Ben Shehu: Misioni i heshtur
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 4 min read

Misioni i heshtur
Tregim nga Ben Shehu
Liqeni i Tiranës, ditëve me diell, mbushet me njerëz që ecin në shëtitoren pranë tij. Dëgjohen zërat e fëmijëve që luajnë dhe të qeshurat e tyre të lumtura përzihen me cicërimat e zogjve. Është një ambient i mrekullueshëm për shëtitje dhe për të shijuar një ditë të bukur. Por ai liqen ruante një të fshehtë mistike, në zemrën e tij flinte një enigmë e thellë, askush nuk e dinte fuqinë e tij të errët. Për këtë arsye shumë njerëz ishin mbytur aty për një periudhë të gjatë kohe. Tregohej se uji i tij kishte gjithmonë një ngjyrë të errët dhe se shumë persona kishin parë një hije të bardhë që notonte në ujrat e tij. Vdekja, thuhej, rrinte në fundin e ftohtë të liqenit dhe priste momentin për t’i marrë jetën viktimave të saj.
Në një klinikë private në Bari, Itali, shkoja shpesh për të takuar një mik të tim eti, i cili ishte shtruar aty për një sëmundje të rëndë. E quanin Petraq. Më parë kishte shërbyer si prift në një kishë të Tiranës, por gjatë viteve të regjimit ishte detyruar të punonte marangoz në Kavajë. Ishte një histori e gjatë. Bisedonim shpesh për tema të ndryshme, por atë ditë më tregoi mbi liqenin e Tiranës dhe të fshehtën e patreguar që ruante. Dukej sikur, në momentet e fundit të jetës, kishte nevojë të rrëfente eksperiencën e tij, për atë që kishte përjetuar.
Ai filloi të fliste ngadalë:
“Mund të ketë qenë viti 1958 ose 1959, nuk më kujtohet saktë. Një natë, pak para se të hapeshin ujërat për të mbushur liqenin e Tiranës, ndodhi diçka. Duhet të kishte qenë rreth mesnatës. Në kasollen prej druri ku kryente shërbimin roja i objektit, i cili kishte ndezur sobën për t’u ngrohur, u hap dera papritur dhe hynë dy policë të armatosur. Ata nisën ta pyesnin për masat e sigurisë dhe për mënyrën se si kryente shërbimin. Roja u përgjigjej i habitur nga ajo vizitë e papritur, ndërkohë që dëgjoi zhurmën e një makine që u ndal dhe zëra që vinin nga hapësira ku do të mbushej me ujë, e do krijohej liqeni. Policët qëndruan aty, duke mos e lejuar rojen të dilte. Nuk kishte kaluar shumë kohë, dhe u dëgjuan tre të shtëna.”
Petraqi ndaloi së treguari, piu pak ujë dhe me duart e dobëta, që kishin marrë një ngjyrë të verdhë, fshiu buzët. Pastaj vazhdoi:
“I shkreti roje u tremb. Edhe ai kishte qenë prift dikur, por e kishin caktuar aty për të ruajtur objektin. Para se të largoheshin, policët e porositën të mos dilte nga kasollja, sepse, sipas tyre, kishte lëvizje të dyshimta. Shoku im nuk guxoi as të dilte, e jo më të kontrollonte çfarë po ndodhte atë natë. Të nesërmen në mëngjes, ai kishte dalë për të parë vërshimin e ujit, por kishte dalluar diçka në formën e dheut, sikur aty të ishte varrosur dikush. Ma tregoi këtë disa javë më vonë, kur hapësira kishte filluar të mbushej, dhe po krijohej liqeni.
Thashetheme kishte asokohe. Mësuam se kishin arrestuar një grua, për të cilën flitej se komunikonte me të vdekurit dhe se, sipas zërave, një pakujdesi e saj i kishte sjellë telashe. Por nuk u muar vesh kurrë nëse ishte ajo gruaja që ishte varrosur në zonën ku u ndërtua liqeni. Vitet kaluan. Unë vazhdova punën time si marangoz. Herë pas here takoja shokët e mi të vjetër, gjithmonë me shumë kujdes. Herën e fundit që u takova me shokun tim, ai që kishte bërë roje tek diga e liqenit te Tiranës më tregoi se shumë njerëz ishin mbytur në liqenin e Tiranës dhe vazhdonin te mbyteshin. Kur u ndava me të fillova te mendoja gjatë, kishte diçka që fshihte ai liqen e në punën time isha ndeshur me shumë fenomene paranormale. Dyshimet ia tregova shokut tim kur u takuam sërish, dhe ramë dakord të bënim një provë me ujin e liqenit. Morëm vaj ulliri dhe, të dielën, gjetëm një vend ku nuk na shihte askush. E hodhëm vajin në ujë, por ajo provë kundërshtonte të gjitha ligjet e fizikës, vaji nuk notoi; uji e përpiu menjëherë. Aty e kuptuam se një forcë e errët, ose një mallkim fshihej në ujrat e liqenit. Duhej të bënim diçka.
Në shtëpi, të fshehur mbaja kryqin e manastirit të Ardenicës, aty ku ishte martuar Skënderbeu. E ruaja si sytë e ballit, por vendosëm ta përdornim për të çliruar liqenin nga një forcë e keqe. Ky ishte misioni ynë. Ka forca të këqia që shuhen me kohë dhe të tjera që kërkojnë ndërhyrje. Ramë dakort të shkonim aty një natë me shi. Qëndrova disa netë te shtëpia e shokut tim, duke pritur shiun. Më në fund, shiu filloi. Rreth orës dhjetë të mbrëmjes dolëm nga shtëpia dhe ecëm në këmbë deri te diga e liqenit. Shiu vazhdonte të binte, ndërsa ne të dy kishim filluar të luteshim me zë të lartë e duke shtrënguar biblën secili në gjoksin e vet. Një hije e bardhë lëvizte me shpejtësi mbi ujin e errët të liqenit, ngrihej si dallgë dhe ulej sërish me një forcë marramendëse. Vazhdonim lutjen dhe hodhëm ujë të bekuar në liqen. Në atë çast filloi një erë e fortë dhe u ngritën dallgë, por ne nuk ndaluam.
Në atë çast bërtita me zë të lartë:
“Qoftë çdo mallkim i zhdukur dhe bekimi i Zotit e mbushtë këtë vend. Amen!” dhe hodha kryqin në ujë.
Pas disa sekondash, uji dukej sikur vlonte. Një dritë e fortë doli nga liqeni dhe u ngjit drejt qiellit.”
Dhe më pas çfarë ndodhi? - e pyeta unë.
- Ndodhi ajo që duhej të ndodhte, — u përgjigj ai qetë.
Liqeni u çlirua nga hija e rëndë. Ndoshta edhe shpirti i saj, që kishte mbetur i lidhur me ujërat e liqenit, u çlirua dhe u ngjit në qiell.
Kisha e Shën Prokopit, Tiranë









Comments