top of page

Bernard Zotaj: Ramica...



 

Ramica - fshat me tradita historike e etnokulturore, me interes turistik

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Pozita gjeografike

Ramica, sot në administrim nga Bashkia Selenicë, është një ndër fshatrat më të bukur të luginës së Lumit të Vlorës me një ekonomi të begatë, me resurse në të gjitha fushat dhe tradita të shumta historiko-kulturore.

Fshati Ramicë gjendet në koordinatat gjeografike: 40° 18’ 25” Veri, 19° 41’ 50” Lindje, rreth 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës. Fshati Ramicë gjendër rreth 600 m mbi nivelin e detit. Ramica bën pjesë në krahinën e Smokthinës të përbërë nga fshatrat Ramicë, Matogjin, Bashaj, Shalës-Mesaplik, që ndodhen në Krahinën e Mesaplikut.

Ramica shtrihet në një kodër dhe prej aty vëzhgon të gjithë krahinën e Mesaplikut, ka një pozicion strategjik dhe një klimë të pastër.

Nga qendra e Ramicës nisin degëzimet e rrugëve: Ramicë-Hysaj-Verbas-Matogji-Bashaj, Vërmik; Ramicë-Ballaban-Shalës-Mesaplik, si rrugicat e brendshme të fshatit, me porta dhe shtëpi të bukura e karakteristike, dy katëshe, që tregojnë se banorët e Ramicës janë punëtorë e bujq, të dalluar edhe për shije e kulturë jetese, pune e ndërtimi.

Ramica ka burime të shumta me ujë si Rrëza e Rrethit, Kroi i Veshe, Zvori, kroi i Hyse, kroi i Sarçe etj.

Në Ramicë në vitin 1964, me ndihmën e bashkëfshatrëve të larguar nga fshati Rremzi Islami dhe Bako Dervishaj, u ndërtua një central i vogël për nevojat familjare të ndriçimit. Ramica ka pasur dhe disa mullinj bloje për misër dhe grurë, ku më i dëgjuari ka qenë mulliri i Zigur Veshit.

Rëndësia historike

Në shek. XV Smokthina ka qenë pjesë përbërse e Himarës, si rrjedhojë smokthinjotët e parë që nga viti 1432-1438 kanë marrë pjesë në luftërat kundër osmanëve të udhëhequra nga Aranitët. Në vitin 1498 smokthinjotët luftojnë trimërisht në Çipin ku ka mbetur dhe toponimi “Shkalla e turkut”. Në kryengritjen e vitit 1535 u luftua për mbrojtjen e kalasë së Ceries.

Pashallëku i Janinës. Smokthinjotët kanë qenë në mbështetje të Ali Pashë Tepelenës në luftë kundër osmanëve për shkëputjen prej saj. Në kryengritjet e Shqipërisë së Jugut në vitin 1833 smokthinjotët nën udhëhqjen e Cane Myftarit morë pjesë masisvisht në këtë kryengritje.

Reforma e Tanzimatit. Në luftërat kundër reformave të Tanzimatit, smokthinjotët patën një pjesëmarrje të amdhe për një kohë të gjatë që këto reformat ë mos gjenin zbatim. Në Qershor 1847 u mbaj Kuvendi i Mesapliku. Në këtë kuvend u bë organizimi i popullsisë së krahinës së Shqipërisë së Jugut për vetqeverisjen e vendit, e cila do të arrohej me kryengritje të përgjithshme, ku pjesëmarrës ishin deh shumë smokthinjotë. Në Luftën e Greshicës, e cila zgjati disa ditë smokthinjotët të udhëhqur nga Haxhi Hoxha, Tartar Memushi dhe Dule Zoto treguan heroizëm të rrallë duke ngelur në fushën e betejës 60 smokthinjotë, të cilët populli i ka përjetësuar me këngë: “O ju gratë e greshiciote,/ Qani djemtë e smokthinjote…”. Edhe sot në Greshicë është toponimi “Varret e smokthinjote”. Në vitin 1852 smokthinjotët luftua në krah të Zenel Gjolekës në Mal të Zi kundër shovinistëve malazez. Në vitet 1850-1870 smokthinjotët i gjejmë në përbërje të Bilbilenjëve.

Shpallja e Pavarësisë 1912, smokthinjotët i gjen masivisht në mbështetje të plotë të këtij momenti historik. Smokthinjotët kanë qenë të gatshëm për mbrojtjen e kufijëve të Jugut nga synimet shoviniste greke. Në dhjetor 1912 Ismail Qemali erdhi në Smokthinë dhe i bëri thirrje popullit për luftë në mbrojtje të Janinës. 150 smokthinjotë morën pjesë vullentarisht për mbrojtjen e trevave shqiptare. Në këtë luftë mbetën të vrarë 14 smokthinjotë (dëshmorë).

Lufta e Vlorës 1920. Në luftën për çlirimin e Vlorës më 1920 u mobilizuan dhe morën pjesë masive nga çdo familje, të organizuara në 3 çeta. Në këtë betejë ngelën 16 smokthinjotë të vrarë (dëshmorë).


Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. 


Smokthina ka qenë bazë e LANÇ-it. Smokthinjotët kanë luftuar që nga dhjetori i vitit 1942 deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, të inkuadruar në çeta e batalione territorial e ato partizane. Në nëntor 1942 në Smokthinë u krijua Këshilli Nacionalçlirimtar në Verbas. Në 5 Qershor 1943 u krijua çeta partizane “Zigur Lelo” e Smokthinës, me 21 partizanë, bij dhe bija të Smokthinës. Smokthina me 300 e ca familje në luftë për çlirimin e vendit u inkuadruan 205 partizanë, mbi 150 vetë në batalionin territorial si dhe mbi 200 gra të cilat dhanë një kontribut të madh në luftën për çlirim.

Gjatë LANÇ-it, në Ramicë të Smokthinës kanë qëndruar: Komiteti Qarkor i Partisë, Këshilli Antifashist i Qarkorit, Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, Komanda e shtabi i Br. V Sulmuesë, -Komanda e shtabi i Br. VI Sulmuese, Komanda e Vendit, Spitali partizan, Depo, telegrafa, roja partizane etj.

Smokthina i dha luftës 103 dëshmorë të tri luftërave (1914, 1920, 1939-1944). U masakruan nga pushtuesi 20 veta. Të plagosur 28 veta. Batalioni territorial i Shullërit më 180 luftëtarë. Pjesëmarrja në luftë 604 veta. Pjesëmarrja e gruas 217 veta. Shtëpi të djegura gjatë luftës 117. Bagëti të rrëmbyera nga armiku 5480 krerë.

Smokthina i dha luftës dy heronj tëpopullit dhe punës tre heronj:Zigur Lelo, 1920, Hero i Popullit; Qeriba Derri, 1944, Heroinë e Popullit; Shefqet Musaraj, 1969, Hero i Punës Socialiste; Syrja Selmanaj 1969, Hero i Punës Socialiste dhe Violeta Muçaj (Bendaj) 1974, Hero i Punës Socialiste.

Fshatit Ramicë në qarkun e Vlorës, në vitet e LANÇ-it, u bë bazë dhe mbështetje e fuqishme e Luftës më të rëndësishme dhe jetike për fatet e shqiptarëve, kontribuoi e dha një ndihmesë të çmueshme. Populli i këtij fshati malor, i përkushtuar në ndjenjën e patrotizmit dhe i frymëzuar nga dashuria për Atdheun, mori pjesë masivisht në këtë Luftë, duke vënë në dispozicion të saj gjithçka që kishin më të shtrenjtë, deri edhe jetën e tyre. Ramica shërbeu për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo vetëm si Zonë e Lirë, por edhe si pikë dominuese strategjike e rëndësishme, me një terren të përshtatshëm ku lehtësonte drejtimin operativ e strategjik të Luftës në krejt zonën e Lumit të Vlorës. Ajo shërbeu edhe si një qendër nga ku nisën dhe u zhvilluan luftime të ashpra, në veçanti gjatë Operacionit të Dimrit të vitit 1943-1944, por edhe në gjithë gjashtëmujorin e parë të vitit 1944.

Ramica u bë selia e shtabeve partizane të gjithë qarkut Vlorë, si dhe të brigadave si BrVS, BrIS, BrVIS e të BrXIIS, të çetave dhe batalioneve partizane. Populli i këtij fshati, partizanët e këtyre njësive i strehoi, i ushqeu, i veshi e i mbathi, duke treguar shpirtin e lartë të solidaritetit dhe frymën e humanizmit të paparë. Në Ramicë u hap dhe funksionoi spitali partizan i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër në shpellë të Hyse, si dhe disa familje që strehuan dhe mjekuan partizanë të plagosur.

Në Ramicë gjetën terren, u strehuan e punuan si ilegal e legal Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ali Demi, Manush Myftiu, Pajo Islami, Shefqet Peçi, Haki Toska, Ali Demi, Liri Gega, Liri Arapi, Teli Ndini, Ymer Veshi, Ramize Gjebreja, Zaho Koka e dhjetra të tjerë. Prej muajit tetor 1943 në Ramicë u vendosën në kohë të ndryshme dhe punuan deri në çlirim, Qarkori i Partisë për Vlorën, Komanda e Qarkut, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Qarkut, Shtabi i BrVS, si dhe Shtabi i BrVIS.

Në historikun e fshatit, por dhe në labitarin që përjetëson kontributin e Ramicës në luftë, për këtë shtab nuk është shkruar dhe vendosur në vendin që i takon. Shtabi i BrVS qëndroi në shtëpinë e Zoto Rakip Zotaj. Shtabi i BrVIS më Haki Toskën u vendos në shtëpinë e Hodo Ferhatit, i cili në atë kohë ishte me punë, blegtori, në zonat e okupuara të Vlorës.

Nga fshati Ramicë u nisën delegatët e Qarkut të Vlorës për në Kongresin Antifashist të Përmetit, si dhe delegatët e rinisë antifashiste të Qarkut të Vlorës për në Kongresin e Helmësit.

Në Ramicë nga 28 nëntori i vitit 1942, tek Përrali i Verbasit u zgjodh pushteti i popullit, i përfaqësuar nga Këshilli Antifshist i fshatit, si dhe deri në çlirim janë zhvilluar mbi 30 veprimtari masive me karakter informativ, sqarues e vendimmarrës, në sheshe, në shtëpi, si dhe në livadhe.

10 shtëpi në Ramicë janë vlerësuar “Baza të Luftës”. Shtëpi bazë të Luftës Nacionalçlirimtare ndër të tjera të titulluara si të tilla janë shtëpitë e Zenel Hasan Curraj, Gilo Lame Sulçaj, Shtëpitë e Dervishe, të Cane, të Pronje të Zoto Rakip Zotaj, Lavdosh Zaçe Zotaj dhe të Feti e Fail Liçaj. Mbi 100 djem dhe vajza të Ramicës u rreshtuan në njësitet partizane, kryesisht në BrVS dhe në BrXIIS.

Mbi 140 në çetën vullnetare e territoriale të fshatit, e cila mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në Qark deri në çlirimin e Vlorës.

Mbi 80 gra ramiciote dhanë ndihmesën e veçantë në Luftë, në ndihmë të ekonomisë partizane. Populli i Ramicës qëndroi me vetmohim dhe përballoi me trimëri pesë operacionet që kaloi vendi ynë, gjurmët e tyre të shkatërrimit dhe të urisë që na lanë trashëgim.

Humbjet njerëzore dhe materiale qenë të mëdha. Ramica ka 25 dëshmorë, 10 të plagosur, të internuar, të burgosur, 70 shtëpi të djegura, 2000 bagëti të imta dhe 780 bagëti të trasha të dëmtuara. Ky është bilanci i humbjeve tragjike që pësoi Ramica nga Lufta.

Rol të rëndësishëm jo vetëm në përkrahje të Luftës, por edhe të ndikimit të drejtpërdrejtë edhe për mbarë Ramicën dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare dha shembulli pozitiv i dhjetra ramiciotëve jashtë fshatit. Kështu mund të përmendim Pajo Islami, vëllezërit Feti e Faik Liçaj, vëllezërit Hysni e Muharrem Canaj, Asllan Veshi, Miftar Canaj, Ismail Bocaj me vëllezërit, Nexhip Xhikaj me vëllezërit, etj.

Ramica është dekoruar me Urdhrin e Flamurit. Fshati gjatë viteve të Luftës shërbeu si qendër e rëndësishme e veprimtarisë politike, ushtarake dhe logjistike për ushtrinë partizane dhe organet drejtuese të Frontit Nacionalçlirimtar. Udhëheqja politike dhe ushtarake e Luftës, ndiente një detyrim të madh moral për sakrificat dhe heroizmin e popullsisë së fshatit, e cila mbajti në mesin e saj partizanë, duke përballuar operacione armike, e duke sakrifikuar pasurinë, deri edhe jetën. Ndër vendimet e para që mori Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, më datë 14 nëntor 1945, ishte dhe dekorimi i fshatit Ramicë të qarkut të Vlorës.


Implikimi i ushtrisë italiane


Gjatë Luftës së Drashovicës të vitit 1943, u liruan nga gjermanët, ndërmjet të tjereve, edhe 13 mjeke italiane. Gjatë konfrontimit me armë, në këtë luftë mbetën 11 partizanë të vrarë dhe 40 të tjerë të plagosur shumë rëndë, ndërmjet të cilëve edhe zëvendëskomisari i Zonës së Parë Operative dhe i operacionit në Luftën e Drashovicës, Hysni Kapo si dhe komandanti i çetës “Zigur Lelo”, Mevlan Dervishaj dhe komandant i një batalioni miks partizan. Të dy morën plagë shumë të rënda. Mevlan Dervishaj u plagos rëndë në mushkëri por megjithatë shpëtoi dhe jetën ia dedikon atyre 13 mjekëve që për ditë e netë të tëra i qëndruan të koka në fshatin e lindjes Ramicë. Në shtëpinë e Zote u mjekua dhe qëndroi sa u shërua Hysni Kapo.

Krahina e Smokthinës që nga mesi i shtatorit deri më 28 nëntor 1943, përreth tre muaj mikpriti në gjirin e saj 11.000 ushtarë dhe oficerë italianë të ushtrisë së kapitulluar, pa asnjë lloj organizmi civil apo ushtarak. Në atë kohë Bako Dervieshaj, bir i Ramicës kishte funksionin e komandantit të krahinës dhe ishte përgjegjës politik i këshillit nacionalçlirimtar të krahinës, duke qenë dhe përgjegjësi i këshillave dhe skuadrave vullnetare të 19 fshatrave. Një organizim i tillë sillte rregull e qetësi në krahinë.

Në detyrën e ngarkuar Bako Dervishaj u kujdes për forcat italiane, që u dislokuan në Lumin e Smokthinës, nga Ballabani në Parika, në qendër të saj. Plani përmblidhej në këto pika: Të sigurohej normaliteti në gjirin e ushtarakëve italiane (11.000 vetë) të cilët ishin të çarmatosur, të demoralizuar dhe të pashpresë. Të ruheshin ata nga ndonjë sulm i mundshëm i gjermaneve apo ballistëve, të cilët në atë kohë lidhën aleancë të hapur me gjermanët. Për këdo që do të guxonte të sulmonte apo do të sillej forcërisht me italianët do të zbatohej ligji i luftës me vetëm dy nene (neni 1: falje, neni 2: pushkatim). Garantimi i mjeteve të jetesës dhe veshmbathjes për 11.000 vetë. Komanda aleate nëpërmjet misionarëve të saj pranë komandave partizane, iu shpërndau italianeve para e monedha floriri për blerjen e ushqimeve nga popullsia shqiptare e zonës. Në këto kushte për të shmangur spekullimet e mundshme, u vendos. Të vihej në dijeni e gjithë popullata që kushdo mund të shkonte në kampin italian dhe t’u shiste atyre ushqime apo mjete të tjera, për të cilat ata do te kishin nevojë sipas çmimeve të fiksuara nga përfaqësuesit partizanë. Gjithkujt që do të spekullonte me çmimet do t’i sekuestrohej i gjithë malli. Malli i sekuestruar do t’u shpërndahej falas italianeve. U porositën familjet fshatare të zonës që të ndihmonin italianet me sa të kishin mundësi, veçanërisht ata që do të kërkonin punë dhe strehim. Italianëve iu rekomandua të mos provonin të kërkonin asnjë lloj ndihme nga gjermanët. (Kur një grup prej tyre, midis të cilëve edhe disa oficerë, u orvat të largohej në drejtim të Jugut për të arritur në qytetin port të Sarandës, në afërsi të fshatit Kuç, u ndesh me forcat gjermane, të cilët, pasi i ndanë oficerët nga ushtarët italianë, oficerët i pushkatuan të gjithe. Gjermani u bë kështu armiku i përbashkët).

Pas kësaj përpjekjet për tu inkuadrua në Luften Antifashiste qenë të shumta dhe kjo do të ishte tepër e favorshme edhe për partizanët, duke u nisur nga fakti që ata përbënin një forcë aktive, të cilën nacionalistët shqiptar apo gjermanët mund ta përdornin kundër nesh. Ishin të shumtë italianet me fizik të fortë dhe të vendosur, që të merrnin pjesë në luftë, duke pranuar disiplinën dhe rreugullat e ushtrisë partizane.

Shëmbull: Rreth 20 shtatorit të vitit 1943 Bako Dervishaj bëri një vizitë në kampin italian për gjatë Lumit të Ramicës. Duke shikuar gjithë atë turmë të pafat njerëzish, në mes të pyllit dhe nën hijen e pemëve, nuk arrija të mendoja se kisha të bëja me ish armiqtë tanë, por përpiqesha të gjeja mundësitë si t’i ndihmoja për të dalë nga ajo gjendje ankthi dhe trishtimi. Nuk dija se çfarë të bëja, ka shkruar në librin me kujtime “Me italianët”, gjenerla Bako Dervishaj. Ata vetë nuk dinin çfare të më thonin dhe unë për çfarë t’i ngushëlloja. I dëgjoja tek këndonin disa këngë melankolike italiane dhe në zërin e tyre ndjeja një mallëngjim që më rrënqethte. Me afrohen dy oficerë të rinj (njeri ishte (Jelestino, tjetri nuk më kujtohet), të cilët më kërkuan që të futeshin edhe ata në radhët e ushtrisë partizane, por pasi të ishte zgjidhur problemi i sistemimit të shokëve të tyre të kompanisë së mortajave 82 mm.

Për këtë qëllim, me mirësjelljen që i karakterizonte (dhe që ne shqiptarët aq shumë na kishte bërë përshtypje) me kërkuan t’i jepja mundësinë kompanisë së tyre të largohej nga kampi për të siguruar më pas sistemimin në fshatrat përreth krahinës së Mesapikut e Smokthinës.

Ju tregova me gisht një shpellë 10 km larg që aty dhe u thashë se të nesërmen e gjithë kompania mund të nisej për atje. Ua bëra të qartë se ajo shpellë kishte vetëm një hyrje dhe mjaftonte për të nxënë brenda saj 500 veta. U thashë me pas që sapo të mbërrinin mund të vinin e të kontaktonin me mua, sepse shtëpia ime ndodhej fare pranë e me pas do të diskutonim për të marrë masat e mëtejshme. U ndamë me mirëkuptim, kështu shkruhet dhe në librin e Maraldos. Kompania e mortajave mbërriti në shpellën e Ramicës, dy oficerët më bënë një vizitë në shtëpinë time.

Dy mysafirëve ju dhashë një pushkë dhe i urdhërova ta pëdornin pa hezitim kundër kujtdo që do të tentonte të dhunonte “banesën” e tyre. Fatmirësisht, nga ana e popullsisë patëm mirëkuptimin e duhur.

Krahina e Smokthinës përbëhej nga pothuajse 500 familje dhe nga ky fshat shkuan për të luftuar me armë në dorë rreth 650 vetë. Në familje mbetën vetëm pleqtë dhe femijët në moshë shumë të vogël. Çdo familje strehoi të paktën nga një Italian, gjë që u kthye në një normë morale aq e natyrshme, sa që ishte e vështirë të qëndroje jashtë saj.

Me kalimin e kohës, italianët njeri pas tjetri, u lidhën me familjet smokthinjote, u bënë zotër shtëpish dhe u sistemuan në punë të ndryshme. Mbaj mend që çdo të diel e bënë zakon të vizitonin njeri-tjetrin nëpër shtëpitë dhe iu luteshin pleqve, që kishin mbetur nëpër familje, që për shokët e ftuar të mund të gatuanin harapash (polenta), sigurisht me gjalp e djath sipas mundësive.

Gjatë qëndrimit të tyre në krahinën e Smokthinës si “emigrantë”, nga ana e italianëve nuk pati asnjë të sëmurë apo të vdekur. Ata, të strehuar e të punësuar nëpër familjet fshatare, nuk ishin as punëtorë, as shërbëtorë dhe as refugjatë. Ata ishin thjesht robër të liruar dhe të strehuar për t’u mbrojtur. Bënin punë të përbashkët nëpër familje, jo për të fituar, por për të shtuar prodhimin bujqesor e blektoral dhe për të jetuar dhe ata vetë.

Në kuadrin e zhvillimit turistik të Smokthinës, në Ramicë, ku dhe ka vdekur një general Italian i plagosur në Luftën Italo-Greke, ka pasur dhe një pllakatë…


Disa figura smokthinjote të LANÇ-it


Disa nga figurat kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u bënë komandant dhe komisar të zot në LANÇ dhe pas çlirimit të Shqipërisë u bënë drejtues dhe specialistë të mirë në shumë fusha të jetës politike, shoqërore e ekonomike e deri në ushtri si Mevlan Dervishaj, Pajo Islami, Bako Dervishaj, Mojsi Elezi, Shefqet Musaraj, Veiz Pipa, Shahin Ruka, Feti Smokthina, Shaqo Derri, Dane Mehmeti, Bardhosh Halimi, Lavdosh Zotaj, Njazi Canaj, Shyqyri Ajazi, Gilo Lame, Hasan Abedini, Ismail Burhanaj etj.


Smokthina ka ç’të tregojë…


Ramica nga rruga e Lumit të Vlorës ndahet në Qafën e Varrit të Tavës. Porta hyrëse për në Ramicë është fshati Velçë. Në këtë fshat gjenden Shpellat e Velçës. Krijuar nga karstike në gëlqeror, konsiston në ngushtime dhe zgjerimet dhe ka mikroforma. Disa metra të gjatë, 5.7 m të gjerë dhe të lartë. I njohur si zgjidhjen e njerëzimit neolitik, ende e pashkelur.

Shpella e Ramicës. Gjendet në afërsi të fshatit Ramicë, njësia administrative Brataj, në rrethin e Vlorës. Përfaqëson një shpellë karstike të formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë. Ka ngushtime e zgjerime me përmasa mesatare 10-15 m. Zgjerimi më i madh ka formën e një kubeje. Lartësia mbi nivelin e detit është 1000 m. Ka vlera shkencore (gjeomorfologjike), didaktike e turistike. Mund të vizitohet me lehtësi duke ndjekur intinerarin qyteti i Vlorës-fshati Ramicë-lagjja Hysaj. Dhënë me Vendim Nr. 676, datë 20. 12. 2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare”.

Ujëvara e Ramicës. Gjëndet në afërsi të fshatit Ramicë; njësia administrative Brataj të rrethit të Vlorës. Përfaqësohet nga një ujëvarë e formuar nga përroi i Ramicës në shkëmbinj gëlqerorë. Nga banorët vendas njihet edhe me emrin Ujët e Varur. Lartësia e saj është mbi 10 m. Në rrëzën e pragut shkëmbor nga bie uji, është formuar një gropë me thellësi mbi 1.5 m. Ka vlera shkencore (gjeomorfologjike, hidrologjike), didaktike, estetiko-turistike. Vizitohet sipas intinerarin qyteti i Vlorës-fshati Ramicë-Gjinoçicë. Dhënë me Vendim Nr. 676, datë 20. 12. 2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare”.

Shtëpia e Feti Elmazit. Në fshatin Ramicë, Vlorë ku ka Qendruar Këshilli Nacionalçlirimtar i Qarkut të Vlorës, dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës me Vendim Nr. 1886, më datë 10. 06. 1973.

Rrapi i Gurrave Smokthinë. Ndodhet në qendër të fshatit homonim të rrethit të Vlorës. Përfaqëson një dru rrapi të veçuar, me lartësi mbi 25 m, diametër të trungut deri 230 cm dhe moshë mbi 250 vjeçare. Ka kurorë të rregullt e perimetër mbi 25 m. Ka vlera shkencore (biologjike), didaktike, estetike, kulturore dhe turistike. Ka shërbyer si vend takimi për kuvendet e fshatit. Vizitohet sipas rrugës Vlorë-Smokthinë. Dhënë me Vendim Nr. 676, datë 20. 12. 2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare”.

Në Ramicë gjendet tre lapidarë, pllakata përkujtimore, shtëpi karakteristike të Labërisë, porta të hershme, gure të gdhendur në qoshet e shtëpive, si dhe objekte muzeale të një rëndësie të veçantë si Koçek, Katua me harqe, Varroshe 200 vjeçare etj.


Në Smokthinë gjenden…


Shpellat e Boderit (Smokthinë). Ndodhet pranë fshatit Smokthinë, njësia administrative Brataj e rrethit të Vlorës, 800 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një shpellë karstike të formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë. Ka dy kate, ngushtime e zgjerime. Gjatësia është rreth 200 m, ndërsa lartësia e gjerësia mesatare ështe 10-15 m. Ka edhe konkrecione. Shpella ka vlera shkencore (speleologjike, gjeomorfologjike), didaktike dhe ekonomiko-turistike. Vizitohet duke ndjekur rrugën rurale: qyteti i Vlorës-fshati Smokthinë-monumenti. Dhënë me Vendim Nr. 676, datë 20. 12. 2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare”.

Rrapi i Mesaplikut. Biomonument i cili përfaqësohej nga rrap i veçuar pranë fshatit Mesaplik në luginën e Shushicës, njësia administrative Brataj të Vlorës. Njihej edhe me emrin Rrapi i Ismail Qemalit, pasi aty ai kishte pushuar gjatë udhëtimit. Dhënë me Vendim Nr. 676, datë 20. 12. 2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare”. Aty është ngritur dhe një memorial madhështor që i bën jehonë kësaj ngjarje, por dhe figurave të Lumit të Vlorës.

Kalaja e Cerjes. Në territorin e fshatit Ramicë, Brataj, Vlorë, dhënë nga Rektorati Uiversitetit Shtetëror të Tiranës Nr. Vendim 6, dita e shpalljes 15. 01. 1963.

Këmbët e Urës Antike nën Kalanë e Cerjes. Në territorin e fshatit Ramicë, Brataj, Vlorë, dhënë nga Rektorati Uiversitetit Shtetëror Tiranës Nr. Vendim 6, dita e shpalljes 15. 01. 1963.

Kalaja e Boderit. Në fshatin Boder, Smokthinë, Vlorë, dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës me Urdhëresë më datë 08. 01. 1977.

Mozaiku në vendin “Brezi i çishë Murajve”. Në fshatin Mesaplik, Brataj Vlorë, dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës me Vendim nr. 266/1 më datë 16. 02. 1979.

Banesa e Petrit Derrit. Në fshatin Bashaj Vlorë, dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës me Urdhëresë më datë 08. 01. 1977.

Banesa e Zigur Lelos. Në fshatin Mesaplik, Brataj, Vlorë, dhënë nga MTKRS me Vendim nr. 202, datë 28. 03. 2007.

Burimi kripur i Bashaj. Kjo është një burim karstik i kripur. Duket se gjatë rrugës përshkon shtresa kripë nëntokësore.


Çfarë mund të bëhet për zhvillim


Ramica në vështrimin ekonomik:

Fshati Ramicë ka zarzavate stinore shumë cilsore, prodhon misër e grurë të cilësisë së lartë, patate, qepë dhe fasule. Qeveria shqiptare në vitet ’70 eksperimentoi në Ramicë, domaten e vonë që e kultivoi dhe mbulonte një pjesë të tregut në Vlorë. Por në vitet ‘90 e vazhdim ky prodhim i kësaj domates u la në harresë, si shumë gjëra të tjera.

Ramica njihet edhe për mjaft llojshmëri pemtarie si: rrush, fiq, arra. Më parë praktikohet me sukses edhe bletaria, me një mjalt mjaft cilësor, që mirëpritet deri në tregun e vendit.

Ramica njihet edhe për një blegtori të shumtë, se ka kullota të pasura. Në këto kullota përballonin mijëra bagëti të Ramicës. Shumë familje kanë arritur të krijonin kope dhish e dhenësh nga 400-800 krerë. Po, sidomos, lopa e vendit ishte e njohur dhe jashtë Ramicës.

Në Ramicë, qysh në kohë të lashta është ushtrua sporti i gjuetisë, gjë që është trashëguar deri në ditët e sotme. Gjuetarët ramiciotë njohin dhe rrespektojnë ligjet e gjuetisë, masëshumti aplikojnë gjuetinë në kohë me dëborë, e sidomos në lartësitë e mëdha të pyjeve përrreth.


Përbërja etnike: 


Ramica është njohur si fshat prej 12 fise të besimit mysliman. Ramica përbën një bazën për potenciale turistike, duke u shndërruar në një qendra të një lloj turizmi të ri, ku ushqimi, uji i lehtë dhe klima janë pasuri të pazëvendësueshme.

Në total mund të bëhen disa ndërhyrjet në infrastrukturë, ku të përfshihen rrugë e rrugica, qendra e fshatit, kanalizime, ujësjellës, rehablitimi objektesh kulturore apo objektesh të trashëgimisë historike.

Bashkia Selenicë mund të krijojë grupe pune, për t’u parapri punëve me masa konkrete organizimi, sepse në Ramicë ka edhe intelektual për hulumtime e studime me interes në fusha të ndryshme.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page