i këtij vëllimi poetik.

Kur jeni te poezitë e lartpërmendura, poeti si njohës i mirë i letërsië për fëmijë dhe të rinj, ka ditur të zgjedh motivin, të zgjedh edhe protagonistët që përfshihen brenda këtyre poezive, personalitete të shquara që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë tonë, duke u nisur nga gjuhëtari dhe shkrimtari shumë i dashur jo vetëm për fëmijë Konstandin Kristoforidhi, i cili është i njohur për fëmijët sidomos për poezinë e parë por edhe për tregimin e parë dedikuar të vegjëlve.


“Gjahu i malësorëve”, ai rrëfim plot jetë,

na erdhi si mësim,

si përrallë e vërtetë”.

Në këtë strofë të shkëputur, figurat si epiteti dhe metafora, i japin kuptim semantik gjithë poezisë. Ndërkaq në poezinë që i kushtohet Naimit, që në strofën e parë poeti i jep meritat rilindësit tonë me vargjet:

“Natën na e bëre ditë, Shpirti shpirtrave tanë, Qiri që përhape dritë

Në Frashër, në çdo anë”.

Në këto vargje paraqitet një sakrificë sublime: Ashtu si qiriu që digjet për të dhënë dritë, edhe Naimi shkrin shëndetin dhe jetën e tij për (ri)zgjimin kombëtar.

Në poezinë “Dritare e hapur” që vjen edhe si titull i librit, poeti kujton njërën prej revistave më të rëndësishme letrare për fëmijë në Kosovë, Pionierin”, rolin e saj dikur dhe sot në nxitjen e talenteve të reja letrare dhe posaçërisht rolin e njërit prej shkrimtarëve që ka dhënë kontribut të çmueshëm në të, Vehbi Kikajt. Këtu ndërlidhet bukur edhe roli i librit dhe i reistave për fëmijë, por edhe kujdesi dhe vëshitirësitë me të cilat ballafaqohen shkrimtarët për fëmijë në krijimtarinë e tyre.

Nëse"Gjahu i Malësorëve" është nëkullë e gjuhës shqipe,Vehbi Kikaj del të jetë një kopshti lulëzuar i letërsisë sonë për fëmijë.

“Po të kthehej Vehbi Kikaj në jetë,

E të shfletonte një numër të “Pionierit”, Do të takonte emra të autorëve që njihte, Me vjersha e tregime në faqe të nderit”.


Për shkrimtarin Vehbi Kikaj, revista “Pionieri” ishte një dritare ku fëmijët mësonin të ëndërronin. Pra revista “Pionieri” ishte dhe është një dritare e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata shkrimtarë që shkruan dhe shkruajnë për fëmijë, ashtu siç është edhe libri dritarja më e mirë për ta njohur botën në përgjithësi.


Me mjeshtri të veçantë poeti Xhevat Syla shkroi edhe për Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë, asociacion kulturor me rëndësi, ku vë në pah edhe rolin e themeluesit të tij, shkrimtarit të njohur Agim Deva, i cili u shqua posaçërisht për trajtimin e temës sociale në poezinë për fëmijë. Por jo vetëm kaq. Poeti i shkroi vargje mësuesit të tij, librit dhe bibliotekës, si dhe shkroi vargje mbresëlënëse për gjyshin etj., të gjitha këto gjetje të shprehura bukur, me rimë, me muzikalitet dhe me qëndrueshmëri artistike.

2.

Edhe në ciklin e dytë poeti vazhdon me përkushtime poetike, të afërta dhe të kapshme për fëmijët, ku dallohen vargjet e ngrohta për gjyshin, që na vijnë si një poemth në pesë pjesë, pastaj vargjet për nënën e cila në ortekun e borës vdes vetë por arrin të shpëtojë të bijen e vogël, Amserën. Këtu shihet qartë dashuria e nënës për fëmijën dhe flijimi i saj për të. Në këtë cikël kemi edhe poezinë për Nënën Terezë, e cila me vargje të fuqishme dhe mbresëlënëse: portretizohet si nënë e mbarë e njerëzimit:

“Nënë e botës

Me zemrën-rruzull i dheut; në qiellin tonë -

motër e Skënderbeut”

Këto vargje kapin përmasën universale sa i përket figurës së saj. Duke e quajtur zemrën e saj "rruzull i dheut", përshkruhet një dashuri që nuk njeh kufij, racë apo fe – një dashuri që përqafoi të varfrit e Kalkutës me të njëjtën ngrohtësi si të ishin fëmijë të saj. Këtu poeti shpreh një afërsi gjaku, një afërsi shpirti të saj me Skënderbeun. Në këto vargje kemi: metaforën, simbolin, epitetet metaforike, hiperbolën dhe paralelizmin figurativ. Pjesë e këngëtimit poetik të këtij autori është edhe poeti i mjerimit, Migjeni, ndikimi që poezitë e tij  bënë në lexuesin që nga krijimi i tyre e deri sot:

“Ndiem në zemër varfërinë,

dhimbjen, shpresën, dashurinë...”

Këtu kemi një përshkallëzim tejet emocional i një motivi që ka përjetuar dhe e përjeton akoma njerëzimi, ngase ai është aktual edhe në ditët e sotme. Vargjet e Migjenit kanë qenë mbase me ndikimin më të madh në poezinë tonë në përgjithësi dhe si të tilla kanë ngelë të paharrueshme te secili lexues.

Poezitë e këtij cikli kanë fuqi shprehëse, kanë art të veçantë. Ato të shëtisin nëpër kohë dhe situata të ndryshme, me ç‘rast lexuesi bëhet pjesë e ndodhive dhe e preokupimeve që paraqiten brenda librit.


3.

Cikli i tretë përbëhet prej një poeme, e cila dallon nga dy ciklet paraprake. Poema është me gjashtë pjesë, ku poeti del prej rimës, por prapëseprapë vargjet kanë ritëm dhe rimë të brendshme. Kjo poemë është për një shtresë më të rritur në krahasim me poezitë e dy cikleve paraprake. Është një poemë mbresëlënëse me gjetje po ashtu të veçanta, me kuptimshmëri dhe me porosi të fortë, prandaj kërkon të lexohet me kujdes, spese ka art dhe vlerë të lartë artistike.

“Gurët e rrënuar

t’u kapën prapë shtatit.

Historia mbetet,

nuk vdes. Thërrmijat e dheut ta kuqëluan kulmin.

Akujt nuk të zgjaten më dimrave të acartë.

Këngë e re këndohet oborrit tënd”

Në këto vargje të shkëputura nga poema shohim një fuqi simbolike të jashtëzakonshme, duke pikturuar ringjalljen e një shtëpie, një monumenti, pas një periudhe rrënimi. Figurat që i përthekojnë këto vargje janë: personifikimi, metonimia, kontrasti, simboli dhe epiteti metaforik.


4

Cikli i fundit përbëhet me poezi që të kthejnë mbrapa në histori, duke shtjelluar vargërisht tema nga histori të dhimbshme, por edhetë lavdishme të popullit shqiptar të Kosovës, posaçërisht nga 1999-ta, duke vazhduar me vargje poetike kushtuar atyre që na ndihmuan në kohët më të vështira për kombin tonë, si Presidentit Bill Klinton, Rebert Dole, Medlin Ollbrajt, të cilët quhen me të drejtë shpirtbardhë. Këtu kemi poezi kushtuar luftës si një realitet, por edhe si një ëndrrës së keqe, duke u përmbyllur me poezinë “Ëndërr e bukur”, pra me nje optimizëm për të ardhmen, dëshirë kjo e poetit që duhet ta karakterizojë njerëzimin në përgjithësi.

“Mbrëmë ëndërrova luftë:

Avionë luftarakë shponin qiellin Mbi degët e arrave plaka

Të fëmijërisë sime”.

Në këto vargje poeti paraqet një periudhë ku ndihemi sikur shqetësimet e botës po pushtojnë qetësinë shpirtërore ose po kërcënojnë vlerat tona kombëtare. Ndërkaq poezia “Ëndërr e bukur” nis me vargjet


“Planetin magjik E kemi shtëpi, Kudonjëri-tjetrit

I flasim me dashuri”.

në të cilat del në pah një kontrast i mrekullueshëm me imazhin e parë të avionëve dhe luftës, pra një krahasim midis të mirës dhe të keqes. Duket sikur poeti përpiqet ta ndërtojë një urë shpirtërore midis ankthit të ëndrrës dhe shpresës që mban brenda vetes.

Përmbyllje

Marrë në përgjithësi përmbledhja me poezi “Dritare e hapur” e poetit dhe studiuesit të njohur gjithandej trojeve shqiptare, Xhevat Syla, shoqërohet me vlera të larta artistike, gjithnjë duke u mbështetur në gjetjet motivuese, ne forcën shprehëse të vargjeve poetike, në qëndrueshmërinë, ruajtjen e baraspeshës artistike të poezive, në rimën dhe në muzikalitetin e fuqishëm, në porositë e poezitë. Librit ia shtojnë vlerën edhe ilustrimet e fotografitë që i shoqërojnë poezitë dhe persanazhet e caktuara, si dhe përdorimi i figurave stilistike, të cilat e bëjnë atë posaçërisht të arrirë artistikisht.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page