Ben, nuk bëhesh dot Salman Rushdie
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 3 min read

Nga Sef Ahmati
Që prej shekujsh, në hapësirën publike qarkullojnë terma, thashetheme, proverba e formula të gatshme që rrotullohen rreth idesë së të qenit “i madh”. Thelbi i tyre është gjithnjë i njëjtë: bëj diçka që të tërheqë vëmendjen e publikut, paçka mënyrës. Në këtë logjikë, fatkeqësisht, futet edhe rasti i Ben Blushit. Ben Blushi nuk bëhet dot Salman Rushdie. Kjo nuk është provokim, as fyerje, por një konstatim i thjeshtë realist. Më kanë rënë në sy disa intervista të tij lidhur me librin “Unë jam musliman”. Nuk kam asgjë kundër një autori që shkruan. Kush sulmon një libër vetëm sepse nuk i pëlqen tema, tregon mungesë inteligjence dhe tolerance. Por kur lexon disa faqe nga ky libër, kupton menjëherë se autori vuan nga një mungesë serioze njohurish mbi Islamin. Blushi futet në një temë që nuk e njeh dhe më pas përpiqet të sajojë artificialisht dy lloje myslimanësh, një “të mirë” dhe një “të keq”, sipas ideve që i shkojnë ndër mend në çaste frymëzimi të çliruar, jo rrallë, nga një qasje sipërfaqësore dhe impulsive. Ky konstrukt nuk është as analizë, as letërsi serioze, është thjesht skemëzim i thjeshtëzuar për efekt mediatik.
Ajo që bie më shumë në sy është mania e tij për vetëviktimizim. Në çdo intervistë, pa përjashtim, ai përsërit disa herë se “më quajnë provokator”. E thotë aq shpesh, sa duket sikur mezi pret që publiku ta pranojë seriozisht këtë rol. Por po ta themi troç: Ben Blushi nuk është provokator. Shqipëria është një vend me tolerancë të rrallë fetare. Askush nuk e kërcënon, askush nuk i djeg librat, askush nuk ia ndalon botimet. Këtu mund të jetosh shumë mirë edhe duke shkruar gjëra të cekëta, siç bën Beni, dhe këtë ai e di fare mirë. Problemi i tij është tjetërkund.
Si politikan gjysmë i dështuar, Blushi përpiqet të ndërtojë imazhin e “Salman Rushdie-së shqiptare”, për të ruajtur një nivel fame që ndryshe nuk do ta mbante dot. Është një tentativë për të krijuar dramë aty ku nuk ka dramë, konflikt aty ku nuk ka konflikt, thashetheme aty ku nuk ka asgjë për t’u përfolur. Rushdie, i mirë apo i keq, ka thyer tabu, ka rrezikuar realisht, ka përballuar pasoja konkrete, edhe pse personalisht nuk jam adhurues i veprës së tij. Blushi, përkundrazi, shkruan histori lokale, të ricikluara, pa asnjë rrezik artistik apo personal. Ai e di që nuk është viktimë, por vazhdon ta shesë veten si të tillë. Dhe e vërteta është kjo, fatmirësisht, Blushi nuk plotëson asnjë kusht për t’u konsideruar provokator ndaj myslimanëve. Nuk është i rrezikuar, nuk është i ndjekur, nuk është i censuruar. Ai mbetet thjesht një figurë që e dramatizon veten për pak vëmendje.
Prandaj, të thuash se “Ben Blushi nuk bëhet dot Salman Rushdie” nuk është fyerje, por zgjuarsi, është thjesht vendosja e realitetit aty ku e ka vendin. Beni mbetet Beni, një shkrimtar i zakonshëm, brenda kornizave të mediokritetit, me ambicie të mëdha, një politikan që nuk u ngjit kurrë, dhe një “provokator” vetëm në imagjinatën e vet. Jam i bindur se asnjë komunitet dhe asnjë religjion në Shqipëri nuk ndihen të kërcënuar nga shkrimet e Benit që nuk ecën dot vetë. Sepse ne, shqiptarët, kemi ndërtuar një harmoni fetare që na e ka zili bota dhe ajo nuk cënohet nga vjershat, trillimet dhe përrallat e Benave.fetare që na e ka zili bota – dhe ajo nuk cenohet nga vjershat, trillimet dhe përrallat e Benave.
(Huazuar me lejen e autorit nga muri i tij në Facebook, redaktuar nga Fjala e Lirë, pa humbur versionin dhe përshtatur për botim)









Comments