top of page

Begzad Baliu: PO TË MOS ISHTE LUFTA



(Shënime nga nëntoka kulturore e Prishtinës, në kafene Amaro, 6)


(Skicë për roman postKovid. Të gjithë emrat e vërtetë janë imagjinarë, ndërsa të gjithë emrat imagjinarë janë të vërtetë)


-Profesor, profesor... - hyri në kafenë Amaro, duke thirrur Abdylrrezakhalimi, i biri i Jozefinës dhe Markshalgjatit, nuk e di nga shqetësimi apo nga gëzimi, se kishte zgjidhur Nyjën e Gordit dhe kishte fituar të bijën e mbretit në mos e kishte goditur me guri vendin e duhur dhe kishte marrë për nuse të Bukurën e Dheut. – Profesor, profesor, i lexova njëherë, i lexova dy herë dhe i lexova tri herë ato që kishit thënë për luftën, përkatësisht për fatin e individit dhe fatin kolektiv të popullit shqiptar po të mos kishte luftë në Kosovë, po unë kam një zgjedhje tjetër, një mendim tjetër, një ide tjetër për Kosovën dhe jo vetëm për Kosovën, PO TË MOS ISHTE LUFTA.

- Më thuaj, më thuaj Rrezaku im, - i them me kërshëri, mbase më shumë për entuziazmin e tij se sa për atë që do të më thotë.

- Të them unë të them, -më thotë me gulshim Rezaku. - Vetëm ke durim e më dëgjo mua, ashtu sikur i dëgjon studentët tu, kur prej tyre dëgjon mendime origjinale, mendime hulumtuese, mendime përkushtimi për temën që diskutoni. Kam menduar gjatë dhe nuk kam fjetur net të tëra për zhvillimet kombëtare dhe rajonale, sikur TË MOS ISHTE LUFTA, ndërsa sot do t’i them vetëm disa prej tyre:

PO TË MOS ISHTE LUFTA

1. Më 24 qershor 1999, një brigadë e Krahut Jugor të NATOS, ose Luftanija amerikane “USS Hershel Woody Williams”, do t’i afrohej Durrësit; 2500 parashutistë të shtetit të Ajovës do të zbrisnin brenda natës në Nishë dhe do të merrnin nën kontrolle veç tjerash Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish dhe së fundi, një brigadë e motorizuar e NATOS nga Hungaria do t’i afrohej Beogradit.

2. Po atë natë, në Novi Pazar të Sanxhakut, përfaqësues të Serbisë (serbë, hungarezë, shqiptarë, myslimanë dhe vllahë), Maqedonisë Veriore (maqedonas, shqiptarë dhe bullgarë), Malit të Zi (malazezë dhe shqiptarë), Kosovës (shqiptarë dhe serbë), Vojvodinës (hungarezë dhe serbë), Republikës Serbe (serbë dhe myslimanë) dhe Sanxhakut (shqiptarë, boshnjakë dhe serbë e malazezë), do të krijonin Federatën Atlantike të Ballkanit. Shtypi europian do ta quante Neootomani, shtypi rus Serbi e Madhe, ndërsa shtypi ballkanik Shqipëri e Madhe.

3. Federata Atlantike e Ballkanit krijohej sipas strukturës qeverisëse të tri niveleve: Konfederata, federata dhe zonat autonome. Kaq mund të them sot.

- Më thuaj, më thuaj, - i them, sikur të zgjohem nga një ëndërr e keqe. -Kush do ta drejtonte këtë shtet fantazmë. Kanë emra ata, apo janë fantazma, si vetë ideja juaj. - Ndërsa Rrezaku im, që më parë se sa të më afrohet miqësisht, më largohet me idetë e tija, vazhdon.

4. Njeri me pozitën më të lartë në këtë konfederatë do të ishte Nexhat Daci, nënkryetar i tretë. Nga aspekti partiak në këtë nivel do të na përfaqësonte UJD-i i Veton Surroit.

5. Njeriu më pozitën më të lartë në Federatën e Serbisë, në Qeverinë e Millutinoviqit, do të ishte Ibrahim Rugova, zëvendës i dytë dhe ministër pa portofol për marrëdhënie me bashkësitë fetare. Në Serbinë federale do të na përfaqësonte LDK-ja.

6. Kryeministër i Kosovës do të ishte Hashim Thaçi. Partia më e madhe në Kosovë do të ishte LPK-ja.

7. Zëvendës Komandant i Brigadës Ushtarake në Nish do të ishte emëruar Ramush Haradinaj.

8. Vetëm pak muaj më vonë do të shpërthente Revolucioni i Fildisht dhe për organizimin e tij Albin Kurti do të merrte dënim të përjetshëm në Burgun e Nishit.

9. Pas Revolucionit të Fildisht nga Kosova do të largoheshin shumë personalitete politike e sidomos shkencore dhe intelektuale, ndërsa unë po i theksoj vetëm disa prej tyre. Në Amerikë do të shpërngulej Profesor Rexhep Qosja.

10. Profesori i njohur Isuf Dedushaj do të largohej në Zvicër dhe do të emërohej drejtor i Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

11. Jakup Krasniqin do ta hante bolla me flokë te Shpella e Azem Galicës.

12. Rrugës për Shqipëri këngëtari Ilir Shaqiri do të shitohej nga Zanat në Grykë të Radikës, ndërsa këngëtares Shkurte Fejza do t’i shterej kënga duke kënduar një ninulë në studion “Negro Kosova”.

13. Fillimisht u tha se Profesor Agim Vinca është shpallur i zhdukur, por pas disa vitesh u tha se është zbuluar në një Kanoe në Liqenin e Strugës, me pseudonimin Santiago.

14. Publicisti Reshat Sahitaj do të organizonte Diasporën Pakufi, duke luajtur edhe Kryeatentatorin në serinë e njohur filmike belgo-franceze “Jetë e dyfishtë”.

15. Baton Haxhiu do të bëhej dhëndër i Sekretarit të shtetit Xhejms Rubinit dhe do të punonte konsull i tretë në Ambasadën e Shkupit.

16. Publicisti Halil Matoshi do të shkruante vetëm rok-poezi në gegnishte dhe do ta mbante në qafë çelësin e poetit Mirko Gashi, si një amanet i traditës qytetare.

17. Enver Petrovci do të zgjidhej drejtor i Teatrit në Terazije të Beogradit.

- Po institucionet kulturore, arsimore e shkencore si do të dukeshin, - e ndërprej rrëfimin e tij të trishtë.

18. I pari do të mbyllej Universiteti i Prishtinës, me pretekst se shumica e profesorëve nuk kanë botuar në revista të regjistruara në SCOPUS, ndërsa rektori i tij Mujë Rugova do të bënte vetëvrasje pranë shtatores së Hasan Prishtinës.

19. Pastaj do të mbyllej Akademia, kryetari i saj Mehmet Kraja do të shpallej heretik politik dhe do të izolohej në podrumet e Katedrales së Tivarit.

20. Pastaj do të mbyllej Instituti i Albanologjisë dhe drejtori i tij Hysen Matoshi do të emërohej kryeimam në Xhaminë e Madhe të Prishtinës.

21. Pastaj analisti Valon Syla do të hapte çajtoren në qendër të Prishtinës me emrin “Shakaxhiu i Pavarësisë”. Në shenjë proteste rugovistët do të shpallnin “Rrugën e re”.

22. Pas botimit të një poezie antologjike për gruan e tij, poeti Merxhan Avdyli do të goditej nga një plumb çor. Të dyshimtë nuk do të kishte, por gojkëqinjtë thonë se dy ditë pas goditjes, në adresë të tij ka ardhur një letër në zarf nga këngëtarja Liri Rasha, në të cilën ishte shkruar: “Të kuptoj pse nuk më deshe për grua, /po nuk të fali pse Sabilen e desha gjithë jetën!”. Me dashuri, Liri Rasha.

23. Ah Profesor! Si harrova Z. Profesor! Harrova të them si do të përfundonte jeta e Profesor Qosjes. A të kujtohet Delina Derti? Gruaja, e cila në takimet kulturore, politike dhe shoqërore përjetonte orgazmën sa herë përmendej emri i Profesor Qosjes. A të kujtohet Budini, Budin Buda, në të vërtetë Kentauri. A të kujtohen?

- Mbase nuk më kujtohen ata, - i them duke mbajtur frymën apo kujtesën, nuk e di, -por më kujtohen emrat e politikanëve, tregtarëve, tuxharëve, bixhozxhinjëve, falltarëve, të cilët i përdornin ata natën dhe ditën, në parti dhe në institucionet publike, në shoqëri dhe në institucionet private. A nuk mjafton kjo?

20.1. - Pas shkuarjes, për të mos thënë pas ikjes së tij në Amerikë, Rexhep Qosja fillon botimin e vëllimeve të para të ditarëve të tij “Dëshmitar në kohë historike”. Se kush thotë Delina Dertin, se kush thotë Budin Budën e se kush thotë Kentaurin, partia në pushtet i dërgoi në Amerikë për një intervistë të gjatë me Profesorin, por ata shkuan për ta helmuar dëshmitarin e madh të partive tona, të jetës sonë intelektuale, në të vërtetë të disa prej individëve të gjallë e të vdekur, që mbajnë peng të vërtetën historike të këtij kombi dhe natyrshëm perspektivën e tij.

– Po Adem Demaçi? Si ma harrove Bacen Adem. Ku do të ishte ai?

24. Baca Adem do të jetonte, sikur nuk ka jetuar askush para dhe pas tij, 999 vjet, mes tokës dhe qiellit, mes njerëzve dhe zogjve. Askujt nuk do t’i fliste. Askush nuk do t’i fliste. Herë si njeri, herë si zog, e herë si bimë. Qoftë i nderuar emri i tij! Amen!

- Po ti, që i di të gjitha këto, Abdyli im i idealeve, Rrezaku im i gëzimeve që nuk i pata kurrë, Halimi im ideologjik, ti ku do të ishe?

25. Unë do të isha vetëm personazh letrar i Jusuf Gërvallës, madje as si i tillë, se ai personazh ishte brenda rrotullave, e personazhet e rrotullave në Rrafshin e Dukagjinit, zakonisht nuk kanë qenë personat real. Po ti, që më pyet mua, pse nuk më thua për vete ku do të ishe, si do të ishe.

- Unë? Mos qofsha, Rrezaku im, mos qofsha! Që pas këtij tregimi, nuk e di nëse po dal nga ëndrra apo po hy brenda saj.

*Papritmas Abdylrrezakhalimi, u shua, u zhduk, u fundos shtatë pash nën dhe apo fluturoi drejt qiellit në shtatë palë qiej.

Qoftë i bekuar shpirti i tij!

Amin!

79 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page