Bilall Maliqi: LIBËR DEBATUES ME TË DHËNA ARGUMENTUESE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 3 min read

Bilall Maliqi, shkrimtar
(Mr. Nehat Hyseni “Polemikë shqiptaro-serbe për Preshevën, me ish fqinjët” shb “Lena” Prishtinë, 2025, fq. 155- ISBN 978-9951-32-239-3).
Kohët e fundit po botohen libra të shumtë, të zhanreve të ndryshme, por deficitare janë botimet shkencore, polemizuese me përgjigje e kundërpërgjigje për çështje të ndryshme politike, shkencore, apo debate të caktuara në rrafshin politik, e sidomos kur është fjala për një rajon specifik, siç është Lugina e Preshevës, e në theks të veçantë Presheva.
Kur jemi te komuna e Preshevës, e banuar me një përqindje mbi 97% të përkatësisë shqiptare, doemos duhet kthyer në retrospektivën historike, e cila është padyshim e pasur me ngjarje të mëdha historike, ngjarje dhimbëse dhe krenare, të cilat janë zhvilluar nën këtë qiell që flet shqip.
Lidhur me polemikat, që përfshijnë ngjarje me interes për popullatën tonë autoktone, të cilat profesori i nderuar, mr. Nehat Hyseni i ka zhvilluar, sidomos me dy vëllezërit, Tomislav dhe Svetislav Petroviq, autorë të librit “Presevo istorija i sudbina” (Jagodina, 2009), të cilat i ka botuar në librin e tij më të ri të karakterit debatues, të zhvilluara më parë nëpër portalet Preshava.com dhe forum B92.com, me titull “Polemikë shqiptaro-serbe për Preshevën (me ish-fqinjët)”.

Ky libër është i ndarë nëpër kapituj, të cilët janë funksional, në të cilat rrahen tema të ndryshme, lidhur me shqiptarët nëpër kohë dhe situata të ndryshme, në të cilat autori ka bërë shpjegime të thukëta të këtyre debateve me argumente të fuqishme, me të cilat përthekohet libri në fjalë.
Këto të dhëna argumentuese të ofruara nga autori i librit, për lexuesit tanë në Preshevë, dhe jo vetëm, japin një pasqyrim korrekt lidhur dokumentimin e fakteve të padiskutueshme, me të cilat ka nis ky debat me studiuesit e lartpërmendur, e që disa nga lexuesit dhe nga studiuesit e kësaj fushe nuk i kanë përcjellur e disa ndoshta edhe nuk kanë pasur rastin t’i lexojnë, prandaj kjo nisiativë e autorit, për t’i grumbulluar këto shkrime në një libër të rrallë dhe të veçantë, është e një rëndësie, sepse nga ky libër mund të vazhdohet edhe më tutje ngulmimi i autorit për qasje të reja hulumtuese dhe dokunentuese për shqiptarët e këtij rajoni, prandaj, duke qenë i fushës përkatëse, njohës shumë i mirë i rrethanave historike, e aq më tepër politike, padyshim se ka bërë një punë shumë të madhe e cila duhet të lavdërohet dhe ta zë vendin meritor në fushën e gjurmimeve historike dhe politike.
Po ashtu brendia e librit është shoqëruar edhe me ilustrime dhe harta të ndryshme me të cilat ndërlidhen tematikat e librit për Preshevën, duke shpjeguar mandej në mënyrë teorike e ilustruese, p.sh., ndarjen politiko-territoriale të gjendjes në rrethet e Republikës, i vitit, 1948, 1953, 1958, 1961, në të cilat ka bërë një studim të thukët dhe tejet shkencor. Në lexim të librit hasim edhe në figura tabelare të regjistrimeve të popullsisë, sipas kohës së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene të vitit 1921, sipas gjuhës amtare, sipas fesë e vitit 1931, sipas shkrim-leximit etj., të cilat japin një dokumentim bukur të mirë nga autori i librit.
Profesori, Hyseni, me temat e afruara në libër ka rrugëtuar nëpër kohë, duke ofruar një lëndë interesante, mbase në lexim të parë të njohura, por në gjurmim më të thellësishëm shpërfaq mendimet e tij të dokumentuara për këto trajtesa të prezantuara nëpër faqet e librit. Këto ngjarje i ka sistemuar bukur mirë, duke u thirrë në rregullat strikte të botimit të një libri me karakter shkencor, me literaturën gjegjëse, e aq më shumë të karakterit dokumentues politiko- polemizues.
Në këtë rast vlen të lavdërohet edhe guximi intelektual i autorit për t’u marrë me këto tematika dhe polemika të ndjeshme të kohës në të cilën gjendemi.
Këtë libër duhet ta kenë të gjitha bibliotekat tona dhe ato rajonale, me qëllim të ofrimit të mundësisë së leximit dhe të studimit të të interesuarve lidhur me tematikat interesante që i ka ofruar autori në libër.








