Fatmir Terziu: Apolitikaliteti, surrealizmi dhe avangarda në poezinë e Ilir Belliut
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 10 min read

Apolitikaliteti, surrealizmi dhe avangarda në poezinë e Ilir Belliut
Emrin e poetit Ilir Belliu e kam hasur nga shënimet e publikimet e shkrimtarit dhe poetit Agron Tufa. Para dy ditësh më tërhoqi vëmendjen Balil Gjini me „Realizmi socialist nuk ka qenë fare metodë letrare. Ka qenë një sajesë politike, pesë pikat e saj më të rëndësishme kanë qenë një burg me pesë penxhere. Dramë e madhe për ata që e jetuan dhe shkruan sipas kësaj metode, por s'ke si pa bën: letërsia është dhe fat. I gjithë produkti letrar ishte një mbetje estetike e futur në thasë çimentoje dhe s’kishte si e kapërcente traun e doganës artistike që u ngrit në vitet 90. Duhej të rrinte matanë, për shkak të forcës infektuese. Por nuk ndodhi kështu. Poetët e asaj periudhe u treguan marifetçinj të përkryer. E futën mallin e tyre kontrabandë, duke mos kaluar fare nga dogana, por nga rrugët e tërthorta: nga mali, siç bëjnë emigrantët. Dhe të tjerët i gjetën prapë para tyre, tek nxitonin drejt Olimpit letrar. Dalëngadalë ata u bënë vetë doganierë dhe i vunë tarifa të larta letërsisë së re që duhej të lindte. Hesapet i bënin me ata defterët e vjetër të bakallit. Kështu, njëri nga poetët më të mirë pas viteve 90, Ilir Belliu, nuk figuron gjëkund në listat e tyre. Kontrabandistët e vjetër zunë poste në sistemin e ri, zaptuan juritë, çmimet. Hera-herës bëjnë sevap: i japin ndonjë copë ndonjë autori të ri. Është nga ata që është helmuar nga produktet e tyre letrare. Në fund të vlerësimit, ose diplomës shkruajnë: “dhe tradita vazhdon!” Cila traditë?! Vazhdimi i rrugës së tyre, mbytja nga gazi karbonik, vdekja e ëmbël…“ Më tej gjeta poetin Arben Dedja si një „thesar“ për protagonistin e disa shkrime nga disa autorë të tjerë, dhe natyrisht syri më preku si fillim tre dimensione, që reagojnë dhe dimensionohen tek apolitikaliteti, surrealizmi dhe avangarda në poezinë e tij, duke pasur parasysh panoramën e poezisë shqiptare të pas viteve ’90.
Në panoramën e poezisë shqiptare të pas viteve ’90, ndjeva se emri i Ilir Belliut shfaqet si një nga ato pranvera të papritura që zgjojnë ndjeshmërinë krijuese dhe e sfidojnë shikimin tonë të zakonshëm mbi poezinë. Teka e lexova u binda se ai nuk ishte thjesht një poet i ri që debutoi në një kohë tranzicioni, ishte një ndër zërat që artikuluan në mënyrë të veçantë vetminë, ankthin metafizik dhe revoltën e heshtur ndaj çdo forme imponimi estetik e ideologjik. Tragjedia e jetës së shkurtër, e prerë më 2001, kur ishte vetëm tridhjetë vjeç, i jep veprës së tij një përmasë të dhimbshme të fatit të prishur, por njëkohësisht edhe një karakter profetik, sikur poezia e tij të kish ardhur për të dëshmuar se shpirti poetik mund të jetojë jashtë çdo matrice dhe jashtë çdo “dogane” letrare.
Si fillim, të flasësh për apolitikalitet tek Ilir Belliu nuk do të thotë se ai jetoi apo shkroi në një vakum shoqëror. Përkundrazi, poezia e tij është e mbushur me tensione, me shenja krize, me ankthin e njeriut të lirë që duhet të përballet me botën e pastranzicionit. Por ky tension nuk artikulohet përmes sloganeve, retorikës, as përmes shenjave të drejtpërdrejta të përditshmërisë politike. Apolitikaliteti i Belliut shfaqet si refuzim i përfshirjes në një diskurs që kufizon. Ai shmang rolin e poetit-tribun, poetit që “udhëzon” publikun. Në vend të kësaj, Belliu zgjedh të jetë dëshmitar i brendshëm. Ai shkruan për lëvizjet e padukshme të vetëdijes, për dilemat ontologjike, për mendimet që shndërrohen në figura tronditëse, për trupin që bëhet vend i stinëve dhe i frikërave. Kjo përbën një zgjedhje etike të qartë: poezia nuk është mjet për të fituar hapësirë publike, as arenë e rivaliteteve ideologjike. Ajo është hapësirë e përjetshme ku njeriu mat ekzistencën e vet. Pikërisht këtu qëndron dhe sfida e tij për lexuesin: të pranojë se e vërteta poetike mund të jetë e heshtur, intime, madje e errët dhe megjithatë, më e thellë se çdo “mesazh i madh”.
Në letërsinë që doli pas vitit 1990, shumë poetë u përpoqën të çliroheshin nga trashëgimia e realizmit socialist, por shpesh u përfshinë në një tjetër konvencionalitet, atë të postmodernizmit të jashtëm, lozonjar, të efektit të shpejtë. Ilir Belliu nuk hyn as në njërën, as në tjetrën kështjellë. Ai është avangardë jo sepse “eksperimenton” për të qenë modern, por sepse gjuhën e kthen në një hapësirë tronditjeje. Metaforat e tij nuk janë zbukurime, ato janë mekanizma që e zhvendosin lexuesin në një terren të paparashikuar. Gjymtyrët që “flasin”, vetmia që bëhet “mizore si mesditë”, lumë që rrjedh në kafkën e njeriut. Sikurse shihet këto nuk janë lojëra semantike, por përpjekje për të përshkruar përvojat limite të qenies. Avangarda e Belliut është e brishtë dhe e patheksuar. Ajo nuk ulëret, por gërryen nga brenda. Në një kohë kur juritë, çmimet dhe pushimet e mëdha letrare riformatuan hierarkitë ndoshta me të njëjtat skema të së kaluarës, Belliu mbeti “jashtë liste”, sikurse citon Balil Gjini. Por kjo jashtëqëndrueshmëri nuk e pakësoi peshën e poezisë së tij, përkundrazi, e thelloi atë. Ai mbeti poet i fatit, jo i sistemit.
Ndër tiparet më karakteristike të poezisë së Belliut është prania e fortë e elementit surreal. Por ky surrealizëm nuk është imitativ. Surrealizmi tek poezia e Belliut (të paktën për kaq sa e kam lexuar nga disa publikime të dashamirësit profesionist Tufa) del natyrshëm nga përplasje të brendshme, midis trupit dhe mendjes, midis dëshirës dhe frikës, midis dashurisë dhe shkatërrimit.
Në shumë poezi, figura të pazakonta, sikurse ai i sjell, pantera që troket në derë, gjarpër që “zhvirgjëron greminën”, princesha e shiut që qan, diskursivisht shndërrohen në simbole të pasigurisë njerëzore. Surrealja këtu nuk largon nga realiteti, përkundrazi, ajo e bën realitetin më të dukshëm, më të dhimbshëm. Në këtë sens, Belliu lidhet me traditën e madhe europiane të surrealizmit, por e përkthen atë në idiomën e vet intime, larg çdo retorike programatike. Ai e përdor ëndrrën si mënyrë shpjegimi, jo si arratisje. Surrealja, në poezinë e tij, bëhet gjuhë e nënvetëdijes kolektive, e atyre plagëve që nuk fliten, e frikës së paemër, e vetmisë që njeriu e ndjen edhe mes turmës.
Titulli i librit të parë, „Vetmi me njerëz“, është një formulë që përmbledh shumë nga bota e Belliut. Vetmia nuk është thjesht mungesë shoqërie, tek ky libër, ajo është përvojë ekzistenciale, një heshtje e thellë që shpesh kthehet në dialog me Zotin, me nënën, me fëmijërinë, madje edhe me vdekjen. Në poezitë për nënën, prekja e dhimbshme bashkohet me lutjen. Tek “Nënë”, ndjenja e fajit, frika dhe dashuria krijojnë një qenie poetike sa reale, aq edhe sakrale. Ndërsa tek poezitë e tjera, vetmia merr forma të egra, prej “bishës” që përtyp njeriun. Megjithatë, Belliu nuk i dorëzohet nihilizmit. Edhe kur tingëllon tragjik, ai e ruan një etikë të brendshme, tregon kujdesin për t’i thënë vetes të vërtetën, pa mashtrime dhe pa autopropagandë.
Në leximin e Belliut është e pamundur të shmangësh pyetjen mbi fatin e poetit. Ikja e tij, e përfolur, e mitizuar, apo e keqkuptuar, shpesh është parë si çelës interpretimi. Por poezia e tij kërkon nga ne diçka tjetër, të mos ngatërrojmë biografinë me metafizikën. Po, te Belliu ka një ndjenjë përplasjeje me ekzistencën, por kjo përplasje është universale. Ajo i përket kujtdo që ndjen se bota është një „ishull“ ku nuk mbërrin dot, një „treni që ecën mbrapsht“. Në këtë kuptim, poeti nuk është hero tragjik i një rrethane; ai është pasqyra e një epoke të munduar, ku liria trupëzohet shpesh si frikë.
Natyrisht duke mos pretenduar se e njoh plotësisht krijimtarinë e tij, por për kq sa lexova, Ilir Belliu mbetet një poet i rëndësishëm pikërisht sepse qëndron jashtë klasifikimeve të lehta. Apolitikaliteti i tij është formë e lirisë, por surrealizmi i tij është një mënyrë për të thënë të pathënshmen dhe natyrsisht avangarda e tij është e heshtur, por e pakthyeshme. Ai na kujton se poezia nuk matet me çmime, me listime, apo me praninë në antologji, matet me aftësinë për të ndezur ndërgjegjen dhe për të lënë gjurmë në përfytyrimin tonë. Duke lexuar poezitë e tij, kuptojmë se “e vërteta” për të cilën ai krijoi ishte ajo e brendshme, ajo që s’e kap dot asnjë institucion, por që na formon, ngadalë, si lexues dhe si njerëz. Në fund, Ilir Belliu mbetet një poet i pashuar, që jeton në kufirin mes ëndrrës dhe heshtjes, mes dhembjes dhe dritës. Dhe pikërisht ky kufi aq i rrezikshëm, aq i bukur, është vendi ku poezia e tij do të vazhdojë të na thërrasë. Nëse letërsia, siç është thënë shpesh, është edhe fat, atëherë fati i Belliut është ai i poetëve të rrallë, të pazëvendësueshëm, të vështirë për t’u sistemuar, por të domosdoshëm për ta kuptuar vetveten në kohë të paqarta.
Disa poezi nga Ilir Belliu
Gjymtyrë
S’më shihni?!
Hedhurina ëndërrore
Mbledh padukshëm…
Doemos, për t’iu shmangur
Këtij shkatërrimtari
Që gri ekziston…
Tek e mbramja
Gjithkush bie pre
E gjymtyrëve që flasin.
Më lini vetëm!
Kam nevojë të qaj!
Në shkëmbim të vetvetes.
Shi…
Shi që puth me epsh
Buzët e Tokësores
Shi…
Shi që trishtëm kotet
Si qen i qelqtë.
Më lini vetëm!
Për ju të festojmë,
Të këndojmë të varur
Në trekëndëshin e diellit.
Dhe askujt s’i shkon ndërmend
Se aty jepen koncerte.
Ndryshme, me orë të tëra
Do të mbanin vesh
Dhe agimi i prirur
Për të qeshur me lotë
Dhe princi i shndritshëm i shiut
Që duket shkoqur që qan
Dhe mëzi i pashtruar
Prej gjithkujt i harruar
Që me siguri kish për t’u madhëruar.
Lojë
Harrova të vish.
Po ç’them?…
Gishtat e mi
Kanë kohë që lozin
Me bishtalecat e tua
Si ca pinguinë të vegjël.
Babai
Kot fle pa trup
Sikur jam në rrugë.
Troje cicërimash
Vershët e mia gri
Liridashës si ky qiell
Që vdes së jetuari
Në çastin e orgazmës!
Domethënë babai
Më ndjek me zë
Si një lepur që e ka krizë
Një dorë të ngordhur.
Vetmi
Urremë!
S’kujtohem të harroj
Atë që më lufton
Delir i çuditshëm
Mosndëshkimi i vetes!
Si një qafë e gëzueshme
Rrjedh lumi i misterit.
S’ka njeri pa njeri
Kur më pushton një vetmi
Mizore si mesditë.
Jemi njerëz
E shoh…
Fushën femërore
Mbjell bujku i puthjes.
Jemi njerëz…
Fatmirësisht kafkat
Në hënë na kullosin,
Barinjtë e nëndheshëm.
Shkrepje
I zbutur zgjohem.
At idiot
Me tru të qeshur
S’ka shkak të jetë mëngjes,
S’ka shkak të mos zhytesh
Në këtë ferr parajsor
Rob mbretëror
Pse skandal është asgjë
Kur murmurima treten
Dheut të brishtë frymor
Dhe fotografi dy kokësh
Shkrep tronditshëm
Dy tigra të bashkuar.
Një lumë i vogël rrjedh në kafkën time
Një lumë i vogël
rrjedh në kafkën time!
Oh, po s’mund të duroj
i pavarrosur në mjegull!
Një lumë i vogël
rrjedh në kafkën time,
një lumë që shterr
Vetëm në çastin që ulërin
një shtatzënë në hënë
për të lindur festiv
Vrasësin e gjarprit,
që helmon frymëzime.
Filozofia e ndjenjës
Varkëza epshi notojnë
Dhe kuriozi duket
Një pushtues vezullues…
Padyshim asgjë s’qan
Në një ishull
Pa një ishull
Pavarësisht trupit anonim,
Kryeshpendit më të vdekshëm
Që fort e trëmb
Fryma që bëhet mbrëmje
Ose det me kthetra.
E njeriut
Duke udhëtuar
për në ishullin e njeriut,
nuk e di pse u shemba
në këtë pus të hapur
Ku i vdekuri blu
i bie bories.
Për në ishullin e njeriut
duke udhëtuar,
pata frikë
mos më vërente i vdekuri,
dhe u struka
në ekzistencë.
Duke udhëtuar
Për në ishullin e njeriut
Për fat, pavetëdija,
Treni që ecte mbrapsht,
S’ka folur mbi mëzin,
që lexonte
abetaren e pafundësisë.
Për në ishullin e njeriut
duke udhëtuar,
sepse s’guxova të mbërrija…
Befas na u fanit Deti
Ti fërgëllove…
Në një nga vatrat e mia të malleve
përqasej vdekja.
Diçka po ngjet mikesha ime:
Jo gjithçka
Thëngjij të vdekshëm jemi –
Pjesëza të së tërës.
Në një qoshe të errët
Befas na u fanit Deti
Ky instrument virtuoz
Që mendjet i shpërndan
Si grumbuj puplash.
Nënë
Sa e vogël më dukesh
Me ato duar prej engjëlli
(më të ëmblat mbi dhe!)
Oh, fryn erë e marrë, nënë,
Zgjohem në terr për ty,
Dhe kam frikë
Se qentë lehin, lehin,
Dhe bota s’do më dritë.
Ti tretesh tërë ditën mbretëreshë,
Me thikën e diellit
Ballin e botës e bën të qeshë.
Të shoh tek fle si kotele misteri
Dhe qaj për shpirtin tënd.
Botë e egër kjo e jona,
Unë po dënes për ty
Por edhe kjo s’mjaftoka!
Ndjej një lëmsh çdo ditë
Që po më ha,
Zot, po të mos jesh ti,
Kjo tokë është një hata!
Oh, ju lutem, zhdukuni të gjithë,
Se, të jetoj më, s’dua,
Zot, o Zot,
I tëri në tokë do shtrihem
Vetëm nënën mos ma lerë të vuaj’.
Shiko Zot, se s’duroj dot,
Shiko se është e mirë,
Me shpirt si tëndin, të dlirë!
Troket në derë një panterë
Gjarpri zhvirgjëron
një vaginë në greminë,
çupkë e vogël qan,
ka humbur shtëpinë.
Si prej një krateri
rrjedh nga goja vreri
e kur i bie terri.
Një panterë besëprerë
troket tri herë në derë…
Vajtim
Jam pa fole dhe fle
Aty ku më le…
Ah, ti ke lindur për të qeshur,
Me atë kafkë të vrenjtur…
Ziej se më përzunë
Sikur s’kam qenë kurrë!
Jemi, por do të ndahemi
Me yjëzit në kurm,
Jemi për të qenë
Sterilë, mbetur mangut,
Me barelë për të përcjellë
Djalthin e vdekur të agut…
Jam pa fole dhe fle
Aty ku më le…
Lirikë
Ti ende s’më njeh
Edhe më mëkon
Me qumësht qëndrese.
Ti pjellë
Ti kukull,
E akullt
Llahtari!
Mirë, pra, s’e prek,
Këtë lepurushkë
Lesbike lëvizje.
E Zoti të ruajttë,
Prej ndjellësit fluror
Të krillave të klithmave!
Shëmtirë e bukur
Ç’shëmtirë e bukur!
Zjarrngrënësi, mbresëlënëse,
negri, i egri!
Me dy kocka të kota
çmendisht i bie
xhazit të Hënës…
Ëndërr
Djaloshare e panjohura,
Çan mespërmes e vdes!
Duhet të iki…të iki…
I rënë, i pangrënë,
I kallur, i tallur,
Me këta desh në vesh.
Zot,
I erdhi zor nga unë
E më la pa gjumë,
Nuska që përfytej
Me një kalë në shkumë…
Këngë e gurtë
Si iriqë deti psherëtijnë
Ndoca gurë të sëmurë…
Gurë të mbirë për goditje
Zogj të egër në arratisje…
Mbini gurë e grini
Imitimet, përçmimet,
Prangosjet, dëbimet…
Gurë, o gurë,
Të neveritur nga një shpurë…
E ruajta ngadhënjimisht,
Këtë mallëngjim jetim,
Për bishën
Që më përtypi
Si gur në zgjim…
1988
Himn
Se kush të lindi
E tash je shkrirë
Me atë shëmtirë…
Ndalo, mos rri!
S’kafshon më kafshëza
E veshur me zi…
Mbylli sytë dhe iku
Ende i parritur
Zvarritësi i mitur…
Se kush të lindi
E tash je shkrirë
Me atë shëmtirë!
Vizatim i shpejtë
Habi,
Një uri uloke
Ndien gjarpri e zien,
E në çast bjerr ngjyrën…
Gjarpër difektoz!
Ngulur përvujtësisht
Në mish të rrufesë
Si një pirun cingun…
Mungesë
Jeta ime fillon
Kur këndoj i mbytur
në një kopsht,
Nga një fantazmë në orgazmë!
Parajsë për Krisht
Gjithë ky hidhërim,
I verdhë diellor…
Parajsë që pllenon
Mitrën barbare
Të mungesës!
Këngë
Si çezmë lëshoi flokët
Vejusha e mrrolët,
E thithkat e thepisura
Ëmbël i flatruan
Ishullit të idhullit…
Ç’ndjesi bredharake
Në ag të zgjimit
Tinëz krishtëzoj
Kalorësin e vlimit.
Qyshkur është venitur
Bujkesha trupore.
Ah, po dheu i frymës
Rri nudo prore…
Si çezmë lëshoi flokët
Vejusha e mrrolët!…
Heshtja ime
Heshtja ime
Ari prej ari,
Yll i stërmadh prej akulli…
Lëndinë e ëndshme
Ku orë e çast bredhërijnë
Lepurushkat lesbike të mendjes…
Zog fin,
Që i shpëton mrekullisht
Shpatës mizore të mureve…
Pistë e pamposhtur
Ku dy të çmendur të kuq
Rendin me këmbë prej zjarri…
Verë e qeshur
Që përmbyt padashur
Gojën e ndezur të harrimit…
Degë e egër
Ku cicëron e frikur
Vetmia e rilindur…
Përbindësh që ndal
Një gjueti të zezë gjëmimesh…
Stuhi e gjallë
Që përjetësisht
Ka vdekur!…








