top of page

Besim DEMA: Një jetë pune…

23 hours ago
13 min read

HYSNI OSMANAJ

Një jetë pune, dijeje dhe përkushtimi mes Tropojës, Krujës dhe Tiranës


Nga Besim DEMA

Shkrimtar dhe publicist. KRUJË.


 Fillimet e jetës dhe formimi arsimor


Hysni Osmanaj lindi më 6 gusht 1948, në fshatin Selimaj të Gëghysenit, në rrethin e Tropojës, në një trevë të njohur për traditat e saj atdhetare, arsimdashëse dhe njerëzore.


Arsimin fillor dhe atë shtatëvjeçar i përfundoi në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në gjimnazin e qytetit Bajram Curri, në vitin 1966.


Po atë vit, falë rezultateve të larta në mësime, u dërgua për studime universitare në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Studimet i përfundoi në vitin 1971, me rezultate të shkëlqyera, duke u dalluar për seriozitetin, përkushtimin dhe aftësitë e tij profesionale.


Si një ndër studentët më të mirë, Ministria e Bujqësisë e mbajti në dispozicion të institucioneve kërkimore-shkencore, duke vlerësuar formimin e tij universitar dhe perspektivën si specialist i ri.


Megjithatë, rrugëtimi i tij profesional do të niste në terren, pranë njerëzve të punës, aty ku dijet shkencore dhe përgatitja profesionale do të viheshin drejtpërdrejt në shërbim të zhvillimit ekonomik.


Krenari dhe privilegj

të jesh mik i krutanëve


Pas përfundimit të studimeve universitare, Hysni Osmanaj u emërua mjek veteriner në Kooperativën Bujqësore “Partizani”, në Fushë-Krujë, ku punoi deri në fund të vitit 1972.


Megjithëse në fillimet e karrierës, ai u shqua për përkushtimin, disiplinën shkencore, aftësitë organizative dhe përgjegjësinë e lartë profesionale.


Gjatë kësaj periudhe, sektori i blegtorisë njohu përmirësime të dukshme, si në rritjen e prodhimit, ashtu edhe në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve.


Një ndër arritjet më të rëndësishme ishte përmirësimi i gjendjes në sektorin e shpendëve, ku funksiononte një kompleks me rreth 20 mijë pula. Ky sektor, prej vitesh, kishte qenë problem shqetësues për organet drejtuese të rrethit, madje edhe për institucionet qendrore.


Me këmbëngulje, disiplinë profesionale dhe zbatimin e metodave shkencore të mjekësisë veterinare, Hysni Osmanaj kontribuoi në kapërcimin e vështirësive dhe në përmirësimin e treguesve të prodhimit.


Por vlerat e tij nuk kufizoheshin vetëm në aftësitë profesionale.


Ai u dallua edhe si njeri i thjeshtë, i komunikueshëm, korrekt dhe dashamirës, duke ndërtuar marrëdhënie të ngrohta njerëzore me drejtuesit, specialistët, kolegët dhe punonjësit e ekonomisë bujqësore.


Edhe pse qëndrimi i tij në Fushë-Krujë ishte relativisht i shkurtër, lidhjet e krijuara gjatë atyre viteve mbetën të forta dhe të qëndrueshme.

Pas largimit, ai nuk i ndërpreu asnjëherë kontaktet me Fushë-Krujën dhe njerëzit e saj.


Edhe sot, në takime dhe biseda miqësore, shprehet me krenari: “Fushë-Kruja më duket si Gëghyseni, vendlindja ime.

Kjo shprehje e thjeshtë përmbledh një histori të gjatë miqësie, respekti dhe mirënjohjeje.


Hysniu kujton me respekt të veçantë drejtuesit e Kooperativës “Partizani”: Sefer Talin, Bardh Gogen dhe Selim Babain; specialistët dhe kuadrot Selim Karaj, Fran Kolën, Gëzim Bardhin dhe bacën Haki Treni; kolegët Abdulla Cenën, Hamit Kamberin dhe Abdulla Kurtin.


Një vend të veçantë në kujtimet e tij zënë brigadierët Xhemal Karaj dhe Zyra Babaj, si dhe kuadro të tjerë, ndër të cilët Kadri Kurti, Kristofor Dilo dhe Hamit Çela.


Me të njëjtën dashamirësi kujton edhe punonjësit e prodhimit: Bihane Zherrin, Dëshira Malokun, Met Malokun, Can Tagen, Kurt Kurtin, Besim Talin, Islam Temën, Hamit Danin, Qamil Mirin dhe Gani Elvoren.


Nuk harron familjet e Skënder Thaçit, Bejto Karait dhe Myrteza Nagafcit, si dhe dy të rinjtë e atëhershëm, Emin Mera dhe Petrit Baku, që i kujton si çamarrokë trazovaçë, të cilët më vonë u bënë kuadro dhe specialistë të respektuar.


“Këta dhe shumë të tjerë u bënë familja ime e dytë”, shprehet Hysni Osmanaj.


Në kujtesën e tij kanë mbetur edhe shumë specialistë e drejtues të tjerë, me të cilët e lidhi puna dhe bashkëpunimi: Mehmet Loci, Murat Xhafa, Fadil Llubani, Pal Piroli, Kujtim Zguri, Qamil Pistola, Lefko Enriko, Niko Dado, Murat Çuni, drejtor i Stacionit të Makinave dhe Traktorëve, Qamil Babaj, përgjegjës i ofiçinës së kësaj ndërmarrjeje, Jaho Kasemi, ish-drejtor i Ndërmarrjes së Grumbullimit dhe më vonë kryetar i Komitetit Ekzekutiv, si dhe Tahir Minxhozi, ish-sekretar i parë i rrethit të Krujës.


Për të gjithë këta njerëz, Hysniu ruan kujtime të çmuara dhe mirënjohje të sinqertë.

“Ishte privilegj i jetës sime që punova dhe jetova me këta njerëz të mrekullueshëm.”

Kështu shprehet ai, me krenarinë e ligjshme të një njeriu që, krahas kontributeve profesionale, ka ditur të ndërtojë dhe të ruajë miqësi të vërteta.


Në këtë kuptim, Hysni Osmanaj mbetet jo vetëm një ish-specialist i respektuar i Fushë-Krujës, por edhe një mik i veçantë i Krujës dhe i krutanëve.


Në vendlindje,

specialist dhe drejtues me kontribute të çmuara


Në fillim të vitit 1973, për nevoja kuadri, me kërkesë të rrethit të Tropojës, por edhe me dëshirën e tij, Hysni Osmanaj u transferua në vendlindje.


Ai u emërua kryespecialist i blegtorisë në Seksionin e Bujqësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Tropojë.


Në janar të vitit 1978 u emërua shef i Seksionit të Bujqësisë.


Gjatë kësaj periudhe u shqua si specialist dhe drejtues vizionar, me aftësi të spikatura organizative, me njohuri të thella profesionale dhe me përkushtim në përballimin e detyrave që shtronte zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë në rreth.


Në bashkëpunim me specialistët e seksionit dhe të ekonomive bujqësore, ai kontribuoi në zgjidhjen e një sërë problemesh teknike, ekonomike dhe organizative.


Puna e përbashkët solli rezultate inkurajuese për kohën, si në prodhimin bujqësor, ashtu edhe në atë blegtoral.


Një vend të rëndësishëm zënë kontributet e tij në realizimin e investimeve dhe ndërhyrjeve që ndikonin drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë së Tropojës.


Ndër to përmenden punimet në fushën e bonifikimit, ujitjes dhe sistemimit të tokave bujqësore, zgjerimi i sipërfaqeve me drufrutorë, veçanërisht me kumbullën tropojane, zhvillimi i vreshtarisë, si dhe hartimi dhe zbatimi i masave për mbrojtjen e plantacioneve të gështenjës nga sëmundjet shkatërruese.


Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës së tij ishte zhvillimi i blegtorisë, ku formimi si mjek veteriner dhe njohuritë shkencore i dhanë mundësi të kontribuonte në mënyrë të drejtpërdrejtë.


Vëmendje e veçantë iu kushtua rritjes së rendimenteve, përmirësimit racor dhe ruajtjes së racave me vlera ekonomike e gjenetike.


Në këtë kuadër, rëndësi të posaçme kishte ruajtja dhe mbarështimi i racës Oberinntaler te gjedhët, si dhe i deles autoktone Bardhoka e Tropojës.


Këto përpjekje u mbështetën në studime shkencore, në përvojën e specialistëve dhe në masa tekniko-organizative për përmirësimin e mbarështimit të kafshëve.


Një arritje me rëndësi ishte ngritja, në vitin 1987, me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, e Stacionit të Zooteknisë në Rrogam.


Ky institucion shkencor synonte zbatimin e teknologjive të reja në mbarështimin e blegtorisë, përmirësimin racor dhe furnizimin me material racor të ekonomive të Tropojës dhe të zonës verilindore të vendit.


Përmirësime u shënuan edhe në prodhimin e bazës ushqimore për blegtorinë, në prodhimin e farërave dhe të fidanëve drufrutorë.


Në të gjitha këto drejtime, Hysni Osmanaj dha kontributin e tij si specialist, organizator dhe drejtues, duke bashkëpunuar ngushtësisht me kolegët dhe njerëzit e punës.


Në Bujan,

drejtues i një ekonomie me rezultate të spikatura


Në mars të vitit 1980, Hysni Osmanaj u pranua kandidat i Partisë së Punës dhe u transferua në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar të Bujanit, me detyrën e mjekut veteriner.


Një vit më vonë, në vitin 1981, mbledhja e përgjithshme e anëtarësisë e zgjodhi kryetar të kësaj kooperative, detyrë që e ushtroi deri në fund të vitit 1984.


Gjatë drejtimit të tij, ekonomia bujqësore e Bujanit shënoi përmirësime në treguesit ekonomikë dhe financiarë, duke u renditur ndër ekonomitë më të mira të rrethit.


Veçanërisht në sektorin e blegtorisë u arritën rendimente të larta, të vlerësuara në shkallë rrethi dhe vendi.


Në këtë periudhë u kushtua rëndësi organizimit të punës, disiplinës teknike, përmirësimit racor të kafshëve dhe përdorimit të metodave shkencore në prodhim.


Përvoja e Bujanit mbetet një ndër kapitujt e rëndësishëm të veprimtarisë së Hysni Osmanajt, ku aftësitë e tij profesionale u ndërthurën me përgjegjësitë e drejtimit ekonomik.


Në drejtimin e pushtetit vendor

të Tropojës


Nga fundi i vitit 1984 deri në vitin 1989, Hysni Osmanaj ushtroi detyrën e zëvendëskryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Tropojë.


Ishte një periudhë kur ekonomia e centralizuar po përballej me vështirësi gjithnjë e më të mëdha.


Ekonomitë kolektive dhe ndërmarrjet shtetërore po ndienin pasojat e problemeve strukturore, të mungesave materiale dhe të rënies së efektivitetit ekonomik.


Këto zhvillime kërkonin përpjekje të vazhdueshme për përballimin e problemeve ekonomike dhe shoqërore, si dhe përmirësimin e organizimit dhe të drejtimit.


Në këto rrethana, Hysni Osmanaj, së bashku me drejtuesit dhe specialistët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv, u angazhua në zgjidhjen e problemeve që shtronte koha.


Përvoja e fituar në ekonomi, njohja e drejtpërdrejtë e realitetit të Tropojës dhe marrëdhëniet e tij me njerëzit e punës përbënin një mbështetje të rëndësishme në ushtrimin e përgjegjësive institucionale.


Nga drejtimi ekonomik

 te përgjegjësitë politike


Në vitin 1989, pas ndryshimeve strukturore në organet e pushtetit dhe në organizimin e ekonomive bujqësore, Hysni Osmanaj u zgjodh kryetar i Kooperativës Bujqësore “Bajram Curri”, në Margegaj.


Në këtë periudhë, kooperativa e Margegajt, ashtu si shumë ekonomi të tjera kolektive, iu nënshtrua riorganizimit në njësi më të vogla, mbi bazë fshati.


Pas përfundimit të këtij procesi, Hysni Osmanaj u largua nga Margegajt dhe, në Konferencën e Partisë së rrethit, u zgjodh sekretar i Komitetit të Partisë, ndërsa më vonë sekretar i parë i rrethit të Tropojës.


Ishte koha kur Shqipëria po hynte në një nga periudhat më të rëndësishme dhe më të ndërlikuara të historisë së saj politike.


Rënia e sistemit njëpartiak dhe lindja e pluralizmit politik sollën ndryshime të thella në jetën institucionale, ekonomike dhe shoqërore.


Në vitin 1991, Hysni Osmanaj u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste të Tropojës.


Ai e mori këtë përgjegjësi në një periudhë delikate, kur shoqëria shqiptare po kalonte nga një sistem politik me një parti të vetme drejt një sistemi shumëpartiak.


Krijimi i partive të reja, përplasja e mendësive të ndryshme dhe qëndrimet e kundërta ndaj së kaluarës krijonin tensione dhe rreziqe për konflikte në komunitet.


Në këto kushte, përvoja e gjatë në drejtimin ekonomik dhe institucional, maturia dhe aftësia për komunikim e ndihmuan Hysni Osmanajn të mbante një qëndrim të kujdesshëm dhe bashkëpunues.


Ai u përpoq të vendoste interesat e komunitetit tropojan mbi përplasjet dhe ndasitë partiake, duke mbështetur dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet forcave politike.


Sipas vlerësimit të autorit, roli i tij në këtë periudhë ishte i rëndësishëm për shmangien e konflikteve të panevojshme dhe për krijimin e një klime më të qëndrueshme politike e shoqërore.


Bashkëpunimi ndërmjet subjekteve politike dhe krijimi me konsensus i organeve pluraliste të qeverisjes vendore ndikuan në ecurinë e proceseve demokratike dhe të reformave institucionale.


Përballimi me maturi i këtyre zhvillimeve bëri që Hysni Osmanaj të ruante respektin e një pjese të gjerë të komunitetit, përtej përkatësive partiake.


Ai ishte anëtar i Komisionit Organizator për thirrjen e Kongresit të 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, kongres në të cilin u themelua Partia Socialiste e Shqipërisë.


Në këtë kongres u zgjodh edhe anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste.


Në vitin 1992, pas dorëzimit të detyrës si drejtues i Partisë Socialiste të rrethit Tropojë, u largua nga drejtimi politik dhe iu përkushtua veprimtarisë private.


Ky vendim shënoi përfundimin e një kapitulli të rëndësishëm të jetës së tij publike dhe fillimin e një etape tjetër profesionale.


Në Tiranë,

specialist i respektuar dhe veprimtar i palodhur


Pas përfundimit të angazhimeve politike, Hysni Osmanaj vazhdoi të punonte në sektorin privat dhe më pas në institucione shtetërore.


Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ushtroi detyrën e inspektorit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve dhe Taksave në Tiranë.


Prej vitit 2004, Tirana u bë vendbanimi i tij i përhershëm.


Në vitet 2009–2011 punoi në Njësinë Bashkiake Nr. 2 të Tiranës, me detyrën e mjekut veteriner për tregun.


Edhe në këto përgjegjësi, ai u dallua për korrektësinë, përvojën profesionale dhe marrëdhëniet e mira me kolegët dhe qytetarët.


Në të gjithë veprimtarinë e tij, Hysni Osmanaj ka ruajtur tiparet e një njeriu të urtë, të matur dhe të komunikueshëm.


Pavarësisht funksioneve që ka ushtruar, ai ka ditur të mbetet i afërt me njerëzit, të respektojë mendimin e tyre dhe të ruajë marrëdhënie të sinqerta me breza të ndryshëm.


Këto cilësi i kanë siguruar respekt dhe vlerësim në Tropojë, Krujë, Tiranë dhe kudo ku ka punuar e jetuar.


 Studime dhe kontribute

shkencore në bujqësi e blegtori


Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së Hysni Osmanajt lidhet me punën studimore dhe kërkimore në fushën e mjekësisë veterinare, zooteknisë dhe zhvillimit të ekonomisë bujqësore.


Gjatë karrierës së tij profesionale ka realizuar dhe ka kontribuar në disa studime me interes praktik dhe shkencor për ekonomitë ku ka punuar, për Tropojën dhe më gjerë.


Ndër studimet dhe projektet më të rëndësishme përmenden:


1. Mbrojtja e shpendëve nga sëmundjet epizootike, nëpërmjet krijimit dhe zbatimit të masave të imunizimit në kushtet e rritjes intensive.

2. Përhapja dhe llojet e bimëve helmuese në rrethin e Tropojës, me rëndësi për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe parandalimin e helmimeve.

3. Llojet e rriqrave dhe efektet e tyre negative në mbarështimin e kafshëve, si parazitë të dëmshëm në territorin e Tropojës.

4. Rezultatet e seleksionimit të racës autoktone të deles Bardhokë, në ekonominë bujqësore të Bujanit.

5. Krijimi i pasardhësve me vlera gjenetike, nëpërmjet seleksionimit dhe kryqëzimit të lopëve të racës Xhersej me racën Oberinntaler, në ekonominë bujqësore të Bujanit.

6. Ngritja e Stacionit të Zooteknisë në Rrogam, me trajtimin e rrugëve organizative dhe teknike për realizimin e projektit, si dhe të ndikimit të tij në vendosjen mbi baza shkencore të përmirësimit racor të blegtorisë në Tropojë dhe në zona të tjera.

7. Domosdoshmëria e ngritjes së Ndërmarrjes Bujqësore të Fierzës, duke analizuar efektivitetin ekonomik dhe shoqëror të kësaj ekonomie.


Këto studime dhe angazhime dëshmojnë interesimin e vazhdueshëm të Hysni Osmanajt për lidhjen e njohurive shkencore me nevojat konkrete të prodhimit dhe zhvillimit ekonomik.


Ato përbëjnë një pjesë me vlerë të trashëgimisë së tij profesionale, veçanërisht në fushën e blegtorisë dhe të mjekësisë veterinare.


 Vlerësime dhe nderime

 për një karrierë të gjatë


Për punën dhe kontributet e tij gjatë karrierës profesionale, drejtuese dhe shoqërore, Hysni Osmanaj është vlerësuar nga institucione vendore dhe qendrore.


Për disa mandate ka qenë i zgjedhur anëtar i Këshillit Popullor dhe i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Tropojë.


Gjithashtu, ka qenë anëtar i Kryesisë së Frontit Demokratik dhe i Plenumit të Komitetit të Partisë së rrethit.


Mban disa dekorata dhe urdhra të akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.


Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare i ka dhënë statusin “Nderi i Organizatës”, ndërsa Bashkia Tropojë e ka vlerësuar me *Certifikatë Mirënjohjeje*.


Këto vlerësime lidhen me angazhimin e tij shumëvjeçar në jetën ekonomike, institucionale dhe shoqërore.


Në pension,

por gjithnjë pranë njerëzve dhe vendlindjes


Në vitin 2013, pas plotësimit të kushteve të moshës dhe viteve të punës, Hysni Osmanaj doli në pension.


Pas tij mbeteshin rreth katër dekada veprimtari profesionale, drejtuese dhe institucionale, të zhvilluara kryesisht në Krujë, Tropojë dhe Tiranë.


Megjithatë, dalja në pension nuk shënoi tërheqjen e tij nga jeta shoqërore.


Ai vazhdon të jetë aktiv në komunitet, të mbajë lidhje me shokë e miq të shumtë dhe të kontribuojë, sipas mundësive, në veprimtari me karakter kulturor, historik dhe shoqëror.


Herë pas here shkruan artikuj në shtypin periodik dhe atë lokal, duke trajtuar tema që lidhen me zhvillimet shoqërore, kujtesën historike dhe vlerat e vendlindjes.


Një vend të veçantë në jetën e tij zënë marrëdhëniet me komunitetin tropojan në Tiranë dhe në Tropojë.


Në mënyrë të veçantë, ai ruan lidhje të ngushta me bashkëvendësit e Gëghysenit, me të cilët organizon dhe mbështet veprimtari për ruajtjen dhe promovimin e traditave, historisë dhe vlerave të kësaj treve.


Një ndër kontributet e tij më të spikatura në këtë drejtim lidhet me përgatitjen e dokumentacionit dhe të propozimit për dhënien e titullit të lartë “Nderi i Kombit”** për Gëghysenin.

Në vitin 2017, ky titull u akordua nga Presidenti i Republikës.

Hysni Osmanaj ishte ndër intelektualët kryesorë të angazhuar në përgatitjen dhe argumentimin e këtij propozimi.

Ky angazhim dëshmon se lidhja me vendlindjen nuk është vetëm çështje kujtimesh dhe nostalgjie, por edhe përgjegjësi për të ruajtur, dokumentuar dhe promovuar historinë e saj.


 Bashkëshort

dhe prind i përkushtuar


Krahas veprimtarisë profesionale dhe shoqërore, Hysni Osmanaj ka qenë dhe mbetet një familjar shembullor.


Është i martuar me Shahe Osmanajn, ekonomiste me arsim të lartë, me të cilën ka ndërtuar një familje të qëndrueshme, të mbështetur në mirëkuptim, respekt dhe përkushtim të ndërsjellë.


Janë prindër të tre djemve, të cilët kanë përfunduar arsimimin, kanë krijuar familjet e tyre dhe punojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe biznesit.


Për Hysniun, familja ka qenë gjithmonë një mbështetje e rëndësishme në përballimin e përgjegjësive dhe sfidave të jetës.


Ai ka ditur të ndërthurë angazhimet profesionale dhe publike me kujdesin për familjen dhe edukimin e fëmijëve.


 Një jetë

 që lë gjurmë dhe vlera


Jeta dhe veprimtaria e Hysni Osmanajt përbëjnë një rrugëtim të gjatë pune, përkushtimi dhe përgjegjësie.


Nga Selimaj i Geghysenit, ku hodhi hapat e parë të jetës dhe të arsimimit, te Fushë-Kruja, ku nisi karrierën profesionale; nga Tropoja, ku ushtroi përgjegjësi të rëndësishme ekonomike, institucionale dhe politike, te Tirana, ku vazhdoi veprimtarinë profesionale dhe jetën familjare, ai ka ruajtur disa cilësi që e kanë karakterizuar në çdo etapë: thjeshtësinë, korrektësinë, maturinë dhe respektin për njerëzit.


Kontributet e tij në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, në përmirësimin racor të kafshëve, në drejtimin e ekonomive bujqësore dhe në jetën institucionale të Tropojës përbëjnë pjesë të rëndësishme të biografisë së tij.


Po aq të çmuara mbeten marrëdhëniet njerëzore, miqësitë e ruajtura ndër vite dhe përkushtimi ndaj vendlindjes.


Ai i përket atij brezi specialistësh dhe drejtuesish që u formuan në një periudhë të caktuar historike, përjetuan ndryshime të mëdha politike dhe shoqërore dhe vijuan të kontribuonin në rrethana të reja.


Përtej funksioneve dhe detyrave, vlera e një njeriu matet edhe me gjurmët që lë në kujtesën e njerëzve.


Dhe Hysni Osmanaj ka ditur të lërë gjurmë në Tropojë, në Krujë e në Tiranë.


Shembuj të tillë jete dhe veprimtarie mbeten dëshmi të vlerave të punës, dijes, përkushtimit dhe dashurisë për vendlindjen, duke shërbyer si burim frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.


---


HYSNI OSMANAJ – KRONOLOGJI E JETËS DHE VEPRIMTARISË


*1948 – Lindja. Më 6 gusht lind në fshatin Selimaj të Gëghysenit, rrethi Tropojë.

1966 – Përfundimi i arsimit të mesëm. Diplomohet në gjimnazin e qytetit Bajram Curri dhe nis studimet universitare në Tiranë.

1971 – Diplomimi universitar, 23 vjeç. Përfundon studimet në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës, me rezultate të larta.

1971–1972 – Fillimi i karrierës profesionale. Punon si mjek veteriner në Kooperativën Bujqësore “Partizani”, Fushë-Krujë.

1973 – Rikthimi në Tropojë, 24–25 vjeç. Emërohet kryespecialist i blegtorisë në Seksionin e Bujqësisë të rrethit Tropojë.

1978 – Përgjegjësi drejtuese, 29–30 vjeç. Emërohet shef i Seksionit të Bujqësisë të rrethit Tropojë.

1980 – Angazhimi në Bujan, 31 vjeç. Pranohet kandidat i Partisë së Punës dhe transferohet si mjek veteriner në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar të Bujanit.

1981 – Kryetar kooperative, 32–33 vjeç. Zgjidhet kryetar i Kooperativës Bujqësore të Bashkuar të Bujanit.

1984 – Zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv, 36 vjeç. Merr detyrën e zëvendëskryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Tropojë.

1987 – Stacioni i Zooteknisë në Rrogam. Realizohet ngritja e këtij institucioni shkencor, me rëndësi për përmirësimin racor dhe zhvillimin e blegtorisë në Tropojë e më gjerë.

1989 – Drejtues i ekonomisë së Margegajt, 40–41 vjeç. Zgjidhet kryetar i Kooperativës Bujqësore “Bajram Curri”, Margegaj.

1989–1991 – Përgjegjësi politike. Zgjidhet sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit Tropojë dhe më vonë sekretar i parë i rrethit.

1991 – Kryetar i Partisë Socialiste të Tropojës, 42–43 vjeç. Merr drejtimin e organizatës së kësaj partie në rreth. Zgjidhet edhe anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

1992 – Largimi nga drejtimi politik, 43–44 vjeç. Dorëzon detyrën e kryetarit të Partisë Socialiste të Tropojës dhe vijon me veprimtari private.

2002–2008 – Inspektor në Tiranë. Punon në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve dhe Taksave.

2004 – Vendosja në Tiranë. Tirana bëhet vendbanimi i tij i përhershëm.

2009–2011 – Rikthim në profesionin e veterinerit. Punon si mjek veteriner për tregun në Njësinë Bashkiake Nr. 2, Tiranë.

2013 – Dalja në pension, 64–65 vjeç. Përfundon karrierën e rregullt të punës dhe vazhdon angazhimet shoqërore e publicistike.

2017 – Kontribut për nderimin e Gëghysenit. Është ndër intelektualët kryesorë të angazhuar në përgatitjen e dokumentacionit dhe propozimit për akordimin e titullit “Nderi i Kombit” për Gëghysenin.

2026 – Një jetë me kontribute. Në moshën 78-vjeçare, vijon të ruajë lidhjet me vendlindjen, miqtë dhe komunitetin, duke mbetur aktiv në jetën shoqërore dhe në promovimin e vlerave të Tropojës.


Besim DEMA

Shkrimtar dhe publicist

Krujë, nëntor 2026



Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page