Besim Ndregjoni: HEROI QË U VRA NGA TRADHTIA E AGJENTIT RUS KIM FILBI!
- 2 hours ago
- 5 min read

SEJDIN LUSHA, HEROI QË U VRA NGA TRADHTIA E AGJENTIT RUS KIM FILBI!
Dita e 31 korrikut 2026 për Luzin e Vogël të Kavajës qe një ditë kujtese dhe nderimi që pas 75 vitesh rikthehej pranë familjes së tij, pranë luzakëve dhe kavajasve një hero i lirisë, një luftëtar antikomunist, një shqiptar i madh, por i harruar nga politika postkomuniste e Shqipërisë. Falë kontributit të familjes, nipit të tij, Rrem Lusha, u vendos busti i tij në Luz të Vogël. Qeveritë shqiptare për 35 vite nuk japin asnjë cent për heronjtë e lirisë, por luftojnë me pushtet t’i kalojnë në fondin e harresës antikomunistët, se ata buxhetin e shtetit e përdorin për të mbrojtur politikën komuniste, dhe aspak për të lartësuar luftëtarët antikomunistë që u sakrifikuan për lirinë e Shqipërisë.
Në mes të kësaj ceremonie madhështore iu drejtova Kavajës dhe gjithë shqiptarëve se harresa e pushtetit komunist kurrë nuk ka për të triumfuar mbi vlerat dhe sakrificat e luftëtarëve antikomunistë! Sot jemi mbledhur këtu në Luz të Vogël të Kavajës për të nderuar qytetarin e Luzit të Vogël, luftëtarin antikomunist, patriotin e Kavajës, anëtarin e Ballit Kombëtar të Mitat Frashërit, Sejdin Myslim Lusha.
Sot Luzit të Vogël, Kavajës dhe Shqipërisë i rikthehet atdhetari i shquar nacionalist, luftëtari dhe pjesëtari i kompanisë 4000 Sejdin Lusha. Mirë se erdhe o trimi i Kavajës. Luzi, Kavaja kanë 75 vite që të presin, të presin Luzakët, të presin Kavajasit, të presin shqiptarët se ti meriton nderin e atdheut, se për Shqipërinë u bëre hi, dhe u ngrite si feniksi për të ardhur në Luzin tënd të dashur. Familja tani do të të ketë pranë, Kavaja dhe Shqipëria do të çmallen me ty o hero i Kavajës! Komunizmi të vrau në pabesi të tradhtisë së agjentit rus Kim Filbi që kishte depërtuar në shërbimet sekrete të anglo-amerikanëve në vitet 1950 dhe të dogji kufomën me gjithë katër luftëtarët e tjerë në stanet e Librazhdit. Hiri i trupit tënd u bë dritë për Shqipërinë.
Burrat si ti, atdheu i përjetëson në monumente, se vepra juaj heroike meriton përjetësimin e emrit tënd! Sot në këto momente nderimi duhet t’i tregojmë rinisë, pasardhësve, veprën tuaj kombëtare, që të jenë të ndërgjegjësuar se ju e meritoni nderimin e atdheut.
Kompania 4000 ishte një njësi paraushtarake e krijuar nga shërbimi i fshehtë amerikan. Amerikanët e kishin seriozisht rrëzimin e diktaturës së Enver Hoxhës, ajo kompani stërviti nga ushtarakët më të përgatitur për luftëra klandestine ndaj një regjimi, pjesëtarë të kësaj kompanie ishin legalistët e drejtuar nga Abaz Kupi, Ballistët të drejtuar nga Hasan Dosti, dhe agraret të drejtuar nga Said Kryeziu.
Ata ishin shqiptarë, që përpara lirisë dhe atdheut nuk e kursyen jetën e tyre. Por fatkeqësisht edhe këto shërbime sekrete anglo-amerikane nuk kanë qenë të imunizuar nga gabimet dhe për pasojë sollën humbje jetësh njerëzore për Shqipërinë e pushtuar nga terroristi Enver Hoxha.
Është e vërtetuar se agjenti rus Kim Filbi kishte depërtuar në radhët e shërbimit sekret anglo–amerikan të asaj kohe, dhe informonte rregullisht KGB Sovjetike, për të gjitha planet e aksionet antikomuniste që përgatiste perëndimi. Në këtë kuadër me informacionet e tij ushqehej dhe sigurimi i shtetit të diktaturës komuniste në Shqipëri, i cili vihej në dijeni nga shërbimi sekret sovjetik për individë, grupe që dërgoheshin nga ajri, deti, toka për të organizuar përmbysjen e komunizmit.
Sipas planit të aprovuara nga shtetet perëndimore. Duke njohur vendin, dhe kohën e desantimit shteti komunist e kishte fare të lehtë asgjësimin e tyre. Ngjarjet sollën pasoja të rënda për forcat antikomuniste shqiptare dhe për ndryshimet e thella në Shqipëri në luftën kundër diktaturës.
Këtë tradhti e bëri të qartë edhe Kryeministri Toni Bler në parlamentin e Britanisë para disa vitesh, kur deklaroi se shërbimi sekret britanik nuk ka qenë i imunizuar dhe ka dështuar në funksionimin e tij nga kjo tradhti.
U kërkoi falje viktimave që u shkaktoi misioni i shërbimeve sekrete të Britanisë duke pasur në gjirin e tyre agjentin rus Kim Filbin. Deklarata e tij ishte një kujtesë, por dhe një falje dhe kontekst për realitetin historik ndaj Sejdinit dhe shqiptarëve antikomunistë që u flijuan për liri duke u tradhtuar nga shërbimet inteligjente të asaj kohe.
Kjo deklaratë e Kryeministrit anglez ndriçoi një etapë të historisë së vendit tonë, e cila për vite me radhë është paraqitur e deformuar dhe në mënyrën më të shëmtuar të propagandës komuniste. Kryeministri Bler hodhi dritë mbi të vërtetën e asaj kohe që ishte një dramë e thellë heroike e tragjike, por dhe komike në interpretimin e propagandës komuniste shqiptare. Heroike se Sejdin Lusha me bashkëkombësit e tij antikomunistë desantuan në Shqipëri në vitet '50 ishin me të vërtetë heronj. Shumica prej tyre lanë universitetet, akomodimin e tyre familjar, në përgjithësi jetën e lirë të tyre dhe pa përfillur asnjë pengesë e rrezik vendosen në shërbim të jetëve të tyre të re përmbysjen e komunizmit dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri.
Tragjike sepse fati i tyre qe i përcaktuar nga tradhtia e agjentit Kim FILBI. Këta ishin trima të guximshëm, të vendosur, të zotë, dhe për nga vlera nuk krahasoheshin me amoralët e sigurimit të diktaturës. Heronjtë ishin të dënuar të dështonin dhe të mposhteshin nga gracka e tradhtisë së madhe! Komike ishte mburrja e sigurimit të komunizmit që deklaronin para shqiptarëve ne jemi më të fuqishëm se imperializmi amerikan që eliminojmë ata shqiptarë që duan të luftojnë komunizmin. Enver Hoxha një mbeturinë dhe agjent i rusëve dhe serbëve tregonte me propagandën e tij se kishte fuqi më shumë se Amerika. Mjeranë të paskrupullt, që deformonin realitetin me tradhtinë e Kim Filbit!
Tragjedia e viteve 50 nuk mbaron vetëm me asgjësimin e heronjve të lirisë të kompanisë 4000, por vazhdoi për gjysmëshekulli me vrasje, burgosje, internime dhe kështu e gjeti të djathtën viti 1990, kur ra muri i Berlinit të sakatuar, por me dinjitet të pamposhtur.
Dihet që Shqipëria si vendi i vetëm në Europë “stalinist” nuk bëri një revolucion siç bëri Europa Juglindore, fatkeqësisht ne antikomunistët në '90 ramë në kurthin e lojës së Kim Filbit të Ramiz Alisë, i cili përdori këtë lojë duke mbrojtur partinë e tij që kishte vrarë mbi 10.000 shqiptarë, 6000 të tjerëve u zhduku kufomat, dhe sot mbas 35 vitesh pluralizëm komunist, këta heronj nuk kanë një varr. Sejdin Lusha nuk ka varr se ia zhduku eshtrat komunizmi, asnjë popull në Europë nuk ka vuajtur 914.000 vite burg politik si Shqipëria.
Ka 35 vite që asnjë qeveri e Shqipërisë nuk flet për 6000 të zhdukurit, që ka 35 vite që nuk i dënojnë krimet e komunizmit, ndryshimi në '90 bëri transferimin nga pushteti i baballarëve te bijtë e tyre, fatkeqësisht më sadist se prindërit e tyre. Në cilin vend të Europës demokratike ekziston një parti që i ka pasur prindërit ekzekutorë të jetëve njerëzore. Vetëm në Shqipëri ekziston! Partia e ashtuquajtur demokratike që e filloi jetën e saj politike me sloganin e të burgosurve politikë, “E duam Shqipërinë si Europa” dhe “Poshtë Komunizmi” sot mbas 35 vitesh ajo hesht ndaj krimeve të komunizmit.
Ajo ndoqi rrugën e Kim Filbit me tradhti ndaj antikomunistëve, ish-të përndjekurit politikë, duke bashkëpunuar me Partinë Komuniste të ndërruar emrin në Socialiste. Objektivi i saj nuk ishte të dënohej krimin komunist, por të mbante pushtet me bijtë e xhelatëve komunistë. Ne antikomunistët, lajmëtarë të Europës, mbrojtës të demokracisë, ramë pre e tradhtisë dhe lojës së Kim Filbit, të vitit 1990. Duke ia dorëzuar shtetin partisë së ekzekutorëve dhe hajdutëve të kriminalizuar, dhe duke e lënë Shqipërinë jashtë Europës.
Cili Kryeministër në Europën demokratike, protestave kombëtare u tregon Kushtetutën e tij diktatoriale, dhe nuk jep dorëheqje kur i gjithë pushteti i tij është i penalizuar nga drejtësia, dhe ai deklaron se nuk jep dorëheqje. Nga ky nderim i këtij fisniku të Kavajës u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, të gjithë në shesh me djemtë dhe vajzat fisnike të Tiranës, në mbështetje të kauzës Shqipëria e re, zhdukjen e sistemit stalinist nga politikëbërja që po sundon vendin nga 35 vite. Koha nuk pret, atdheu thërret të gjithë në shesh të shpëtojmë Shqipërinë nga stalinizmi i rilindjes komuniste.
Shqipëria e re do të fitojë mbi Shqipërinë e vjetër të komunizmit.








Comments