Timo Mërkuri: KUSH FUTET NË UJË PËR MUA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5h
- 4 min read

Nga Timo Mërkuri
Epifania është festa e shfaqjes dhe e zbulesës. Në traditën biblike dhe kishtare ajo lidhet me pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan, me çastin kur Jezusi hyn në ujë dhe pagëzohet nga Gjon Pagëzori. Pikërisht në atë hyrje, qielli hapet, retë largohen dhe një dritë zbret mbi kryet e Krishtit, duke ndriçuar vendin dhe njerëzit përreth. Prandaj në krishterim Epifania njihet edhe si dita e dritës që zbret- një ditë që nuk fton në festë të zhurmshme, por në heshtje dhe vështrim të brendshëm.
Në këtë ditë, uji nuk është thjesht një element natyror. Ai shndërrohet në hapësirë shenjtërimi, prove dhe rilindjeje. Uji pastron, por edhe ftoh; jep jetë, por kërkon guxim. Askush nuk hyn në të pa u dridhur nga tw ftohtit. Pikërisht në këtë dridhje qëndron pesha e tij simbolike.
Hedhja e kryqit në ujë është një rit i lashtë, ende i gjallë në traditën tonë. Kryqi hidhet në lumë dhe njerëzit zhyten për ta nxjerrë. Ai që e gjen dhe e nxjerr, merr bekimin - dikur edhe një shpërblim simbolik. Por thelbi i ritit nuk qëndron te fitimi. Ai qëndron te gatishmëria për t’u futur në ujë të ftohtë, për të rrezikuar trupin, për të provuar besimin dhe përkushtimin përmes këtij akti. Jo të gjithë futen. Jo të gjithë munden.

Me këtë ngarkesë biblike dhe simbolike, poezia e Ilirian Zhupës hapet si një epifani personale. Ditëlindja nuk shfaqet si festë sipërfaqësore, por si çast zbulesë: momenti kur njeriu ndalet dhe e sheh veten në raport me të tjerët, me kohën dhe me dashurinë që ka dhënë.
1. Subjekti poetik shfaqet si kryq i hedhur në lumë në ditën e epifanisë. Vargu:
“Unë jam si një kryq i hedhur në lumë,”
e vendos unin lirik në një pozitë sakrifikuese. Poeti nuk është ai që mban kryqin mbi shpinë, por në këtë varg ai është vetë kryqi. Ai nuk flet nga lartësia e gjykimit, por nga thellësia e ujit. Kjo figurë e zhvendos subjektin nga roli i kërkuesit në rolin e dhuratës.
Në këtë mënyrë, figura e tij afrohet me simbolikën e Krishtit: qenie që jepet, që hidhet për të tjerët, që pranon të humbasë për hir të dashurisë. Kryqi nuk qëndron më mbi kodër, por në rrjedhë uji të ftohjë, në rrezik, në pritje.
2. Lumi këtu nuk është vetëm ujë. Ai është koha që rrjedh pa u ndalur, vitet që kalojnë, ditëlindjet që shtohen njëra pas tjetrës. Është jeta në lëvizje të vazhdueshme, që nuk pret askënd.
Të jesh “i hedhur në lumë” do të thotë të jesh i dorëzuar ndaj kësaj rrjedhe. Do të thotë të pranosh se gjithçka kalon, se njerëzit largohen, se ndjenjat ftohen. Lumi nuk është armiqësor, por është i paepur në ecjen e tij drejt detit. Në këtë kuptim, poezia i afrohet një filozofie të heshtur të ekzistencës, ku njeriu nuk e zotëron më kohën, por noton brenda saj, i ekspozuar ndaj rrjedhës, humbjes dhe pritjes për t’u shpëtuar nga një dorë tjetër.
3. Vargu:“Për njerëzit që dua.”është çelësi moral dhe shpirtëror i poezisë. Kryqi nuk hidhet rastësisht dhe as për spektakël. Ai hidhet për dashuri. Dhe kjo dashuri nuk është e zhurmshme, është dashuri biblike, që nuk kërkon kthim dhe nuk bën llogari. Është një dashuri që pranon dhimbjen, vetminë dhe heshtjen si pjesë të saj. Një dashuri që nuk ankohet. Një dashuri si e Atit për njeriun, që pranoi të sakrifikojë birin e vetëm pë rata.
4. Poeti thotë, ndoshta me një trishtim të fshehu një pohim të thjeshtër:“Pakësohen ata,” por të rëndë si gur. Me kalimin e viteve, rrethi njerëzor ngushtohet. Jo sepse dashuria pakësohet, por sepse gatishmëria për të hyrë në ujë bëhet më e rrallë.
Epifania e ditëlindjes këtu nuk shfaqet si një gëzim, por si një vetëdije. Është çasti kur njeriu sheh qartë se kush mbetet pranë dhe kush largohet pa zhurmë.
5. Çuditërisht vjen çasti që uji shfaqe si provë besimi dhe guximi. Vargu: “Që janë gati të futen në ujë,”kujton drejtpërdrejt ritin e Epifanisë. Uji është i ftohtë, është i thellë dhe kërkon një vendim. Jo të gjithë futen në ujë, jo të gjithë kanë guximin të përballen me rrezikun dhe pasigurinë. Poeti nënkupton se dashuria e vërtetë nuk matet me fjalë, por me veprim. Me hapin që hidhet drejt ujit të ftohtë, ndoshta dhe të ngrirë të 6 janarit.
6. Nxjerrja e kryqit zakonisht është një akt triumfi, fitoreje, por në poezi shfaqet si një akt shpëtimi.
Te vargu: “Të më nxjerrin mua.”kryqi bëhet njeri dhe njeriu bëhet kryq. Nxjerrja nuk është fitore, por shpëtim. Është një akt i rrallë dhe i heshtur, që nuk kërkon duartrokitje. Kjo zhvendosje nga triumfi te shpëtimi e largon poezinë nga retorika heroike dhe e afron me një estetikë moderne të brishtësisë njerëzore, ku vlera nuk qëndron te forca, por te mbajtja e tjetrit në rrjedhën e jetës.
Ai që nxjerr kryqin shpëton tjetrin nga harresa, nga vetmia, nga fundosja në rrjedhën e jetës. Por në të njëjtën kohë, shpëton edhe veten, sepse bekimi është i ndërsjellë.
Poezia e Ilirian Zhupës është një epifani e qetë dhe e dhimbshme njëkohësisht. Ajo na kujton se vitet që shtohen nuk janë vetëm numra, por edhe prova dashurie. Jo kushdo mbetet në këtë dashuri. Jo kushdo futet në ujë.
Në fund, mbetet pyetja e heshtur biblike: kush është gati të rrezikojë për tjetrin?
Siç e thotë vetë poeti:
“Unë jam si një kryq i hedhur në lumë…
Pakësohen ata,
Që janë gati të futen në ujë,
Të më nxjerrin mua.”
Këto vargje nuk kërkojnë më shumë shpjegim. Ato nuk flasin, ato qëndrojnë. Dhe në këtë qëndrim, bëhen vetë zbulesë, bëhet dritë.
Sarandë, 05 Janar 2026








