Esse nga Besim CENGU

(Këngë-himn kushtuar dinjitetit femëror)
Në vitet 60’ ka qenë shumë e popullarizuar balada lumjane e kënduar në duet në fillim nga këngëtarja Hane Baftjari, një soprano e lindur me diapazon të gjërë vokal dhe Hekuran Çurçjali, një tenor lirik shumë i ëmbël. Pas këngës “Ah, kopili i dadës, o”, në repertorin e këtyre këngëtarëve, janë edhe këngët “Ah, more djalë jezit, mor djalë”, “Ani na u shemb tufa, moj Hatixhe” etj.
Këtë këngë e interpretuan mjaft mirë e në vitet 70’ dueti Lirie Meka dhe Gëzim Bilali.
Te kënga “Ah, more djalë jezit, more djalë”, shtrohet një problem i madh dhe themelor social, që shoqëria jonë e ka trashëguar për shkak të rrethanave historike dhe sociale: pengimi i lirisë për të dashuruar.
Të duash një djalë ishte turp, krim, thyerje e moralit shoqëror.
Për t’u dashuruar një çift të rinjsh, para viteve 60’, por edhe më pas deri vonë, ishte një sakrificë jashtëzakonisht e madhe, që shkonte deri në kufinjtë e të pamundshmes.
Këndej familja, babai, nëna, vëllai, i afërmi…andej shoqëria në të cilën jeton, e mbytur në mentalitetin e izoluar të provincës, atmosfera maskiliste dhe paragjykuese, që kundërmon erën e rëndë të ndikimeve orjentaliste për shkak të pushtimit të gjatë otoman.
Në këto kushte, ështe një mund i madh të “ringresh, apo të shërosh” një shpirt të plagosur deri në kufinjtë e zhdukjes së identitetit.
Që të realizohej dashuria, duhej të kapërcehen këta dy mure penguese të përhershme; muri i mentalitetit familjar, i cili ka të bëjë me formimin e personalitetit në të gjithë kompleksitetin, që ka në kushtet e mikromjedisit brenda mureve të shtëpisë dhe, mentalitetit të shoqërisë (makromjedisit social), që e formon njeriut si qenie sociale, e si pjesë me shumë rol në shoqëri e kolektivitet.
Kënga në planin narrativ, ka në bazë të saj trajtimin e një prej problemeve themelore të jetës, martesën, që është bazë e familjes.
Djali e do vajzën. Edhe vajza e do djalin. Por vajza i kërkon djalit kushtin e marrëveshjes me prindërit dhe njerëzit e shtëpisë, kryesisht babait, dmth, i miratimit nga autoriteti i vrazhdë prindëror. Sapo djali i thotë se “fjalën ta kam çue (po) baba it s’ka ngjue…”, vajza shpërthen me vargun, të cilin unë e kam vlerësuar si shprehje e koncentruar e “kryengritjes krenare”. Ky shpërthim duket si një akumulim shumëshekullor në shpirtin kolektiv të vajzës shqiptare. Ajo shpërthen deri në britje duke u shprehur:
…“Gjit ka baba jem, me jaranin tem…?!”.
Në fakt ky shpërthim nuk është protestë individuale. Është i gjithë brezit të ri, i cili ka lindur dhe është rritur në këtë shoqëri me shpirtin e plagosur. Haki Stërmilli, e ka trajtuar mjaft mirë këtë temë te romani “Sikur të isha djalë”.
Një pjesë e këtij vargu në këngë, përsëritet dy herë në shenjë nënvizimi: (“gjit ko baba jem…”), madje ka një ngritje toni që nënkuptohet si kushtrim social, që kërkon vëmendje e përqëndrim të madh. Ashtu siç kërkon vëmendje edhe përdorimi i ndërkalljes muzikore dramatike, deri në tragjizëm “Of, of”, e cila i jep forcë emocionale gjithë këngës.
Te ky varg, sintetizohet jeta e vajzës lumjane, ndrydhja në vijimësi e saj, sintetizohet “kryengritja krenare”, si protestë sociale dhe revoltë emancipuese kundër “babait”, si institucioni i vrazhdë (produkt social orjentalo-ballkanik), autoritar dhe i padiskutueshëm në familje, dmth, autoritetit që përfaqëson edukimit e infektuar tradicional si simbol pengese.
Te kënga, shihet qartë nëpërmjet interpretimit, forca e dashurisë dhe entuziazmit rinor për të prishë barrierat patriarkale.
Ndrydhja patriarkale
Në këngë, del në pah qartë ndrydhja psikologjike dhe sociale. Një ndrydhje që vjen nga thellësia e shekujve, por dhe buron nga vetë shoqëria jonë, jo vetëm si shoqëri patriarkale dhe maskiliste, por edhe përnga ndikimi në vendin tonë dhe Ballkan në përgjithësi i mentalitetit, kulturës e praktikës orientale të trajtimit të femrës si qenie humane e sociale në përgjithësi.
Vajza lumjane, nëpërmjet kësaj kënge, kërkon këputjen e këtyre “vargojve” tradicionalë, që e kanë lidhur kokë e këmbë deri në ekstrem, që kërkon pozitën e saj në familje dhe shoqëri.
Kjo kërkesë, është një stad i ri social dhe kulturor, në përputhje me kushte e reja dhe zhvillimin e shoqërisë së pasluftës. Kjo aspiratë e avancuar për kohën, dëshmon për një moshë relativisht të ri të tekstit të këngës, por që vajza, përmes interpretimit të , gjen rastin e shpërthen emocionalisht kundër institucionit të “vrazhdë” të “babait” edhe si pengim m’u në çastin e volitshëm.
Të mos harrojmë, se vetëm pak kohë para (vitet 30’) “mohimi i babait” si koncept filozofik (neofrojdist), ishte trajtuar thellë e gjërë edhe te ne. Në atë periudhë si imperativ emancipues, qe kërkimi i së resë, i neoshqiptarit apo “djalit” të kohës, që ndryshon esencialisht konceptet e botëkuptimin.
Migjeni te poezia “Të birtë e shekullit të ri”, shkruan vargun “…plakun e lamë në ‘shejtnin’ e tij”, duke e përforcuar edhe me historinë e Ages te novela ”Studenti në shtëpi”. Po kështu edhe krijuesit e asaj kohe në filozofi, publicistikë e art, kërkonin këtë gjë.
Pas kësaj revolte, vajza tashmë nuk e sheh fort veten si pronë e dikujt tjetër, por si “pronë” e zonjë e vetvetes me personalitetin dhe dinjitetin e vet. Ajo përmes këtij vargu, përcjell mesazh substancial: Mjaft më me marrjen nëpër këmbë të dinjitetit të femrës dhe poshtërimit të personalitetit të saj.
Kjo ndrydhje, të keqen më të madhe e ka se është kolektive. Gjykuar në këtë aspekt, ndrydhja si praktikë sociale, sjell shumë pasoja në psikologjinë e shoqërisë, që reflektohet në deformime psikologjike që në thelb, të familjes dhe rrjedhimisht edhe të shoqërisë ku jeton.
Së pari, anormaliteti i një jetese, për shkak të trysnisë së ndrydhjes së vazhdueshme, sjell anomali e çrregullime psiqike, që shkojnë deri te devijime të pariparueshme të personalitetit. Te femra e asaj kohe, kjo pengesë lirie, rëndom reflektohet me ndrojtjen e frikën për të qenë faktor, mbyllje në botën e saj dhe kultivimi si individ i frenuar pa rol e pozicionim në shoqërinë ku jeton. Praktikisht, e sposton këtë faktor të rëndësishëm human, nga marrja pjesë aktivisht në rregullimin e jetës familjare, e më pas, të shoqërisë.
Së dyti, ndrydhja sociale, si privim i së drejtës elementare, shkatërron strukturën psikologjike, duke frenuar shumë ndjenja, praktika e cilësi, të cilat plagosin seriozisht, ose e asgjësojnë plotësisht konstitucionin mendor. Si pasojë, individë të tillë, nuk janë të aftë të reflektojnë e të ndërtojnë nesër një familje të qëndrueshme, apo edhe shoqëri të re të emancipuar.
Prandaj vargu është kushtrim dhe thirrje publike, për t’u shkëputur prej praktikave të ndrydhjes së femrës, që e bën të paaftë dhe, më së shumti, të padenjë për të qenë faktor emancipimi dhe zhvillimi në shoqërinë ku bën pjesë.
Kryengritja krenare
Akti i Tatjanës, e cila mori guximin t’i shkruante letrën e dashurisë Onjeginit, nga kritika e kohës është konsideruar si guximi i shekullit në Rusi, që solli mentalitet e mendim të ri. Porse “kryengritja krenare” e vajzës lumjane, në konceptet e kohës së vet dhe shoqërisë së saj, është një akt i madh emancipimi, jo nëpërmjet letrës, por nëpërmjet këngës, ku sintetizohen ndjenjat më të holla njerëzore.
Këtu qëndron madhështia.
Kjo kryengritje, simbolizon grumbullimin e energjive të mëdha shumëshekullore, për të arritur deri këtu. Kjo “kryengritje krenare”, është një shpartallim epokal i gardhit të frenimit, për një ndjenjë krejt të natyrshme, që lind në kohën dhe çastin e duhur. Se në të vërtetë, nuk bëhet fjalë për pengimin e një individi, por të pjesës më dinamike dhe domethënëse të shoqësisë.
Nëse te Tatjana, kemi në fund të fundit, një thyerje tabuje apo sjelljeje të shoqërisë bujkrobe ruse, te vajza lumjane “kryengritja krenare” shkon edhe më tej, pasi ka të bëjë me braktisjen e një koncepti psikosocial, i cili lidhet me kundërshtinë e praktikave penguese, që sjellin deviacione psikologjike, të cilat plagosin shpirtin individual dhe për pasojë edhe atë kolektiv të femrës e më në fund të gjithë shoqërisë.
Revolta emancipuese
Revolta, që shprehet në të gjithë këngën, sidomos në vargun e përmendur, në fund të fundit, nxjerr në krye të emancipimit femrën.
Së pari, kënga është duet, që do të thotë, se edhe në aspektin muzikor është një risi, një praktikë e re që synon të jetë sa më afër publikut, por edhe tematikës që trajton. Dueti në gjininë e këngës, ka synim siç thamë, që të zgjerojë spektrin në raport me komunikimin me njerëzit. Gjithashtu, një prej qëllimeve të këtij produkti artistik, është edhe vënia në theks i kuptimshmërisë së tekstit për të përcjellë sa më qartë mesazhin.
Së dyti, te vargu vemë re, se nuk është djali artikulues i revoltës, që përbën esencialisht plagën e shoqërisë tonë, por është vajza që ekspozohet hapur dhe me guxim. Për këtë arsye është revoltë emancipuese, e koncentruar vetëm në një varg kënge:
“Gjit ko baba jem, me jaranin tem / ofooof, of, me jaranin tem”.
Te ky varg përcillet qartë ideja e kërkimit të vendit dhe pozitës në shoqëri.
Kënga është një himn kushtuar personalitetit femëror, që përcjell mesazhin se ajo nuk është pronë e askujt tjetër përveçse e vetvetes.
Comments