SHPENDI TOPOLLAJ: DORANIN AGALLIU ME NJË NOVELË MJAFT INTERESANTE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 3 min read

Edhe pse kiliani Pablo Neruda e quante vdekjen si gurin në të cilin ndalon harresa jonë, shkrimtari Doranin Agalliu te novela e tij “Kur vdiqa” e ka parë atë si gurin ku fillon e merr jetë kujtesa e sinqertë e njeriut. Kur personazhi kryesor që edhe pse anonim, kuptohet se është vetë ai, ndërron jetë ditën që doli në pension, pasi bëri pyetjen “kush je ti që më shqetëson”, dëgjon zërin e panjohur: “Nga sot e tutje midis shpirtit tënd dhe teje do të ndodhem unë”, pra ndërgjegja. Sa ishte gjallë, ai kishte ca gjëra të vogla që puna ia donte t`i fshihte prej saj, por tani nën hijen e vdekjes, ku - siç shkruante Stefan Zweig - askush nuk gënjen, s`ka më arsye që të mos rrëfehet. Por rrëfimi i tij, duar - duar i kalon kufijtë e një individi dhe rrok hapësira dhe ngjarje të një rëndësie mbarëshoqërore. Raportin midis jetës dhe vdekjes e kanë trajtuar mjeshtrit e mëdhenj, ndofta para Lukianit e deri te gazetari Philip Mouller që kishte mendimin se “Vdekja është përfundimi i një tregimi dhe fillimi i një tjetri”. Dhe pikërisht këtë përcaktim ka gjetur Doranini për të kompozuar novelën e tij dhe për të na dhënë mesazhet që do. Ndërgjegja e tij duke e ditur misionin e saj, i bën thirrje të vdekurit: “Atë që ke nxirre…”, se vetëm kështu do “zë vend në muzeun botëror të ndërgjegjes… nëse i ke lënë vend vetes…” Dhe 65 vjeçari, baba i tri vajzave të martuara respektivisht me një italian, një gjerman e një amerikan, pra internacionalisht, tani gjen kohën e duhur të kujtojë flirtet dhe dashuriçkat e tij. Kështu, të shkakton të qeshura lënia e takimeve në ca furriqe të ndyra si tek ajo dera e hekurit te muri i kështjellës afër “Vollgës” të dielave, se të shtunat ishin të Enverit. Natyrisht që këto vogëlsira të përshkruara me shumë çiltërsi, janë futur për ta thyer disi rrjedhën serioze të novelës, pra me doza humori mjaft të këndshëm. Por autori, duke kuvenduar me ndërgjegjen, nuk e ka hallin të na përshkruajë premtimet, pëshpëritjet e puthjet e dikurshme mes tyre, se sa kërkon të pikturojë me vërtetësi e ngjyra të gjalla, të dy kohët kur ky punonjës korrekt i administratës shtetërore, kishte shërbyer nëpër arkiva. Në këtë kuptim, ai tani dëshmon. Dëshmon se të parat që u larguan nga puna dhe dolën në asistencë ishin jevgat e WC - ve, pra me ato nisi reforma pas ardhjes së demokracisë. Ironi therëse, por edhe paralajmëruese për çka do të vinte më pas. Se ajo që erdhi më pas, solli fenomenin e asaj që u quajt “kap ça të kapësh” dhe vijoi me pasurimin e injorantëve, politikanëve, korrupsionin e administratës, marrjen e një titulli përkundrejt pagesës, daljen në plan të parë të interesave dhe sherret që vinë prej saj, deri edhe brenda familjes. Se kishte ardhur koha që zënka nuk ndodhnin vetëm nëpër dasma, por edhe nëpër vdekje. Tani, i vdekuri shihte nga pasqyra e sallës funerale me emrin paradoksal “Shtëpia e engjëjve”, reagimet e atyre që vinin për ngushëllim dhe dëshpërohet teksa ata më shumë se atë, qanin hallet e tyre. Ai që nuk kishte marrë asnjëherë rushfet, nga që ishte i ndershëm, habitej kur gangot, me varëse të trasha floriri në qafë, ish nxënësit e dikurshëm të Ishmit, hidhnin në tavolinë pa të keq, nga 1000 dollarë dhe e shoqja për t`u dukur porosiste arkëmortin më të shtrenjtë me çip, laptop dhe kamera të fshehtë. Kur i vjen shoku me të cilin qenë prishur për hir të një vajze, ai kërkon ta falenderojë, por ndërgjegja e kujton se tani vetëm shpirt ke dhe as mund të falenderosh dhe as të presësh ngushëllime. Kështu shprehej dhe poeti viktorian Robert Browningu që e përfytyronte vdekjen si një rreze dielli e cila prek mishin dhe zgjon shpirtin. Ndaj autori në rrëfimin e tij pohon: “Vdekja ime ishte aq e thjeshtë… Vetëm shpirtin nuk ma mori. Ai do të shkonte në qiell, atje në mbretërinë e madhe, ku padyshim do ishte dhe vendi im në parajsë”. Po a do të ishte tamam kështu? Po të ekzistonte fuqia që ndërtonte Parajsën, përse e mori atë, sikurse tha doktori, nga shkaqe natyrale, që ditën e parë të pensionit? Ai ishte njeri i mirë që nuk i kishte bërë keq askujt dhe rronin hajdutët e maskarenjtë. Dhe bashkë me ta edhe burri fukara i cili priste të varrosej ai, që t`i kërkonte të shoqes rrobat dhe këpucët e tij. Sa e ngatërruar dhe e padrejtë është kjo botë. Dhe sa histori ka për të treguar. Ato janë si gurë mozaiku në këtë novelë. Le pastaj sa pranë janë jeta me vdekjen, apo trupi me shpirtin. Borgesi nuk ngurronte të thosh se “Vdekja është një jetë e jetuar. Jeta është një vdekje që vjen”. Këtë na e thotë mjeshtërisht edhe shkrimtari mjaft i sukseshëm Doranin Agalliu te kjo novelë e shkruar me një gjuhë sa të thjeshtë aq të këndshme.
Kommentare